Jump to content

Batalioni Antonio Gramshi

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë


Një vend të dukshëm dhe të posaçëm, në historinë e formacioneve ushtarake dhe luftarake shqiptare, zënë edhe formacionet me luftëtarë të huaj, që u krijuan gjatë viteve të Luftës Antifashiste NacionalçlirimtareShqipëri. Ato u bënë pjesë e denjë e formacioneve të Ushtrisë NÇ Shqiptare. Këtu është fjala për ato formacione luftarake të huaja, që u formuan në ecurinë e luftës, me ish-ushtarakë italianë, pas kapitullimit të ushtrisë fashiste italiane, si dhe me ish-ushtarakë të tjerë të huaj, që dezertuan nga ushtria naziste gjermane, në Shqipëri.

Këto formacione, me veprimtarinë e tyre luftarake shpesh herë të spikatur, e merituan nderin dhe respektin e popullit shqiptar, kundër të cilit regjimet e tyre fashiste i kishin dërguar për të luftuar. Për këto arsye dhe motive populli shqiptar i futi ata përjetësisht në historinë e tij. Kjo është mjaft e rëndësishme për çdo luftëtar e sidomos për ata që luftojnë dhe derdhin gjakun e tyre për lirinë e një kombi apo të një vendi tjetër.

Kjo dukuri është një nga më të spikaturat, më të veçantat dhe më interesantet në historinë e Luftës Antifashiste dhe të Ushtrisë NÇ Shqiptare. Ajo nisi me ardhjen e ish-ushtarakëve pushtues, tashmë të kapitulluar e të dezertuar dhe me rreshtimin e tyre në radhët e formacioneve luftarake antifashiste shqiptare, për të luftuar kundër armiqve tashmë të përbashkët naziste. Ardhja e tyre ka nisur madje qysh herët, në fillimet e LANÇ-it në Shqipëri, qysh në kohën e formimit të formacioneve të vegjël, të shkallës taktike, kur ende nuk ishte formuar Ushtria NÇ Shqiptare. Por, kuptohet se ato përbënin në atë kohë një numër të pakët ushtarakësh të veçuar, kryesisht italianë të dezertuar nga repartet apo nga njësitë e tyre, të cilët meqenëse e urrenin fashizmin dhe luftën, iu bashkuan çetave dhe batalioneve partizane shqiptare. Sipas të dhënave, numri i tyre deri para kapitullimit të ushtrisë fashiste italiane, kapte shifrën 122 veta.[1] Dalëngadalë ardhja e tyre u shndërrua në një fenomen me përmasa më të mëdha, më të dukshme, sidomos pas 8 shtatorit të vitit 1943, kur Italia fashiste kapitulloi pa kushte. Sipas të dhënave të asaj kohe, një masë mjaft e madhe, prej afro 15. 000 ushtarakësh, kryesisht ushtarë, por edhe shumë nënoficerë dhe oficerë, iu dorëzuan forcave të UNÇ-së dhe komandave të vendit. Ata ishin ushtarakë që vinin kryesisht nga nënrepartet dhe nga repartet e divizioneve italiane të këmbësorisë "Firence", "Parma", "Perugia", por edhe nga divizioni i blinduar "Brennero", nga divizioni "Arezzo", si dhe nga reparte ose nënreparte të tjerë të mëvetësuar.

