Jump to content

Andrea Durrësaku (peshkop)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Andrea Durrësaku (italisht: Andrea da Durazzo [1] lindur rreth fundit të shekullit XIV - vdekur në vitin 1457). Andrea (Ndre) Durrësaku ka qenë peshkop katolik në SenjKroacisë ku qëndroi deri në vdekjen e tij në vitin 1457. [2]

Andrea ose Ndre Durrësaku që në rini kishte hyrë në radhët e Urdhrit Françeskan. Është nënshkruar me titullin profesor i teologjisë, si dhe doktor i Shkrimit të Shenjtë, çështje kjo që na shpie te konstatimi se, Ndreu i kishte nmbaruar studimet në Universitetin e Padovës, ku dhe u doktorua. Nga burimet që zotërojmë të zbuluara në arkiva të Padovës, Ndreun së bashku me Gjergj Gaparsin (kanonik në kishën katedrale të Durrësit), më 31 janar 1430 e ndeshim të pranishëm në seancën e mbrojtjes së doktoratit të Gjin Gazullit në Universitetin e Padovës. Në vitin 1439, Ndreu u caktua për provincial dhe inkuizitor (gjykatës) i Delmacisë. Ndërkaq, më 24 shtator të këtij viti u shugurua për peshkop i Senjt, ku shërbeu deri në vdekje (1457). Më 26 tetor 1448 papati e emëroi kolektor për Delmaci dhe Kroaci. Nga kjo kohë, Ndreu ishte shumë i pranishëm në jetën kishtare në të dy anët e Detit Adriatik. Emrin e peshkopit Ndre Durrësaku e ndeshim edhe në post scriptumin e Mesharit të Parë të Vërbnicës (1456), domethënë të parin të këtij lloji në Ballkan, ku shkruante: “E mbarova këtë meshar unë dom Toma, unë vikar i Senjit dhe vikar i zotit Ndre (është fjala për Ndre Durrësakun - J. D.), doktor i Shkrimit të Shenjtë, ipeshkëv i Senjit, më 20 mars të vitit të Zotit 1456”. Në vitin e ardhshëm, më 14 nëntor, u emërua për ipeshkëv të Senjit, Nikolla i Modrushit, gjë që do të thotë se, Ndreu kishte vdekur në vitin 1457. Nganjëherë ngatërrohet me kryepeshkopin Ndre Durrësaku (Andrea Durrësaku).[2] [3]

  1. ^ https://www.catholic-hierarchy.org/bishop/bduraza.html
  2. ^ a b http://www.kishakatolike.org/repository/docs/Drita-2-3-2008.pdf
  3. ^ https://www.catholic-hierarchy.org/bishop/bdurazaa.html