Jump to content

Sali Njazi Dede

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Nijazi Dedeja)
Sali Nijazi Dede

Sali Njazi Dede (Starje, 1876 - Tiranë, 28 nëntor 1941) ka qenë kryegjysh (dedebaba) i Bektashizmit.

Lindi në Starje të Kolonjës më 1876, i biri i Dervish Cufes. Në moshë të re, me familjen e tij, emigroi në Turqi ku përfundoi studimet në gjimnaz.

Në moshën 20 vjeçare, filloi studimet fetare në teqenë e Haxhi Bektash Veliut, duke u njohur me mësimet bazë të parimeve teologjike kuranore dhe në veçanti me doktrinën bektashiane. Në vitin 1897 u pranua myhib dhe u vesh dervish prej Kryegjyshit Haxhi Fejzi Dedej dhe më 1899 u bë myxhyret.

Më 1916 ndërron jetë Haxhi Fejzi Dedei dhe në vend të tij Këshilli Gjyshnor i Kryegjyshatës, emëron në postin më të lartë të Pireut, Sali Njazi Dedein, i cili e kreu si detyrë deri më 1925, kur Mustafa Qemal Ataturku me ligj ndaloi dhe mbylli teqet bektashanie në Turqi.

Tyrbe afer Ahmet Myftar Dede

Kongresi III bektashian, në vitin 1929 do të merrte vendim që qendra e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane (Dedebaballëku) të vendosej në Shqipëri, e cila u bë në marrëveshje të dy qeverive të vendeve përkatëse dhe Kryegjysh të vazhdonte të ishte Sali Njazi Dedei. Bashkëpunoi me qeverinë e asaj kohe për ligjin mbi fenë. I dha dimension të ri bektashizmit në Shqipëri dhe marrëdhëniet e bashkëpunimin me teqetë në rajon dhe në botë. Ishte krijues i talentuar me mjaft shkrime.

28 nëntor të vitit 1941, Sali Njazi Dedein i hynë në shtëpi për ta vjedhur, dhe e qëlluan për vdekje bashkë me dervishin Aziz Levanin. Mëngjesin e ditës kur ndodhi ngjarja, kishte terhequr nga banka një shumë të hollash për meremetimin e teqesë. Vite më vonë me pohimin e një familjari të njërit prej dy grabitësve, grabitësit kishin qenë Shemsi Totozani dhe Bilbil Klosi - vrasjen e kreu Totozani[1].

Një figurë e lartë e bektashizmit në Shqipëri dhe në botë. Albapost, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emërtuar në emisionin e pullave Sali Njazi Dedein.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Kaso T., Ja kush e vrau Kryegjyshin Bektashian Sali Njazi Dede, Almanak nr. 1, Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, 2011. fq. 185-191.