Jump to content

Jasin Sadiku

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jasin Sadiku
Fotoporteti
Emri Jasin
Mbiemri Sadiku
Lindur më 1888
Lindur në Margëlliç, Perandoria Osmane
Vdiq më 6 dhjetor, 1942
Vdiq në Në vend që quhet "Qafa (e Jasinit)" mes të fshatrave Morfat dhe Spatharat, Greqi
Kombësia shqiptare
Profesioni patriot, revolucionar

Jasin Sadiku, lindi në vitin 1888 dhe u vra më 6 dhjetor të vitit 1942, ishte aktivist çam nga Çamëria. Kjo vrasje e një prej patriotëve e aktivistëve të njohur në mbrojtje të çështjes çame, pati jo pak ndikim të rëndësishëm jo vetëm në qarqet e njohura të kohës, por dhe për çështjen e popullsisë çame në tërësi, ndaj të cilës u përgatit dhe u realizua një shpërngulje e dhunshme e masive nga trojet e tyre autoktone.

Jasin Sadiku ka lindur në Margëlliç, në vitin 1888. Jasin Sadiku luajti rol të rëndësishëm në përpjekjet e popullsisë çame për mbijetesë, që nga mbrojtja e trojeve dhe të drejtave të tyre, përballë dhunës shtetërore e deri tek kalvari biblik i shpërnguljes së dhunshme, një ën dhe personalitete të njohura nga gjiri i saj.

Jasin Sadik Hasani, ishte bir i Margëlliçit. I ati i tij, Serveti, ishte hoxhë në qytet dhe njihej në të gjithë kazanë me emrin Mulla Serveti. Ai kishte një tufë fëmijë dhe përkujdesej t'i edukonte dhe t'i shkollonte, por shkollimi i fëmijëve myslimanë shqiptarë në Çamëri ishte tepër i vështirë, se në Çamëri nuk kishte asnjë shkollë shqipe, por vetëm shkolla greke. Jasin Sadiku shquhej në rininë e tij për një vullnet të fortë dhe zgjuarsi. Ai, si autodidakt, lexonte shumë dhe nga librat që shfletonte, mori një kulturë të gjerë dhe bëri emër në Margëlliç e rrethinat. Ai lexonte në gjuhën greke, mësoi të shkruante e të lexonte shqip, mësoi nga i ati të shkruante e të lexonte arabisht dhe më pas mësoi edhe italisht.

Thuhet se stërgjyshërit e tij ishin të krishterë dhe e kishin origjinën nga fshati i krishterë Rrapezë dhe kur ishin islamizuar, në fund të shek. XVII-fillimi i shek.XVIII, një pjesë e fisit që u islamizua, iku nga Rrapëza dhe u vendos në Margëlliç, ndërsa ajo pjesë e fisit që nuk pranoi të ndërronte fenë e krishterë, qëndroi në Rrapeza.

Ndërmjet të krishterëve, që kishin krijuar lidhje miqësore me Jasin Sadikun, again e Margëlliçit, ishin dhe dy deputetë grekë: Avini dhe Çoku, i pari deputet i Partisë Venixelliste dhe i dyti i Partisë Popullore. Ata kishin dalë deputetë me votat që kishin fituar në fshatrat e zonës së Margëlliçit e rrethinave të tij. Ata e vizitonin shtëpinë e Jasin Sadikut jo vetëm gjatë fushatave elektorale, por edhe më pas, dhe kjo kishte bërë që mes të dy palëve të krijohej një miqësi e ngushtë dhe e sinqertë.

Situata në të cilën vepronin atdhetarët e Margëlliçit, ishte tepër e tensionuar dhe me rreziqe. Në këtë kohë ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri, përgatiteshin lloj-lloj prapaskenash e manipulimesh. Në rrjedhën e këtyre veprimeve antishqiptare nuk ishin përfshirë vetëm zyrtarët grekë të rangjeve të ndryshme, por edhe ndonjë përfaqësues i dërguar nga Lidhja e Kombeve, siç ishte rasti i kryetarit të Komisionit Mikst, z.Ekstrand. Ai, megjithëse i dërguar në Greqi si përfaqësues i Lidhjes së Kombeve me një mision të rëndësishëm, për të qenë një arbitër i mirë e për të mos lejuar asnjë shkelje e abuzim në shkëmbimin e popullsisë greko-turke, kishte dalë hapur në mbështetje të platformës politike të Greqisë, duke mbyllur sytë ndaj veprimeve të dhunshme që kryheshin ndaj shqiptarëve në Çamëri. Për zyrtarët grekë tashmë ishte fituar njëfarë sigurie se çdo veprim që do të ndërmerrnin ndaj çamëve, tek Ekstrandi nuk do të gjente asnjë rezistencë e presion. Ishte pikërisht kjo njëra ndër arsyet kryesore që administrata vendore greke, vepronte ndaj çamëve sipas dëshirës së saj.

