Aranit Osmanaj
Aranit Isuf Osmanaj lindi në fshatin Mavrovë të Vlorës më 11 Prill të vitit 1930, nga një familje me tradita të veçanta patriotike dhe atdhedashëse. Ai ishte djali i dytë i patriotit Isuf Rustemi dhe vëllai i gjeneral Bejto Isufi. Arsimin fillor e kreu në vendin e lindjes dhe më pas në Vlorë. Në moshën 14 vjeçare del partizan dhe bëhet korrier i Brigada e V-të Sulmuese. Kapet nga nazistët gjermanë dhe burgoset në burgun e Tiranës për 6-muaj, derisa Brigada e I-rë Sulmuese rrethon Tiranën dhe pas luftimesh të shumta e çliron atë. Pas çlirimit fillon studimet ne shkollën e mesme ushtarake "Skënderbej" në Tiranë dhe më pas në Shkollën e Lartë të Bashkuar, që e mbaron në vitin 1954 me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1955 fiton bursën për të vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake "Makarov" në Leningrad (Shën Pjetërburg), në fushën e inxhinierisë mekanike të autotraktorëve dhe të prapavijës. Në 1961 kthehet në atdhe dhe caktohet në detyra të larta nga Ministria e Mbrojtjes si : Zv. komandant për teknikën në Korpusin e Veriut në Shkodër dhe me të njëjtën detyrë në Korpusin e Jugut në Gjirokastër deri në vitin 1972, më pas emërohet pedagog në Shkollën e Bashkuar në Tiranë dhe Shef Katedre i Fakultetit të Autotraktorëve në Akademinë Ushtarake. Pas mbylljes së kësaj katedre emërohet Drejtor/Komandant i Parkut të Automjeteve të Ushtrisë për të gjithë Republikën. Të gjithë jetën e tij u karakterizua nga disiplina e lartë dhe ndershmëria në punë. Del në pension në vitin 1985. Aranit Osmanaj ndërroi jetë më 21 Nëntor të vitit 2007.