Jump to content

Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Pejës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kulla e Haxhi Zekes
Mulliri i Haxhi Zekës

Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Pejës është një kompleks urbanistik dhe arkitektonik i cili ndodhet në qytetin e Pejës, Kosovë. Kompleksin e përbëjnë Kulla e Haxhi Zekës, Konaku i Jashar Pashes dhe Mulliri i Haxhi Zekës. [1] [2]


Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Pejës është një kompleks arkitektonik afër Çarshisë së Vjetër të Pejës. Nga vendasit bjihet edhe me emrin Konaku i Jashar Pashës, por në të vëertetë, donator i tij ishte Haxhi Zeka. Kompleksin e përbëjnë kulla trekatëshe, që njëherësh është oda e mysafirëve dhe shtëpia e grave, me objektet ndihmëse ekonomike dhe familjare. Në kullë është mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Pejës në vitit 1899. Prandaj, pos vlerave ndërtimore dhe arkitekturale, godina ka edhe rëndësi historike. Ndërtimi është një realizim i standardeve të kohës, pasqyrë e rrethanave shoqërore-ekonomike dhe e gjendjes sociale të përdoruesve të saj, të cilët i takonin klasës së lartë të shoqërisë kosovare në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, në kuadër të Perandorisë Osmane. Bëhet fjalë për një objekt të arkitekturës popullore, të tipit të shtëpive të vjetra qytetare të Pejës, përkatësisht të ndërtimit karakteristik kosovar. Në aspektin tipologjik objektet e banimit të kompleksit, etazhet, struktura e murimit, teknika e ndërtimit dhe elementet konstruktive dhe funksionale ndryshojnë nga njëra-tjetra. Oda e mysafirëve është trekatëshe dhe i takon tipit kullë, kurse shtëpia e grave ose e zjarrit është dykatëshe dhe i takon banesës me çikma ose ballkone të mbyllur. Karakteristikë për këtë lloj ndërtimi është fakti se dhomat e gjumit kanë pasur hamamxhik. Kompleksi kishte oborrin me lulishte, përroskën dhe rruginat të shtruara me kalldrëm. Gjatë Luftës së fundit në Kosovë (1997/1999) kompleksi u dogj në tërësi. Së fundi është bërë restaurimi i tij, por kanë humbur elementet e pasura dekorative të enterierit.[3] [4]

  1. ^ "Konaku i Jashar Pashës - Pejë (Kopje e arkivuar)". Arkivuar nga origjinali më 23 tetor 2020. Marrë më 20 gusht 2020.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  2. ^ "Kompleksi i mullirit të Haxhi Zekës - Pejë (Kopje e arkivuar)". Arkivuar nga origjinali më 20 gusht 2020. Marrë më 20 gusht 2020.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  3. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  4. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 833. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]