Jump to content

Këmbënyjorët

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Arthropoda)
Trilobiti.

Këmbënyjorët (edhe këmbënyjëtuarit) përfaqësojnë grupin më të madh të llojeve shtazore. Përfshijnë mbi 1.000.000 lloje dhe përbëjnë afro 80% të tërë faunës së përhapur në rruzulin tokësor. Supozohet se numri i tyre është më i madh, meqenëse çdo ditë zbulohen lloje të reja. Janë të përhapur në mjedisin tokësor dhe ujor. Emri këmbënyjorë rrjedh nga greqishtja arthron=nyje dhe podhos=këmbë. Për nga ndërtimi i trupit, mënyra e të ushqyerit dhe tipi i aparatit gojor, këmbënyjëtuarit ndahen në disa grupe: ndër të cilat më të njohura janë gaforret, merimangat dhe insektet (kandrrat) që jetojnë kryesisht në mjedisin tokësor e shumë më pak në atë ujor. Këtu duhet përmendur edhe këmbënyjëtuarit më të vjetër tribolitet, që kanë pasur ndërtim më primitiv. Këta kanë jetuar në kohëra të lashta dhe numri i tyre ka qenë afro 10.000 lloje. Mjedisi jetësor i tyre ka qenë uji. Sot hasen vetëm në formë të mbeturinave (fosileve).

Gaforret - këmbënyjorët që marrin frymë me branshi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Gaforrja.

Gaforret janë shtazë të cilat jetojnë në ujëra të ëmbël dhe të njelmët dhe përfaqësojnë këmbënyjëtuarit e sotëm më primitivë. Për njohjen e ndërtimit dhe mënyrën e jetesës si shembull merret gaforrja e lumit. Jeton në ujëra të ëmbël. Sipërfaqja e trupit është e mbuluar me një mbështjellës të fortë i përbërë nga lënda e quajtur kitina e forcuar me lëndë gëlqerore. Ky mbështjellës i fortë, i cili mbron organet e brendshme të gaforres, paraqet skeletin e jashtëm të saj. Trupi i gaforres së lumit përbëhet prej dy pjesëve: kokëkraharorit (cefalotoraksit) dhe barkut (abdomenit). Kokëkraharori formohet me bashkimin e kokës dhe të kraharorit. Në kokë gjendet goja, dy palë antena (dy të gjata dhe dy të shkurtëra) dhe dy sy tëpërbërë. Në krarharor ka pesë palë këmbë. Pala e parë e këmbëve ka formën e mashave dhe shëben për kapjen e ushqimit, ndërsa katër palët e tjera shërbejnë për ecje. Këmbët përbëhen prej gjashtë segmenteve (unazave) të vendosura njëra pas tjetrës. Në unazën e fundit e cila formon pendën e bishtit, gjendet vrima anale. Fundi i barkut mbaron me flatrën e bishtit që shërben për notimin e gaforres. Ushqimi, siç janë krimbat, peshqit e vegjël, bretkosat dhe bimët ujore, gaforrja e kap me anë të mashave dhe e fut në gojë, ku me ndihmën e nofullave e grimcon. Gaforrja merr frymë me anë të branshive, të cila janë të përshkuara me gypa gjaku. Velëzat janë të vendosura në dy anët e trupit. Sistemi i gjakut, i cili është në anën shpinore dhe gypave të gjakut. Sistemi nervor është i vendosur në anën barkore të trupit dhe përbëhet prej ganglioneve që gjenden në çdo segment të trupit. Në majë të kokës ka dy sy të përbërë prej numrit të madh të syve të thjeshtë, ndërsa antenat shërbejnë si organe të prekjes dhe të nuhatjes. P.sh.nëse i afrohemi gaforres, ajo ikën shumë shpejt duke u fshehur nën gurë. Shumimi i gaforres bëhet me anë të vezëve. Nga vezët zhvillohen gaforret e vogla, të cilat një kohë mjaft të gjatë i ushqen dhe i mbron e ëma duke i bartur me vete. Gaforrja e lumit mund të jetojë 15 deri 20 vjet. Karakteristikë e gaforreve është xhveshja në të cilin rast hedhet mbështjellësi i jashtëm, duke u formuar një i ri. Në dete dhe oqeane jeton numër mjaft i madh i gaforreve me formë dhe madhësi të ndryshme. Ndër ato të njohura janë aragosta dhe nefropsi, të cilat përdoren edhe si ushqim i njeriut. Këto lloje jetojnë në fund të ujit të fshehua nën gurë ose nën bimë të ndryshme. duke pritur gjahun e tyre. Me të parë gjahun me shpejtësi vërsulen mbi të duke kapur me mashat e fuqishme. Me formën dhe ngjyrën e trupit i përshtaten shumë mirë mjedisit jetësor, kështu që vështirë dallohen nga armiqtë nga armiqtë e tyre.


