Aziz Kelmendi
Aziz Kelmendi (lindi më 15 janar 1967) në fshatin Karaçicë të Komunës së Shtimes, Kosovë. Ishte shqiptar i Kosovës.
Jeta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Azizi rrjedh nga një familje me tradita të larta atdhetare. Prindërit e tij, Sadik Hajriz Kelmendi dhe Salë Rrahman Krapi nga Nekoci i Drenasit, patën shtatë fëmijë (5 djem dhe 2 vajza): Hajrizin, Havën, Idrizin, Isakun, Azizin, Melihaten dhe Besimin. Babai i Azizit, Sadiku, sikurse shumë bashkëkombës të tij, për shkak të kushteve të rënda ekonomike, në vitin 1970 u detyrua të marrë rrugën e kurbetit. Ai filloi të punojë në Republikën Federale të Gjermanisë. Sadiku, në vitin 1971, nga fshati i lindjes Karaçicë shpërngulet në fshatin Medvec të Lipjanit.
Këtu Azizi regjistrohet në shkollën fillore (paralele e ndarë) e fshatit Medvec, ku kryen me sukses katër klasë dhe mandej vazhdon klasën e pestë dhe gjashtë në shkollën amë “Stanko Buriç” të fshatit Magurë. Nëntë vjet më vonë, në vitin 1980, familja e Azizit përsëri shpërngulet në Komunën e Prizrenit, gjegjësisht në fshatin Dushanovë, që tash njihet si Arbanë.
Në këtë vendbanim familja Kelmendi kishte krijuar kushte më të mira për jetë. Edhe këtu Azizi me sukses shembullor mbaroi klasën e shtatë dhe të tetë në shkollën “Aradha e Sharrit”. Ndërsa tri klasë të shkollës së mesme i kreu në Qendrën e Shkollimit të Mesëm “Dimitrie Tucoviq” në Prizren, ku dallohet si një ndër nxënësit shembullor të kësaj shkolle. Po në vitin e tretë e arreston milicia e atëhershme jugosllave në fshatin Vërmicë të Prizrenit dhe e dënon për veprimtari armiqësore dhe tentim për kalimin e kufirit Kosovë – Shqipëri.
Pas vuajtjes së dënimit për kundërvajtje nga 2-17 prilli 1984 në Burgun e Prizrenit, drejtoria e shkollës e përjashtoi nga Qendra e Shkollimit të Mesëm “Jovanka Radivojeviq -Kica” në Prizren. Me të përfunduar të burgut ai në vitin 1984 shkoi në Lipjan dhe u regjistrua në vitin e katërt në Qendrën e Arsimit të Mesëm të Orientuar, në Degën Juridiko-Byroteknike. Meqë e kishte larg shtëpinë për të udhëtuar, Azizi atë vit kishte banuar te djali i tezës së tij, Ibrahim Tahir Bungu, në Shtime.[1]
Masakra e Paraqinit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Artikulli i plotë: Masakra e Paraqinit
Masakra e Paraqinit (serbo-kroatisht: Paraćinski masakr) ishte ngjarje me të shtëna masive që kishte në shënjestër ushtarët e Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA) në kazermat ushtarake në Paraqin, Serbi më 3 shtator 1987. Autori i krimit ishte Aziz Kelmendi, 20-vjeçari i rekrutuar nga Kosova. Kelmendi ka gjuajtur me pushkë automatike në dy dhoma të fjetjes, të shtënat lanë 4 ushtarë të vrarë dhe 5 të plagosur. Në Kosovë besohet se Azizi më pas u ndoq dhe u vra nga policia ushtarake e JNA-së.
