Kalaja e Petrelës
Kalaja e Petrelës | |
---|---|
Lloji | Arkitekture |
Vendndodhja | Petrelë . Tiranë, Shqipëri |
Koordinatat | 41°15′17″N 19°51′16″E / 41.25475°N 19.854417°E |
Ndërtuar | në shekullin e VI pas Krishtit |
Organi drejtues | DRKK Tiranë |
Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore | |
Lloji | Nën mbrojtje |
Kriteret | I |
Nr. i referencës | GJ001 |
Tipologjia | Kala |
Kalaja e Petrelës nga zbulimet e bëra, është kala mesjetare e ndërtuar në kohën e sundimit të Perandorit Bizantin Justianit të I, në shekullin e VI pas Krishtit. Kjo qe një prej kalave të ngritura prej tij në sistemin mbrojtës së Perandorisë Bizantine.
Është kala e ngritur mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta, madje nga ana jugore dhe juglindore të thepisura, të cilat e kanë bërë kalanë shumë të mbrojtur. Ajo u ngrit kryesisht për qëllime ushtarake në momentin kur Kalaja e Vilës, kala antike, e cila ndodhet përballë Kalasë së Petrelës, e humbi rëndësinë e saj. Kalaja e Petrelës kontrollonte degen e rrugës Egnatia, dega Durrës-Tiranë-Elbasan, e cila për kohën kishte rëndësi të veçantë.
Në fillim të shek. XIV-të ishte nën sundimin e Topiajve, në atë kohë zotërues të zonës midis Matit e Shkumbinit. Në një faqe të murit ruhet dhe emblema e parë e Topiajve. Ne krahun verior të saj ruhen ende mbetje tullash, ndofta cisterne apo mbetje të ndërtimi më të hershëm.
Historia dhe vendodhja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kalaja e Petrelës nga zbulimet e bëra, është kala mesjetare e ndërtuar në kohën e sundimit të Perandorit Bizantin Justianit të I, në shekullin e VI pas Krishtit. Kjo qe një prej kalave të ngritura prej tij në sistemin mbrojtës së Perandorisë.
Është kala e ngritur mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta, madje nga ana jugore dhe juglindore të thepisura, të cilat e kanë bërë kalanë shumë të mbrojtur. Ajo u ngrit në momentin kur Kalaja e Vilës (kala antike e cila ndodhet përballë Kalasë së Petrelës) e humbi rëndësinë e saj.
Kalaja është ndërtuar mbi një kodër shkëmbore që ndodhet në juglindje të qytetit të Tiranës. Kjo kodër është vashdim i malësisë së Krrabës, dhe ndahet nga fusha e Tiranës nga një sërë valëzimesh si dhe nga gryka të shumta të përshtatshme për kalim. Pikërisht këtu që në periudhat më të hershme kanë kaluar rrugë që kanë pasur rëndësi ushtarake por edhe ekonomike.
Ajo kishte një pozitë mjaft të favorshme gjeografike, pasi nga Petrela mund të shihej Kruja si dhe sistemi i fortifikimeve mbrojtëse përreth Durrësit, pjesë e të cilës ishte dhe vet Petrela. Ajo kishte një terren mjaft të përshtatshëm edhe për zhvillimin e ekonomisë bujqësore. Si pasojë e kësaj, gjatë antikitetit lindi dhe u zhvillua qyteti i Vilës. Në mesjetë, si pasojë e ndryshimeve të shumta që ndodhën, Vila reduktohet si qendër dhe shpërngulet në një vend më të sigurt, pra atje ku sot është ndërtuar kështjella e Petrelës.
Petrela ka një sistem të dyfishtë fortifikues. Ai përbëhet nga vet kështjella dhe nga një mur rrethues që ndodhet jashtë saj. Ky mur fillon në lindje të kalasë dhe vazhdon në drejtim të perëndimit. Në fillim të tij gjendet dhe rruga që të çon në kështjellë, e cila kurorëzon pjesën e sipërme të shkëmbit. Ana lindore dhe jugore e shkëmbit bie thikë, kurse ana veriore e tij ka një pjerrtësi prej 30-350. Pikërisht këtu nga ishte më e lehtë për të depërtuar në kala, është përqendruar dhe fortifikimi i saj. Në këtë anë janë ndërtuar dhe dy kulla të fuqishme që lidhen midis tyre po nga një kurtinë e fortë. Hyrja e vetme e kështjellës përbëhet nga një korridor i ngushtë dhe i shkurtër.