Dorezimi te nazistet

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndërkohë, një masë tjetër "kryeneçe", e përbërë nga një numër i madh ushtarakësh, që përfshinte oficerë të lartë, të mesëm dhe të ulët, si dhe mjaft nënoficerë dhe ushtarë, pranuan të dorëzoheshin tek ish-aleatet e tyre nazistë. Por u zhgënjyen keqas. Deri në tragjizëm arriti drama, pasi shumë prej tyre u ekzekutuan pamëshirë ose, në rastin më të mirë e fatlum për ta, italianët u lidhën dhe u dërguan si robër, për punë të detyruar, në fushat e Austrisë dhe të Gjermanisë. Tipik është rasti që lidhet me fatin e një pjese të divizionit "Perugia", me qendër në qytetin e Gjirokastrës, që u ekzekutua pa mëshirë nga nazistët në grykat e Kuçit dhe të Borshit. Kjo ndodhi më 4 tetor, por edhe më pas. Së bashku me ta u pushkatua edhe vetë komandanti i divizionit, gjenerali Ernesto Kiminelo së bashku me afro 120 oficerë të po këtij divizioni.[2] Po këtë shifër, e diçka më të madhe afro 150 veta, e konfirmon edhe ish-misionari ushtarak, anglezi Tillman, në një nga librat e tij të pasluftës, për Shqipërinë.[3] Pothuajse tri ditë më pas u kapën dhe u pushkatuan me egërsi edhe 32 oficerë të tjerë në afërsi të fshatit Kuç.[4] Një masakër e vërtetë kjo, vetëm për aresye se nazistët i quanin "tradhëtarë" ish-aleatet e tyre italianë. Mizoria arriti kulmin kur, pas vrasjes, një pjesë e italianëve të ekzekutuar, nazistët i hodhën nga lartësitë në det ose i dogjën, duke i përdorur si monstra për të trembur të tjerët.

Dorezimi te partizanet

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nga masa prej 15.000 vetash, që u dorëzuan pranë formacioneve partizane, vetëm ata më të vendosurit, një numër prej 2.150 ushtarakësh, u futën në përbërje të formacioneve të UNÇ-së. Sipas të dhënave të asaj kohe është nxjerrë se, nga numri i mësipërm, 472 italianë u rreshtuan në përbërje të brigadave sulmuese, 401 të tjerë hynë në shërbim të prapavijës, kurse pjesa tjetër prej 1.277 vetash u angazhuan pranë komandave të vendit.[5]

Natyrisht, jo në të gjitha brigadat sulmuese u krijuan formacione në shkallë nënrepartesh ose repartesh të veçantë me ushtarakë të huaj. Sipas dokumentacionit arkivor të kohës, sidomos të atij që i përket brigadave sulmuese të UNÇ-së, vërehet se pranë formacioneve të kësaj ushtrie hynë në mënyrë spontane, vetiake apo me grupe, mjaft ish-ushtarakë italianë. Ata u përfshinë në këto formacione me dëshirë, ndonëse tashmë e dinin se ato bënin një jetë të vështirë mali dhe se përdornin, gjatë veprimeve luftarake, taktikën e zhdërvjelltë të luftës partizane, e cila ishte krejt e ndryshme nga ajo që zbatonin ushtritë e rregullta klasike, siç ishte edhe ushtria italiane.

Në përgjithësi, ushtarakët italianë kryenin detyra të veçanta, por mjaft të rëndësishme për veprimtarinë e formacioneve partizane, kryesisht në prapavijat, si në shërbimin sanitar, në punëtoritë, në artileri etj. Kjo dukuri u vërejt në ato formacione të UNÇ-së, ku nuk kishte nënreparte ose reparte kompakte dhe të mëvetësuar me ushtarakë të huaj. Të kësaj natyre ishin detyrat që kryen të huajt që hynë në përbërje të brigatave I, II, III, IV, V, VI, VII, XXII sulmuese etj., por edhe në Zonën e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër. Këtu ata vepruan dhe ndihmuan shumë me dijet dhe përkushtimin e tyre, sidomos në punëtoritë dhe depot, si dhe në spitalet e njohura të kësaj zone. Ndërkohë disa dhjetra e qindra të tjerë shërbyen, po me atë përkushtim dhe profesionalizëm, pranë komandave të vendit dhe në tërësi pranë stukturave të Pushtetit Ushtarak të Prapavijave.