Nga Sekretariati i Mbrojtjes Popullore në Prizren, Aziz Kelmendi, është rekrutuar për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ) dhe pikërisht më 14 shtator të vitit 1986 lajmërohet në Garnizonin Ushtarak 5300 në Leskovc të Serbisë, ku për tre muaj iu nënshtrua trajnimit bazë për tankistë dhe pas kësaj në fund të dhjetorit e transferojnë një javë në Dollovac afër Nishit. Mandej e dërgojnë në Kazermën Ushtarake Branko Krsmanoviq në Paraqin, qytet në jug të Beogradit. Ky garnizon përbëhej nga rekrutë prej gjithë Jugosllavisë, siç ishte praktika e përgjithshme në ish-armatën jugosllave.
Në sistemin e atëhershëm jugosllav nga komunat e tyre iu përcilleshin të gjitha të dhënat, duke përfshirë ndonjë vepër penale, përshtatmërinë ideo-politike të rekrutëve të rinj se kush janë, nga vijnë dhe çfarë veprimtarie politike kanë pasur në vendlindjen e tyre. E njëjta karakteristikë nga Sekretariati i Mbrojtjes Popullore të Prizrenit ishte evidencuar në kartonin e njësisë, i cili iu përcoll Azizit në postën ushtarake në Leskovc. Kjo dosje për Azizin ishte paksa më e veçantë ngaqë bëhej fjalë për një person të dyshimtë dhe shumë të “rrezikshëm” i cili duhej vënë nën mbikëqyrje dhe përcjellje të përhershme nga eprorë të sigurimit ushtarak. Pasi që karakteristika e tij kishte të bënte me një të dënuar për kundërvajtje politike, sigurimi ushtarak që nga dita e parë kur kishte shkuar në Leskovc dhe më pastaj në Paraqin kishte përcjell dhe vëzhguar atë gjatë gjithë kohës. Ai ishte vënë para një presioni të papërballueshëm psikologjik. Ishte koha kur të rinjtë nga Kosova shkonin ta kryenin shërbimin ushtarak në Jugosllavi dhe vazhdimisht rritej numri i rasteve të ushtarëve shqiptarë të vrarë, kurse trupat e pajetë u silleshin familjeve të tyre të mbyllur hermetikisht në arkivole metalike. Shumë prej tyre vriteshin dhe familjeve u thoshin se ata kanë kryer vetëvrasje. Vetëm në periudhën e viteve 1981-1987 nga ushtria jugosllave ishin kthyer 33 shqiptarë të vrarë. Kjo tregon se pas ngjarjeve të vitit 1981, shqiptarët në armatën jugosllave shikoheshin me një sy krejtësisht ndryshe se me kënd shoqëroheshin, çka bisedonin, pse shoqëroheshin me ushtarë shqiptarë e pse jo me ushtarë të nacionaliteteve të tjera!? Dhe përderisa të gjithë rekrutët sllavë shoqëroheshin ndërmjet vete, shqiptarët gjithmonë mbanin një distancë të heshtur duke u shoqëruar kryesisht mes vete. Zakonisht, shumica e rekrutëve shqiptarë nuk e zotëronin fare gjuhën serbokroate, e cila në ish-Jugosllavi ishte gjuhë zyrtare. Prandaj, krejtësisht ishte e logjikshme që shqiptarët të shoqëroheshin më shumë me bashkëkombësit e vet meqë kishin një kulturë, një traditë dhe gjuhë të përbashkët që nuk lidhej asgjë me sllavët. Ky ishte një hendikep i madh për shqiptarët në ushtrinë jugosllave, gjë që ndikoi drejtpërdrejt në diskriminimin e tyre si në dhënien e kujdestarive të shpeshta, dhënien e rojës, pastaj i detyronin t’i pastrojnë banjat, korridoret, oborret e kazermave etj. Këto detyrime jepeshin rend e pa rend, sidomos për shqiptarët në shenjë hakmarrje ndaj tyre vetëm e vetëm se ata po kërkonin në vendlindjen e tyre të jenë të barabartë me gjithë popujt e Jugosllavisë.
