Areali kulturor e mitologjia
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Etnia shqiptare e paraardhësit e saj, Arbërit e Mesjetës e më tej, me rrënjë autoktone në të njëjtat troje që nga koha e lashtë, në rrjedhë të shekujve, kanë krijuar, ruajtur e ripërtërirë një kulturë gjenuine të traditës, të pasur e të larmishme, largvështruese, mbartëse të jetës dhe të përparimit. Ky kompleks kulturor me fytyrë etnike, ka për autor e aktor popullin, tërë shtresat sociale të tij, njerëz që kanë jetuar në kohë të ndryshme, më të largëta a më të afërme. Vërehen krijime e ripërtëritje në këtë etnokulturë në vazhdimësi të pafund, me trashëgimi e risime të vazhdueshme nga brezi në brez. Mbështetur në këtë kulturë, me të cilën është shërbyer e mëkuar në nevojat e vështirësitë e jetës, ky popull ka mundurtë mbijetojë e të zhvillohet me veçanësitë e tij etnike në rrjedhat e kohëve. Ndonëse pa u ndjerë, në mugëtirën e shekujve, ajo ka qenë gjallëria, forca, arti, argëtimi, energjitë e punës, mendja e zemra e tij, me një fjalë e tërë qenia e këtij populli; ka qenë kështjella e qëndresës. Kjo kulturë është ndërlidhëse mes kohëve e gjeneratave më të largëta, nga më të hershmet e deri tek më të vonat, në shndërrime e në mbijetesë të organizmit kombëtar, që vjen i gjallë e tërë energji deri në ditë të sotme. Pa këtë etnokulturë, si areal kulturor etnik, nuk mund të kuptohet fizionomia e kombit shqiptar; ajo ka qenë ndër shekuj mjet e dëshmi qëndrese, mjet e dëshmi zhvillimi, dëshmi e forcës krijuese, e mençurisë së tij. Kjo kulturë përbën në vetvete, bashkë me bartësit e saj, një qark kulturor, një areal etnik që në shtrirje gjeografike përfshin të gjithë trojet e banuara nga shqiptarët e në shtrirje më të gjerë nga paraardhësit e tyre; bashkë me të komunikuarit në gjuhën shqipe, kjo paraqet fizionominë etnike, të mëvetësishme të këtij populli, në ndryshim nga popujt e tjerë.
Në etnokulturë nuk ka një gjendje të ngrirjes në vend, nuk ka akullzim, por ka një zhvillim të brendshëm, të vazhdueshëm, të kushtëzuar nga faktorë historikë, tradicionalë integrues, por në raste të veçanta dhe dezintegrues. Në ruajtje ose ndryshime ndikojnë faktorë të shumtë materialë e shpirtërorë, që janë shprehje e përpjekjeve të mundimshme për mbijetesë, për zhvillim, për të ndryshuar gjendjet e pakëndëshme a fatkeqe të jetës, për t'u forcuar me anë të lidhjeve sociale e shpirtërore. Ka jo pak raste ku, në disa anë e aspekte të veçanta, sidomos në bashkësitë fshatare disi të veçuara nga jeta urbane, të vërehen elementë e dukuri që i sjellin copëzat e parahistorisë deri në kohën tonë. Këtë shërbim e kryen më së miri mitologjia: shfaqje të saj duken në mite, rite e besime, që i kanë rrënjët në kohë të lashta, duke pasqyruar shkallë të ndryshme të mendësisë së bashkësisë shoqërore parake.Në kulturë ka dhe ndikimë të ndërsjellta, marrje e dhënie me popujt e tjerë me të cilët popullin tonë e kanë lidhur fatet historike si fqinjësia, pushtimet, popuj të ndryshëm që përshkuan Ballkanin, apo që u ngulën në Ballkan në periudha të caktuara historike. Kjo është një dukuri krejt e natyrshme. Pra, kemi dukuri kulturore të traditës të ngjashme ose edhe tërësisht të njëjta me të tjerët, sidomos me popujt fqinjë dhe këto shprehin praninë e kontakteve kulturore në rrjedhë të historisë. Ky popull në të kaluarën ka dhënë e ka marrë me të tjerët në kulturën tradicionale të thjeshtë