Pranë portës ndodhen rrënojat e një kullë vëzhgimi, ndërsa afër kullës lindore janë indetifikuar gjurmët e dy ambienteve që mund të kenë shërbyer për banim. Pjesë e sistemit fortifikues të kalasë janë dhe tre stera uji.
Në brendësi të murit të periudhës antike që përmëndëm më lartë, ndodhet dhe një nymfe i po të njëjtës periudhë. Nga ai na është ruajtur vetëm baseni ujëmbledhës. Për ndërtimin e tij janë përdorur tulla të pjekura mirë, si dhe llaç hidroizolues që ka shërbyer për suvatim si dhe për ndërtimin e plotë të sterës.
Ndërtimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Fazës së 1 i përket kulla 1, e cila përbëhet nga 3 kate. 2 kate kanë shërbyer për luftim, ndërsa kati i parë ka shërbyer si sterë për ujë. Sipas autorëve ajo duhet të ketë një lartësi të përgjithsme prej 18-20 m. Muret e kullës janë ndërtuar sipas teknikës së njohur ‘‘opus testaceum’’, ndërsa frengjitë, qemeret dhe muret në pjesën më të madhe të tyre janë të ndërtuara me tulla. Gjurmët e suvasë të vrejtura në katin e dytë të kullës tregojnë se ky kat ka qënë i suvatuar.
Stera që ndodhet në katin e parë të kullës, ka një diametër prej 2.90 m dhe është e mbuluar me kupolë sferike. Nga brenda ajo është e izoluar me llaç hidroizolues me pluhur tulle. Për furnizimin e saj me ujë shërbente një sistem tubash prej qeramike, të cilët kalonin nga tarraca e kullës në faqen e murit, që më pas e çonin ujin në sterë. Kati i dytë i kullës ka diametër të brendshëm 4.15 m dhe trashësi muresh që shkojnë deri në 2.70 m. Edhe kati i dytë i kullës ashtu si dhe stera, ishte i mbuluar me kupole. Kati i dytë i kullës kishte në përbërje të vetë edhe tre frengji, të cilat ishin të orientuar në jugperëndim dhe juglindje, aty ku dhe sulmi ishte më i thjeshtë. Frengjitë mbuloheshin me qemer, dhe kishin një hapësirë që shkonte deri në 40cm. Duke parë se mungonin rampat e shkallëve, autorët mendojnë se ngjitja dhe zbritja në kullë bëhej nëpërmjet shkallëve të lëvizshme, edhe komunikimi midis ambienteve të brendshme bëhej po nëpërmjet shkallëve të lehta.
Pra, në këtë fazë të parë kemi të bëjmë me një kullë të fuqishme, e pajisur dhe me rezerva të mjaftueshme uji, e aftë për ti rezistuar edhe rrethimeve të gjata.
Fazës së 2 të fortifikimit i përket muri që autorët e kanë indetifikuar si muri ‘‘K L A B C D G’’. Ky mur është ndërtuar në anën veriore të kalasë, dhe pjesërisht nga lindja dhe perëndimi, pasi këtu mbrojtën e siguronte terreni që është mjaft i pjerrët. Ky mur ka një gjatësi prej 37 m, gjerësi 1.05 m që në disa raste shkon dhe 1.30, si dhe ruhet në një lartësi prej 5 m. Për ndërtimin e murit janë përdorur gurë që janë vendosur në mënyrë të çrregullt, dhe të lidhur midis tyre me llaç të një cilësie të mirë. Për ta bërë këtë mur sa më të qëndrueshëm, është përdorur dhe lënda drusore. Brenda zonës së këtij muri ruhet dhe një sterë me planimetri të rregullt katërkëndore. Për hidroizolimin e saj është përdorur llaçi me pluhur tulle.
Fazës së 3 i përket kulla lindore, pjesa e brendshme e murit ballor, dhe sipas autorëve, ndoshta të njëjtës fazë i përket dhe hyrja. Për ndërtimin e mureve të kësaj faze janë përdorur gurë të papunuar gëlqerorë, që kanë vendosje pak a shumë të rregullt. Gurët lidhen midis tyre me llaç të një cilësie të mirë, ndërsa në mur shpesh janë përdorur copa tullash e tjegullash. Kulla numër 3 ka një trashësi muresh prej 2.70 m dhe një lartësi të përgjithshme prej 12.80 m. Katet e kullës ndahen nga njëri tjetri me dysheme druri të vendosur mbi trarë. Kati i 2 i saj mbulohet nga një kupolë sferike. Në përbërje të katit të dytë janë dhe 2 frëngji, që kanë ngjashmëri me frëngjitë e kullës perëndimore. Ndërsa për të hyrë brenda murit të sipërpërmendur, kalohej në një hyrje që kishte formën e shkronjë L. Hyrja ishte e mbuluar me qemer të punuar me gurë çmërsi.
