Jump to content

Astrit Delvina

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Astrit Delvina (Delvinë, tetor 1920 - Tiranë, 18 korrik 1990) ka qenë publicist, shkrimtar disident shqiptar i dënuar nga autoritetet e regjimit komunist për veprat e tij.

U lind në Delvinë,[1] i biri i Namik Delvinës.[2] Rreth rinisë së tij dihet pakçka, dihet që mes viteve 1940-1943 studjoi për mjekësi në Bolonja. Kur u kthye në atdhe pasi veriu i Italisë u bë fushëbetejë, bashkëpunoi me revistën “Bleta” botoi një sërë tregimesh, novelash,[1] me pseudonimet Lek Copa, Astor, Hallë Remja dhe Zoti Kaçija. Botoi ndër të përkohshme si «Tomori», «Kultura islame», «Tomori i vogël», «Bashkimi i kombit»,[3] te revista «Kritika» e Arshi Pipës botoi esenë “Shkenca dhe arti”, kurse te revista “Fryma” e Myzafer Pipës, studimin “Erotika dhe estetika” etj.

Pas Çlirimit, qe pjesë e redaksisë “Bashkimi” deri kur Petro Marko arrestohet, më pas e larguan dhe e çojnë së pari në Shkodër e më pas në Ishëm, për të punuar si ndihmësmjek. Gjatë kësaj periudhe shkroi romanet Sykuqi, ku tipizohet një informator i Sigurimit që përndjek intelektualët; romanin alegorik Bijt e Tantalit më 1951 - vepra për të cilat u arrestua për të parën herë më 21 shkurt të atij viti dhe u dënua për «agjitacion e propagandë» dhe «tentativë arratisje», me 5 vjet burg me punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave elektorale për një vit.. Dorëshkrimet e dy romaneve të tjerë, të disa tregimeve dhe të shumë poezive humbën nëpër birucat e hetuesisë. Lirohet nga burgu më 1956.

U caktua punëtor krahu në ndërmarrjen Rruga-Ura Tiranë, ku punoi për dy vjet. Më 1958 e internuan në Libofshë e Levan të Myzeqesë. Si ndihmësmjek, fitoi simpatinë e tyre, aq sa e zgjedhin anëtar të këshillit popullor të fshatit. Më 1969 u arrestua sërish, duke i sekuestruar romanin romanin Dhe në varreza nuk ka qetësi. Në seancën gjyqësore, eksperti letrar kërkonte dënimin me të rëndë për autorin. Iu drejtua trupit gjykues, duke stigmatizuar politikën e PPSH. U dënua për «agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor», me 10 vjet burg dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet. Ekzekutimi i vendimit filloi më 12 korrik 1967 deri më 1976. Pas burgut në Spaç, e internuan në fshatin Shtyllas të Myzeqesë, ku punoi deri në fund si punëtor krahu.

Në maj 1990 kthehet në Tiranë i sëmurë rëndë, ku edhe ndërroi jetë më 18 korrik 1990.[1]

Delvina ka qenë një autor shumë prodhimtar, megjithëse një pjesë e mirë e veprave kanë humbur në hetuesinë e Shkodrës e të Fierit. Ka lënë shumë dorëshkrime: romane, novela, tregime dhe shumë poezi. Ai përdor në shkrimet e tij edhe kode. Më 1944 shkroi romanet Globi në rrjetë, Endrra me ngjyra, Pikëpjekje zemrash; tregimet: Shkretëtira kozmike, Zëri prapa murit, Dhe e bukura nuk u zgjua, Ndërgjegja, Sytë e Luçies; Kalimi i Rubikonit, një vëllim me poezi Noelës etj. Në dorëshkrim Humnera e Platonit.[1]

  1. ^ a b c d Tufa, Agron, red. (2013). Fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist (D-G) (PDF). Tiranë: ISKK. fq. 96–97. ISBN 978-9928-168-01-6.
  2. ^ Çika, Nebil (2013). "Shkrimtari që nuk e njohu kurrë lirinë". Zërat e mbijetesës. Tiranë: ISKK. fq. 197. ISBN 9789928168153.
  3. ^ Gashi, Sinan (2009). Pseudonimet e shkrimtarëve shqiptarë 1453-1982. Prishtinë. fq. 63.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)