Jump to content

Kolë Koci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kolë Koci (1902 - 1989) një nga personalitetet shqiptare më të shquar në fushën e arsimit. Një nga figurat më të respektuara me të cilin pogradecarët krenohen.

Kolë Koci lindi më 1902 në një familje patriote në Pogradec. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Punën si mësues e nisi në fshatin Çërravë. Në vitin 1924 fillon studimet në Normalen e Elbasanit. Në 1928 emërohet mësues në Sopik, të Gjirokastrës. Studimet e larta i kryen në Lion të Francës në Institutin Pedagogjik dhe në Fakultetin e Letrave. Pas kthimit nga studimet nis punën si mësues por këtë herë në gjimnazin e Shkodrës ku më vonë kalon si inspektor arsimi. Në vitin 1936 po me këtë detyrë transferohet në Gjirokastër. Dy vjet me vonë kalon në Ministrinë e Arsimit ku punoi deri sa doli në pension në 1966.

Aty ai u mor kryesisht me probleme të karakterit studimor tekniko-profesional, si: punim programesh, hartim udhëzimesh metodike, shqyrtim tekstesh mësimore dhe librash të letërsisë ndihmëse për mësuesit e fillores, etj.

Lista e botimeve të tij është e gjerë dhe ka dhjetra tituj ku ai trajton që nga udhëzimet për mësimin e këndimit, në detyrat me shkrim, ushtrimet gramatikore, problemet aritmetike, gjuha e librave, puna edukative në shkollë, metodikat e reja deri në studime të karakterit historik dhe letrar apo për vlerat e folklorit.

Ndër botimet kryesore të tij përmendim monografitë për mësuesit e klasave të fillores “Problemet e leximit dhe të shkrimit në klasën e parë” (1979) si edhe “Probleme të arsimit të gjuhës shqipe në klasat fillore. Në 1942 ai shkroi monografinë “Mësimet e hartimit në rendit e 4-t dhe të 5-të të shkollës fillore”. Në vazhdim ai hartoi edhe “Metodikën e bukur-shkrimit”.

Kolë Koci është hartues i teksteve të gjuhës shqipe për klasën e 3-të dhe të 4-t në vitet 1950-1971.

Në 25 nëntor 1972 Kolë Koci bashkë me figura të tjera të shquara të letrave shqipe si: Eqerem Çabej, Androki Kostallari, Aleks Buda, Rexhep Qosja, Jup Kastrati, Fahri Beçi, Dhori Qiriazi, Ismail Kadare, marrin pjesë si delegatë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe ku u hartuan rregullat e drejtshkrimit të gjuhës duke patur parasysh edhe ndryshimet që pëson gjuha letrare si dhe çështje të reja që nxjerr praktika gjuhësore. Kolë Koci ishte një nga nënshkruesit e Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Për të gjithë këtë kontribut të shquar Kolë Koci mori titullin e lartë “Mësues i Popullit” ndërsa në 1965 ai fitoi titullin e Kandidatit të Shkencave Pedagogjike.

Ai vdiq më 29.08.1989 në Tiranë.

Kolë Koci është padyshim një nga personalitetet më të shquara në fushën e arsimit. Vepra dhe puna e tij kanë qënë faktor mjaft i rëndësishëm në përmirësimin e mësimdhënies dhe ngritjen cilësore të arsimit në Shqipëri.