Jump to content

Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Logo e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (anglisht: Kosova Judicial Council) është institucion i pavarur kushtetues i cili vepron në kuadër të sistemit të drejtësisë dhe administron me sistemin e gjyqësor, duke siguruar njëkohësisht pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor në raport me palët e treta në Republikën e Kosovës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është organi më i lartë mbikëqyrës i Sistemit Gjyqësor të Kosovës dhe një institucion i pavarur përgjegjësia kryesore e të cilit është administrimi i gjithë sistemit gjyqësor. Qëllimi i përgjithshëm i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i mandatuar nga kuadri ligjor i aplikueshëm, është sigurimi i një sistemi gjyqësor të pavarur, të drejtë, apolitik, të aksesueshëm, profesional dhe të paanshëm, i cili reflekton natyrën multietnike të Kosovës, si dhe parimet e njohura ndërkombëtarisht, të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore.

Për të përmbushur këtë qëllim Këshilli Gjyqësor i Kosovës është përgjegjës për përzgjedhjen dhe propozimin e gjyqtarëve për emërim, për përpunimin e politikave për menaxhimin e përgjithshëm si dhe për reformën e sistemit gjyqësor. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është institucioni, i cili vlerëson disiplinat dhe promovon gjyqtarët dhe gjyqtarët porotë. Për më tepër, Këshilli Gjyqësor i Kosovës është përgjegjës për menaxhimin dhe administrimin e përgjithshëm të të gjitha gjykatave, për përpunimin dhe zbatimin e buxhetit të gjyqësorit dhe për ngritjen e gjykatave të reja dhe degëve të gjykatave.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës përbëhet nga 13 anëtarë, si gjyqtarë dhe anëtarë laikë. Ndërkohë, gjatë periudhës kalimtare, në përbërjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës ekzistojnë dy gjyqtarë të EULEX-it të cilët ushtrojnë ligjin në gjykatat e Republikës së Kosovës.[1][2]

Misioni dhe vizioni

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Misioni
Të krijohet dhe të ruhet një sistem gjyqësor kosovar i pavarur, që i'u ofron shërbime gjyqësore të paanshme të gjithëve dhe që është funksional në të gjitha aspektet organizative dhe operative.

Vizioni
Një sistem gjyqësor kosovar që është i pavarur, i qasshëm për të gjithë, i drejtë dhe efikas në punën e tij, që jep llogari në punën e vet, që është funksional dhe që u përmbahet standardeve më të larta të ndershmërisë, integritetit, kompetencës, profesionalizmit dhe transparencës.

Detyrat dhe përgjegjësitë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas Kushtetutës së Kosovës detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë:

1. Këshilli Gjyqësor i Kosovës siguron pavarësinë dhe paanësinë e sistemit gjyqësor.

2. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij. Këshilli Gjyqësor i Kosovës siguron që gjykatat në Kosovë të jenë të pavarura, profesionale e të paanshme, dhe të pasqyrojnë plotësisht natyrën shumetnike të Republikës së Kosovës e të ndjekin parimet e barazisë gjinore. Këshilli do t’u japë përparësi për emërim si gjyqtarë, anëtarëve të komuniteteve të nën përfaqësuara në mënyrën e përcaktuar me ligj. 3. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është përgjegjës për rekrutimin dhe propozimin e kandidatëve për emërim dhe riemërim për pozita gjyqësore. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është po ashtu përgjegjës për transferimin dhe për procedurën disiplinore kundër gjyqtarëve. 4. Propozimet për emërimin e gjyqtarëve duhet të bëhen në bazë të procesit të hapur për emërime, në bazë të meritave të kandidatëve, dhe ky propozim pasqyron parimin e barazisë gjinore dhe përbërjen etnike të jurisdiksionit territorial të gjykatës përkatëse. Të gjithë kandidatët duhet t’i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj. 5. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është përgjegjës për inspektimin gjyqësor, administrimin gjyqësor, përpilimin e rregullave për gjykatat në pajtim me ligjin, punësimin dhe mbikëqyrjen e administratorëve të gjykatave, hartimin dhe mbikëqyrjen e buxhetit për gjyqësorin, përcaktimin e numrit të gjyqtarëve në secilin jurisdiksion dhe bën rekomandime për themelimin e gjykatave të reja. Themelimi i gjykatave të reja bëhet me ligj. 6. Këshilli Gjyqësor i Kosovës përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, me kualifikime dhe ekspertizë profesionale. Anëtarët emërohen për një mandat pesëvjeēar dhe zgjedhën në këtë mënyrë:

(1) Pesë (5) anëtarë do të jenë gjyqtarë të zgjedhur nga anëtarët e gjyqësorit;
(2) Katër (4) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e fituara gjatë ndarjes së përgjithshme të vendeve. Të paktën dy (2) nga katër (4) anëtarët duhet të jenë gjyqtarë, dhe një (1) do të jetë anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës;
(3) Dy (2) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit Serb në Kosovë, dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar;
(4) Dy (2) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar;
(5) Papajtueshmëria e të qenit anëtar i Këshillit Gjyqësor rregullohet me ligj.
7. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nga radhët e anëtarëve të vet, zgjedh kryesuesin dhe zëvëndëskryesuesin me mandat trevjeēar. Zgjedhja në këto funksione nuk e zgjat mandatin e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
8. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës së paku një herë në vit lidhur me Sistemin Gjyqësor.
9. Kandidatët për pozita gjyqësore, të cilat janë të rezervuara për pjesëtarët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, mund të rekomandohen për emërim vetëm nga anëtarët e Këshillit të zgjedhur nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për pjesëtarët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë. Nëse ky grup i anëtarëve të Këshillit nuk e propozon kandidatin për këtë pozitë gjyqësore pas dy seancave të njëpasnjëshme të Këshillit, atëherë cilido anëtar i Këshillit ka të drejtë të rekomandojë kandidatin për atë pozitë gjyqësore.

10. Kandidatët për pozita gjyqësore të gjykatave themelore, nën jurisdiksionin e të cilave përfshihet ekskluzivisht territori i një a më shumë komunave, ku shumica e popullsisë i takon komunitetit Serb të Kosovës, mund të rekomandohen për emërim vetëm nga dy (2) anëtarët e Këshillit që i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për komunitetin Serb në Republikën e Kosovës të cilët veprojnë bashkërisht dhe në mënyrë unanime. Nëse këta dy (2) anëtarë nuk rekomandojnë kandidat gjyqësor për këtë pozitë, gjatë dy seancave të njëpasnjëshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, atëherë cilido anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka të drejtë të propozojë kandidat për atë pozitë.

— Neni 108 [Këshilli Gjyqësor i Kosovës], Kushtetuta e Kosovës[3]
  1. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 3 korrik 2017. Marrë më 1 janar 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  2. ^ "Këshilli Gjyqësor i Kosovës – Këshilli Gjyqësor i Kosovës". Marrë më 2024-12-04.
  3. ^ "Neni 108 [Këshilli Gjyqësor i Kosovës], Constitution of Kosovo". Arkivuar nga origjinali më 27 maj 2011. Marrë më 2017-02-08. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]