Jump to content

Gërmadhat e katedrales së Artanës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Gërmadhat e katedrales së Artanës
LlojiArkeologjike
VendndodhjaNovobërdë, Kosovë
NdërtuarMesjetë
Emri zyrtar: Lokalitet Arkeologjik / Rezervat
LlojiNën mbrojtje
Nr. i referencës3692

Gërmadhat e katedrales së Artanës është një monument i trashëgimisë kulturore në Novobërdë, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkeologjik".

Kisha me përmasa më të mëdha në Artanë është e ashtuquajtur Katedralja e cila mendohet të ketë qenë Katedrale Katolike. Gërmadhat e Katedrales së Artanës gjenden në veri-lindje të kompleksit të Kalasë së Artanës dhe i takon kohës së Mesjetës, përkatësisht shek. të XV. Ky monument, sa i përket formës së ndërtimit i takon stilit romanik. Dimensionet e planimetrisë janë 30.7 metra në gjatësi dhe 23.4 metra në gjerësi. Hulumtimet arkeologjike që janë bërë gjatë viteve 1956-57 kanë zbuluar gjurmët e një kishe më të vjetër nga shek. XIV dhe varret e vjetra mesjetare. Pra, para se të ndërtohej katedralja ishte një kishë e vogël dhe rreth së cilës ishin vendosur varrezat. Më vonë gjatë shekullit XV Dubrovnikasit, në vendin e kishës ndërtuan katedralen duke e ngritur një metër mbi muret e kishës së vjetër. Një kohë këtu ishte edhe selia e kishës katolike apo selia e ipeshkvisë. Ekzistojnë të dhëna se këtu ka shërbyer edhe Pjetër Pogdani. Artana në qershor të vitit 1455 u pushtua nga Perandoria Osmane dhe shumë objekte më pas, u dëmtuan ose u shndërruan në objekte kulti të fesë myslimane. Katedralja e Artanës, në vitin 1466 u shndërrua në xhami, me ç’rast është shtuar minarja. Dyshemeja mendohet se është shtruar më vonë, rreth shek. XVII – XVIII. Katedralja e Artanës është shkatërruar, ndërsa një pjesë e mureve është restauruar në vitin 1954. Kisha katedrale ishte shumë monumentale dhe zotëronte dy pjesë: pjesa e vjetër në perëndim dhe pjesa në lindje. Në muret e rrënojave të katedrales, vërehen sot mbetjet e fasadave të larmishme dhe pikturat. Gurët e mureve janë të latuar dhe gjysmë të latuar. Gurët që lidhin qoshet e katedrales janë me dimensione të mëdha dhe dallohen edhe për nga ngjyra, disa kanë ngjyrë të kafesë së çelur e disa të murrmë në të bardhë. Brenda hapësirës së katedrales të rrëzuar për tokë, gjenden shtylla të thyera në formë të rrumbullakët, ndërsa në disa vende gjenden bazat e këtyre shtyllave prej guri me tri shtresa. Shtresa e parë ka formë katrore dhe dy shtresa tjera në formë të rrumbullakët. Sot brenda mureve të katedrales shihen disa varreza, e që mendohet se aty gjenden përafërsisht 900 varreza.[2]

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ "Katedrala e Artanës (Novobërdës) (Novo Bërdë)". Databaza e Trashëgimisë Kulturore. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 13 nëntor 2016. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]