Por gjërat nuk mbeten deri në këtë nivel. Ato shkuan më tej, drejt krijimit të formacioneve luftarake të shkallës taktike dhe të organizmave drejtuese të tyre, pranë vet formacioneve luftarake dhe Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ-së Shqiptare. Për shembullin e parë, tipik ka qenë rasti i një grupi prej 1.116 ish-ushtarakësh italianë të divizionit të këmbësorisë "Firence", më parë me qendër vendvendosjeje në zonën Dibër-Mat, të cilët u paraqiten pranë shtabit të Brigadës I Sulmuese. Prej këtij grupi, afro 150 veta u shprehën të palëkundur për të luftuar së bashku me shqiptarët kundër pushtuesëve nazistë gjermanë. Nuk ishte aspak e lehtë të ndërmerrej një vendim i tillë, në kushtet kur këta njerëz kishin luftuar në radhët e ushtrisë së tyre pushtuese kundër popullit shqiptar, për disa vite me radhë. Tashmë atyre u duhej të luftonin përsëri, porse tani në përbërje të formacioneve luftarake të këtij populli, kundër të cilit kishin luftuar deri para pak kohësh. Sidoqoftë ata vendosën të shprehnin dëshirën dhe të vinin në provë cilësitë e tyre luftarake, kundër pushtuesve dhe persekutorit të përbashkët nazist.

Në këto rrethana komanda dhe shtabi i Brigadës I Sulmuese vendosën të krijonin një batalion më vete, ide kjo që u pëlqye dhe u miratua nga ish-ushtarakët italianë të ardhur në brigadë. Kështu, më 9 tetor 1943, me shumicën e këtyre ushtarakëve lindi batalioni i emërtuar "Antonio Gramshi".[6] Efektivi i tij në krijim kapte numrin 137 luftëtare. Pjesa tjetër e mbetur u fut në përbërje të nënreparteve të brigadës. Ushtarakët italianë i zgjodhën vet drejtuesit e batalionit të tyre. Komandant u zgjodh nënoficeri Tercilio Kardinali, komisar politik Alfredo D`angelo, nënkomandant përzgjodhën Xhuzepe Montin kurse zëvendëskomisar Dominiko Bogatain. Një prej anëtarëve të shtabit të batalionit ishte nga radhët e partizanëve shqiptarë, Sami Kotherja.[7]

Batalioni u organizua me dy kompani, e para, që përfshinte edhe komandantin dhe komisarin, numëronte 42 veta[8] ; e dyta, përveç komandës, përbëhej nga 88 luftëtarë.[9] Veprimtaria e përditëshme dhe ajo luftarake e batalionit drejtohej nga shtabi i tij, i cili përbëhej nga 5 anëtarë. Pranë shtabit u mbajt një skuadër me 7 luftëtarë, me përberje 2 korrierë (lajmëtarë), 1 infermier, 2 këpucarë, 1 berber dhe1 intendent.[10]

Ndërkohë, një numër tjetër ish-ushtarakësh italianë, hynë në shërbimet, por edhe drejtperdrejt në radhët e batalioneve të kësaj brigade. Veçanërisht të parapëlqyera prej tyre ishin shërbimi i intendencës, ai i sanitetit (i shëndetësisë) dhe artileria e brigadës. Tipik ishte shërbimi sanitar, ku mjeku dhe 4 infermierët ishin italianë, ashtu si dhe ai i armës së artilerisë, me nënkomandantin dhe dy anëtarë të tjerë. Koha provoi se këta ushtarakë, me profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre dhanë një ndihmesë të jashtëzakonëshme dhe të pazëvendësueshme për mbarëvajtjen e shërbimeve të mësipërm.

