Jump to content

Martesa islame

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Martesa islamike (arabisht نكاح nikah) është martesa e kryer në bazë të sharia-s. Ajo konsiderohet nga sistematika juridike islamike si kontratë e të drejtës civile.

Pengesat për realizimin e martesës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas mendimit gati të njëzëshëm të juristëve islamikë një mysliman lejohet në fakt të martohet me një çifute ose me një të krishterë por një myslimane nuk lejohet në asnjë mënyre të martohet me një jo-mysliman. Gjithashtu është e ndaluar (haram) martesa ndërmjet të afërmve të familjes, psh. ndërmjet prindërve ose gjyshërve dhe fëmijëve si dhe ndërmjet vëllezërve dhe motrave. Po ashtu ndalohet edhe martesa ndërmjet vëllait dhe motrës latante.

Sipas të drejtës islamike klasike, për bërjen e celebrimit nevojitet një tutor (kujdestar) martese për gruan (vali ose veli). Feja islame e ndalon martesën e një gruaje kundra vullnetit të saj, me përjashtim të rastit të vali muxhbir-it.[1] Kontrata e martesës lidhet ndërmjet tutorit të gruas dhe dhëndrit. Lidhja e kontratës është e detyrueshme të bëhet në prani të dy dëshmitarëve meshkuj.[2] Në rast se tutori është i ati ose gjyshi i gruas nga ana e të atit, ai ka të drejtë si vali muxhbir (sipas sistemit juridik shijat) ta lidhë kontratën e martesës edhe kundra vullnetit të gruas së virgjër por duke u orientuar këtu tek nevojat e saj.[3]

Përveç kësaj, sipas konceptit te shijave lejohet edhe martesa me kohë, e ashtuquajtur mut'a, si psh. në Iran. Kontrata e martesës së kufizuar në kohë bën pjesë sipas sistematikës myslimane tek kategoria e kontratave të marrjes dhe dhënies me qira. Sipas saj, një martesë mund të bëhet për një kohë të caktuar, psh. për disa orë, dhe mbaron pastaj automatikisht. Lejohet edhe marrëveshja e një numri të caktuar takimesh me karakter seksual, por e pakta një. Shumë teologë sunnitë e dënojnë këtë formë martese si legjitimim i prostitucionit.

Në të drejtën islamike klasike nuk ka moshë minimale për martesë. Sharia e lejon realizimin e martesës së vajzave prej moshës 9 vjeç ose me fillimin e pubertetit që përcaktohet për vajzat me fillimin e menstruacioneve (shih Martesa e të miturve). Por e drejta e sotme e shumicës së vendeve myslimane e përcakton një moshë minimale.

Marrëdhëniet martesore në praktikë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Burri është i detyruar ndaj gruas të sigurojë mjetet e jetesës, në rast nevoje gruaja mund ta kërkojë këtë me gjyq. Të ardhurat që i fiton vetë gruaja i takojnë vetëm asaj, burri dhe fëmijët nuk kanë të drejtë të disponojnë mbi to. Ajo e vendos vetë se ç'të bëjë me këto të ardhura. Burri ka për detyrë ta trajtojë mirë gruan e tij dhe ta përkrahë atë.

Ndarja është e lejueshme në fenë islame për burrat dhe gratë por veç nën këtë premisë:

Nga të gjitha gjërat që janë të lejueshme, ndarja është ajo më e ulta në sytë e Allahut.

— Sahi Bukhari

Ndarja nga ana e gruas (khul', arabisht: vetë-çlirim me pagesë i gruas nga martesa) sipas të drejtës islamike klasike është e lejueshme vetëm për ato arsye, për të cilat ajo nuk mban përgjegjësi: mungesa e sigurimit të mjeteve të jetesës nga ana e burrit dhe lënia pas dore seksualisht prej tij (tre muaj ose më shumë pa marrëdhënie seksuale). Në këto dy raste ajo duhet të ngrejë padi tek një gjykatës, i cili pastaj vendos realizimin e ndarjes.

Burri mund të ndahet në mënyrë të vlefshme ligjore duke përsëritur tre herë shprehjen e ndarjes. Për burrin është rregulli që ndarja vlen si e kryer kur ai përdor kundrejt gruas së tij për herë të tretë shprehje (duke respektuar këtu afate të caktuara), forma e të cilave bën të qartë qëllimin për përfundimin e marrëdhënies martesore.

Kurani përcakton në suren „ndarja“ një shtyrje të deklaratës së martesës deri në fund të fazës së ardhshme të menstruacionit çka do të përjashtonte shtatzëninë. Gjatë kësaj kohe gruaja nuk lejohet të detyrohet të ikë nga shtëpia e burrit si në kohën para-islamike. Ajo është e detyruar që të mos ikë as vetë. Gjatë deklaratës përfundimtare të ndarjes duhet të jenë prezentë, sipas sures së mësipërme, dy dëshmitarë të besueshëm.

