Jump to content

Plazhi i Pogradecit

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Plazhi i Pogradecit
Plazhi i Pogradecit

Plazhi e Pogradecit është një plazh i cili ndodhet pranë qytetit të Pogradecit, në brigjet e Liqenit të Ohrit dhe si i tillë është plazhi më i madh liqenor në Shqipëri. [1]

Plazhi i Pogradecit ka një gjatësi prej 8 km, duke filluar nga moli i qytetit e deri në skajin lindor të Tushemishtit. Në realitet, Plazhi i Pogradecit është i ndarë në dy pjesë:

  1. Plazhi i qytetit i cili shtrihet përgjatë shetitores "1 Maji" që përbëhet nga rëra e imët deri mesatare, si dhe nga
  2. Plazhi i Tushemishtit dhe Drilonit i cili ka rërë më të trashë.

Në Plazhin e Pogradecit ka plazhe private dhe publike shumë të përshtatshme për turizmin familjar, ditor dhe malor. Në afërsi ndodhet edhe Parku i Drilonit me një bimësi të harlisur dhe burime karakteristike të cilat derdhen në liqe. Në përgjithësi zona është e frekuentuar nga pushues vendas dhe të huaj. [1] [2]

Formimi i Plazhit të Pogradecit lidhet me zvogëlimin e pasqyrës së liqenit (nga fundosja tektonike), që solli zbulimin e depozitimeve ranore të sjella nga përroi që kalon nëpër Pogradec, dhe përrenj të tjerë që derdhen në liqen.

Në plazhin e Pogradecit është ngritur një infrastrukturë e mirë turistike, që u shtua dhe u modernizua në vitet e fundit. Ajo përbëhet nga hotele komode, vila, restorante, bare, lokale nate, disko, lulishtet etj. Plazhi i Pogradecit është shumë i frekuentuar nga pushues vendas dhe të huaj. Është zhvilluar sidomos turizmi familjar, jo vetëm në qytet, por edhe në disa fshatra përreth (Tushemisht, Buçimas etj.), si dhe turizmi ditor nga Korça e qendra të tjera të banuara. Veç banjave të ujit dhe rërës, turistët kanë mundësi të vizitojnë edhe Drilonin me burimet e famshme që derdhen në liqen dhe mjediset e tjera të mrekullueshme nën një bimësi të harlisur. Kuzhina vendëse është tërheqëse me gatimet me koranin e belushkën, të njohura edhe jashtë Shqipërisë për shijen e tyre të veçantë.[1]

  1. ^ a b c Lafe, Emil, red. (2009). "Fjalor enciklopedik shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 3. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 2054–2055. ISBN 9789995610326. OCLC 426069353.
  2. ^ Analiza dhe vlerësimi i territorit - Pogradec Arkivuar 7 korrik 2020 tek Wayback Machine. Bashkia e Pogradecit, 7 korrik 2020

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Plazhi i Pogradecit.