Kërceni tek përmbajtja

Zëri i Popullit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Zëri i Popullit
TypeGazetë e përditshme politike
FormatShtyp
Owner(s)Partia e Punës (1944–1992),
Partia Socialiste (1992–2015)
Founded25 gusht 1942; 82 vite më parë (1942-08-25)
Political alignmentMarksizëm-Leninizëm (1944–1992),
Demokraci sociale (1992–2015)
LanguageShqip
Ceased publication13 nëntor 2015 (botimi)
HeadquartersTiranë, Shqipëri
Circulation95 000 (as of 1970)[1]

Zëri i Popullit ishte një gazetë shqiptare me karakter politik, e njohur si organi zyrtar i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe më pas i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Për më shumë se shtatë dekada, gazeta kishte një rol të rëndësishëm në jetën politike dhe mediatike të Shqipërisë. Botimi i saj u ndal në vitin 2015, kur u zhvendos në një format vetëm online.

Themelimi dhe periudha gjatë Luftës së Dytë Botërore (1942–1944)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Pllakë përkujtuese për shtëpinë e Sefer dhe Emine Shijakut ku është shtypur për herë të parë gazeta

Zëri i Popullit u themelua më 25 gusht 1942, gjatë Luftës së Dytë Botërore, si organ i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe Frontit Nacionalçlirimtar. Numri i parë u shtyp në mënyrë të fshehtë në shtëpinë e Sefer dhe Emine Shijakut në Tiranë, e cila shërbeu si bazë për shtypshkronjën e parë e paligjshme të disa gazetave dhe revistave të kohës.[2] Publikimi i saj synonte të informonte dhe të mblidhte popullsinë për të mbështetur rezistencën ndaj forcave pushtuese.

Gjatë periudhës së luftës, gazeta qarkulloi në mënyrë të paligjshme, duke u shpërndarë fshehtas në qytete dhe zona të ndryshme të vendit. Ajo trajtonte kryesisht ngjarjet në front, veprimtarinë e organizatave të luftës dhe qëndrimet e forcave çlirimtare, ndërsa herë pas here botonte artikuj politikë dhe thirrje për bashkim në luftë.[3] Në këtë periudhë, u publikuan 171 numra të rregullt si dhe botime të veçanta informuese. Për shkak të natyrës të paligjshme, shtypshkronja e saj ndryshonte shpesh vendndodhje për të shmangur zbulimin nga autoritetet pushtuese.[4]

Gjatë kësaj periudhe, një nga redaktorët kryesorë të gazetës ishte Enver Hoxha, i cili ishte gjithashtu udhëheqës i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Ai luajti një rol të rëndësishëm në përcaktimin e përmbajtjes dhe drejtimit të gazetës, duke e përdorur atë si mjet komunikimi për qëndrimet politike të PKSH-së gjatë luftës.[5]

Periudha komuniste (1944–1991)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Stema e gazetës më 24 dhjetor 1980

Pas çlirimit të Shqipërisë më 29 nëntor 1944, Zëri i Popullit rifilloi botimin si gazeta kryesore politike e vendit, duke shërbyer si organi zyrtar i Partisë së Punës së Shqipërisë. Numri i parë pas çlirimit u botua më 5 nëntor 1944.[4] Në dekadat e ardhshme, ajo u kthye në një nga burimet kryesore të informacionit për shqiptarët, duke pasqyruar politikat shtetërore, zhvillimet ekonomike dhe çështjet ndërkombëtare sipas vijës ideologjike të udhëheqjes së kohës.

Në vitet 1970, tirazhi i gazetës arriti deri në 95,000 kopje në ditë, duke u bërë një nga botimet më të lexuara në vend. Ajo luajti një rol kryesor në promovimin e ideologjisë komuniste, duke raportuar qëndrimet e qeverisë dhe Partisë së Punës. Përveç politikës, gazeta mbulonte edhe fusha të tjera si arsimi, industrializimi dhe kultura.[1]

Tranzicioni dhe periudha pluraliste (1991–2000)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me ndryshimet politike të fillimit të viteve 1990, Zëri i Popullit pësoi ndryshime. Në qershor të vitit 1991, Partia e Punës e Shqipërisë u reformua dhe u shndërrua në Partinë Socialiste të Shqipërisë, duke e ruajtur gazetën si organin e saj zyrtar. Në këtë periudhë, gazeta adoptoi një qasje më të hapur ndaj temave politike dhe shoqërore, duke reflektuar zhvillimet e reja demokratike në vend.

Në këtë periudhë, gazeta u drejtua nga disa redaktorë, të cilët shpesh ishin të lidhur me politikën. Ndër ta ishin Namik Dokle, Përparim Xhixha, Thoma Gëllçi, Luan Rama dhe Erion Braçe. Disa prej tyre më vonë vijuan karrierën si politikanë dhe deputetë të Partisë Socialiste.[6]

Tirazhi i saj ra ndjeshëm krahasuar me periudhën e mëparshme, por gazeta vazhdoi të mbante një audiencë të dedikuar brenda elektoratit socialist. Në vitet 1990, ajo përjetoi ndryshime në format dhe përmbajtje, duke përfshirë më shumë analiza dhe opinione mbi zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit.

Vitet 2000 dhe mbyllja e botimit (2001–2015)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në nëntor 2015, pas 73 vjetësh botimi të pandërprerë, gazeta Zëri i Popullit ndaloi botimin fizik dhe kaloi në formatin online. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vendosi mbylljen formale të saj, dhe numri i fundit në versionin e shtypur u publikua më 13 nëntor 2015.[7]

  1. ^ a b "Media Ownership Monitor Albania – History". Media Ownership Monitor (në anglisht). Reporters Without Borders & Balkan Investigative Reporting Network. Marrë më 17 mars 2025.
  2. ^ Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH; Instituti i Historisë pranë Akademisë së Shkencave të RPSSH; Arkivi Qendror i PPSH (1980). Epopeja e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e Popullit Shqiptar 1939-1944. Tiranë: 8 Nëntori. fq. 48.
  3. ^ "Shtypi Partizan". Telegraf. Marrë më 17 mars 2024.
  4. ^ a b "25 Gusht 1942 – Doli gazeta "Zëri i Popullit"". QMKSH. Marrë më 17 mars 2025.
  5. ^ Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste (1981). Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë. Tiranë: 8 Nëntori. fq. 91.
  6. ^ "Gazeta "Zëri i Popullit" - (1 Prill 2000)". Dailymotion. RTV Klan. Marrë më 17 mars 2025.
  7. ^ "Mbyllet "Zëri i Popullit", mund të lexohet vetëm online". Gazeta Tema (në anglisht). Gazeta Tema. 13 nëntor 2015. Marrë më 17 mars 2025.