Jashar Erebara

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jashar Erebara
U lind në1873
Vdiq24 Qershorë, 1953
KombësiaShqiptar
Shtetësiaosmane, shqiptare
ProfesioniBotuesi, Politikan, Publicist
Njohur përBotues i të përkohshmes Albanija në Beograd

Jashar Erebara (Podujevë, 1875 - Tiranë, 24 qershor 1953) ka qenë veprimtar i Rilindja Kombëtare, gazetar, deputet i prefekturës së Drinit (Dibrës) në Kuvendin Kombëtar në legjislatura të ndryshme në shtetin shqiptar mes dy luftërave botërore.[1] Ka qenë themelues i të parës shkollë shqipe të Kumanovës,[2] botues i të parës gazetë të përjavshme në vilajetin e Kosovës, koleksionist[3] dhe orientalist shqiptar.[4]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mendohet se u lind në Mostar, i biri i Sadik Fejzullahut, nëpunës i postë-telegrafës osmane i cili ishte caktuar me punë atje, me prejardhje nga Podujeva.[5] Burime të tjera e paraqesin të lindur në Podujevë dhe zhvendosjen në Mostar e radhisin kur ka qenë fëmijë.[6] Para luftës ruso-turke të 1877 u shpërngulën në Mostar, ku i ati u emërua zëvendësdrejtor i postës së atyshme.

Pas pushtimit të Mostarit nga serbët përgjatë luftës ruso-turke, si popullsia joserbe e gjendur në një situatë të vështirë, ashtu edhe familja e tij u shpërngul në Dibër, ku gjetën strehim te xhamia e Bajram Beut. Më pas iu bë bamirëse familja e Sejfulla Erebarës. Pasi prindërit i ndërruan jetë, Erebarajt e rritën dhe e shkolluan. Në Dibër ndoqi shkollimin fillor në mejtep dhe iptidaijen e vendit dhe shkollimin e mesëm e ndoqi në ryzhdijenManastir, ku ndiqnin shkollën të rinjtë që mund të ishin pjesë e administratës. Shkrimin e shqipes e mësoi prej Hoxhë Said Najdenit me botimet e diasporës shqiptare në Rumanit, prej ku dhe u ushqye me idetë kombëtare të atyre botimeve. Në mjediset ku kultivoheshin idetë kombëtare dhe përhapja e librave që nxisnin këto ide, u njoh me Gjerasim Qiriazin, i cili e rekomandoi te Sami Frashëri, të cilin e njohu gjatë një udhëtimi në Stamboll. Pasi kreu rendin e mesëm arsimor u kthye në Dibër, ku u njoh dhe u miqësua me bashkëmoshatarin Dervish Himën dhe nisin agjitacionin për idetë kombëtare në qytetin ku ishin shkolluar. Për shkak të veprimtarisë së tyre që u denoncua, u lëshua një urdhër arresti prej autoriteteve osmane, dhe të dy u detyruan të largohen dhe gjetën strehë sa në Tiranë, Elbasan dhe Durrës. Në Durrës u njohën me Nikolla Naçon, i cili i bindi të shkonin Bukuresht ku zhvillohej një lloj kursi për të përsosur të nxënit e shqipes.[5][7]

Në ujdi me rrethin patriotik të Stambollit, Erebara ndoqi kursin e shqipes në kryeqendrën rumune vitet 1893-1895, ku kishte kolegë studentë njerëz si Asdreni, Jani Lehova, Kristo Luarasi dhe Mihal Grameno. Gjatë 10 viteve të qëndrimit të tij në Rumani, u njoh dhe pati komunikim me një numër të madh njerëzish të interesuar dhe të angazhuar për lëvizjen kombëtare shqiptare.[5]

Më 1902 u vendos në Beograd ku botoi edhe gazetën Albanija, ku duke frekuentuar praninë diplomatike në kryeqytetin serb njohu më në detaj çështjet ballkanike.[5] Më 1906 pas një marrëveshjeje me ambasadorin osman u dëbua nga autoritetet serbe në shkëmbim të lirimit të tre të arrestuarve malazezë nga pala osmane.[8] Më 1907 u kthye në Rumani, pjesë e emigracionit politik me Ibrahim Temon dhe Dervish Himën.[9]

