Jump to content

Korniza Evropiane e Kualifikimeve

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Korniza Evropiane e Kualifikimeve (anglisht: European Qualifications Framework) si një themel kryesor i mësimit gjatë gjithë jetës është një iniciativë e Bashkimit Evropian për identifikimin e kualifikimeve kombëtare në të gjitha vendet evropiane, të cilat fitohen ose arrihen përmes të gjitha formave të arsimit duke nisur nga arsimi fillor e deri te arsimi i lartë.

Korniza Evropiane e Kualifikimeve synon të lidh sistemet kombëtare të kualifikimeve të vendeve të ndryshme në një kornizë të përbashkët evropiane të referencës. Individët dhe punëdhënësit do të jenë në gjendje të përdorin Kornizën për të kuptuar dhe krahasuar më mirë nivelet e kualifikimeve të vendeve të ndryshme dhe sistemeve të ndryshme të arsimit dhe trajnimit.

Korniza Evropiane e Kualifikimeve përshkruan kualifikimet që fitohen kur një nxënës ose student përfundon një nivel të caktuar arsimor. Thelbi i Kornizës ka të bëjë me 8 (tetë) nivele referimi të cilat përcaktojnë atë që një nxënës ose student di, kupton dhe është në gjendje të bëjë në fund të procesit mësimor - 'rezultatet e të nxënit'. Nivelet e kualifikimeve kombëtare do të vendosen në një nga nivelet qendrore të referencës, duke filluar nga ato themelore (Niveli 1) deri te ai i avancuar (Niveli 8). Rezultatet e të nxënit ndahen në tre kategori: njohuri, aftësi dhe kompetenca. Kjo do të mundësojë një krahasim shumë më të lehtë midis kualifikimeve kombëtare dhe gjithashtu duhet të nënkuptojë që njerëzit nuk kanë pse të përsërisin mësimin e tyre nëse transferohen në një vend tjetër.

Përshkruesit që përcaktojnë nivelet e Kornizës Evropiane të Kualifikimeve [1] [2]
niveli njohuritë aftësitë kompetencat
1 Njohuri themelore të përgjithshme. Shkathtësitë themelore që kërkohen për të përfunduar detyra të thjeshta. Puna ose mësimi nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë në një mjedis të strukturuar.
2 Njohuri faktike themelore në fushën e punës ose mësimit. Aftësi themelore njohëse dhe praktike të nevojshme për përdorimin e informacionit thelbësor për përfundimin e detyrave dhe për të zgjidhur problemet rutinore duke përdorur rregulla dhe mjete të thjeshta. Puna ose studimi nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë me njëfarë pavarësie.
3 Njohuri për fakte, parime, procese dhe koncepte të përgjithshme në fushën e punës ose mësimit. Një gamë e aftësive njohëse dhe praktike të nevojshme për plotësimin e detyrave dhe zgjidhjen e problemeve duke zgjedhur dhe aplikuar metodologjinë themelore, mjetet, materialet dhe informacionin. Marrja e përgjegjësisë për përfundimin e detyrave në punë ose mësimnxënie. Në zgjidhjen e problemeve, përshtatja e sjelljes personale me rrethanat.
4 Njohuri faktike dhe teorike në një kontekst më të gjerë brenda fushës së punës ose mësimit. Gamë e aftësive njohëse dhe praktike të nevojshme për të gjetur zgjidhje për problemet specifike në fushën e punës ose të mësimit. Kryerja e vetëadministrimit brenda kontekstit të punës ose mësimit që zakonisht është i parashikueshëm, por mund edhe të ndryshojë. Mbikëqyrja e punës rutinore të të tjerëve, duke marrë përsipër disa përgjegjësi për vlerësimin dhe promovimin e punës ose veprimtarive mësimore
5 Njohuri të gjera, të specializuara, faktike dhe teorike brenda fushës së punës ose mësimit dhe vetëdijes për kufijtë e asaj njohurie. Gamë e gjërë e aftësive njohëse dhe praktike që kërkohen për të zhvilluar zgjidhje krijuese për problemet abstrakte. Kryen menaxhimin dhe mbikëqyrjen në kontekstin e punës ose veprimtarive mësimore, kur ka ndryshime të paparashikuara. Vëzhgon dhe zhvillon performancën personale dhe të të tjerëve.
6 Njohuri të përparuara për fushën e punës ose të mësuarit, përfshirë një kuptim kritik të teorive dhe parimeve. Shkathtësi të përparuara, demonstrim i aftësive dhe inovacionit të nevojshëm për të zgjidhur probleme komplekse dhe të paparashikueshme në një fushë të specializuar të punës ose të mësimit. Menaxhimi i aktiviteteve ose projekteve komplekse teknike ose profesionale, duke marrë përgjegjësi për vendimmarrje në kontekste të paparashikueshme të punës ose mësimit. Merr përgjegjësi për menaxhimin e zhvillimit profesional të individëve dhe grupeve.
7 Njohuri shumë të specializuara, disa prej të cilave janë avancuara në fushën e punës ose mësimit, si bazë për të menduarit origjinal. Vetëdija kritike për çështjet e njohurive në fushë dhe në kufirin midis fushave të ndryshme. Shkathtësi të specializuara për zgjidhjen e problemeve të kërkuara në hulumtime dhe / ose inovacion për të zhvilluar njohuri dhe procedura të reja dhe se si të integrohen njohuritë nga fusha të ndryshme. Menaxhimi dhe transformimi i konteksteve të punës ose mësimit të cilat janë komplekse, të paparashikueshme dhe kërkojnë qasje të reja strategjike. Marrje e përgjegjësisë për të kontribuar në njohuri dhe praktikë profesionale dhe / ose rishikimin e performancës strategjike të ekipeve.
8 Njohuri të larta të fushës së punës ose mësimit dhe në kufirin midis fushave. Aftësi dhe teknika më të përparuara dhe të specializuara, përfshirë sintezën dhe vlerësimin, të nevojshme për të adresuar problemet kritike të hulumtimit / inovacionit si dhe për zgjerimin dhe ripërcaktimin e njohurive ekzistuese ose praktikës profesionale. Demonstron kompetencë thelbësore, inovacion, pavarësi, integritet shkencor dhe profesional dhe angazhim të qëndrueshëm për zhvillimin e ideve ose proceseve të reja në kufirin më të përparuar të punës ose mësimit që përfshin gjithashtu edhe hulumtime.
  1. ^ EQF Recommendation - Legal text - EU's Official Journal
  2. ^ "Descriptors defining levels in the European Qualifications Framework (EQF) - Learning Opportunities and Qualifications in Europe - European Commission". Learning Opportunities and Qualifications in Europe (në anglisht). Marrë më 2018-03-15.