Hidrocentrali i Vaut të Dejës
Hidrocentrali i Vaut të Dejës është një vepër hidro-energjetike mbi lumin e Drinit në Va të Dejës. Është hidrocentrali i parë që u ndërtua mbi lumin Drin dhe ndodhet në rrjedhën e poshtme të tij, në Grykën e Vaut të Dejës, rreth 18 km nga qyteti i Shkodrës.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Punimet për ndërtimin e tij nisën në vitin 1967. Ky impiant është vënë në punë në vitin 1970 dhe është kompletuar në vitin 1975.[1]
Duke qenë se Vau i Dejës është hidrocentrali më i poshtëm me digë dhe liqen në kaskadën e Drinit, rëndësia e tij përveç prodhimit të energjisë elektrike, lidhet edhe me ndikimin që ka liqeni i Vaut të Dejës në ultësirat e Nënshkodrës dhe Zadrimes. Shkarkimet e ujit nga ky liqen kanë ndikim kryesor në përmbytjet që ndodhin në ultësirat e Lezhës dhe Shkodrës.[1]
Elementet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]HEC Vau i Dejës është i tipit me digë dhe liqen.
Digat
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Për krijimin e liqenit të Vaut të Dejës janë ndërtuar 3 diga të veçanta:[1]
- Diga e Qyrsaqit, me lartësi 46,4m dhe gjatësi 440m, është e tipit: pjesërisht gravitacionale prej betoni dhe pjesërisht me mbushje me material vendi të formacionit gëlqeror. Në pjesën prej betoni të Digës janë vendosur 4 shkarkuesit sipërfaqësor me portat radiale, si dhe Vepra e Marrjes me dy porta me segmente nga të cilat dalin 5 tubacionet e prurjes së ujit në agregatet e centralit. Kapaciteti maksimal i shkarkuesve është 3500 m³/s ndërsa kapaciteti i përpunimit të ujit në agregatë është 4 X 113 m³/s.
- Diga e Zadejës, me lartësi 60m dhe gjatësi 390m, është e tipit me mbushje me material vendi të formacionit gëlqeror. Në këtë digë ndodhet edhe një shkarkues me tunel dhe portë me segmente që ka një kapacitet prej 3200 m³/s.
- Diga e Rragamit ka një lartësi 34m dhe gjatësi 320 m. Kjo digë është e tipit me mbushje me material vendi të formacionit gëlqeror dhe flish. Në këtë digë nuk ndodhen vepra hidrike, ajo shërben vetëm si barrierë për mbajtjen e ujit.
Liqeni
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vëllimi maksimal i liqenit të Vaut të Dejës është 580 milion m³, sipërfaqja e tij është 25 km² dhe ai ngjitet nga gryka e Vaut të Dejës për rreth 27km në luginën e Lumit Drin, deri në afërsi të hidrocentralit të Komanit.
Për operimin nevojitet që niveli i ujit në liqen të jetë nga 63 deri 76 metra m.n.d. Vëllimi aktiv i liqenit është 263 milionë m³ ujë. Aftësia shkarkuese e përgjithshme e Hec Vau Dejës në kuotën 76 m është rreth 7500 m³/s.