Agnija Desnickaja
Agnija Vasiljevna Desnickaja | |
---|---|
U lind më | 23 gusht 1912 Sednev |
Vdiq më | 18 prill 1992 Shën Petersburg |
Kombësia | Ruse |
Gjinitë letrare | Albanologe |
Agnija Vasiljevna Desnickaja (rusisht: Агния Васильевна Десницкая) (23 gusht 1912, Sednev — 18 prill 1992, Shën Petersburg)[1] ishte një linguiste ruse sovjetike, specialiste në gjuhët Indo-Evropiane, pedagoge, albanologe dhe gjermanologe e shquar. Studiuese e gjuhës shqipe, letërsisë dhe folklorit shqiptar. Profesore në Universitetin Shtetëror të Leningradit, anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave në BRSS, nëpërmjet Departamentit të Letërsisë dhe të Gjuhës.[2]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Studimet e larta i kreu në Institutin Pedagogjik "A.I.Hercen" në Leningrad në vitin 1931. Punoi në Institutin Pedagogjik, në Universitet dhe në Institutin e Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave, dega e Sankt Peterburgut, ku pati edhe detyra drejtuese. Shqipërinë për herë të parë e vizitoi në vitin 1946 por rëndësi të veçant pati qëndrimi në Shqipëri, për qëllime studimi, më 1957, kur edhe filloi botimin e studimeve të saj kushtuar gjuhës dhe letërsisë shqipe. Po në këtë vit, pra më 1957 themeloi degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Leningradit dhe e drejtoi atë deri më 1992. Disa herë e vizitoi edhe Kosovën, sidomos në periudhën 1974 - 1986, ku morri pjesë në veprimtaritë shkencore të organizuara në Prishtinë. Morri pjes edhe në kolokiumin kushtuar Naim Frashërit që u organizua në Tiranë në vitin 1990.
Në vitet 1976 - 1988 drejtoi sektorin e studimeve krahasuese - historike të gjuhëve indoevropiane dhe të gjuhësisë areale, ku gjeti vend interesimi për ballkanistikën e posaçërisht për gjuhën shqipe. Si një pedagoge e shquar ruse në fushën e albanologjisë, Agnja përgatiti edhe një brez studiuesish, që vijojnë punën edukative, arsimore dhe shkencore në fushën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Me interesimin e saj u publikuan një varg punimesh për problemet e gramatikës e të leksikut të gjuhëve ballkanike.[3]
Aktiviteti
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Agnija Vasilevna Desnickaja u mor me një varg fushash të studimeve shqiptare: me historinë e gjuhës shqipe, me dialektologjinë e saj, huazimet leksikore, strukturën morfologjike, gjuhën letrare dhe gjuhën e folklorit, me lidhjet ballkanike të shqipes, letërsinë shqipe dhe epikën. I përmbahej mendimit për prejardhjen ilire të shqipes. I dha rëndësi rindërtimit të brendshëm të gjendjes së shqipes së vjetër dhe integrimit në indoeuropianistikë të këtij vështrimi me të dhëna të reja rreth shqipes, ndërsa në veçanti ka treguar disa tipare të përbashkëta të gjuhës shqipe me gjuhët gjermanike. Paraqiti një tezë origjinale për eposin shqiptar, duke pohuar se ai u formua në etapën e fundit të rendit fisnor, por morri mbishtresa të reja në periudhën e luftërave kufitare të Perandorisë Osmane, duke fituar ngjashmëri me eposin boshnjakë. Vëmendje i kushtoi edhe rrugës së shqipes standarde deri në vendosjen e saj si normë kombëtare në prani të koineve të gjuhës së folur. Paraqiti për lexuesin rus, të parin vështrim të letërsisë shqipe deri në fillim të shekullit XX.
Studimet për shqipen i shërbyen si lëndë bazë edhe për ide të reja në rrafshin e përgjithshëm të teorisë gjuhësore si dhe në punimet e saj në gjuhësinë indoeuropiane e në ballkanologji.[3]
Veprat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- "Чередование гласных в германских языках. Ablaut" (Cheredovaniye glasnykh v germanskikh yazykakh. Ablaut - Ndërrimi i zanoreve në gjuhët gjermanike. Ablaut), 1937.
- "Вопросы изучения родства индоевропейских языков" (Voprosy izucheniya rodstva indoyevropeyskikh yazykov - Studimi i afërsisë së gjuhëve indoevropiane), 1955.
- "Славянские заимствования в албанском языке" (Slavyanskiye zaimstvovaniya v albanskom yazyke - Huazimet sllave në gjuhën shqipe), 1963.
- "Реконструкция элементов древнеалбанского языка и общебалканские лингвистические проблемы" (Rekonstruktsiya elementov drevnealbanskogo yazyka i obshchebalkanskiye lingvisticheskiye problemy - Rindërtimi i elementeve të gjuhës së lashtë shqipe dhe problemet gjuhësore panballkanike), 1966.
- "Албанский язык и его диалекты"(Albanskiy yazyk i yego dialekty - Gjuha shqipe dhe dialektet e saj), 1968.
- "Наддиалектные формы устной речи и их роль в истории языка" (Naddialektnyye formy ustnoy rechi i ikh rol' v istorii yazyka - Format mbidialektore të fjalës së folur dhe roli i tyre në historinë e gjuhës), 1970.
- "Сравнительное языкознание и история языков" (Sravnitel'noye yazykoznaniye i istoriya yazykov - Krahasimet gjuhësore dhe historia e gjuhëve), 1984.
- "Албанская литература и албанский язык" (Albanskaya literatura i albanskiy yazyk - Letërsia shqiptare dhe gjuha shqipe), 1987.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ДЕСНИЦКАЯ АГНИЯ ВАСИЛЬЕВНА (Rusisht) 31.07.2016.
- Десницкая А.В.: Албанский язык и его диалекты (1968)
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Десницкая Агния Васильевна. Arkiva e Akademisë së Shkencave e Rusisë (Rusisht) 31.07.2016.
- ^ Dhurata Hamzai: Rusja Desnickaja:Ja pse eposi origjinal u përket shqiptarëve, 8 korrik 2015[lidhje e vdekur] Vizituar më 31. 07. 2016.
- ^ a b Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 453