Me shpalljen e kushtetutës osmane pas revolucionit xhonturk, Erebara u vendos në Kumanovë ku u emërua si llogaritar në administratën vendore dhe vijoi veprimtarinë për lëvizjen kombëtare shqiptare. Më 29 janar 1909 themeloi degën e shoqërisë "Bashkimi" dhe u lajmërua botimi i të përkohshmes Lirija. Ndryshe prej komitetit të Beogradit që merrej me lobim politik, shoqëria e Kumanovës u angazhua në përhapjen e leximit të shqipes me alfabetet e Kongresit të Manastirit. Në Kumanovë nisi kursin ku jepte mësime shqipeje, që e ndiqnin dhjetëra fëmijë çdo ditë, ku ndër ta edhe rekasi Anastas Albanski. Më 1911 përpunoi dhe botoi një abetare shqipe, me të cilën përhapte më tej mësimin e shqipes në vilajetin e Kosovës; asokohe çeli edhe shkollën e parë shqipe në Kumanovë. Autoritetet osmane të bezdisura nga veprimtaria e tij e pushuan nga puna, gjë që e shtrengoi Jasharin të ikte të kërkonte punë në Shkup.[5]

Në qendrën e vilajetit botoi të përjavshmen Shkupi (29 gusht 1911 - 19 shtator 1912), botim i cili qe përcaktuar si një nga detyrat pas kongresit të dytë të Manastirit.[5] Në vitin 1913 Erebara përkrahu qeverinë e Ismail Qemalit, ndërsa më 1914 në Qeverinë e Durrësit. Së bashku me Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën themeloi “Komitetin Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës” më 1918. Për aktivitetin që zhvilloi në Prishtinë, u përndoq nga bullgarët të cilët e zunë dhe e internuan për 18 muaj në Karllovc. Në vitin 1921 qe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe anëtar i shoqatës “Djemuria Dibrane”, ku u përpoq t'u lehtësonte kushtet dibranëve që u venduan në Tiranë pas mbetjes së qytetit të Dibrës në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene.[7]

Me zgjedhjet e 1923 u zgjodh deputet i prefekturës së Drinit. Mbështetës i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, qe pjesë e shumë komiteteve revolucionare ballkanike.[5] U interesua thellësisht për trajtimin sa më të mirë të mundshëm të refugjatëve kosovarë që prej zgjedhës serbe gjenin strehë në Shqipëri. Më 4 shkurt 1924 pas mbajtjes zi për presidentin Wilson, siç kishte propozuar deputeti Rauf Fico, Erebara u çua të kërkonte të njëjtën gjë për Leninin, pasi ky do të fliste "për një Shqipëri të madhe". Ky propozim u prit me tallje nga deputetët e shumicës, duke e përcjellur me ironi. Në këto kushte Avni Rustemi u ngrit në mbrojtje të propozimit.[10]

Më 1950 shteti shqiptar gjatë regjimit komunist e nxorri jashtë nga shtëpia duke e syrgjynosur, vendim që u zhbë shtatorin e 1952. Ndërroi jetë më 24 qershor 1953 në Tiranë, u shti në dhé në varrezat e teqesë bektashie në kryeqytet.[11]

Veprimtaria[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Erebara ishte përkrah rilindasve të tjerë të kohës së tij dhe në kontakte e bashkëpunim me personaliete të njohura të lëvizjes kombëtare shqiptare përmes shoqërive, klubeve, degëve të tyre, gazetave e revistave, kuvendeve e kongreseve të ndryshme, zhvilloi një aktivitet të ngjeshur në fushën e arsimit, publicistikës, botimeve, përpilimit të peticioneve, kërkesave, memorandumeve, dhe aktivitete tjera të diplomatike e politike, në të mirë të bashkimit dhe pavarësisë së Shqipërisë etnike.

Në Bukuresht bashkëpunoi me Dervish Himën nxorën gazetën Indipendenta Albanie (shqip: “Pavarësia Shqiptare”), me qëllim informimin e përgjithshëm, por që doli vetëm me dy numra. Bashkëpunoi në gjuhën rumune edhe me të përkohshme rumune si Avdeni, Dropetul apo Lassa, si dhe me të tjera të përkohshme të shoqërive patriotike shqiptare.[5] U vendos në Beograd, ku nxori lejën dhe më 28 qershor 1902, filloi botimin e gazetës Albanija, në gjuhën shqipe dhe serbe, ndërsa disa shkrime botoheshin edhe në frengjisht, italisht dhe rumunisht. Gazeta botohej me moton: “Shkipnija e shkiptarëve”. Ajo ishte një gazetë me karakter politik, shoqëror, kulturor, letrar dhe informativ. Dolën gjithësej 44 numra deri në vitin 1906, kur Erebara u detyrua të largohej nga Beogradi, për shkak të rrethanave të padurueshme për të qëndruar më aty. Në gazetë u botuan shkrime të autorëve shqiptarë, serbë, kroatë, rumunë dhe maqedonë. Gazeta shpërndahej falas, me qëllim që të lexohej sa më tepër,[7] e mbështetur ekonomikisht nga Don Aladro Kastrioti, synonte nxitjen në mesin e shqiptarëve të marrëveshjeje shqiptaro-serbe.[12]

Ekzistojnë më se 700 letra të këmbyera mes Erebarës dhe personaliteteve të njohura brenda e jashtë atdheut.