"Në fillim të marsit të vitit 1925, në zyrën e Ekstrandit kishte shkuar një telegram, gjoja i nënshkruar nga 700 familje myslimane të zonës së Margëlliçit, të cilat "me vullnetin e tyre të lirë", shprehnin dëshirën të përfshiheshin në këmbim. Këtë parashtresë z.Ekstrand e kishte marrë në konsideratë, pa marrë asnjë kontakt me nënshkruesit e telegramit dhe ia kishte raportuar Lidhjes së Kombeve menjëherë si të mirëqenë dhe pritej vapori që ato familje, si një kope bagëtish, të viheshin përpara nga Korofillaqia greke dhe të futeshin në vapor për të udhëtuar drejt Turqisë.

Z.Bratlly, nënkryetari i Komisionit Mikst, krejt rastësisht, duke bërë një vizitë në Margëlliç, Mazrek dhe në fshatin Vrastovë, mësoi se ai telegram ishte hartuar dhe ideuar nga Komandanti i Ushtrisë Greke të zonës së Margëlliçit, Palimiro dhe për nënshkrimet që ishin vënë në telegram, çamët s'kishin asnjë dijeni.[1]

Mit’hat Frashëri për ndërkombëtarizimin e çështjes çame

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjithashtu, rreth këtij takimi e bisedimet që zhvilloi Jasin Sadiku me Bratllin, na informon Mit`hat Frashëri, në atë kohë Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, nëpërmjet raportit që i dërgonte ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë në Tiranë, më 21 mars 1925.

Ja dialogu i zhvilluar mes Jasin Sadikut dhe Bratllit, sipas raportit të Mit`hat Frashërit:

"Me të vërtetë, përgjigjet Jasin (Sadiku), kam dashur që të iki si turk, po kam gënjyer. Kam gënjyer nga shkaku i të zezave që kam hequr prej grekëve, të cilët, që nga më i madhi gjer tek më i vogli, s'kanë lënë të ligë pa bërë. Dhe i dëshpëruar, Sadiku paska numëruar të gjitha vuajtjet e çamëve dhe fjalët e tij hynë në procesverbal".

Nga deklarata që bëri Jasin Sadiku përpara zyrtarit të Lidhjes së Kombeve, bëhej e qartë se agai i Margëlliçit e kishte bërë atë deklaratë, ku shprehej se "donte të përfshihej në shkëmbim", përballë presioneve të shumta...

Prefekti i Prevezës dhe bashkëpunëtorët e tij që e shoqëronin hap pas hapi, kur nuk gjenin terren dhe mbështetje tek paria e kazasë së Margëlliçit, vinin në zbatim arrestimet dhe burgimet e figurave çame, me qëllim që të ngjallte terror e frikë në masën çame. Kështu p.sh., ishte vepruar me Abedin Dule Xhemalin, çifligarin e madh të fshatit Grave të Gumenicës dhe njëkohësisht përfaqësuesi i parisë së myslimanëve të Gumenicës dhe rrethinave. Agai i Gravës, sapo refuzoi me përbuzje e përçmim ofertat që i bëri prefekti i Prevezës, u arrestua dhe u dërgua në qelitë e Burgut të Prevezës, (gjoja si shtëpi bazë ku strehoheshin hajdutë) pse nuk deshi t'u bindej këshillave të prefektit dhe të bënte propagandë për shkëmbim .

