Koto Hoxhi
Koto Hoxhi (Qestorati, 1824 - Stamboll, 1895) ka qenë arsimtar, ndër pionerët e arsimit shqiptar. Ai ishte një nga përgatitësit e truallit për shkollat e para shqipe, si dhe të "Alfabetares së gjuhës shqipe" gjate Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1879.
Jeta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Koto Hoxhi u emërua mësues në shkollën teologjike të Qestoratit më 1873, në orët e lira u mësonte fshehurazi nxënësve shqipen dhe u ngjallte atyre dashurinë për gjuhën, për atdheun, për bashkatdhetarët e feve të tjera. Në vitin 1874, Hoxhi shkroi një nga dramat e para të kryera në gjuhën shqipe. Drama titullohej Një Dasmë në Lunxhëri dhe u shfaq në Gjirokastër. Ai kërkoi më vonë nga valiu i Janinës leje për të ngritur një shkollë shqipe. Kjo veprimtari patriotike e futi Hoxhin në grindje me konsullin grek dhe me peshkopin e Gjirokastrës. Peshkopi e shkishëroi dhe njëkohësisht vuri njerëz ta sulmonin. Por ai nuk u tërhoq. Koto Hoxhi ishte pjesëtar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Popullit Shqiptar që përkrahte idetë e Lidhjes së Prizrenit. Anëtarët e tjerë të tij ishin Pandeli Sotiri, Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri dhe Abdyl Frashëri. Ai u arrestua dhe u burgos fillimisht në burgun të Gjirokastrës. Më vonë ai u transferua në burgun Yedikule në Stamboll, ku ai vdiq në vitin 1895.
Gjatë kohës që ishte i burgosur në Stamboll Hoxhi u vizitua nga Sevasti Qiriazi, një nga mësueset e Shkollës së Parë të gjuhës shqipe, e cila e bindi një punonjës të burgut për ta lejuar atë të takonte Hoxhin duke u maskuar si një djalë. Ajo tregoi se ish mësuesi ishte shndërruar në një "grumbull leckash" në një pllakë guri që shërbente si shtrat. "Vrima e ndyrë" e qelisë ishte thellë brenda burgut dhe Hoxhi kishte humbur shumë pamjen e tij intelektuale, megjithatë ai ishte mirënjohës për vizitën. Ai ishte veshur me lecka dhe flokët e tij dhe mjekra ishin të gjata. Ai tha se trupi i tij ishte thyer, por shpirti i tij ishte i lirë, dhe shpresonte se Shqipëria do të jetë e bashkuar dhe e lumtur. Hoxhi tha se Sulltani i kishte thënë atij se ai mund të lirohej nëse ai do të jepte emrat e njerëzve të tjerë të cilët ishin përfshirë në veprimtarinë atdhetare, por ai refuzoi të bashkëpunojë.
Nga shkolla e Qestoratit nuk dolën vetëm mësues fantastikë të helenizmit, por edhe atdhetarë si Pandeli Sotiri e Petro Nini Luarasi, të cilët ndoqën rrugën e Koto Hoxhit.