Arzuna

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Nga të gjithë Qytetërimet e Lashtë Tradicionalë janë shpëtuar dhe regjistruar tekste ose tradita gojore, ku elementi kryesor është Njeriu – Hero. Tek Iliada është Akili, dhe në mitologjinë greke flitet për Herkulin, Teseun, Perseun, Velerofondin, Jasonin dhe shumë e shumë të tjerë.

Mesopotami ekziston Eposi i Mbretit Gilgames, që mund të jetë poezia më e lashtë në formë eposi që është gjendur deri në ditët e sotme. Në historinë e Evropës, eposi më i njohur është Miti i Mbretit Artur dhe të 12 Kavalierëve të tij.

Indi ekziston një nga veprat më të mëdha epike që është Ramajana me Heroin qendror që është Rama dhe gjithashtu vepra e famshme Mahabarata, pjesë e të cilës është edhe Bagavat Gita, me heroin e saj qendror Arzunën, me të cilin do të merremi në këtë artikull.

Një pikë e përbashkët e të gjitha këtyre referimeve, është lufta midis së mirës dhe së keqes, të bardhës kundër të zezës, shëmtisë kundër bukurisë, jetës kundër vdekjes. Protagonist gjithmonë në një luftë të tillë është Heroi – Luftëtar i cili pas shumë testesh – betejash të vështira mund errësirën dhe sjell dritën. Kjo betejë bëhet në dy nivele të ndryshme, një nivel të jashtëm që kryhet brenda në botë dhe një nivel brendësor, ku beteja kryhet brenda vetë njeriut, Luftëtarit të Dritës.

Arzuna, i përket klasës së Princave – Luftëtarë që quhet Ksatrija. Nga ai varet rrjedha e betejës midis fisit Pandavas (të mirët) dhe fisit Kurava (të këqinjtë), për marrjen e qytetit Hastinapura (Dituria). Një betejë që do të bëhet në fushën e madhe Kurukshetra (bota materiale, shpella e Platonit).

Hastinapura në gjuhën sanskrite do të thotë Qyteti i Elefantëve. Në Indi, elefanti simbolizon Perëndinë e Diturisë, Ganesën. Pra Hastinapura është qyteti i Diturisë dhe simbolizon nivelin më të lartë të Ndërgjegjes së Njeriut. Për këtë qytet luftojnë këto dy ushtri, ata që e meritojnë dhe ata që duan ta marrin padrejtësisht.

Ata që duan ta përvetësojnë në mënyrë të padrejtë janë fisi Kurava, që brenda njeriut simbolizojnë elementët e tij inferiorë : pasionet negative, instiktet, dëshirat egoiste dhe gjithçka tjetër që mund të mundë Shpirtin dhe të nënshtrojë njeriun në botën materiale.

Pandavat, janë ata që simbolizojnë Shpirtin e Njeriut, të Mirën, Dashurinë, pjesën Qiellore të tij. Janë virtytet dhe vlerat Njerëzore që sot për fat të keq janë një lloj drejt zhdukjes. Ata janë Qeverisësit e vërtetë të HASTINAPURËS.

Krisna është një nga Perënditë e Indisë, analoge e Osirit në Egjipt, të Zeusit në Greqi, dhe Krishtit në botën Perëndimore. Simbolizon Mësuesin Brendësor të çdo njeriu, që banon në nivelin më superior dhe Shpirtëror të tij. Por gjithashtu simbolizon dhe Mësuesin e jashtëm, atë që është i aftë të udhëheqë një nxënës dhe ti tregojë Rrugën e Vërtetë të Luftëtarit të Dritës.

Arzuna simbolizon ndërgjegjen e njeriut që ftohet të vendosë se cilën rrugë do të zgjedhë. Ashtu sikur edhe Herkuli, përpara udhëkryqit, i duhet të zgjedhë nëse do të marrë rrugën e vështirë të Virtytit apo atë të lehtë të Ligësisë. Kështu edhe Arzuna qëndron midis dy ushtrive kundërshtare dhe dyshon, është i pavendosur, peshon të mirat dhe të këqijat e Pandavave (të mirëve) dhe të Kuravave (të keqinjve). Simbolizon njeriun që duhet të zgjedhe rrugën që do të ndjekë, dhe i duhet të zgjedhë nëse do të ndjekë një rrugë ngjitëse të vështirë që udhëheq në majë, apo një rrugë horizontale që bllokon njeriun poshtë. Po ta sjellim në kohën tonë, është momenti për të zgjedhur kokrrën Blu apo atë të Kuqe (Filmi Matriks).