Batalioni partizan italian u përshtat dalëngadalë me jetën dhe veprimtarinë, si dhe me taktikën e veçantë të luftës që kryente kjo njësi, si formacion i një ushtrie të tipit vullnetar që ishte, duke i u përgjigjur mjaft mirë detyrave që i ngarkonte komanda dhe shtabi i brigadës. Batalioni nisi të përballej në veprime luftarake me nazistët, me një shkallë të lartë vështirësie, si me 15 nëntor 1943, në qytetin e Beratit, ku luftoi heroikisht, madje në rrethim për afro pesë orë, kundër më se 2.000 forcave naziste. Në këtë luftim mbetën të vrarë 10 luftetarë.[11] Por batalioni ia doli të çante unazën e rrethimit të shtërnguar nazist, pikërisht duke u ndarë në grupe të vegjël, sipas koncepteve të taktikës së luftës partizane. Pas kësaj ngjarje batalioni "Antonio Gramshi" u riorganizua në shkurt 1944, kohë kur u bë një riorganizim i vet brigadës. Tashmë efektivi i batalionit kishte zbritur në 105 luftëtarë.[12] Më pas, në kuadrin e veprimeve luftarake të Brigadës I Sulmuese, e cila merrte pjesë në operacionin mësymës të Divizionit I Sulmues në zonat në veri të lumit Shkumbin, gjatë muajve qershor-korrik 1944, mori pjesë edhe batalioni "Antonio Gramshi". Pikërisht në luftimet shumë të ashpra, që u zhvilluan në fshatin Çerenec të Dibrës, më datën 8 korrik, batalioni luftoi me ashpërësi dhe heroizëm ndaj forcave naziste në këtë kuotë kyçe. Në luftim ra duke luftuar në krye të batalionit, komandanti i tij, T. Kardinale.[11] Më tej, ky batalion, mori pjesë me sukses edhe në luftimet gjatë operacionit të madh të forcave të Korparmatës së Parë të UNÇ-së për çlirimin e Tiranës, kryeqytetit të vendit, më nëntor 1944.

Me çlirimin e plotë të Shqipërisë, Komanda e Përgjitheshme e UNÇ-së, urdhëroi që, mbi bazën e batalionit "Antonio Gramshi", të thirreshin e të organizoheshin përreth kësaj bërthame, ish-ushtarakë italianë të shpërndarë anembanë Shqipërisë. Kështu lindi brigada "Antonio Gramshi". Pak kohë më pas kjo brigadë u shndërrua në divizion, i cili mbante të njëjtin emër. Në muajin maj 1945, më në fund, kjo njësi ushtarake me kombësi italiane, nën kujdesin dhe me interesimin e Komandës së Përgjithëshme të UNÇSH-së dhe të qeverisë shqiptare, në marrëveshje me qeverinë italiane të pasluftës, u riatdhesua në Itali, e përcjellë me një ceremoni të posaçme.[13]

Në rrjedhën e Luftës Antifashiste në Shqipëri, pranë disa brigadave sulmuese të UNÇ-së, u formuan dhe vepruan edhe pak formacione të tjera të përbërë nga ish-ushtarakë italiane. Një ndër to ishte Brigada III Sulmuese, në përbërje të së cilës u organizua një çetë e vogël, në rang të një toge, me emërtimin italian "Mateotti", Ky nënrepart i vogël numëronte 27 luftëtarë në radhët e tij.[14] Një tjetër formacion, po me këtë emërtim u formua në Brigadën XI Sulmuese[15], por për të nuk ka të dhëna të plota. Një nënrepart i përmasave taktike, që në literaturën historike të kohës së LANÇ-it, herë trajtohet si kompani dhe herë-herë si batalion, u formua në përbërje të Grupit IV të emërtuar "Çamëria", të Zonës Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër. Ky ishte formacioni me emërtimin "Xhiakomo Matteoti", që kishte një përbërje modeste, me vetëm 22 luftëtarë, të cilët vinin nga radhët e ish-ushtarakëve italianë.[16]