popullore, ose dhe në kulturën e kultivuar: nga shkolla, nga shteti, nga shkenca, nga arti i kultivuar, ashtu si ka ndodhur kudo në ndërlidhjet midis popujve. Por, nga ana tjetër, duhet dalluar kompleksi kulturor etnik në tërësi nga elementët a dukuritë e veçanta të ndikimit nga jashtë. Tërë gjuhët e Europës, me pak përjashtime, kanë të njëjtët tinguj me të cilët shërbehen; kanë edhe elementë të ngjashëm të leksikut dhe të strukturës gramatikore; gjithashtu kanë edhe jo pak fjalë të përbashkëta në rrënjë, si huazime, ose nga rrjedha të përbashkëta parahistorike e indoeuropiane; por secila gjuhë në fjalë ka strukturën e saj krejt të veçantë që e dallon në themel nga të tjerat. Kështu ndodh pak a shumë në sferën e etnolokulturës së çdo populli, megjithëse në këtë të fundit vërehen më tepër ngjashmëri ndër-etnike. Kjo vjen nga faktorë e kohë krejt të ndryshme e rrugë shpjegimi tepër të mjegulluara, ndoshta sepse këto i kanë rrënjët në parahistori, ashtu si ndodh edhe me mitologjinë. Duhet theksuar se këta elementë a dukuri kulturore të përafërta, të njëjta në popuj të ndryshëm, nuk janë domosdoshmërisht ndikime të ndërsjellta; ato mund të jenë mbarë-njerëzore, të lindura e të formësuara nga të njëjtat kushte e shkallë të caktuara të zhvillimit shoqëror, pavarësisht nga lidhjet me rite e besime si: për syrin e keq, për kultin e ujrave, për kultin e pyjeve e të majave të maleve. Mundet që rrënjët e këtyre ngjasimeve të humbasin në mugëtirën e parahistorisë së popujve indoeuropianë, mesdhetarë, euroaziatikë e më tej.
Një rrymë pulsore e veçantë që qarkullon në tërë damarët e kompleksit etnokulturë është mitologjia popullore: mite, rite e besime. Mitologjia shqiptare është e pasur, e larmishme e domethënëse për rrugën e zhvillimit historiko-kulturor të kësaj etnie. Mitet, ritet e besimet, përgjithësisht të burimit pagan të mitologjisë sonë, janë të sinkretizuara me elementë e me dukuri të feve monoteiste, sikundër ndodh edhe në popujt e tjerë. Dukuritë mitologjike i vërejmë në ndërtimin e trajtimin e banesës, në mënyrën e të ushqyerit të traditës, në veshje e shtroje, në bujqësi e blegtori, në zeje e mjeshtri të ndryshme, në të kremte të motmotit, rite e besime në momentet më në shenjë të jetës së njeriut, për male, shpella, ujëra, drunj të veçantë shekullorë, për prodhime të ndryshme në dobi të njeriut; hyjni të paganizmit e heronj kulturorë të lashtësisë. Ato kanë ardhur deri në ditët tona përmes figurave të mitologjisë popullore, kultittë njerëzve të jashtëzakonshëm, të ruajtura në rrëfenja mitike. Çdo shqiptar, pavarësisht nga botëkuptimi i tij, e përcakton veten, me ndërgjegje, me përkatësi në njërën nga besimet monoteiste: i krishter ortodoks ose i krishterë katolik, mysliman sunij ose i ndonjë tarikati tjetër, ose i komunitetit bektashian. Por nga ana tjetër, në popullin tonë janë ruajtur deri vonë mjaft rite, besime e mite të paganizmit, përgjithësisht të përbashkëta për të gjithë Shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia fetare monoteiste. Nuk janë të pakta rastet kur festa, rite e mite që në anën e jashtme janë të lidhura me të kremte krishtere a islame, të jenë në tërësinë e riteve, festa pagane, siç është, për shembull: rituali i Kërshëndellave, i Nevruzit, i Shën Gjergjit, i Shën Gjinit, disa rite të Bektashinjve në male, tradita e pelegrinazheve dhe e riteve në maja të maleve. Në këto rite vërehet ndonjë