Shko te përmbajtja

Sali Njazi Dede

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Ridrejtuar nga Sali Njazi)
Sali Nijazi Dede

Sali Njazi Dede Baba (Starje, 1876 - Tiranë, 28 nëntor 1941) ka qenë kryegjysh (dedebaba) i Bektashizmit.

U lind në Starje të Kolonjës më 1876, i biri i Dervish Cufes, por u rrit në Stamboll ku familja e tij qe zhvendosur në vogëli të tij për një jetesë më të mirë.[1]

Arsimimin bektashi e mori në shtëpinë e mjeshtrit (turqisht: pir evi, eufemizëm për teqenë e Haxhi Bektash Veliut) in Hacıbektaşköy në Anadollin Qendror. Më 1897 u bë myhib i Fejzi Dedejt nga Maricaj, më 1899 u bë myxhyret dhe më 1908 u bë babà. Më tej u dërgua në Shqipëri që të zgjidhte një konflikt mes dedesë dhe familjes Çelebiu, si dhe të mblidhte fonde.

Me t'u kthyer edhe njëherë në teqenë e Haxhi Bektash Veliut në Anadoll, iu dha dora për t'u bërë dedè. Me kalimin në ahiret të Haxhi Fejzi Dedejt më 1916, u emërua dede baba (kryegjysh). Si i tillë dhe si prijës shpirtëror i pir evi-së gëzoi mjaft autoritet dhe nam në bashkësitë bektashie në Shqipëri, Anadoll, Irak dhe Egjipt. Më 1925 tarikati bektashi u ndalua në Turqinë e udhëhequr nga Mustafa Qemal Ataturku dhe teqetë iu mbyllën që të gjitha, me ligj.[1]

Tyrbe afer Ahmet Myftar Dede

Kongresi i 3-të i bektashinjve që u mbajt në teqenë e Turanit më 1929, drejtuar nga Baba Zylfua i Melçanit, bektashinjtë vendosën që kryegjyshatën (Dedebaballëku) ta vendosnin në Tiranë, Shqipëri. Meqë asnjë nga baballarët e Shqipërisë Jugore nuk qenë të gatshëm të linin teqetë e tyre për t'u zhvendosur në Tiranë, vendosën të thërrisnin nga Turqia Sali Njazi Dedebabanë për të qenë kryetar i bektashinjve. Salih Njaziu mbërriti në Shqipëri nga fundi i 1929, duke zbarkuar në Sarandë, qëndroi cazë me Baba Selim Ruhiun dhe më pas u vendos në teqenë e Melçanit, e cila qe edhe e para seli qendrore faktike e bektashinjve në Shqipëri.[1]

Megjithëse figurë shumë e shquar në Turqi, Sali Njaziu i dha shumë shtysa jetës fetare të bektashinjve në Shqipëri. Ai prezantoi shartet e rëndësishme fetare që kryheshin nëpër teqetë e zëshme të Haxhibektashkëjit, Dimetokës, Qerbelasë dhe më pas në Merdivenkëjit në Stamboll. Sharte në të cilat dervishët theksonin zotimin e tyre të beqarisë, por nuk u shoqëruan nga shumësia e besimtarëve meqë ishte më i shtrënguar se me ç'ishin mësuar dervishët shqiptarë.[1]

Selia e re e bektashinjve u përfundua më 1941 në rrethinat e Tiranës nën prijësinë e tij, gjatë pushtimit italian.[1]

28 nëntor 1941 Sali Njazi Dedebabai dhe dervish Aziz Levani ranë pre e një komploti dhe thuhet se u vranë nga qarqet fashiste. Detajet e vrasjes së tyre nuk u zbardhën kurrë. Pandehet se u vranë dhe teqeja e tyre u plaçkit si pjesë e një fushate terrori dhe shtypjeje nga pushtuesit italianë që synonte të vinte përposhtë Lëvizjen Çlirimtare.[1] Burimet italiane pandehnin se qe vrarë nga plaçkitës të rëndomtë.[1]

Sipas dëshmisë personale të Tanush Kasos, mëngjesin e ditës kur ndodhi ngjarja, kishte terhequr nga banka një shumë të hollash për meremetimin e teqesë. Vite më vonë me pohimin e një familjari të njërit prej dy grabitësve, grabitësit kishin qenë Shemsi Totozani dhe Bilbil Klosi - vrasjen e kreu Totozani.[2]

Një figurë e lartë e bektashizmit në Shqipëri dhe në botë. Albapost, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emërtuar në emisionin e pullave Sali Njazi Dedein.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. 1 2 3 4 5 6 7 Elsie, Robert (2019). The Albanian Bektashi:History and Culture of a Dervish Order in the Balkans (në anglisht) (bot. 1st). London: I.B. Tauris. fq. 307–308. ISBN 9780755636464.
  2. Kaso, Tanush (2011), Ja kush e vrau Kryegjyshin Bektashian Sali Njazi Dede, Almanak nr. 1, Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. fq. 185-191.