Pos gaforres së lumit, në ujëra amullë (të qeta) jetojnë edhe pleshti i ujit (dafina) dhe ciklopët. Pleshti i ujit është një gaforre e vogël me trup të tejdukshëm, i cili lëviz duke kërcyer. Është ushqim i mirë për peshqit. Ciklopët po ashtu janë gaforre të vogla, të cilat kanë vetëm një sy. Edhe këto gaforre shërbejnë si ushqim i mirë i peshqit

Tarantula.

Janë këmbënyjëtuar te të cilat, pos disave, trupi është i ndarë në kokëkraharor dhe bark. Kokëkraharori është me mbulesë kitinore. Në kokë nuk ka antena. Në të janë të vendosur katër palë sy të thjeshtë. Unaza e parë e kokëkraharorit ka një alë shtojca të cilat përfundojnë me nga një grep, me të cilin mbyt gjahun pasi që në të lëshon helmin nga gjëndrrat që janë në lidhje me këto shtojca. Unaza e dytë, po ashtu, ka një palë shtojca për mbajtjen e gjahut. Në kokëkraharor ka edhe katër palë këmbë të nyjëtuara me të cilat ec dhe end rrjetin e saj. Barku është i butë dhe pa këmbë. Në anën e poshtme të barkut gjenden dy vrima për frymëmarrje që çojnë deri te një hapësirë që shërben si mushkëri e përshkruar me gypa të gjakut. Nga fundi i barkut gjenden gjëndrrat që prodhojnë materialin për endjen e rrjetit. Merimangat janë shtazë grabitqare, të cilat ushqehen me miza, gretha, flutura etj., të cilat kapen në rrjetën e tyre. Kur insekti bie në rrjetën të cilën e mbaron merimanga, ai del nga vendi ku ka qenë i fshehur, mbyt gjahun me helmin që del pas thumbimit, thithë pjesët e brendshme të insektit duke lënë vetëm skeletin hitinor të tij. Merimanga ha vetëm insektet të cilët kapen në rrjetën e saj. Numri më i madh i llojeve të merimangës nuk janë të rrezikshme për njeriun, megjithatë ka edhe prej tyre të cilat janë shumë helmuese. Ndër më të njohurat te ne është merimanga me kryq, ajo e shtëpisë. Në vendet e nxehta jeton merimanga shumë helmuese e quajtur vejusha e zezë, tarantulla etj.

Akrepi.

Këta këmbë zgatur kanë bishtin e gjatë, i cili mbaron me një thumb që përmban helm. Me anë të thumbimit mbysin insekte dhe shtazë të tjera të imëta. Jetojnë nën gurë, drunj etj. dhe natën dalin kërkojnë ushqimin. Disa lloje të akrepave, të cilët jetojnë në viset e nxehta, janë helmues dhe shumë të rrezikshme edhe për njeriun, siç janë p.sh. skorpionet.

Këpushat/Rriqnat

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Janë shtazë të imëta, me madhësi mikroskopike e deri në 1 cm. Të njohura dhe si rriqna, jetojnë duke thithur gjakun e shtazëve të egra dhe shtëpiake, dhe në mungesë të tyre, edhe gjakun e njeriut. Rriqnat e bartëse të sëmundjeve të ndryshme si encefailiti e ethet hemorragjike, mund të infektojnë dhe njeriun apo kafshët gjatë thithjes së gjakut. Këpusha ka trupin prej një pjese të formuar me bashkimin e kokës, të kraharorit dhe të barkut. Kanë katër palë këmbë mjaft të vogla. Dallohen për kah forma e trupit dhe mënyra e jetesës. Disa prej tyre ushqehen me shtazë të vogla ose me mbeturina, ndërsa të tjerat si parazitë. Prej llojeve parazite më të njohura është këpusha e zgjebës, e cila shkakton sëmundjen e zgjebës te njeriu. Ka madhësi deri në 0,5 mm dhe jeton në brendi të lëkurës së njeriut ku femra vendos vezët e saja. Sëmundja e zgjebës karakterizohet me kruarje të madhe të lëkurës dhe është ngjitëse. Sëmundja me anë të prekjes shumë lehtë bartet nga një njeri në tjetrin. Si masë paraprake për mbrojtje nga zgjeba është pastërtia personale.

Këpusha.