Jump to content

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Deklarata e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut)
Pamje e Eleanor Roosevelt duke lexuar një kopje të Deklaratës

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (DUDNj) është një deklaratë e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot, Paris. Deklarata lindi si përgjigje ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe përfaqëson përpjekjen e parë globale për të artikuluar mbrojtjen e atyre të drejtave që shumë njerëz besonin se ishin të drejta themelore që i takojnë të gjitha qenieve njerëzore.[1]

Deklarata përbëhet nga tridhjetë artikuj, të cilët janë përpunuar gjatë viteve në vijim nga traktate ndërkombëtare, transferta ekonomike, instrumente rajonale të të drejtave të njeriut (ku spikat Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut), kushtetutat kombëtare, dhe ligje të tjera. Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut përbëhet nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, dhe Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, me dy Protokolle opsionale. Këto dy Konventa, të cilat shtjellojnë më tej të drejtat e njeriut, u miratuan nga Asambleja e Përgjithshme e OKB në vitin 1966. Në vitin 1976, pasi Konventat ishin ratifikuar nga mjaftueshëm shtete anëtare  për të hyrë në fuqi dhe qysh nga ky moment Karta Ndërkombtëare e të Drejtave të Njeriut mori fuqi në ligjin ndërkombëtar.[2]

Kur krimet e kryera nga Regjimi nazist në Gjermani u bënë të qartë pas luftës, konsensusi brenda bashkësisë ndërkombëtare ishte se Statuti i Kombeve të Bashkuara nuk ofronte një mbrojtje të mjaftueshme të të drejtave të njeriut,[3][4] ndaj ishte e nevojshme një Deklaratë Universale që të specifikonte këto të drejta dhe t'i shtjellonte ato.[5]

Krijimi i Deklaratës i'u besua një Komisioni mbi të Drejtat e Njeriut në vitin 1946, i cili punoi për dy vjet për hartimin e saj. Komisioni u kryesua nga Eleanor Roosevelt, një avokate e njohur e të drejtave të njeriut, dhe përbëhej nga 18 anëtarë të nacionaliteteve dhe përkatësive politike të ndryshme. U hartua nga Robespieri, Dantoni dhe Marati te cilet ishin rilindas kimbetar.[6]

Struktura e Deklaratës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Struktura bazike e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, frymëzuar nga Kodi Napoleonik, duke përfshirë një Preambulë dhe një hyrje ku shpalosen parimet e përgjithshme të Deklaratës, u prezantua në projektligjin e paraqitur nga francezi René Cassin.[7]

Cassin e krahasoi strukturën e Deklaratës me një ngrehinë, të përbërë nga themele, shkallë, katër shtylla, dhe një çati. Artikujt 1 dhe 2 shërbejnë si blloqe themeli, të shtruara me parimet e dinjitetit, lirisë, barazisë dhe vëllazërisë. Shtatë paragrafët e Preambulës, që skicojnë arsyet kryesore për ekzistencën e Deklaratës, janë shkallët që të çojnë drejt thelbit të Deklaratës, të drejtat e njeriut, të ndarë në katër shtylla. Shtylla e parë (artikujt 3-11) paraqet të drejtat e individit, siç janë e drejta për jetën dhe ndalimi i skllavërisë. Shtylla e dytë (artikujt 12-17) paraqet të drejtat e individit në shoqërinë civile dhe politike (ku përfshihen gjëra të tilla si liria e lëvizjes). Shtylla e tretë (artikujt 18-21) merret me liritë themelore shpirtërore, publike, politike, si liria sindikale, liria e mendimit, ndërgjegjes, dhe fesë. Shtylla e katërt (artikujt 22-27) përcakton të drejtat sociale, ekonomike dhe kulturore. Sipas modelit të Cassin, të tre artikujt e fundit të Deklaratës përfaqësojnë një çati që mbulon të tërë strukturën. Këto artikuj kanë të bëjnë me detyrimet e individit ndaj shoqërisë dhe ndalimin e përdorimit të të drejtave në kundërshtim me qëllimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.[8]