Edhe pse Azizi kishte vetëm 20 vjet, ishte pjekur para kohe, domethënë jeta e kishte kalitur dhe bërë mjaft inteligjent e syçelë. Ishte paksa i tërhequr në vete, ta linte përshtypjen se nuk shoqërohej me askënd, mirëpo në realitet ishte shumë i dashur dhe atdhetar. Duke vërejtur vendosmërinë dhe karakterin e tij shumë të fortë, ato ditë eprorët jugosllavë Azizin e thërrisnin si Kelmendoviq, për të cilën gjë e kishte njoftuar nënë Salën gjatë pushimit sa ishte në shtëpi, në muajin qershor të vitit 1987. Nëna e tij i kishte thënë: “O Aziz a e di se në çfarë ushtrie je, në ushtrinë e huaj apo tënden? Ai i ishte përgjigjur: “Jam në ushtrinë e huaj!” Prandaj, “kryje ushtrinë e hajde në shtëpi”, i sugjeron nëna e tij. Në bisedë e sipër, Azizi e kishte paralajmëruar nënën e vet për t’u përgatitur për më të keqen. Ai kishte thënë: “Ju nanat e Kosovës duhet mu ba shumë të forta sepse Jugosllavia ka me na marrë neve dhe ka me na burgos, ka me na munu e torturu tu na shti në arkivol e me ua pru nanave tona në shtëpi. Ju duhet mu batë forta se një popull që do liri, bota pa ua dhanë nuk kanë qare”. Mirëpo pas kthimit nga pushimi, eprorë e ushtarë jugosllavë sërish vazhdojnë me metodat më të ndyra të provokimit duke u munduar ta lodhin në aspektin shpirtëror, fizik dhe psikik sa që në fund e prekun atë deri në sedër! Atij i kishin mbetur vetëm dymbëdhjetë ditë për të përfunduar shërbimin ushtarak 12-mujor mirëpo ato ditë për Azizin ishin bërë shumë të gjata dhe të papërballueshme. I mllefosur për gjendjen politike që po mbretëronte asokohe në Kosovë, Azizin muajin e fundit të shërbimit ushtarak gjatë një pasdite, në bisedë e sipër kishte kërkuar mendimin e shokëve të vet shqiptarë duke ju thënë: “O burra ja kajm nanën t’ju hyjmë pushkë! Na është dhanë rasti dhe mundësia sepse këta gjatë gjithë historisë prej se kanë ardhë në Kosovë, gjithmonë na kanë vra e pre”. Shokët e tij nuk e marrin seriozisht deklarimin e tij, përveçse i thonë: “Lere bre Aziz ta kryjmë ushtrinë e të ecim te shtëpia”, tregon Rizah Xhakli që ishte i pranishëm në atë takim të rëndomtë me Azizin.[1]
Sfondi i ngjarjes në Kazermën e Paraqinit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Për natën kritike, Azizi nuk u kishte treguar as shokëve shqiptarë për hapin që do të ndërmerrte, me të vetmin qëllim që të mos i implikonte ata sepse ishte plotësisht i vetëdijshëm për pasojat që do të rrjedhin më pastaj. Duke u bazuar gjithnjë në të dhënat zyrtare, atë natë rreth orës 24:00 dhjetari Zoran Gjekiq e kishte ftuar Aziz Kelmendin për ta marrë detyrën e ndihmëskujdestarit në njësinë e Postës Ushtarake 7518 në Paraqin. Gjatë kësaj kohe, Azizi, sa mbante kujdestari, më 3 shtator 1987, kishte dalë në oborr të kazermës dhe shkon deri te dhoma e mësimit, ku afër ishte vend roja numër 1. Atje takon ushtarin Abdylxhemil Alimani, i cili e kishte pyetur: “Çka po kërkon aty në atë kohë?” “Meqenëse jam kujdestar, erdha të marrë diçka për të lexuar, por nuk gjeta asgjë”, kishte thënë Azizi dhe kthehet sërish në kazermë. Atij tashmë i ishte mbushur kupa aq shumë saqë me të hyrë në pavijon, sipas