E mundshme është edhe ndarja me pëlqimin e të dy palëve, dmth. kur të dy bashkëshortët vendosin të mos jetojnë më bashkë. Sipas jurisprudencës së sotme të shteteve myslimane (por jo sipas sharia-s), ndarja kushtëzohet në shumicën e rasteve nga mungesa e bashkëjetesës prej e pakta tre muajsh.

Pas mbarimit të një afati të caktuar nuk ka pengesa për pajtim, madje ai është i dëshiruar. Por në qoftë se shprehja e ndarjes është thënë tre herë, atëherë martesa e sërishme lejohet vetëm pasi gruaja të martohet një herë me një burrë tjetër.

Kurani e lejon martesën deri me katër gra

Dhe në rast se keni frikë se nuk do të veproni drejtë me jetimet (femra të marra nën kujdestari), atëherë martohuni me to, që ju shkojnë si gra, (secili me nga) dy, tre ose katër. Dhe në rast se keni frikë se (kaq shumë) nuk do t'i trajtoni dot drejtë, atëherë (vetëm) me një, ose ato që i keni në zotërim (si skllave)! Kështu mund të evitoni që të veproni në mënyrë të padrejtë.

— Kurani, sure 4, vargu 3, Përkthyer sipas përkthimit të Rudi Paret-it

Ndërsa në të kundërt një grua lejohet të martohet vetëm me një burrë.

Sipas konceptimit islamik, ambjentet e jetës intime të femrave dhe meshkujve të moshës së aftë për martesë janë përgjithësisht të ndara; Martesa është vendi ku kjo ndarje hiqet në mënyrë të ligjshme. Kurani e sugjeron shumë një martesë të tillë duke thënë se ajo ndihmon për përkryerjen shpirtërore dhe shihet në këtë mënyrë me sy të mirë. Çdo myslimane dhe mysliman që është në gjendje duhet të përpiqet sipas tij ta vërë atë në jetë. Për këtë vlerësohet më shumë monogamia. Poligamia (dy deri në katër gra) për burrat në fakt nuk shihet mirë por veç është e lejuar.

Tunizi dhe në Turqi poligamia është e ndaluar por në Turqi këtij ligji i shmangen me anë të martesave fetare.[4] Shumë vende myslimane e kufizojnë të drejtën e martesës së shumëfishtë duke ndjekur pretendimin e kuranit për trajtimin e barabartë. Psh. në Marok duhet vërtetuar nga ana gjyqsore se një burrë është në gjendje financiare t'i sigurojë çdo gruaje një banesë më vete si dhe të kujdeset për fëmijët e mundshëm.

Gjendja në vendet e ndryshme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Evropë dhe Amerikë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Martesa islamike që celebrohet në vendet evropiane dhe amerikane sipas rregullave të sharia-s nuk ka vlefshmëri ligjore. Vlefshmëri ligjore ka në vendet përkatëse të Evropës dhe Amerikës vetëm martesa sipas të drejtës civile shtetërore.

Kjo gjë vlen edhe për Turqinë ku sharia është hequr si bazë ligjore në kohën e krijimit të Republikës Turke më 1923/24.[5]

Indi e drejta martesore i është nënvendosur përkatësisë fetare kështu që për myslimanët ekziston një kod i veçantë për të drejtën familjare dhe martesore.

Martesa konsiderohet nga e drejta myslimane si kontratë civile. Kadiu i regjistron të dhënat e celebrimit në një nikahnama që i dorëzohet bashkëshortëve të martuar. Në fuqi është Muslim Personal Law (Shariat) Application Act i vitit 1937.

Më 1986 doli për ndarjen ligji Muslim Women (Protection of Rights on Divorce) Act, i cili përcakton edhe temën e mehir-it dhe atë të sigurimit të mjeteve të jetesës.

I njohur u bë rasti i indianes myslimane Shah Bano, e cila më 1985 e paditi në gjyq të shoqin e saj të ndarë për pagesën e mjeteve për jetesë. Gjykata supreme i kishte dhënë të drejtë kërkesës së saj dhe jo duke interpretuar të drejtën islamike por duke iu referuar një ligji anglo-indian, i cili e detyronte burrin të paguajë, në mënyrë që të parandalonte që gruaja të detyrohej të përfundonte në ndihmën sociale të shtetit. Ortodoksia myslimane (kleri konservativ) protestoi kundra këtij vendimi duke ngulur këmbë me mendimin që gjykata kishte futur hundët në rregullat ligjore islamike, të cilat e përcaktonin krejt ndryshe një detyrim financiar të tillë. Ulema argumentonte duke thënë se martesa është një kontratë, me prishjen e të cilës marrin fund edhe të gjitha detyrimet e burrit. Pagesa lejohet sipas tyre të bëhej vetëm për tre muaj pas ndarjes. Qeveria nën kryesinë e Raxhiv Gandi-t lejoi të zbatohej kjo pikëpamje e ulama-s.