Në të përkohshmen Leka të jezuitëve në numrin e janarit 1933 tek rubrika lajmet kulturore kumtohet se deputeti Erebara kishte zbuluar një gramatikë të gjuhës shqipe me shkronja arabe.[13]

Ruajti me kujdes thirrjet, protesta, memorandume e peticione drejtuar Stambollit e Fuqive të Mëdha apo edhe letërkëmbimet e shumta që pati me personalitete të shquara të kohës, i cili sot ruhet në Arkivin Qendror të Tiranës. Është kjo një trashëgimi ndër më të të rrallat e me një vlerë të posaçme për njohjen e historisë sonë. Dokumentacioni është i llojllojshëm, i shkruar në shumë gjuhë, gjuhën turko-osmane, angleze, frënge, arabe, shqipe, serbokroate dhe maqedone. Ky fond është sistematizuar në 4500 faqe dhe i ndarë në 134 dosje.

Nderime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në kujtim dhe vlerësim të jetës dhe veprës së tij të çmuar, sidomos në fushën e publicistikës, Shoqata e Gazetarëve, me qendër në Shkup, ka dhënë për personat më të aftë në profesion, çmimin me emrin “Jashar Erebara”.[14] Një rrugë mban emrin e tij në Tiranë.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Estrefi D., Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005[lidhje e vdekur] - Republika e Shqipërisë, Kuvendi. Tiranë 2005
  2. ^ Demiri, Sevdail (6 dhjetor 2014). "Klubi Shqiptar i Kumanovës (1909), çerdhja e parë e arsimit dhe kulturës shqiptare në këtë trevë". sevdaildemiri.wordpress.com.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ Fierza, Gjon (15 prill 2015). Zef Mala, mes lavdisë dhe persekutimit. Data dhe ngjarje kryesore në jetën dhe veprimtarinë e Zef Malës: 100 vjetori i lindjes. Tirana Observer. fq. 10–11.
  4. ^ Veizi, Leonard (2 qershor 2005). Shqipëria në vëmendjen e sulltanatit turk: [Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Zyra e Administratës Turke për Bashkëpunim e Zhvillim, botojnë katalogun e fermanëve sulltanorë për Shqipërinë dhe shqiptarët]. Ballkan, nr. 115. fq. 14.
  5. ^ a b c d e f g h Noygues, Évelyne (2013). "Jashar Sadik Erebara (1875 - 1853): le parcours d'un patriote albanais méconnu" (PDF). Studia Albanica (në frëngjisht). 1–2: 133–156. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 8 janar 2022. Marrë më 5 shkurt 2022.
  6. ^ Dr.Abdullah Vokrri - Monografi per Jashar Erebaren
  7. ^ a b c Fetahu, Adil (1 qershor 2018). "Rilindasi i Llapit Jashar Erebara dhe përpjekjet e tij për gjuhën shqipe". shqiperiajone.org. Marrë më 5 shkurt 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  8. ^ Hanioğlu, M. Șükrü (2001). Preparation for a Revolution: The Young Turks, 1902-1908 (në anglisht). Oxford University Press. fq. 78. ISBN 9780199771110.
  9. ^ Clayer, Nathalie (2012) [2007]. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë. Përkthyer nga Artan Puto (bot. 2). Tiranë: Botime "Përpjekja". fq. 124. ISBN 9789994302536.
  10. ^ Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. fq. 12. ISBN 9789928106384.
  11. ^ Erebara, Mimoza. "Jashar Erebara një figurë historike e lënë në harresë". Rruga e Arbërit.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  12. ^ Clayer 2012, fq. 381, 505.
  13. ^ Lajme kulturale, Shkodër: "Leka V - Nr. 01,” fq. 30.
  14. ^ Gecaj, Murat (30 shtator 2013). "Një fotografi e rrallë e atdhetarit Jashar Eerebara". kosovalindore.com. Arkivuar nga origjinali më 5 shkurt 2022. Marrë më 5 shkurt 2022.