Shko te përmbajtja

Drita Çomo

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Drita Çomo (Tiranë, 19 mars 1958 - 19 shkurt 1981) ka qenë poeteshë shqiptare.

U lind më 19 mars 1958 në Tiranë, e bija e Maqo Çomos dhe Liri Belishovës, personazhe me kontribut në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe pas Çlirimit u caktuan në pozita të larta në burokracinë e Shqipërisë komuniste. Prinderit e saj u akuzuan per spiunazh ndaj Partise së Punës për BRSS. Nëna e saj, Liri Belishova një nga udhëheqëset e rinisë gjatë Luftës Antifashiste u internua në Kuç afër Vlorës, më pas në Progonat dhe në fund në Cërrik së bashkë me Driten e cila ishte vetem 2 vjeçare, ndërsa i ati Maqo Çomo, udhëheqës partizan e më vonë ministër i Bujqësisë, u burgos me 30 vite burg.

Në Cërrik Drita mbaroi shkollën e mesme. Ishte një nxënëse e shkëlqyer, megjithëse mësuesit nuk e vlerësuan kurrë maksimalisht. Ajo madje nuk arriti as të mbronte diplomën. Kjo për arsye politike, por edhe për shkak të sëmundjes së saj të pashërueshme që avanconte dita-ditës.[1]

Drita ishte vetëm 18-vjeç në vitin e fundit të gjimnazit kur u diagnostikua me kancer. Luftoi me sëmundjen për 5 vjet. U shtrua gjatë kësaj kohe 10 herë në spital, pa të ëmën pranë, e cila u lejua ta vizitonte vetëm dy herë, ndonëse bënte lutje të vazhdueshme për t'u kujdesur për të bijën. [2]

Në vitet e fundit të jetës së saj ajo mbante një ditar, i cili ishte një procesverbal i ngjarjeve që kishin të bënin me qëndrimin në një vend të izolimit. Ajo la gjithashtu dhjetëra poema, të shkruara në vitet 1975-1981, të cilat janë një histori vuajtjesh, dhimbjesh dhe magjepsjesh nga rinia.

Vdiq në Spitalin Onkologjik të Tiranë më 19 shkurt 1981 e vetme, në moshën 23 vjeçare, pasi të ëmës nuk iu lejua që ta vizitonte në spital në momentet e fundit të jetës.[3]

Përndjekja politike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas internimit në moshë 2-vjeçare, dosja e Sigurimit të Shtetit për Drita Çomon u hap në moshën 16-vjeçare, kur ajo ndiqte vitin e dytë të gjimnazit në Cërrik, ku jetonte e internuar me nënën, Liri Belishova, dhe të vëllain, Petrit Çomo. Vëzhgimi nisi në qershor të vitit 1974, pas pjesëmarrjes së gjimnazit në aksionin për ndërtimin e hekurudhës Fier–Ballsh, ngjarje që shërbeu si pikënisje për ndjekjen e saj nga aparati i Sigurimit. Në dosje janë shënuar 11 operativ që përndiqnin letraren e re te talentuar. Survejimi vijon jo vetëm në rrethin shoqëror e me përgjimet e teknikëve operativ por kudo që shkonte. Madje edhe në spital.[2]

Survejimi i vazhdueshëm i familjes, i shoqëruar me përgjime të bisedave në banesë dhe raportime nga nxënës të klasës së saj, çoi në vendosjen e Drita Çomos në përpunim paraprak për “agjitacion e propagandë”. Mendimet që ajo shprehte jashtë kornizës ideologjike dhe shkrimet e saj në orët e letërsisë e të lëndëve të tjera u konsideruan rrezik politik. Dosja 2A u arkivua më 1 prill 1977 për shkak të sëmundjes, por në mënyrë paradoksale, më 30 nëntor 1980, ndërsa ajo ishte në shtratin e vdekjes, u mor vendimi për ta kaluar në përpunim 2B, me arsyetimin se shfaqte prirje për “agjitacion e propagandë armiqësore” dhe “drejtim antiparti”. Dosja u arkivua përfundimisht pas vdekjes së saj, më 18 mars 1983.[4]

Çomo la të shkruar një ditar, i cili është dëshmi për ngjarjet e ndodhura në izolim si dhe dhjetra poema e poezi të shkruara në vitet 1975-1981, të cilat janë një histori vuajtjesh, dhimbjesh dhe shprese.[4] Ditarin, Drita e hap në 14 qershor të '76-ës dhe shënimi i fundit daton 10 ditë para vdekjes. Që në shënimin e parë ajo lë të nënkuptohet për dy fletore të tjera që kanë humbur.[2] Në ditar poetja shkruan edhe për të atin, Maqo Çomon, takimet e rralla, plot mall e dhimbje, dhe përpjekjet për të skalitur portretin e tij, atje në burgun e Burrelit, deri në bisedën e radhës, nëse do të kishte një të tillë.

Një koleksion i veprave të saj u shfaq në Tiranë, në njëzet vjetorin e vdekjes së saj.

Fjalë të bukura…Sa hipokritë,

Njerëzit dhe vetes i flasin bukur

Njësoj në dashuri, në politikë

Të gjitha i mbështjellin me llustër.[1]

Në nderim të figurës së Drita Çomos, në Cërrik është ngritur një bust për të. Po ashtu në të njejtin qytet, një shkollë mban emrin e saj.[1]

  • Kolec Traboini, Aleko Likaj, Drita Çomo: "Poetja pa qiell", Pelegrin. Revista Letrare Kulturore 8-9/2007.
  1. 1 2 3 "Tri poezi nga poetja e pafat, Drita Çomo". ObserverKult (në anglishte amerikane). 2025-04-12. Marrë më 2025-12-15.
  2. 1 2 3 "E përgjuar deri në vdekje, Baçi, Orhani e Bulku rrëfejnë dosjen dramatike e ditarin e Drita Çomos: Bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit dhe shokët 16-vjeçarë të klasës! - Report-tv.al". report-tv.al (në anglisht). Marrë më 2025-12-15.
  3. "Drita Çomo". kujto.al | Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri. 2017-12-28. Marrë më 2025-12-15.
  4. 1 2 "Drita Çomo, historia tragjike e vajzës së Liri Belishovës që vdiq me kancer e vetmuar në komunizëm, Autoriteti hap dosjen". NEWSBOMB. 2024-03-19. Marrë më 2025-12-15.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)