Ndërsa pjesë të mëdha të jurisprudencës indiane si dhe juridiksioni i parlamanteve indiane kanë pësuar modifikime (ndryshime) të konsiderueshme si pasojë e ndërhyrjes së anglezëve, e drejta familjare për myslimanët ka mbetur pothuaj e pandryshuar. Përgjegjëse për këtë është qëndresa nga ana e ulama-s myslimane, e cila e sheh sharia-n si shembull për sjelljen ideale islamike dhe nuk i lejon shtetit shekullar (laik, jo-fetar) indian që të reformojë ligjet islamike.

Juridiksioni civil i Arabisë Saudite bazohet në ligjet islamike, sharia-n. Kontrata e martesës duhet nënshkruar nga dëshmitarët dhe ajo përcakton edhe një shumë të caktuar të hollash (mahr) që burri duhet t'i paguajë gruas. Në fillim të viteve 1990 një mahr mesatar arrinte në një shumë prej 25.000 deri 40.000 Riyal (10.000–15.000 Euro). Ndonjëherë ndodhte që bashkëshortët e refuzonin mahr-in duke përdorur një shumë nominale (simbolike) për të përmbushur kushtet e ligjit martesor saudit.

Kjo gjë legjitimohej ligjërisht me anë të këtij vargu të kuranit: sure 4 an-nisa' (gratë), vargu 4:

Dhe jepini grave mehir-in (pagesën e nuses) si dhuratë. Dhe në rast se ato ju a falin një pjesë të tij, atëherë mund ta shfrytëzoni këtë pa frikë për të mirë.

Kontrata e martesës mund të përcaktojë edhe një shumë të caktuar, e cila i duhet paguar gruas në rast ndarjeje, ose të përcaktojë edhe kushte të tjera të caktuara si psh. duke i siguruar gruas të drejtën që ajo të ndahet për rastin kur burri martohet me një grua të dytë ose që në këtë rast gruas i takon e drejta e përkujdesjes së fëmijëve. Në rast ndarejeje e drejta e përkujdesjes i kalon detyrimisht të atit. Vetëm deri në një farë moshe mbesin fëmijët nën kujdestarinë e nënës.

Maroku e ka reformuar të drejtën familjare më 2004. Dhuna në familje është në Marok e dënueshme nga ligji. Mosha e martesës për gratë është ngritur në 18 vjeç. Gratë kanë të drejtën e ndarjes, të drejtën e përkujdesjes për fëmijët dhe atë të për mjetet e jetesës.[6]

  • Christine Schirrmacher, Ursula Spuler-Stegemann: Frauen und die Scharia – Die Menschenrechte im Islam. (Gruaja dhe sharia. Të drejtat e njeriut në fenë islame) Hugendubel Verlag, München 2004, ISBN 3-7205-2527-9.
  1. ^ Rita Breuer: Familienleben im Islam. Traditionen, Konflikte, Vorurteile. Freiburg, Basel, Wien 2008. F. 20. Shih thëniet përkatëse të profetit në përmbledhjen e hadith-it Bucharis Arkivuar 10 maj 2010 tek Wayback Machine, të Muslim ibn al-HadschadschArkivuar 21 gusht 2011 tek Wayback Machine, të Abu DawudArkivuar 21 gusht 2011 tek Wayback Machine dhe të Malik ibn AnasArkivuar 4 gusht 2011 tek Wayback Machine
  2. ^ Dawoud El Alami: Islamic Marriage and Divorce Laws in the Arab World. London 1996
  3. ^ The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. Vëll. VIII, f. 27b ("Nikāḥ"): "The wali can only give the bride in marriage with her consent, but in the case of a virgin, silent consent is sufficient. The father or the grandfather, however, has the right to marry his daughter or granddaughter against her will, as long as she is a virgin (he is therefore called wali mudjbir, wali with power to coercion)); the exercise of this power is, however, very strictly regulated in the interests of the bride." Shih edhe Eduard Sachau: Muhammedanisches Recht nach schafiitischer Lehre (E drejta muhamedane sipas teorive shafiite). Stuttgart, 1897. f. 7
  4. ^ Poligamia në fenë islame
  5. ^ Igfm
  6. ^ Zeit: majestät wünschen Emanzipation (Marok: madhëria dëshiron emancipim)