Çeta “Sali Murati”
Çeta "Sali Murati" ishte nje çetë oartizane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe e ka marrë emrin nga atdhetari Sali Murati.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Si rrjedhojë e vendimeve që mori konferenca e parë e vendit, e mbajtur në Labinot, mars 1943, për kalimin në kryengritje të përgjithshme të armatosur nëpërmjet shtimit të çetave partizane dhe krijimit të formacioneve më të mëdha luftarake, me iniciativën e strukturave të luftës në Vranisht të Vlorës dhe me miratim të komitetit qarkor, më 25 gusht 1943 u formua çeta partizane “Sali Murati” (Vranishti). Çetës partizane jo rastësisht iu dha emri i Sali Muratit. Ai kishte famën e një patrioti dhe kapedani të shquar, që kishte drejtuar çetën patriotike të Vranishtit në luftëra të shumta për liri dhe pavarësi kombëtare. Ditën e formimit, në këtë çetë u rreshtuan 24 partizanë. Në komandë të saj u ngarkuan:
- Maman Saliu, komandant
- Jonuz Mersini, komisar
- Hysen Çino, zv.komandant
- Syrjat Xheviti, zv.komisar
Në bazë të urdhërit nga shtabi i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, çeta mori drejtimin drejt Gjirokastrës, ku së bashku me çetën partizane të Bregut dhe batalionin ”Asim Zeneli”, u pagëzua në luftimet që u zhvilluan në qytetin e Libohovës kundër garnizonit italian dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Gjatë muajit shtator çeta, e shtuar edhe me 16 partizanë të tjerë, si dhe e mbështetur nga çeta territoriale e fshatit, u angazhua për tre javë rresht në luftime të ashpra kundër okupatorëve gjermanë në rajonin e Drashovicës. Krahas luftimeve në kodrën e Pleshtit, përroin e Skalpit, në qafën e Brumullit, në Sherishtë e në majën e Shturos, çeta partizane “Sali Murati” çliroi nga kampi gjerman fushën e Mavrovës rreth 6000 ushtarakë Italianë. Me tërheqjen nga zona e Përmetit, batalioni “Halim Xhelo” u kthye në krahinën e Mesaplikut, ku sapo kishte filluar operacioni armik i dimrit i dhjetorit 1943. Këtu, si rezultat i kundërsulmeve të vazhdueshme të batalioneve “Ismail Qemali” e “Perlat Rexhepi” dhe tre batalioneve të Brigadës së Parë Sulmuese, forcat gjermane ishin zmbrapsur në drejtim të Vlorës. Për të goditur këto forca u ngarkua çeta partizane “Sali Murati”. Në inagurimin e Brigadës së Pestë Sulmuese, çeta partizane “Sali Murati”, e rritur në numër edhe me 22 partizanë të rinj, u inkuadrua në radhët e saj, duke përbërë kompaninë e parë të batalionit të katërt. Si rezultat i ofensivës të trupave naziste në krahinën e Mesaplikut, pa humbur kohë, batalionet partizane u nisën në rajonet e caktuara të luftimit. Partizanët e kompanisë së parë nga Majat e Borshe, gozhduan për orë të tëra mbi përroin e Brashecit në Brataj forca të shumta gjermane, ku ngeli i vrarë komandanti i saj Laze Seferi. Edhe më pas, gjatë mësymjes pranverore të ushtrisë nacionalçlirimtare apo në mbrojtje të punimeve të Kongresit të Përmetit, partizanët e çetës “Sali Murati” kryen një sërë aksionesh të rëndësishme dhe u dalluan për veprime të guximshme, gjatë të cilave ra si trimat korrieri Maliq Ahmeti dhe u plagosën Jonuz Mersini, Hysen Çino, Maman Saliu dhe Mejtim Basho.
Me kalimin e Brigadës së Pestë në Veri të vendit, si në Gurin e Prerë të Skraparit; në malësinë e Tiranës; në Macukull të Matit; në Fushë-Alie dhe Korab të Peshkopisë; në rrugën Kukës –Prizren dhe në Pobreg e Buzëmadh të Kukesit, partizanët vranishtjotë u shquan për iniciativë, vetëveprim dhe fantazi luftarake, ndërsa me plagë të pashëruara ende në trup, do të binte heriokisht komandanti i batalionit të tretë, kapiten Hysen Çino. Po ashtu, edhe kur Brigada e Pestë kapërceu kufirin shtetëror dhe koleksionoi beteja të përgjakshme në Kosovë, si në Gjakovë, Junik, Deçan, Prizeren, Mitrovicë dhe deri në Sanxhak të Serbisë, partizanët e çetës “Sali Murati” spikatën si trima të rrallë e të vendosur. Në këto troje derdhën gjakun e tyre edhe pesë luftëtarë të tjerë të paepur të lirisë, ndërsa Azbi Demua u zhurit nga flakët e zjarrit të qëllimshëm çetnik, për të mbetur dëshmor i gjallë i këtyre betejave lavdiplotë.
Për arritjen e fitores përfundimtare mbi pushtuesit nazifashistë, populli i Vranishtit sakrifikoi jo pak. Ai nuk u zmbraps, kur bij të tij përplaseshin qelive të ftohta, internoheshsin apo dënoheshin me vdekje, ashtu siç diti të përballojë me stoicizëm tre operacione ndëshkimore, ku krahas shtëpive të djegura, u masakruan rrugëve të fshatit dhjetëra bij e bija nga më të mirët. Në themelet e këtij herozmi masiv qëndron gjaku i 46 dëshmorëve të kësaj epopeje, ndër të cilët partizanët e çetës “Sali Murati”: Heroi i Popullit Hysen Çino si dhe Razip Sherifi, Laze Seferi, Sulejman Limaj, Faik Janushaj, Maliq Ahmeti, Syrjat Xheviti, Xhevdet Çino, Nuredin Shkurti, Arshi Majko, Aliko Alikaj dhe Axhem Basho, të cilët u renditën në panteonin e lirisë ashtu si edhe Shaban Seferi, Qamil Asllani, Rystem Sulejmani etj.
Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, bijtë e Vranishtit të radhitur në çetën partizane “Sali Murati” e zbatuan me nder devizën: ”Vdekje Fashizmit - Liri Popullit” duke i dhënë dimension më të madh lavdisë së fshatit.