Jump to content

Shtëpia e Gëzimit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Casa Gioiosa)

Shtëpia e Gëzimit (Italisht:Casa Gioiosa) është një shtëpi në qytetin MantovaItalisë, e cila në shekullin XV u shëndërrua në një shkollë të tipit humanist, e që konsiderohet pararendëse e shkollave të tjera humaniste evropiane. Objekti ishte pronë e markezit të Mantovës, Francesco di Gonzaga dhe vepër e arkitektit Bartolino da Novara. Para se të shndërrohej në një institucion të rëndësishëm edukativ e arsimor të tipit humanist paraprakisht ishte një ndërtesë e destinuar për kënaqësi, dëfrime dhe valle. Në vitin 1423, me urdhër të markezit Gianfrancesco Gonzaga, duke pasur parasysh interesimin e tij ndaj artit dhe kulturës, objekti u vu në dispozicion të Vittorino da Feltres, pedagogut më të famshëm të periudhës së humanizmit, të cilin zotëria donte që ta kishte në Mantova. Këtu Vittorino themeloi një shkollë të tipit konvikt, me një plan urbanistik humanist e destinuar për pasardhësit e familjes Gonzaga dhe familjeve të tjera fisnike italiane, por e cila gjithashtu frekuentohej edhe nga studentët e përzgjedhur në bazë të vlerës, si nga Mantova ashtu edhe nga studentët e huaj, nga të cilët shumica ishin politikanë, prelatë dhe humanistë. Në "Shtëpinë e Gëzimit" mësohej retorikë, matematikë, filozofi, poezi, religjion por ku u ftuan edhe mësues të këndimit, muzikës, vizatimit, greqishtes dhe latinishtës. Përveç edukimit intelektual, rëndësi e madhe i kushtohej edhe edukimit fizik, si p.sh. lojëra, gara në skermë, vrapim, marshime, kalërim, notim, etj. Këto përmbajtje mësimore, te nxënësit krijonin atmosferë hareje dhe gëzimi prandaj edhe u quajt "Shtëpia e Gëzimit" (Casa Gioiosa). Për shkak të kontributit të tij në fushën a arsimit dhe pedagogjisë humaniste, Vittorino da Feltre u quajt me epitetin baba i të gjitha humaniteteve (Lat. pater omnis humanitatis).[1] [2] [3]


  1. ^ Leon Zhlebnik: Histori e përgjithshme e shkollave dhe ideve pedagogjike. Prishtinë, 1964, fq. 43.
  2. ^ "Palazzo ducale di Mantova. Fasi costruttive. 2 gennaio 2012". Arkivuar nga origjinali më 7 tetor 2013. Marrë më 24 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 7 tetor 2013. Marrë më 24 mars 2019. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)