Jump to content

Portal:Filozofi/A e dini se

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Individualizmi është një qëndrim moral dhe filozofik që bazohet mbi idenë se individët duhet të jenë të lirë të përcaktojnë qëllimet e veta dhe brenda kufijëve, të veprojnë për t'i arritur këto qëlime, pa u shtrënguar që të sillen sipas dëshirës së individëve të tjerë apo sipas të supozuarës "e mirë e përbashkët".

Ky qëndrim filozofik bazohet mbi faktin që meqënëse vlerat e individëve ndryshojnë nga njëri tek tjetri, dhe meqënëse individi nuk mund veçse të kuptojë një pjesë fare të vogël të dëshirave të "shoqërisë" apo të individëve të tjerë, të gjeturit a priori e një shkalle vlerash apo qëllimesh sipas të cilave duhet të sillet shoqëria apo kolektivi është e pamundur. Kështu tërësia e qëllimeve të imponuara arbitrarisht ndaj një kolektivi në vend që të jetë një reflektim i drejtëpërdrejtë i dëshirave të të gjithëve - çka është e pamundur meqë ekzistojnë diferenca mes individëve - është në të vërtet një seleksionim artificial i disa synimeve nga njerëz që janë në pozita të ushtrojnë influencë, fuqi apo forcë.

Filozofi dhe ekonomisti Friedrich Hayek thotë se thelpi i individualizmit është "njohja e individit si gjykatësi i fundit i qëllimeve të veta, besimi se për sa është e mundur mendimet e atij duhet të qeverisin veprimet e atij vet."


Kolektivizmi është një qëndrim filozofik dhe doktrinë politike që thotë se entitetet si shteti, shoqëria apo kombi kanë një ekzistencë autonome përtej individëve që bëjnë pjesë në to. Disa forma ekstreme kolektivizmi shkojë deri në pikën e të mohuarit të ekzistencës së autonomisë së individëve përtej kolektivit. Një tjetër karakteristikë e kolektivizmit është edhe bindja se interesi i (pretenduar) i kolektivit duhet të ketë përparësi ndaj interesit të individëve. Kolektivizmi është një karakteristikë themelore e ideologjive si komunizmi, socializmi dhe fashizmi të cilat mund të shihen si antiteza e pozitës filozofike të individualizmit.