Në dhjetor 1944, në kohën kur vepronte në trevën e Kosovës, gjatë një riorganizimi të kryer atje më 24 nëntor 1944, në Brigadën V Sulmuese, u përurua Batalioni VI, me 200 ish-ushtarakë italianë. Një pjesë e mirë e këtyre ushtarakëve tashmë zotëronin një përvojë të pasur luftarake në përdorimin e taktikës së luftës partizane, të fituar gjatë kohës së qëndrimit dhe të veprimtarisë luftarake nëpër repartet dhe nënrepartet e kësaj brigade.[17] Komandant i batalionit ishte caktuar Ernesto Kebastura, komisar politik ishte një tjetër italian i quajtur Xhorxhio Gluo.[18]

Sipas të dhënave të Arkivit të Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it të popullit shqiptar, në dosjen përkatëse të partizanëve italianë, që vepruan në radhët e UNÇ-së, vetëm nëpër brigadat sulmuese të saj numëroheshin 472 luftëtarë. Këtu hynin edhe ata italianë, të cilët u rreshtuan nëpër batalionet e brigadave II, IV, VII, VIII, X, XII, XVII Sulmuese. Ndërkaq në prapavijat vepruan 401 italianë, kurse pranë komandave të vendit u përfshinë edhe 1.277 italianë të tjerë. Nga radhët e tyre 73 luftëtarë ranë gjatë veprimeve luftarake kundër pushtuesëve nazistë dhe u shpallën dëshmorë të Shqipërisë.[19]

Me qëllim që të sistemonte dhe që të mirëdrejtonte veprimtarinë e formacioneve (nënreparteve, reparteve apo njësive) të ushtrisë së kapitulluar fashiste italiane në Shqipëri, më 8 shtator 1943, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ-së shqiptare vendosi të hynte në lidhje dhe të bashkëpunonte me ushtarakët italianë, për t'i vënë mbi baza organizative prurjet e tyre. Ishte menduar që, pasi të organizohej mirë puna, atëhere t'u bëhej thirrje forcave të kapitulluara italiane në Shqipëri, me qëllim grumbullimi dhe organizimi ushtarak dhe luftarak pranë strukturave të UNÇ-së ose përreth një komande italiane të posaçme në territorin shqiptar.

Në vijim të konkretizimit të këtij qëllimi, sipas një vendimi të posaçëm, në tetor 1943, në afërsi të Tiranës, në fshatin Arbanë, u formua një komandë ushtarake italiane, me ish-ushtarakë të lartë, të cilët shprehen vendosmërinë dhe gatishmërinë e tyre për të organizuar dhe drejtuar ushtarakët italianë që ndodheshin në territorin shqiptar. Komanda e ngriti qendrën në fshatin Arbanë, duke u emërtuar Komanda Aleate e Trupave Italiane të Malit (KATIM). Në krye të saj u vu ish-komandanti i divizionit italian "Arezzo", në Shqipëri, gjenerali Arnaldo Azzi (Acci).[20]

Komanda Aleate e Trupave Italianë të Malit, synonte që, së pari të organizohej vet me strukturat përkatëse të saj, ndërkohë që ajo lëshoi disa thirrje drejtuar gjithë ushtarakëve italiane të kapitulluar në Shqipëri. Por fatkeqësisht kjo komandë nuk arriti të organizohej dhe nuk mundi të shtrihej pranë shtabeve partizane të qarqeve. Në se organizimi do të ishte realizuar, atëherë kjo komandë do t'i a kishte dalë që të bënte lidhjen dhe organizimin e këtyre elementeve luftarake si një forcë e rëndësishme në luftën kundër pushtuesëve nazistë, e cila do të kishte qënë një ndihmese e madhe për luftën çlirimtare të popullit shqiptar.

