Koço Tashko
Koço Tashko (Fajum, 14 korrik 1899 - Laç, 30 prill 1984) ka qenë veprimtar i lëvizjeve komuniste, më pas me Grupin Komunist të Korçës dhe diplomat shqiptar.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Fajum të Egjiptit, i biri e frashërlliut Athanas Tashko dhe Eleni Zografit, më i madhi nga gjashtë fëmijët e çiftit. Të vendosur në Egjipt pas disa ecejakeve, familja Tashko çeli aty një kafené dhe më pas një hotel.[1]
Pas arsimit fillor në Egjipt, Tashko vazhdoi shkollën e mesme protestante në Bejrut. Më mbrapa përfundon studimet në universitetin e njohur të Harvardit në Boston, pikërisht në degën e ekonomisë politike, ose të marrëdhënieve ndërkombëtare siç quhej ndryshe. Së fundmi, përfundon në Moskë shkollën e lartë të “Kominternit” apo Fakultetin e Filozofisë siç quhej me gjuhën e kohës, në të cilin u emërua dhe pedagog.
Koço Tashko është njohur si pedagog i shkollës së lartë të filozofisë në Moskë dhe ka qenë njëkohësisht kryetar i seksionit anglo-amerikan të “Kominternit” në atë shkollë. Ka qenë sekretar personal i Fan Nolit gjatë kohës që ky ka qenë deputet i parlamentit të Shqipërisë. Në vitet 1923-1924 Tashko u emërua dy herë konsull i Shqipërisë në Nju-Jork, titull diplomatik me të cilin në atë kohë Shqipëria përfaqësohej në Amerikë. Më mbrapa Koço Tashko vijon në funksione të tilla si redaktor në gazetat patriotike “Idealisti” apo “Emigranti” në Amerikë. Në vitin 1937 kryen detyrën e ngarkuar nga “Kominterni” si kryetar i seksionit ballkanik “MOPRR” në Francë. Në vitin 1943, pikërisht gjatë periudhës së luftës nacionalçlirimtare Koço Tashko emërohet nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare si sekretar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Çlirimi i Shqipërisë, pra viti 1945, e gjen atë sekretar të Asamblesë Kushtetuese. Në vitet 1946-1947 Koço Tashko emërohet ambasador i Shqipërisë në Moskë. Në vitin 1947 ai ngarkohet me detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, që e ushtronte paralelisht me Hysni Kapon. Në vitin 1954 caktohet ambasador i Shqipërisë në Sofje, por pas një viti, pra në 1955, si zakonisht në të tilla raste, e kthejnë sërish nga Sofja për ta emëruar në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë si kryetar të Komisionit të Kontrollit dhe Revizionimit të Partisë. Në këtë detyrë vazhdoi deri në vitin 1960, kur mbi të filluan sulmet politike të Enver Hoxhës, duke e akuzuar si agjent të sovjetikëve.
Në vitet ‘60, nga një plenum i posaçëm i KQ të PPSH-së, Koço Tashko përjashtohet nga partia, për të cilën erdhi posaçërisht në atdhe. Bëri 8 vjet internim, duke filluar që nga Çorrushi i Mallakastrës e duke vazhduar në shumë zona të Shqipërisë. Pas 8 vjetësh internimi, kur ishte në moshën 68-vjeçare, u burgos për 10 vjet në burgun e sigurisë së lartë të asaj kohe në Burrel, nga i cili doli vetëm në vitin 1980, kur kishte mbushur plot 78 vjeç. Katër vjet më vonë, pikërisht në 1984, kur sa kishte mbushur 85 vjeç, Koço Tashko vdiq në vuajtje dhe në mjerim.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Koço, Eno (2 nëntor 2015). "Familja dhe jeta – Një evokim". voal.ch.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)