Sa më të ashpra bëheshin presionet e qeveritarëve grekë ndaj shqiptarëve në Çamëri, aq më e vendosur bëhej qëndresa çame, pa marrë parasysh rreziqet që u kanoseshin. Kuptohet se në këtë situatë të vështirë, Jasin Sadiku dhe shumë nga bashkëqytetarët e tij, si Ahmet Aga Kasemi, Ibrahim Rojba, Haxhi Ibrahimi, Mustafa Bejo, Isuf Haxhi Mahmuti, Ibrahim Mullahu etj., që kishin hyrë e dalë shpesh në burgjet greke, të akuzuar për ndjenja kombëtare shqiptare, nuk e kishin të lehtë të vepronin se ishin nën një mbikëqyrje të fortë survejimi nga Korofillaqia greke. Megjithatë, në Margëlliç dita-ditës shtoheshin radhët e veprimtarëve çamë me ide e veprime patriotike, që manifestonin rezistencën kundër spastrimit etnik të çamëve.[2]

Dëshmitë greke, që nga viti 1940 e deri në ditët tona, sjellin "argumente" duke i akuzuar çamët si "vrasës", "grabitës", "plaçkitës" e "bashkëpunëtorë me pushtuesit nazifashistë". Këtyre akuzave, nuk u ka shpëtuar as Jasin Sadiku. Kjo shprehet edhe në raportin që i dërgonte Nënkomanda e Korofillaqisë së Pargës, Komandës së Lartë të Korofillaqisë së Epirit në Janinë, më 21 korrik 1942. Në këtë raport të gjatë, ndër të tjera shkruhej: "Një grup prej dhjetë vetash myslimanë të Margëlliçit, ku ndër më të njohurit mes tyre ishte Jasin Sadiku, të veshur me uniforma të oficerëve italianë e të shoqëruar nga 10 ushtarë italianë, kishin shkuar në fshatrat e krishtera të Frarit, familjet e të cilëve, nga terrorizimet që u kishte bërë Jasin Sadiku, ishin larguar nëpër pyje. Jasin Sadiku me shokët kishte grabitur rreth 100 kokë dele, viça e lopë ... Jasin Sadiku kishte rrahur e gjakosur një kundërshtar të tij të krishterë nga fshati Lëkurës, në Frar.[3]

Referuar arkivave del qartë se sa pa baza janë akuzat e Korofillaqisë së Pargës. Në to (arkiva) del se vetë Jasin jo vetëm kishte në pronësinë e tij qindra krerë dele e lopë, si dhe qindra hektarë tokë, por dhe se aktiviteti i tij ka qenë dukshëm në dobi të Çamërisë.

Jasin Sadiku ishte ftuar nga një mik vllahe K. Naku për një vizitë në fshatin Xarrë, në Frar. Kur ai arriti kishte vlleh të tjera në mbledhjen që ai dinte. Më vonë në mbrëmje ka pasur darkë, pije, vallëzimi dhe festimet e tjera. Megjithatë, sipas historianit grek Niko Zhango, vllehët në fakt planifikuar për të vrarë Jasinin.[4] Së pari ata donin për të vrarë Jasinin në shtëpinë e K. Nakut, por u përmbajt sepse ai refuzoi kjo akti të jetë kryer, sepse kishte frikë hakmarrjen nga fshatrat myslimane shqiptare. Në vend të kësaj një tjetër vlleh Nikolla Mano planifikuar për të pritë Jasinin. Më 6 dhjetor, Jasini hipur kalin e tij ktheheshe për në Margëlliç, kur u pritë në një vendin quajtur "Qafa" nga një ortodoks shqipfolës dhe anëtar i forcave të Napoleon Zervës nga fshati Spatharat quajtur Vasil Ballumi. Sot ortodoks shqipfolës vendore kujtojn këtë ngjarje si "rezistenca heroike",[5] ndërsa shqiptarët myslimanë shohin Vasilin si vrasës dhe kriminel.[6]

Sot ai është mbijetuar nga shumë pasardhësit, njëri prej të cilëve është akademikja Blerina Namik Sadiku.

  1. ^ A.SH, "Dokumente për Çamërinë", 1912-1939", Tiranë, 1999, dok. 226, f. 424.
  2. ^ A.SH, Letër e Mithat Frashërit, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë i drejtohet ministrit të Punëve të Jashtme, Tiranë; Athinë, 21 mars 1925.
  3. ^ Jorgos Margaritis, "Anepithimitoi simpatriotes, Tsamidhes, Evranoi", Athinai, 2005, f.189-190.
  4. ^ Nikos Ziangos, "Anglikos Imperializmos ke ethniki antistas 1940-1945", Athina, 1978, f. 156.
  5. ^ Margariti Arkivuar 14 shkurt 2015 tek Wayback Machine, vizituar në 11 shtator 2014.
  6. ^ Blerina Namik Sadiku, "Lindja e çështjes çame: 1820-1943", Naimi, 2011, ISBN 978-9928-109-01-9, f. 265.
  • Hajredin Isufi, “Jasin Sadiku, kapedani çam”, Naimi, Tiranë 2012.