të dhënave zyrtare, ai kishte thyer kasafortën (dollap metalik) e mbyllur me dry dhe dyllë të kuq të vulosur. Kjo arkë metalike gjendej në korridor të pavijonit të njësisë në katin e parë, ku ka siguruar dhjetë plumba 7,62 mm të pushkës gjysmatomatike. Në të njëjtin korridor merr pushkën automatike “Zastava” M70 (D-116689), të cilën e ka mbushur me dhjetë fishekë. Pastaj nga objekti i kazermës është nisur në drejtim të vendit të rojës së kazermës, përkatësisht në çadrën e rojës. Atje, rreth orës 3:00, e zgjon nga gjumi komandantin e rojës, dhjetarin Rizo Alibashiq (boshnjak-mysliman), duke e kërcënuar se do ta mbyste nëse nuk i jep municion. Për ta shpëtuar veten, Alibashiq ia jep dy karikatorë me nga 30 fishekë për pushkë automatike, për të cilën më tepër municion nuk kishte. Mandej duke e kërcënuar me armë në shpinë, ka urdhëruar Alibashiqin që të shkojë në drejtim të kazermës së njësisë së tij. Pasi ka ardhur në ndërtesën dykatëshe të postës ushtarake 5313 dhe 7518, të cilat ishin në një korridor, kanë hipur në katin e parë dhe ka urdhëruar dhjetarin Alibashiq të largohet dhe në orën 03:05 pas mesnatës kishte hapur dyert e dy dhomave nr. 41 e 42 dhe mbi ushtarët jugosllavë ka shtënë gjithsej 26 plumba me pushkë automatike duke vrarë:
- Safet Dudakoviq nga Orahova e Bosanska Gradishkës (BiH),
- Srgjan Simiq nga Beogradi (Serbi),
- Goran Begiq nga Zagrebi (Kroaci) dhe
- Hasim Gjenanoviq nga Koçiqi i Vitezit (BiH).
Ndërkaq, në këtë aksion u plagosën këta ushtarë:
- Ante Jazhiq, slloven
- Petar Gjekiq, kroat nga Vërnezi i Vitisë
- Andrej Presheren, slloven
- Huso Kovaçeviq, boshnjak-mysliman
- Nexhid Mehmedoviq, boshnjak-mysliman. Në rrethana të krijuara ushtari Nazif Axhoviq, shqiptar nga Tuzi i Malit të Zi, nga frika kishte kërcyer nga dritarja prej një lartësie 6-metrash, me ç’rast merr lëndime të lehta trupore.
Në kohën kur janë dëgjuar rafalët, Alibashiq ishte në pistë dhe menjëherë i kishte dhënë rojës alarm. Si në ëndërr, të shtënat i kishte dëgjuar, flamurtar i klasës të parë, Dushan Blagojeviq.
Njëherë ai kishte menduar se mos po ushtrojnë ushtarët e rojës. Nuk kishte vonuar shumë kohë dhe shkon ndihmësi i tij, dhjetari Mate Dodik, i cili i kishte treguar se po ngjet diçka e jashtëzakonshme. “Vrapova deri te dera e parë e pavijonit dhe kur e vërejta çka ka ngjarë, u ktheva shpejt dhe me telefon thirra mjekët, organet e punëve të brendshme, eprorët e njësisë etj”, tregon Blagojeviq. Ndërkaq, në orën 3 e 14 minuta të mëngjesit, ushtari Nenad Sarçeviq e thërret në shtëpi me telefon kapitenin e klasës të parë, Dragan Rosiq, të cilin e njofton se “në pavijon ka të lënduar e, ndoshta, edhe të vdekur dhe se sigurisht këtë e ka bërë ushtari Aziz Kelmendi”, epror i të cilit ishte Rosiq. Ky tregon se “kur ka ardhur në kazermë, para çadrës së rojës ka vërejtur të tubuar ushtarët e rojës. Nga ata u nda dhjetari Rizo Alibashiq, udhëheqës i rojës dhe i ka thënë se Azizi me dhunë ia ka marrë municionin”. Mandej, Rosiq “ka shkuar menjëherë në dhomat e fjetjes dhe aty ka vërejtur disa ushtarë gjysmë të veshur, si dhe të plagosurit e të vrarit”.