Sidoqoftë komanda e mësipërme shfaqi dhe dëshmoi dëshirën dhe angazhimin e saj për të vënë në anën e luftës së popullit shqiptar gjithë përkushtimin e mundshëm dhe forcat e pjesëtarëve të ish-ushtrisë italiane të kapitulluar në Shqipëri. Ushtarakët progresistë të ish-ushtrisë pushtuese, këtë veprim e bënin në shënjë respekti ndaj popullit shqiptar dhe luftës së tij të drejtë kundër nazizmit. Ata e vlerësonin shumë sjelljen bujare të këtij populli, që ndonëse i goditur dhe i masakruar për disa vite nga ushtria pushtuese fashiste italiane, u shtriu dorën e miqësisë dhe u hapi dyert e mikpritjes në një çast tepër të vështirë dhe delikat, duke ndarë bukën dhe strehën me ta dhe duke i fshehur e shpëtuar shpesh nga hakmarrja naziste! Tani, në këmbim të kësaj zemërgjërësie, ka mbetur proverbiale një shprehje e gjeneral Azzit, i cili, duke pohuar këtë të vërtetë të madhe, ka thënë: "U jemi mirënjohës popullit dhe partizanëve shqiptarë, që shpëtuan dhe strehuan me mijëra ushtarë të mij, bij të popullit italian. Unë dhe populli italian nuk do ta harrojmë këtë bujari. Unë, deri sa të vdes do të jem mik i popullit shqiptar".

Luftëtarë të kombësive të tjera

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pjesën më të madhe të ushtarakëve të huaj, që vepronin në radhët e formacioneve të UNÇ-së, sigurisht që e zinin ish-ushtarakët italianë. Por në rrjedhën e luftës e, ndonëse në pjesën e fundit të saj, në formacionet luftarake shqiptare hynë edhe përfaqësuesit e disa nacionaliteteve të tjera, që vinin pas dezertimit nga radhet e ushtrisë naziste në Shqipëri. Kështu, pranë këtyre formacioneve u shfaqën edhe ish-ushtarë të dezertuar nga forcat naziste në Shqipëri, por që ishin kryesisht me origjinë armene, ruse, bjelloruse, çeke, turkmene, franceze, austriake dhe, madje edhe gjermane.

Një numër i vogël i tyre u bashkua me formacionet e UNÇ-së, qysh para vitit 1944, domethënë aty nga fundi i vitit 1943, kohë kur në Shqipëri ishte vendosur pushtimi i ri nazist, i cili kishte zënë vendin e pushtuesve fashistë italianë, të kapitulluar qysh në shtator 1943. Në këtë numër përfshiheshin 5 rusë të liruar nga kampi i internimit i Krastës të Elbasanit, të cilët u dërguan në batalionin partizan të Çermenikës. Me krijimin e Brigadës II Sulmuese u futën në përbërje të saj edhe 5 rusët e përmendur më sipër, madje prej tyre ranë dëshmorë gjatë Operacionit nazist të Dimrit 1943.

Mirëpo pjesa më e madhe e të huajve të tjerë, më se tre të katërtat e tyre erdhën në periudhën e pasvitit 1943, kohë kjo kur ata u bashkuan me formacionet luftarake të UNÇ-së, kryesisht me brigadat sulmuese të saj. Sipas evidencave të asaj kohe, të brigadave sulmuese, del se koha e bashkimit dhe e përfshirjes në përbërje të tyre, shtrihet në segmentin kohor gusht-tetor 1944. Pikërisht në gusht të këtij viti, në radhët e Brigadës III Sulmuese u futën 42 veta, që u bashkuan me këtë brigadë në rrethinat e Tiranës. Të ardhurit ishin me origjinë armene dhe turkmene, me të cilët u formua një togë e plotë.

