Jump to content

Xhevë Krasniqi - Lladrovci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Xhevë Krasniqi – Lladrovci (1955-1998, Kosovë) ishte luftëtare e UÇK-së në luftën e fundit në Kosovë, e cila luftoi pareshtur deri në frymën e saj të fundit. Ajo është luftëtarja e vetme e UÇK-së, që do të ketë gradën e gjeneral-majorit, e kjo është grada më e lartë që ka marrë një grua shqiptare. Ajo kishte ndjekur shembullin e Shotë Galicës dhe lufton përkrah burrit të saj, komandantit Fehmi Lladrovci, të cilit nuk iu nda deri në vdekje.

Xhevë Krasniqi – Lladrovci u lind më 1 qershor 1955, në Drenoc të Malishevës. Ajo rridhte nga një familje e shquar intelektualësh dhe patriotësh. I ati i saj, Abdyl Krasniqi, ishte arsimtar dhe i burgosur politik, për shkak të veprimtarisë patriotike. I njëjti i nxori eshtrat e Azem Bejtës nga shpella e thellë 70 metra, ku e kishin fshehur. Edhe e ëma e Xhevës, Hanife Bujupi – Krasniqi, rridhte nga një familje patriotike nga Orllati i Drenasit. Xheva u rrit dhe u edukua në një familje me tradita shqiptare. Ajo ishte fëmija i parë ndër 17 djem e vajza të tjera të babait të saj, pasi nëna e saj kishte vdekur e re dhe babai i ishte martuar për herë të dytë.

Xheva ishte një vajzë jashtëzakonisht e mençur dhe e zonja. Ndonëse e rritur në një familje shumëanëtarëshe dhe në rrethana të vështira të asaj kohe, ajo ia kishte dalë mbanë që të përfundonte edhe fakultetin, për më tepër kishte përfunduar dy të tillë. Heroina Xhevë Lladrovci kishte mbaruar Fakultetin e Letërsisë dhe atë Juridik. Për më tepër, ajo ishte bërë edhe mësuese e vjehrrës së saj – nënë Shefkijes, të cilës ia mësoi abetaren, në mënyrë që vetë ajo t’ia shkruante letrat djalit të saj, Fehmiut, në kohën sa ishte në burg. Ajo është gruaja e parë shqiptare thellësisht e emancipuar, tepër e shkolluar, dy herë e diplomuar, si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe si juriste e diplomuar. është grua e cila në lëvizjen ilegale çlirimtare, u bë një nga figurat më të rëndësishme dhe më domethënëse, e cila krijoi portretin e saj politik, figurën e gruas që i takonte e ardhmja.

Xheva ishte jashtëzakonisht aktive në të gjitha organizimet që u bënë për çlirimin e atdheut. Si rezultat, ajo, gjatë një veprimtarie ilegale të vitit 1981, ishte njohur me Fehmiun, me të cilin edhe u fejua pas 2-3 muajsh. Menjëherë pas fejesës, Fehmiu ishte burgosur gjoja për veprimtari antishtetërore me 10 vite burg, prej të cilave do t’i vuante 5 e gjysmë. Përgjatë kohës sa ishte në burg, Xheva kishte vendosur të jetonte me prindërit e Fehmiut, kur edhe do të bëhej mësuese e nënën Shefkije. Falë Xhevës, ajo do t’ia shkruante të birit të saj letrën e parë me duar të veta. Ky veprim i saj e kishte prekur tejet mase Fehmiun, i cili në një letër që ia kishte shkruar Xhevës, kishte thënë: “I putha ato shkronja një nga një, që për herë të parë më erdhën nga e dashura NËNË. Trupin ma përshkoi një ndjenjë e thellë dashurie për atë krijesë, që në pleqëri mësoi të shkruante...”.