element i krishterë ose islamik, por në përgjithësi vërejmë dukuri të tilla të riteve e besimeve pagane, madje në një denduri po kaq të madhe vërehen dhe në popuj të tjerë të Ballkanit apo të Europës. Për këtë po sjellim mendimet e dy studiuesve. Njëri nga mendjet e ndritura, një ndër themeluesit e etnologjisë religjioze, anglezi Xheims Frejzer (1854 -1941), thekson: "...fshatari i Perëndimit, francez, gjerman ose anglez, civilizimi i tij është një farë mbulese e hollë, të cilën goditjet e rënda të jetës e pastrojnë lehtë, për të dalë para nesh palca e egërsisë dhe e paganizmit'. Profesori i Universitetit të Sorbonës (Paris) dhe të Çikagos (SHBA), M.EIiade (1907-1986), një ndër studiuesit më të shquar të shkencës së religjionit krahasues, vë në dukje se: "Disa skenarë mitiko-ritualë, akoma të gjallë e në veprim te fshatarët e Europës Qendrore dhe të asaj Juglindore (pra të Ballkanit) në fillim të shek. XX, ruajnë disa fragmente mitologjike dhe disa rituale që kanë qenë zhdukur në Greqinë e lashtë (kupto "në vendet urbane", shën. i M.Tirtës) që para Homerit'. Dëshmitë e eksploruesve të ndryshëm e vërtetojnë më së miri praninë e riteve e besimeve të lashta në gjirin e bashkësive fshatare në vise të ndryshme të ekumenës.
Mitologjia e mirëfilltë, e cila nga kohët e lashta na sjell mesazhe të shumëllojshme e disa herë të mjegulluara dhe jo shumë të lehta për t'u deshifruar, jeton deri sot aty-këtu, si mbijetojë, në popuj të ndryshëm të botës, po ashtu dhe në mesin e Shqiptarëve. Madje nga disa studiues thuhet se kjo është ruajtur në një masë edhe më të gjerë tek popujt e Ballkanit e doemos dhe në popullin tonë. Ajo përbën një gjymtyrë të rëndësishme të kompleksit kulturor etnik të Shqiptarëve; përshkon të gjithë damarët e kësaj etnokulture sikundër gjaku organizmin e njeriut. Mitologjia është një nga treguesit e rëndësishëm të fizionomisë etnike të këtij kombi, përsëritje në të njëjtin rreth gjeografik e etnik, veçse i ngushtuar nga koha në kohë nga trysnitë e jashtme. Dihet se terminologjia, në disiplina shkencore, nuk paraqet thjesht emërtime gjërash e dukurish, por ajo ka më tepër natyrë konceptuale e klasifikuese, brenda kontekstesh të caktuara. Disa herë termat përdoren me kuptime më të gjëra e në raste të tjera më të ngushta. Gjithësesi, është e nevojshme që në këtë punim monografik të sqarohen kuptimet në të cilat përdoren disa terma, disa kategori dhe po kështu edhe brendia e disa dukurive.
Etnologjia, si disiplinë shkencore, merret me studimin e etnokulturës së mirëfilltë në tërësi, me origjinën e proceset etnike në kohë e kushte të ndryshme shoqërore-historike. Një disiplinë e veçantë shkencore e etnologjisë së përgjithshme është edhe etnologjia reiigjioze, që në manuale të ndryshme shkencore e universitare quhet dhe Shkenca e religjionit, por që natyrisht nuk është aspak teologji. Pak a shumë, në të njëjtin kuptim përdoret dhe termi mitologjia në manuale a studime monografike të kësaj natyre. Disa autorë në studimet e tyre shkencore përdorin termin mitologjia antike greke ose mitologjia romake, ndërkohe që të tjerë përdorin emërtime: religjioni i lashtë grek, ose religjioni romak dhe si në njërin rast edhe në tjetrin, merren në shqyrtim besime, kulte-fetishe, rite dhe mite duke e dhënë secilën me emrin përkatës që, natyrisht janë të lidhura pandarësisht midis tyre e në ndriçimin e së vërtetës ato plotësojnë njëra-tietrën.