Artikujt e Deklaratës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Artikujt Të drejtat e mbrojtura Artikujt Të drejtat e mbrojtura
Artikulli 1 E drejta e Barazisë Artikulli 16 E drejta për Martesë dhe Familje
Artikulli 2 Liria nga Diskriminimi Artikulli 17 E drejta për të Zotëruar Pronë
Artikulli 3 E drejta e Jetës, Lirisë, Sigurisë personale Artikulli 18 Liria e Besimit dhe Fesë
Artikulli 4 Liria nga Sklavërimi Artikulli 19 Liria e Opinionit dhe Informimit
Artikulli 5 Liria nga Tortura dhe Trajtimi çnjerëzor Artikulli 20 E drejta e Tubimit paqësor dhe Asocimit
Artikulli 6 E drejta e njohjes si Individ para ligjit Artikulli 21 E drejta e pjesëmarrjes në Qeverisje dhe në Zgjedhje të lira
Artikulli 7 E drejta e barazisë para ligjit Artikulli 22 E drejta e Sigurimit shoqëror
Artikulli 8 E drejta e Gjykimit nga gjykata kompetente Artikulli 23 E drejta për Punë të Dëshirushme dhe për organizim Sindikal
Artikulli 9 E drejta nga Arresti i padrejtë dhe Ekzili Artikulli 24 E dretja e Pushimit dhe Shlodhjes
Artikulli 10 E drejta për Dëgjim të ndershëm publik Artikulli 25 E drejta e Standartit të mirë të Jetesës
Artikulli 11 E drejta për tu cilësuar si i pafajshëm deri kur provohet fajësia Artikulli 26 E drejta e Edukimit
Artikulli 12 Liria nga ndërhyrjet me Privatësinë, Familjen, Shtëpinë dhe Korrespondencën Artikulli 27 E dretja për të marrë pjesë në jetën Kulturore të Komunitetit
Artikulli 13 E drejta për të Lëvizur lirisht brenda dhe jashtë Vendit Artikulli 28 E drejta për Rend social
Artikulli 14 E drejta për të kërkuar Azil në vend tjetër në rast Persekutimi Artikulli 29 Detyrat komunitare për Zhvillim të Lirë dhe të Plotë
Artikulli 15 E dretja e Shtetësisë dhe Liria për ta ndruar atë Artikulli 30 Liri nga Interferenca e Shtetit apo e të Tjerëve

Ndërkohë që Deklarata nuk është një Traktat me fuqi kushtëzuese për shtetet, ajo u adoptua me qëllimin e shtjellimit të togfjalëshit "liri themelore" dhe "të drejta të njeriut" që gjenden në Statutin e Kombeve të Bashkuara, Statut që është kushtëzues për të gjitha shtetet anëtare. Për këtë arsye, Deklarata Universale konsiderohet si një përbërës themelor i kuadrit ligjor të Kombeve të Bashkuara. Përveç kësaj, shumë juristë ndërkombëtarë[9] besojnë se Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut bën pjesë në të drejtën ndërkombëtare zakonore[10] dhe është një mjet i fuqishëm në ushtrimin e presionit diplomatik dhe moral ndaj qeverive që shkelin të drejtat e njeriut. Mbrojtjet e ofruara nga kjo Deklaratë kanë shërbyer si gur themeli për dy Konventat detyruese të OKB-së për të drejtat e njeriut: Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore dhe Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike. Deklarata vazhdon të jetë gjerësisht e cituar nga qeveritë, akademikët, avokatët dhe gjykatësit kushtetues, si dhe nga individë të cilët apelojnë tek parimet e saj për mbrojtjen e të drejtave të tyre si njerëz.

Burim i të dhënave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ "The Universal Declaration of Human Rights". un.org (në anglisht).
  2. ^ Williams 1981.
  3. ^ Cataclysm and World Response Arkivuar 25 maj 2012 tek Archive.today in Drafting and Adoption : The Universal Declaration of Human Rights Arkivuar 25 maj 2012 tek Archive.today, udhr.org Arkivuar 27 shtator 2019 tek Wayback Machine.
  4. ^ "UDHR50: Didn't Nazi tyranny end all hope for protecting human rights in the modern world?". Udhr.org. 1998-08-28. Arkivuar nga origjinali më 25 maj 2012. Marrë më 2012-07-07. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ "UDHR – History of human rights" (në anglisht). Universalrights.net. Marrë më 2012-07-07.
  6. ^ Morsink 1999, p. 4
  7. ^ Glendon 2002, pp. 62–64.
  8. ^ Glendon 2002, Chapter 10.
  9. ^ Humphrey JP, "The Universal Declaration of Human Rights: Its History, Impact and Juridical Character", in Ramcharan BG (ed), Human Rights: Thirty Years After the Universal Declaration (1979) pp. 2l, 37; Sohn 1, "The Human Rights Law of the Charter" (1977) 12 Texas Int LJ 129, 133; McDougal MS, Lasswell H and Chen I, Human Rights and World Public Order (1980) pp. 273–274, 325–327; D'Amato A, International Law: Process and Prospect( 1986) pp. 123–147.
  10. ^ Office of the High Commissioner for Human Rights. "Digital record of the UDHR" (në anglisht). United Nations.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]