Ndërsa fazës së 4 të kalasë i përket muri rrethues i jashtëm. Muri i jashtëm është ndërtuar me gurë të vegjël të lidhur midis tyre me llaç të një cilësie mjaft të mirë. Në brendësi të tij janë përdorur fragmente të shumta tjegullash për nivelimin e murit. Megjithse muri i jashtëm ka një mbroitje të mirë natyrore, ai është i pajisur me 3 frengji. Ky mur ka një gjerësi prej 1.30 m. Ai ruhet në një lartësi që shkon deri në 4 m, si dhe një gjatësi prej 80 m.
Fazës së 5 i përket veshja e kullës lindore, murit të jashtëm, si dhe rindërtimet që i janë bërë kullës perëndimore. Për ndërtimet që janë bërë gjatë kësaj faze janë përdorur gurë të vegjël të papunuar, si dhe fragmente tjegullash të hedhura në mënyrë të çrregullt. Në sipërfaqet e murit duken qartë gjurmë të trarëve që janë përdorur si breza, por dhe gjurmët e skelerive.
Gjatë fazës së 6 dhe të fundit të saj, janë ndërtuar gjoksmburojat në jug dhe në lindje të kalasë. Muri i kësaj faze mbështetet mbi fazën e 5. Ndërtimet e kësaj faze kanë një muraturë mjaf të çrregullt, dhe për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të vegjël.
Duke u nisur nga teknika e ndërtimit ‘‘opus testaceum’’ të kullës 1, autorët mendojnë se ajo i përket antikitetit të vonë romak. Pra kulla numër 1 që i përket fazës së parë duhet të jetë ndërtuar midis shekujve IV-VI, datim ky që mbështetet edhe nga qeramika e gjetur. Ndërsa muri i fazës së 2 ( i identifikuar si muri ‘‘K L A B C D G’’) i përforcuar dhe me lëndë drusore duhet të jetë ndërtuar gjatë mesjetës së hershme. Ky mur mund të ketë shërbyer dhe si vend strehimi për banorët e Petrelës gjatë mesjetës së hershme. Ndërtimet e fazës së 3 duhet të jenë bërë nga gjysma e dytë e shek. XII, ku në burime ajo na shfaqet si kështjellë, pas përfundimit të luftërave midis normanëve dhe bizantinëve. Ky datim përkon edhe me teknikën e ndërtimit si dhe me materialin e gjetur. Në shekullin e XV kala e Petrelës ishte kthyer në një kala e vogël por dhe mjafte fuqishme. Barleti na lë të kuptojmë një gjë të tillë. Ai e cilësonte kalanë e Petrelës si të papushtueshme, madje për të marrë atë Skënderbeu dërgoi një ushtri tepër të fuqishme. Është po Barleti i cili na jep të dhëna për kohën e ndërtimit të kalasë. Sipas tij kalaja është ndërtuar nga të parët e familjes së madhe Topia. Më vonë kjo kala do të meremetohet nga osmanët në shek. XVI. Njoftimet për këtë na i jep një autor anonim, i cili e konsideron Petrelën të fortë në krahasim me Ndroqin e dobët. Ndërtimet që janë bërë gjatë fazës së fundit duhet ti përkasin shek. XVII-XIX.
Roli i kalasë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Roli i Petrelës si qendër e fortifikuar do të rritet gjatë mesjetës së hershme, pas braktisjes së qytetit antik të Persqopit. Në mesjetën e hershme qendra e banuar do të shpërngulet në Petrelë pasi ajo ofronte siguri më të madhe.
Gjithashtu me anë të saj mund të kontrollohej rruga që kalonte në qafën e Krrabës dhe që bashkohej më pas me rrugën Egnatia. Edhe Petrela ishte pjesë përbërse në sistemin fortifikues përreth Durrësit, gjatë antikitetit të vonë dhe mesjetës.
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]https://web.archive.org/web/20180310221302/http://www.tirana.al/directory/listing/kalaja-e-petreles