Mitologjia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Termi "mitologji" përdoret në kuptime të ndryshme, sipas kontekstit:
- 1. tërësi e miteve të një vendi ose një qerthull mitesh, dhënë në një libër antologjik;
- 2. shkencë që merret me studimin e miteve, të besimeve e të riteve përkatëse, ose vetëm si disiplinë që studion një kompleks mitesh e jo më tej.
Shkenca e religjionit, ashtu si dhe mitologjia, merren me studimin e formave më të lashta të besimit, me mitet e ritet e tyre përkatëse, e ndërkohë dhe me evoluimin e gjendjen e tyre më të fundit në popujt e ndryshëm të botës. Kanë mitologjinë e tyre dhe religjionet monoteiste.
Në çdo rast të dhënë duhet theksuar se çdo fe (besim, religjion) e lashtë apo e vonë, religjion natyror a i kodifikuar, fe e paganizmit apo e Mesjetës e më vonë, e politeizmit apo e monoteizmit, ka në themel katër përbërës kryesorë:
- 1. Bindja në ekzistencën e forcave vepruese të mbinatyrshme, në qenie mitike, në demonë e më tej në perëndi që u atribuojnë çdo gjë që ndodh në botë; një përjetim mendor e psikologjik i lidhjes së të natyrshmes me të mbinatyrshmen, me misteret, me mrekullitë.
- 2. Ritet, praktikat rituale, të
çfarëdo kuptimi apo synimi qofshin ato, shprehin në mënyrë të qartë lidhjen e varësinë, frikën e adhurimin, lutje, ndaj forcave të mbinatyrëshme, të papërcaktuara e krejt të panjohura, ose ndaj atyre, "të njohura": animistike, hyjnore. Me këto praktika përjetohet e përforcohet mendësia e psikologjia e të besuarit, sipas kodeve e rregullave të përcaktuara në traditë apo në religjione të organizuara në mënyrë të veçantë. Në këto veprime rituale, drejteperdrejte apo terthorazi,ne rrugë krejt konkrete apo në rrugë simbolike, ose në një përfytyrim animistiktë përgjithësuar, shprehen kërkesa apo lutje përt'u mbrojtur nga fatkeqësitë, për mbarësi e mirëqenie në familje, për shërim në raste sëmundjesh, për arritje të dëshiruara në ekonomi, shtesë në njerëz, mbarësi. Në rite hyjnë dhe pelegrinazhet, dhuratat, flijimet me motive besimi.
- 3. Mitet (nga gr. Mithos - "fjalë, fjalim, bisedë") janë rrëfenja tregimtare që paraqesin lidhjet e të natyrshmes me të mbinatyrshmen, me kultin e hyjnive, por edhe të heronjve të kulturës, me zanafillën e mbinatyrshme të sendeve e të dukurive të botës reale. Për mitet ka mbi 500 përkufizime, bërë nga autorë të ndryshëm. Mitet kanë një natyrë etiologjike të veçantë: tregojnë fillesën e fshehtë ose metamorfozën e shumë dukurive dhe kanë lidhje të ngushtë me besimin në forcat e fshehta e të pakuptueshme, në demonë e në hyjni. Eshtë e nevojshme të sqarohet se jo çdo tregim etiologjik është mit; janë të tillë vetëm ata që lidhen drejpërdrejt ose tërthorazi me një dukuri të caktuar të religjionit. Mitet kanë përmbatje etiologjike në thelb dhe në strukturë të tyre, ndërsa përrallat kanë etiologji të sipërfaqshme, ornamentale.
- 4. Një përbërës i veçantë është kodi ose dogma e fesë, e shprehur në rregulla e teori të veçanta. Këtë të fundit nuk e kanë të gjithë religjionet.
Këta katër përbërës të paraqitur më sipër janë të lidhur midis tyre në mënyrë të pandashme, plotësojnë e sqarojnë njëri-tjetrin e, në vijim, aspekte të veçanta të çdo dukurie e forme të religjionit, qoftë të religjioneve të lashta politeiste, qoftë të feve morale monoteiste.