Revolta e Qafë Barit
Burgu i Qafë Barit | |
---|---|
Koordinatat: 42°01′45″N 20°08′02″E / 42.02917°N 20.13389°E |
Revolta e Qafë Barit ishte një revoltë kundër regjimit komunist në Shqipëri, e cila ndodhi më 22 Maj 1984, në burgun e Qafë Barit, ku ndodheshin rreth 500 të burgosur politikë.[1]
Dhuna, trajtimet çnjerëzore, orët e tejzgjatura të punës së detyruar, mungesa e ushqimit dhe torturat psikologjike dhe fizike sollën revoltën e të burgosurve politikë. Por revolta nuk synonte vetëm zgjidhjen e kushteve të jetesës në burg, ajo ishte një qëndresë kundër regjimit, pasi të burgosurit morën kontrollin e plotë të burgut dhe bënë thirrjet e tyre për një Shqipëri të lirë e demokratike. Regjimi nuk kishte ndërmënd të negocionte me ta dhe kjo solli edhe shtypjen me dhunë të revoltës.[2]
Historiku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në burgun e Qafë Barit ndodheshin rreth 500 të burgosur politikë, të dënuar me mbi 25 vite burg. Si pasojë e kushteve të këqija dhe dhunës së ushtruar, të dënuarit shpërthyen në revolta më 22 maj 1984.
24 të burgosur politikë në burgun komunist, u ngritën në një protestë të pazakontë dhe luftuan me gardianët kundër barbarisë së tyre. Ata u ngritën në revoltë duke përsëritur atë që kishte ndodhur më shumë se një dekadë më parë në burgun e Spaçit, në të njëjtën datë, në të njëjtin muaj, ku shpërthyen kërkesa të ngjashme për liri.[1][3]
Revolta nisi në formë rezistence kundër punës së detyruar, mbëngjesin e 22 majit. Në orën 7.30, të dënuarit Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla u kthyen në fjetinë pa realizuar normën e punës, ndërkohë që të dënuarit Sokol Sokoli dhe Sokol Progri porositën të dënuarit e tjerë të mos shkonin në punë.
Policën u përpoqën të marrin situatën në kontroll. Një togë e përbërë prej 6 policësh me në krye komandantin e togës Edmond Caja, urdhëruan reshtimin e të dënuarve në mencë, ku do bëhej apeli dhe ato që refuzonin të ktheheshin në punë, do dërgoheshin në birucë. Rreth 20-24 të dënuar duke pasur në duar materiale të marra nga një godinë që po ndërtohej, qëndruan te sheshi mbi fjetore duke përbërë një skuadër përballë forcave të regjimit.[3]
Më tej në kor, nga brenda rrethimit erdhi thirrja: Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë diktatori! I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake të ardhura nga Tirana.[1]
Në oborr filloi përleshja me policinë. Situata doli jashtë kontrollit të policisë dhe të dënuarit morën në dorë situatën për disa orë. Ata i vunë përpara policët që morën rrugën për të dalë jashtë kampit për të shpëtuar lëkurën.[4] Vetëm kur dëgjuan krismat e plumbave të pushkëve, kryengritësit nisën tërheqjen nga kërkesat e tyre.
Pjesëmarrja e civilëve në shtypjen e protestës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas burimeve të shumta dhe kujtimeve të ish-të dënuarve, gjatë kryengritjes u njoftua jo vetëm Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, por u kërkuan dhe përforcime nga Tirana.
Nga kujtimet e Bedri Blloshmit, ish i burgosur, rezulton se banorët e Barit dhe civilë nga fshatrat përreth, ishin nga të parët që ndërhynë dhe i erdhën në ndihmë Policisë për shtypjen e revoltës. Sipas kujtimeve të Blloshmit:" ...mbërritën një numër i madh civilësh të armatosur, policë dhe çeta vullnetare, gra të veshura me uniformë ushtarake që zunë pozicionet rrëzë pishave përballë kampit. Në kthesën e xhadesë përpara kampit u dukën tufa-tufa ushtarët me armë në dorë të cilët u përzien me civilët e armatosur buzë përroit, shumë afër kampit.".
