Jak Serreqi
Jak Serreq (Nënshat, 2 dhjetor 1861 - Shkodër, 11 prill 1922) ka qenë prelat i lart i kishës katolike në viset shqiptare.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Nënshat të Zadrimës; 10 vjeç la shtëpinë e tij, për me u fut në Seminarin Papnor në Shkodër, ku kreu studimet e nevojshme në Filozofi e Teologji, e u ba meshtar në qershor 1884. Shërbeu si famullitar në Dajç, në Kllezen, e në Rrencë, prej nga u thirr si ndihmëtar e më tej si famullitar efektiv në Shkodër. I të kenunit famullitar katolik në Shkodër tregoi besimin që i dha Parija Kishtare. Emri i tij nisi me u ba popullor, emër tek i cili përfaqsohej një famullitar gjithë zell e dashuni për Kishen e Shejt, e me iniciativë të veten ndër sa e sa punë të mbara e diftoi vedin aty ku e lypte puna. Në çdo çështje, për çdo rast, fjala "ka thanë Dom Jaku" ishte e mjaftueshme me shngatrrue edhe ngatrresat nga ma të kapërthyemet. Si famullitar, ndërtoj qelen, ku më tej shërbeu si zyrë famullie, e bashkë me Emzot Doçin u ba shkaktari ma i forti, e mbrojtësi ma i përzemërt i Akademisë Letrare "Bashkimi". Papa Piu X në vitin 1905 e emnoi Ipeshkëv në Zadrimë, shugurimin e muer në 29 tetor t'atij viti. Me 29 të prillit 1910 Selija e Shenjtë e vendosi Arqipeshkev Metropolit në Shkodër. Kur hyni në Shkodër, në qytet gjindej Turgut Pasha, i cili, mbasi kishte pasë shtrue Kosoven, vinte me mbledhë armët popullit. Me 24 mars 1911, të parat pushkë që u shprazen te qela e Trabojinit ishin shenja e asaj kryengritjeje e cila do të vijonte deri në gusht t'atij vit. Ndikoi shumë në rrethanat e rrethimit nga malazezët, me korrierët e tij u mundësua mobilizimi i malësorëve katolikë, që të ndihmonin Hasan Rizan në rrethim. Jo rrallë shpëtonte njerëzit për të cilët malazezët banin gati lakun, aq sa qarkullonte fjala se "kush ka pshtue gjallë në rrethimin e Shkodres, prej lakut, duhet t'ia dijnë Zotit në qiell e Emzot Jakut në tokë". Më tej, mbajti një fjalim, me të cilin i dha kushtrimin Shkodrës e mbarë krahinës që t'i shkonte në ndihmë Princ Wied-it. Më tej i kërkoi Vatikanit me ia hek postin, më 1921, ngaqë u lodh nga ndërmarrja madhore n'ato vite kur nuk e pau njëherë Shkodrën të paokupuar nga ushtritë e huaja, por edhe pse shëndeti po e linte nga pak. Vdiq me 11 prill 1922, nga ora 3 e mbasdrekes. I varrosur tek Zoja e Shkodres, sipas amanetit të tij[1], e më vonë i zhvarrosur në kohë të regjimit komunist, eshtrat e të cilit u hodhën në Drî.
Referimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Hylli i Dritës", III/ prill 1922, Nr.4, ff. 192-200