"Vërshimin" më të madh këta luftëtarë të huaj e patën në harkun kohor shtator-tetor 1944, kur një numër i madh dezertonin nga formacionet naziste dhe bashkoheshin me ato të UNÇ-së. Në shtator 1944, në Batalionin e 4-t të Brigadës II Sulmuese, u formua një kompani me të huajt, në të cilën u përfshinë edhe10-15 armenë. Po në shtator të këtij viti, në përbërje të Brigadës I Sulmuese u rreshtuan gjithashtu 70 armenë, të cilët krijuan një kompani më vete. Edhe këta kishin dezertur gjithashtu nga forcat naziste gjermane të vendosura në periferi të Tiranës. Po kështu, në përbërje të Brigadës VIII Sulmuese ishte formuar një kompani me luftëtarë armenë, të cilët ishin bashkuar me të rreth muajit shtator 1944. Ata luftuan me brigadën deri në tokat e Jugosllavisë, së bashku me partizanët shqiptarë. Aty nga muaji tetor, në kohën kur Brigada XII Sulmuese luftonte për çlirimin e Vlorës, me të u bashkuan 60 armenë, të cilët u futën në përbërjen e kompanisë së përzier, të krijuar me luftëtarë të huaj. Madje, dy prej tyre morën pjesë në çlirimin e ishullit të Sazanit. Edhe në Brigadën XIV Sulmuese ka pasur 2-3 armenë, në Brigadën VI Sulmuese, 4 armenë dhe në Brigadën XIX Sulmuese përbërja ishte edhe më e përzier se në çdo formacion tjetër. Në këtë brigadë ishin rreshtuar 2 austriakë, 2 francezë, 2 gjermanë, 1 çek dhe1 polak. Këta luftëtarë të huaj, së bashku me partizanët shqiptarë të të njëjtave formacione luftarake, shpesh u shquan për veprime të guximshme dhe shpirt heroizmi. Gjatë veprimeve luftarake dhanë jetën 24 prej tyre.

Pjesëmarrja dhe veprimtaria luftarake, lufta dhe vetmohimi i luftëtarëve të huaj apo i formacioneve të krijuar prej tyre në përbërje të UNÇ-së dhe në interes të lirisë të popullit shqiptar, ndonjëherë u pagua me çmimin e gjakut. Por padyshim që njëherëshi, kjo pjesëmarrje ishte mesazhi dhe ura e ngritur për bashkimin e popujve. Të rënët janë lapidarët më të kushtueshëm e të qendrueshëm në kujtim të kësaj miqësie.

Burime të thëna

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANÇ-it, Dosja e partizanëve të huaj (italianë), Tiranë, 1989.
  2. ^ F. Benanti, "La guerra piu lunga", Milano, 1966, f. 81-83.
  3. ^ Tilman, Kujtime që nuk shlyhen, libër i cituar, f. 31.
  4. ^ La guerra piu lunga, cituar më parë, f. 81-83.
  5. ^ Komiteti Kombëtar i veteranëve të LANÇ-it, Dosja e partizanëve të huaj (italianë).
  6. ^ Libri, "Shpresë për popullin, tmerr për armikun", Tiranë, 1980, f. 75.
  7. ^ Po aty, f. 75-76, 631.
  8. ^ Po aty, f. 631-632.
  9. ^ Po aty, f. 632-633.
  10. ^ Po aty, f. 633.
  11. ^ a b Gazeta "Ushtria dhe Koha", Tiranë, 15 tetor 1994, f. 3.
  12. ^ Libri, "Shpresë për popullin, tmerr për armikun", Tiranë, 1980, f. 109-110.
  13. ^ Dokumentat e Shtabit të Përgjithshëm, Tiranë, 1976, vëll. II, f. 412.
  14. ^ Historiku i Brigadës III Sulmuese, f. 17-18.
  15. ^ Historiku i Brigadës XI Sulmuese, f. 131.
  16. ^ Gazeta "Ballkan", 12 qershor 2004, f. 14.
  17. ^ Historiku i Brigadës V Sulmuese, f. 364.
  18. ^ Po aty, f.364.
  19. ^ Komiteti Kombëtar i veteranëve të LANÇ-it, Dosja e partizanëve italianë pranë UNÇ-së.
  20. ^ Dokumenta të Shtabit të Përgjithshëm, Tiranë, 1976, vëll. I, f. 124.