Jump to content

Kulla ne Zhazhë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kulla ne Zhazhë
LlojiArkitekturore
VendndodhjaZhazhë, Zveçan, Kosovë
NdërtuarShek. XX
Emri zyrtar: Monument /Ansambël
LlojiNën mbrojtje
Nr. i referencës492

Kulla ne Zhazhë është një monument i trashëgimisë kulturore në Zhazhë, Zveçan, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor", i miratuar me numër.

Në lagjen “Smaka” të fshatit Zhazhë, komuna e Zveçanit, gjendet kulla e Hajzer Ahmet Pecit. Fshati Zhazhë nga qyteti i Mitrovicës gjendet në distancë 10 km, ndërsa nga komuna e Zveçanit 7 km. Kulla e Hajzer Ahmet Pecit është ndërtuar në fillim të shek. XX. Kulla ka etazhe P+1. Materiali i drurit për ndërtimin e kullës është marrë në vendin e quajtur “Radefc”, i cili gjendet mes fshatit Serbovac dhe fshatit Zhazhë. Ndërsa materiali i gurit është marrë në vendin e quajtur “majdan” që ndodhet sipër fshatrave Rahovë dhe Zhazhë. Mjeshtrit të cilët e kanë ndërtuar kullën kanë qenë vendorë. Kati i sipërm ka dy dhoma të fjetjes së bashku me një hamamxhik, ku njëra dhomë ka shërbyer edhe si kuzhinë. Në vitet ‘70 të shek. XX familja ishte në rritje dhe kishte nevojë që edhe kati i parë të shfrytëzohej për banim andaj ishte ndarë fizikisht, në mënyrë që t’i plotësonte kërkesat e familjarëve. Kështu edhe kati përdhese fiton tri hapësira, dy dhoma të fjetjes dhe një dhomë që ka shërbyer si kuzhinë. Pikërisht në këtë periudhë kur janë bërë këto ndryshime kishin intervenuar edhe në një pjesë të murit të kullës, me ç’rast ishte mbyllur dera e hyrjes në anën jugore të kullës, duke hapur një hyrje të re në fasadën veriore. Në katin e sipërm, në anën veriore, janë të hapura tetë hapësira frëngjish. Deri në kohën sa kulla ruante autenticitetin, hapësirat e ndriçimit kishin formë frëngjish. Me realizimin e ndërhyrjeve në katin përdhese hapësirat ndriçuese marrin forma katërkëndore të përmasave më të mëdha. Konstrukti i mureve të brendshme është thurur me hatulla druri dhe është i mbushur me qerpiçë. Shkallët nga druri që të shpien për katin e sipërm janë të dëmtuara tërësisht. Kulla ka pasur funksion banimi deri në vitin 1986. Kulla është jashtë funksionit.[2]

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ "Stone house "Kulla" in Zhazhë". Arkivuar nga origjinali më 7 janar 2020. Marrë më 28 nëntor 2016. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]