Me lirimin me amnesti nga burgu, Fehmiu kthehet në vendlindje, në Shkabaj dhe martohet me nusen e tij që e kishte pritur me vite. Vetëm dy javë pas martesës, të dy shkojnë në luftë në Kroaci, më 1991, kul ftuan në anën e kroatëve kundër agresorëve serbë. Më 1993, ajo u aktivizua në UÇK dhe po atë vit u vendos në Gjermani bashkë me Fehmiun. Më 11 mars 1998, vetëm 4 ditë pas rënies së komandant Adem Jasharit, Fehmiu e Xheva, së bashku me luftëtarë të tjerë, do të vinin direkt në radhët e UÇK-së. Ata formojnë pikën ushtarake në vendin e quajtur “Te Tuneli”, në Baicë të Drenasit, ku Xheva do të ndikonte në mobilizimin dhe masivizimin e grave shqiptare, që krahas burrave, do të luftonin për çlirimin e atdheut.

Krahë për krahë me bashkëshortin e saj, Xheva do të luftonte në çdo betejë të UÇK-së, deri në ditën e flijimit, më 22 shtator 1998. Ata kishin organizuar çdo ditë aksione e beteha të ashpra kundër forcave okupuese serbe, si në Rezallë, në Grykë të Llapushnikut, në Klisyrë, në Rahovec, në Shalë, në Hade, në Kozmaq, Qyqavicë etj.

Më 22 shtator 1998, forcat policore ushtarake serbe kishin filluar ofrnsivën në tërë Drenicën, Komnada ndërkomunikuese Guri III, në malet e Kozmaqit, kishin bërë të ditur fillimin e ofensivës me më shumë se 100 tanke, dhjetëra autoblinda, pizaguerë, topa të kalibrave të mëdhenj dhe forca të shumta të këmbësorëve, me qëllim të shkatërrimit të rezistencës së UÇK-së. Atë ditë, Fehmiu kishte komanduar në Shkabën I, II, dhe III të Brigadës 114, ndërsa Xheva, Fatime Hetemi, Shefqet Zeka e të tjerë, pozicionohen në vendin Gradinë.. Zhvillohen luftime të ashpra, veçmas te Shavarinat, në distancë 40-60 metra me armikun, ku mbi shtatë orë ballafaqohen me forcat e shumta serbe. Edhe përkundër kësaj gjendjeje, ata nuk tërhiqen dhe Komandant Fehmiu vendosë që të luftojë deri në flijim, teksa urdhëron ushtarët që të tërhiqen në drejtim të Qyqavicës për të vazhduar luftën. Pas 10 minutash, Fehmiu vdes heroikishit, e Xheva vazhdon luftën deri në përfundim të të gjithë fishekëve. Atëherë, një copë mortaje e godet atë në kokë, ku edhe bie dëshmore.

Pas rënies heroike të Xhevës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas rënies heroike të Xhevë e Fehmi Lladrovcit, në vendin Gradinë të Gllanasellës, ku edhe e luftuan betejën e fundit, është ngritur përmendorja e pavdekësisë për të rënët në betejë. Ndërsa, shkolla fillore e Gllanasellës së Drenasit, në shtator të vitit 2005, mori emrin e heroinës Xhevë Krasniqi – Lladrovci. Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, pas rënies i dha titullin – gradën Gjeneral-major, ndërsa më 22 shtator 2008, Xhevë e Fehmi Lladrovci shpallen heronj të Kosovës nga kryetari i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Veprimtarisë e heroizimit të Xhevës i janë kushtuar shumë vargje poezish e këngësh, të cilat sot këndohen, duke e mbajtur ende gjallë historinë dhe kujtimin për të.

Për kontributin e madh të dhënë, këta dy heronj i ka nderuar edhe shteti i Kroacisë, duke u dhuruar Medaljen e Artë familjes Lladrovci, kurse edhe Posta e Kosovës ka emetuar pullën postare kushtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit.[1][2][3]

  1. ^ Ilazi, Hanëmshahe. Gra të njohura të trojeve shqiptare. Prishtinë, Kosovë: KOHA. fq. 78–84. ISBN 978-9951-685-25-2. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Bashkimi Kombëtar. "Fehmi dhe Xheva Lladrovci". BashkimiKombëtar.com. Marrë më 12 mars 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ lajmi.net. "Kroacia nderon me medalje të artë familjen Lladrovci". lajmi.net. lajmi.net. Marrë më 12 mars 2018. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)