Brenda në kamp kishte më shumë civilë se policë të cilët filluan të rrihnin të dënuarit. Policët e civilët filluan të na rrihnin. Qëllonin me shkelma e grushte se drunjtë ishin bërë të gjithë me gjak.[4]
Dënimi i kryengritësve
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Shkrimtari Visar Zhiti, vetë i dënuar që vuajti në burgun e Qafë Barit, përshkruan pasojat e revoltës, e cila u mori jetën disa të burgosurve. Autoritetet e burgut, nisën me dënimet dhe mizoritë menjëherë pas shtypjes së revoltës. Disa prej të burgosurve u morën që atë natë nga qelitë, dhe u ekzekutuan pa urdhër gjykate.[3]
Organizuesit e revoltës u dënuan me pushkatim, midis tyre Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja. Në procesverbalin e pushkatimit, shënohen dhe fjalët e fundit të Sokolit dhe Ndojës. Fjalët e fundit të Sokolit ishin: “Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vetë. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt”, ndërsa të Tomë Ndojës: “Të rrojë drejtësia!”.[3]
Të dënuarit u lidhën me duar prapa e me zinxhirë në duar e këmbë. Në gojë iu vendosën lecka për t’i ndaluar të bërtiturat. Të lidhur ngado e me gojë të mbyllur, të dënuarit janë çuar drejt gropës së antenave në formën më të poshtër të mundshme. Ekzekutimi u krye nga nënoficerët Myftar Rama dhe Petrit Gjini. Ndryshe nga rastet e tjera, ata u ekzekutuan në gjoks e jo në kokë. [5]
Një tjetër fakt tronditës është urdhri i Hekuran Isait, që vendosi që sytë e dy të dënuarve me pushkatim, t’i jepeshin Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore. [6]
Pjesëmarrësit në Revoltë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Disa nga të burgosurit që organizuan dhe morën pjesë në revoltë, si dhe dënimet e tyre:[5]
- Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim
- Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim
- Sokol Progri, me 25 vjet burg
- Vllasi Koçi, me 25 vjet burg
- Martin Leka me 16 vjet burg
- Haxhi Baçinozi, me 21 vjet burg
- Bajram Vuthi, me 15 vjet burg
- Ndue Pisha, me 25 vjet burg
- Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg
- Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg
- Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg
- Hysen Tabaku, me 11 vjet burg
Përkujtimi i Revoltës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Eshtrat e Sokol Sokolit dhe Tomë Ndojas u gjetën në vitin 2011, në kohën kur u inventarizua skema e varrimit, ndër të rrallat e trashëguara në arkivat e kohës. Pas shumë kërkimesh nga familjarët, trupat e tyre u gjetën të groposura në mjediset e ish antenave të Radio Shkodrës, rreth 4 kilometra nga qyteti, që dyshohet se është një nga vendekzekutimet e shumta, ku fshiheshin gjurmët e krimeve të komunizmit.[7]
Pas gjetjes së eshtrave në vitin 2011, Presidenti i atëhershëm i Republikës Bamir Topi, dekoroi pas vdekjes Sokol Sokolin dhe Tomë Ndojan me Medaljen e Artë të Shqiponjës si Martirë të Demokracisë.[8] Familjarë të viktimave dhe ish-të burgosur Qafë Brarit përkujtojnë çdo vit revoltën.
Padia për krime kundër njerëzimit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në vitin 2019, Instituti për Studimin e Krimeve të Komunizmit dhe kryetari i kohës Agron Tufa, depozituan një padi kundër Edmond Cajës, ish-shef i Policisë së Burgut. Kjo padi, u depozitua në përvjetorin e pushkatimit të dy martirëve të demokracisë Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli.
Edhe pse pa rezultat konkret, padia shënon një nga rastet e pakta të depozitimit në gjykatë të një padie për “krim kundër njerëzimit” për krime të ndodhura gjatë komunizmit. Padia përmbante dëshmi të të mbijetuarve, kundër një ish-bashkëpunëtori të regjimit. [9]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b c "22 maj 1984, revolta e Qafë Barit". Albanian Post. 2021-05-22. Arkivuar nga origjinali më 9 shtator 2022. Marrë më 2022-09-09.
- ^ "Revolta e Qafë Barit – Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit". Arkivuar nga origjinali më 9 shtator 2022. Marrë më 2022-09-09.
- ^ a b c d Progni, Luli (2021-05-24). "Revolta e Qafë-Barit/ 24 djem trima që tronditën diktaturën komuniste në maj të vitit 1984". kujto.al | Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri. Arkivuar nga origjinali më 9 shtator 2022. Marrë më 2022-09-09.
- ^ a b "Revolta e Qafë Barit, Blloshmi: Masakra ndodhi para syve të mi". www.balkanweb.com. Arkivuar nga origjinali më 9 shtator 2022. Marrë më 2022-09-09.
- ^ a b Progni, Luli (2021-06-09). "1984/Ekzekutimi barbar i Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, të lidhur me zinxhirë dhe me gojën mbyllur me lecka". kujto.al | Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri. Arkivuar nga origjinali më 9 shtator 2022. Marrë më 2022-09-09.
- ^ "Revolta e Spaçit, Visar Zhiti:"Hekuran Isai urdhëroi që sytë…". www.balkanweb.com. Arkivuar nga origjinali më 12 shtator 2022. Marrë më 2022-09-12.
- ^ "Përkujtohet revolta e ish-burgut të Qafë Barit". VOA. Arkivuar nga origjinali më 9 shtator 2022. Marrë më 2022-09-09.
- ^ "Topi dekoron dy martirë të demokracisë". top-channel.tv (në anglishte amerikane). Arkivuar nga origjinali më 9 shtator 2022. Marrë më 2022-09-09.
- ^ "Ish komandanti i kamp-burgut të Qafë Barit hidhet në gjyq për 'krime kundër njerëzimit' - Shqiptarja". shqiptarja.com. Arkivuar nga origjinali më 12 shtator 2022. Marrë më 2022-09-12.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)