Dallueshmëria, aftësia e vendosshmërisë për të zgjedhur rrugën malore të vështirë, Trimëria e të dyshuarit por megjithatë të kërkojë përgjigjen e duhur, Modestia e tij për të dëgjuar Mësuesin e tij të brendshëm dhe të jashtëm (Krisna) shndërron Arzunën në një Luftëtar – Filozof. Luftëtar sepse jep luftën brëndësore, duke ju kundërvënë zërave të errët dhe përçarës që mundohen ta bindin Filozofin të mos dëgjojë zërin e Mësuesit të tij, por Arzuna përfundimisht bën zgjedhjen e duhur.

Lufta filloi, dhe filloi mbarë sepse që në fillim është fituar beteja e parë, pasi Arzuna ka zgjedhur rrugën ngjitëse që të udhëheq në shumë përplasje – kapërcime pengesash drejt majës.

Katalizatori qe i jep cilësinë dhe vlerën kësaj Rruge quhet Veprimi i Drejtë. Sipa Bagavat Gitës, njeriu i Veprimit të Drejtë, nuk vepron i ngulitur tek rezultatet e veprimeve të tij. Nuk është rob i suksesit apo dështimit. Nuk e pengojnë rezultatet e veprimeve por e mësojnë. Arzuna ka drejtuar sytë e tij lart, në majën e vetes së tij, tek gjëja më superiore që mund të ëndërrojë. Kështu veprimet që bën e ndihmojnë të kuptojë rëndësinë e vërtetë të gjërave, të shikojë pas dhe brenda formave. Është një Luftëtar që lufton për mbizotërimin e Shpirtit mbi materialin, për lirinë mbi skllavërinë, për aftësinë e vendosshmërisë mbi fatalizmin, për Veprimin mbi Pasivitetin.

Luftëtari i Dritës cakton një Rrugë, tregon një qëndrim jete, është një Model Njeriu që shikon lart pa e penguar balta që ndodhet midis këmbëve të tij. Ndjek një Rrugë që i treguan heronjtë e ndryshëm të Qytetërimeve të lashtë. Nga Odisea e deri tek Mbreti Artur, nga Herkuli e deri tek Aleksandri i Madh, nga Urdhrat Kavalieristikë të Mesjetës e deri tek Njeriu i sotëm që arrin të zgjojë brenda vetes së tij një Forcë të Gjallë të të qënit Luftëtar i Dritës.

Arzuna – Luftëtari i Dritës, ndodhet brenda çdo Njeriu dhe pret momentin e duhur për tu shfaqur. Por për të ndodhur një gjë e tillë duhet që Shpirti i njeriut të shpalosë krahët e tij të vegjël, ti lëvizë në mënyrë që të mund të forcohen dhe të bëjë hedhjen për të fluturuar i lirë, sa më lart dhe sa më shpejt të ketë e mundur, ashtu sikur edhe pulëbardha Jonathan. Nuk ka nevojë për shumë mendim, nuk ka nevojë për shumë bisedë, nevojitet vetëm vendosshmëri dhe guxim për një udhëtim kërkimi të Filozofit – Luftëtar brenda dhe përreth nesh.

Të gjithë njerëzit marrin vendime që luajnë një rol shumë të rëndësishëm në vazhdimin e jetës së tyre. Çfarë profesioni do të ndjekin, me kë do të martohen, çfarë shokësh do kenë, nëse do të udhëtojnë apo jo etj. Por nga ky vendim varet nëse do të vazhdojnë të mbeten pjesë e turmës, nëse do të kristalizohen në sistemin shoqëror ose nëse përfundimisht do të ngrejnë kokën lart e do të bëhen si Arzuna, një Luftëtar i Dritës.