Dëgjoheshin boritë e ndihmës së shpejtë që vinin nga qyteti. Ishte errësirë, mbretëronte rrëmujë e panik i vërtetë dhe të vërtetën nuk e dinte askush tjetër përpos Azizit, i cili gjatë kësaj kohe shkon në drejtim të depove të municionit, ku atje kalon rrethojën duke shkuar një kilometër nga baza, në vendin e quajtur “Karadjordjevo Brdo” (Kodra e Karagjorgjës). Për të mos rënë në duar të armiqve kishte bërë vetëvrasje duke shkrepur një fishek në arëz të fytit, i cili kishte dalë mbi kokën e tij. Rreth orës 8:00 të mëngjesit nga një çift i moshuar bashkëshortor është gjetur trupi i pajetë i Aziz Kelmendit, i cili menjëherë i njofton organet ushtarake.[1]
Paraburgosen të gjithë ushtarët shqiptarë që shërbenin në Kazermën e Paraqinit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Menjehere pas rastit të Paraqinit kishte nisur transferimi për gjithë personelin e kazermës, me arsyetimin se kanë pësuar trauma. Më 7 shtator 1987 ushtarët shqiptarë i marrin me një autobus nga Garnizoni “Branko Krsmanoviq” dhe i transferojnë në Kazermën Ushtarake “Stefan Singjeliq” në Nish, nga aty më pastaj i transferojnë në kazerma të tjera të Serbisë. Në shenjë hakmarrje nga data 13-23 shtator 1987, policia ushtarake pa asnjë faj kishte paraburgosur gjashtë ushtarë shqiptarë, një boshnjak-mysliman dhe një rom që shërbenin në Kazermën e Paraqinit:
- Rizah Xhakli (1967) nga Ferizaj, i paraburgosur më 19.9.1987
- Abdylxhemil Alimani (1968) nga Bogovina-Tetovë, i paraburgosur më 19.9.1987
- Afrim Mehmeti (1968) nga Firaja (Shtërpcë), i paraburgosur më 14.9.1987
- Pajazit Aliu (1966) nga Pakashtica e Epërme (Podujevë), i paraburgosur më 13.9.1987
- Shefqet Paçarizi (1965) nga Dragobili (Malishevë), i paraburgosur më 14.9.1987
- Enver Behluli (1967) nga Dobri Do (Gostivar)i paraburgosur më 19.9.1987
- Rizo Alibashiq (1967) nga Babiqi i Graçanicës (BiH) i paraburgosur më 23. 9. 1987
- Islam Mahmuti (1967) nga Gjakova (rom), i paraburgosur më 19.9.1987[1]
Vdekja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]JNA-ja deklaroi se Azizi kishte bere vetevrasje.
Në Kosovë besohet se ai u vra nga policia ushtarake e JNA-së pas Masakrës së Paraqinit, në Paraqin më 3 shtator 1987.
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]http://www.forum.hr/showthread.php?t=184274 https://books.google.ba/books?id=82YjiSi2gvcC&pg=PA145&lpg=PA145&dq=aziz+kelmendi&source=bl&ots=Fh6oRh1wU4&sig=Xsnx_-AiEyE51XXFtlyot2ueXQQ&hl=hr&sa=X&ved=0ahUKEwjk0PXPjvbKAhVGGZoKHZmcCno4ChDoAQgNMAE
- ^ a b c d "Fejtoni i plotë për Aziz Kelmendin, enigma e vrasjeve pa luftë në kohë robërie – Epoka e Re" (në anglishte amerikane). Marrë më 2023-03-08.