Marrëdhëniet Iliro-Helene në lashtësi
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Vendosja e kolonive helene në bregdetin Ilir është pjesë e drejtimit të lëvizjes kolonizuese helene, në të cilën më aktiv u tregua Korinti. Kjo dukuri u zhvillua, nga njëra anë, me shtytjen e faktorëve ekonomikë e shoqërorë të metropoleve dhe, nga ana tjetër, qe një hap i mëtejshëm në përfshirjen e zonave ilire në sferën e ekonomisë së Mesdheut. Kolonitë më të hershme u vendosën në tokat e Ilirisë së Jugut. Këto zona të banuara nga ilirët kishin marrëdhënie tregtare me vendet e Greqisë që nga epoka kreto-mikene. Kjo tregti fitoi një bazë më të gjerë në kushtet e shthurjes së rendit fisnor tek ilirët. Vendosja dhe zhvillimi i mëtejshëm i kolonive ka qenë pasojë e këtij procesi. Në fillim u vendosën pranë vendbanimeve ilire pikat tregtare, të cilat me zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me brendatokën ilire u populluan nga grupe kolonistësh helenë dhe u kthyen në qendra të shpërngulurish (apoike) të metropoleve greke.
Kolonia më e hershme u vendos në vitin 737 në ishullin e Korkyrës, që banohej atëherë nga liburnët. Nga këtej një valë kolonistësh u vendosën në Dyrrah (627 p.e.sonë, ka shumë gjasë edhe më herët). Apolonia, e cila u themelua në vitin 588, ngjan të ketë qenë populluar nga kolonistë të ardhur nga Dyrrahu. Për gjithë kohën antike midis dy qyteteve u mbajtën lidhje të ngushta ekonomike dhe politike, që janë karakteristike për marrëdhëniet midis metropoleve dhe apoikeve. Në të njëjtën kohë me Apoloninë u formua nga banorët të ardhur nga Eubea edhe kolonia helene në Orik, e cila për vetë mundësitë e kufizuara të kontakteve me prapatokën ilire nuk arriti kurrë rëndësinë ekonomike, as edhe famën e dy kolonive të tjera. Kaluan edhe dy shekuj të tjerë derisa kolonistët helenë të ardhur nga Parosi, Sirakuza e Sicilisë dhe Knidi të vendoseshin në ishujt e Ilirisë së Veriut, ku themeluan Faron (sot Hvar), Isën (sot Vish) dhe Korkyrën e Zezë (sot Korculla).
Në fillimet e veprimtarisë së kolonive peshën kryesore në ekonomi e zinte tregtia tranzite. Nga tokat ilire merreshin prodhime bujqësore, lëndë druri dhe minerale për nevojat e metropoleve, kundrejt shkëmbimit mall me mall me prodhime të zejtarisë. Por në shek. V p.e.sonë kolonitë e bregdetit ilir nuk janë më shtojca të ekonomisë e furnizuese të thjeshta lëndësh të para të qyteteve mëma. Prodhimi lokal, i mbështetur kryesisht në shfrytëzimin e punës së skllevërve, arrin në këtë periudhë një shkallë të tillë zhvillimi saqë ishte në gjendje të mbulonte jo vetëm kërkesat e popullsisë së këtyre qyteteve, por edhe të botës ilire përreth, gjallëruese dhe nxitëse e drejtpërdrejtë e këtij zhvillimi. Importimet nga qytetet mëma dhe Greqia u kufizuan kryesisht në sendet e luksit dhe në veprat e artit. Dyrrahu dhe Apolonia vepronin tani si njësi ekonomike krejt të pavarura, duke e shprehur këtë edhe në prerjen e monedhave të tyre të veçanta.
Zejtaria u orientua nga prodhimi i sendeve të konsumit të gjerë: qeramika, veglat e punës, armët që hidheshin në tregun e brendshëm dhe në atë të prapatokës. Punishtet e prodhimit të gjerë të enëve prej balte, të tjegullave e të tullave, të punimit të gurit etj., ishin prona të skllavopronarëve dhe kishin karakterin e ergasterive antike.
Në marrëdhëniet tregtare me botën ilire, veç prodhimeve bujqësore e blegtorale, lëndës së drurit për ndërtimin e anijeve dhe skllevërve, për të cilat tregu grek kishte mungesë, vëmendja e kolonistëve u përqendrua në pasuritë minerale të Ilirisë së Jugut. Në shkrirjen dhe në përpunimin e hekurit, të bakrit dhe të argjendit, ilirët kishin një përvojë shekullore, nga e cila përfituan edhe kolonistët. Veçanërisht eksportimi i argjendit që nxirrej nga minierat e pirustëve dhe të Dardanisë, u bë një nga burimet kryesore të pasurimit e të lulëzimit të dy kolonive të mëdha, Dyrrahut dhe Apolonisë. Ai eksportohej kryesisht në formën e monedhave, të cilat gjetën një përkrahje të gjerë në krahinat e afërta dhe të largëta ilire.
Për të nxjerrë fitime sa më të mëdha nga marrëdhëniet tregtare me ilirët, sidomos nga tregtia me shumicë e lëndëve të para, e gjithë kjo veprimtari kryhej nëpërmjet një përfaqësuesi të veçantë të kolonive, të quajtur poleti.
Duke qenë se Dyrrahu dhe Apolonia ishin qendra zejtare e tregtare, bujqësia e blegtoria zinte në to një vend të dorës së dytë. Në rrethet e afërta të qytetit pronarët e pasur kishin tokat e kullotat e tyre me sipërfaqe e prodhim të kufizuar, sepse kufiri me ilirët nuk shtrihej shumë larg mureve të qytetit.