Shko te përmbajtja

Lec Shkreli

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Lec Shkreli piktor shqiptar, aktiviteti krijues i tij ka nisur që në vitet 1965. Punimet janë kompozime në vaj, peizazhe të ndryshme dhe natyra të qeta, ku spikasin edhe portretet e grave me kostume të larmishme kombëtare. Lec Shkreli ka një krijimtari gati gjysmëshekullore. Ekspozitën e parë e çeli kur ende ishte në Liceun Artistik, pastaj vijoi me të tjerat në Tiranë, Durrës, Berat, Kinë, Francë, Dubai, Gjermani, Rumani, Danimarkë.


Lec Shkreli ka lindur në Tiranë në vitin 1942. Studion në Liceun Artisitk “Jordan Misja (1956-1960) nën drejtimin e piktorëve të mirënjohur Sadik Kaceli dhe Abdurrahim Buza. U diplomua në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve), Tiranë (1960-1965) në atelien e piktorëve të shquar Guri Madhi dhe Vilson Kilica. Gjatë viteve akademike mbajti kontakte me skulptorin e njohur Odhise Paskali, i cili e inkurajoi në rrugën krijuese.

Shkreli (1959-1989) ka qenë pjesëmarrës në pothuajse tërë ekspozitat kombëtare dhe jubilare, veprat e të cilit janë vlerësuar me çmime në gjininë e kompozimit dhe të portretit, punë të cilat ndodhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve (14 punime). Veprat e Shkrelit janë ekspozuar dhe në vende të ndryshme të botës (Paris, Romë, Ankara, Aleksandri, Moskë, Pekin, Berlin, Bukuresht) në ekspozita dhe bienale në grup të organizuara nga shteti shqiptar. Pas viteve të komunizmit Shkreli vazhdon të jetë aktiv në jetën artistike të Tiranës ndërkohë krijimtaria e realizmit socialist qëndron pas dhe vazhdon të eksperimentojë në gjini të ndryshme duke ndjekur rrymat e impresionizmit, ekspresionizmit, fovizmit dhe kubizmit. Gjatë 30 viteve të fundit merr pjesë në mënyrë intensive në ekpsozita dhe biennale individuale dhe në grup, kombëtare dhe ndërkombëtare.