Jump to content

Beteja e dytë e El Alamejnit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Beteja e Dytë e El Alamejnit (23 tetor – 11 nëntor 1942) ishte një betejë e Luftës së Dytë Botërore që u zhvillua pranë stacionit hekurudhor egjiptianEl Alamejnit. Beteja e Parë e El Alamejnit dhe Beteja e Alam el Halfës e kishin penguar Boshtin të përparonte më tej në Egjipt.

Në tetor 1942, gjeneral-lejtnant Bernard Montgomeri, komandanti i Ushtrisë së Tetë, hapi sulmin e tij kundër forcave të Boshtit. Në një betejë trembëdhjetëditore, Panzerarmee Afrika e Boshtit u shtyp dhe u detyrua të tërhiqej nga Egjipti dhe nga Libia deri në kufijtë e Tunizisë.

Fitorja e Aleatëve në El Alamejn ishte fillimi i fundit të Fushatës së Shkretëtirës Perëndimore, duke eliminuar kërcënimin e Boshtit për Egjiptin, kanalin e Suezit dhe fushat e naftës në Lindjen e Mesme dhe në Persi. Beteja ringjalli moralin e aleatëve, duke qenë suksesi i parë i madh kundër Boshtit që nga operacioni 'Kryqëzori' në fund të 1941. Fundi i betejës përkoi me pushtimin e aleatëve të Afrikës Veriore Franceze në operacionin 'Pishtari' më 8 nëntor, i cili hapi një front të dytë në Afrikën e Veriut.