Sherif Voca
Sherif Voca (1896-1941) ishte një veprimtar i Shalës së Bajgorës, kryetar komune dhe deputet. [1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sherif Voca lindi në Melenice, afër Trepçës. Më 1912, bashkë me të atin, mori pjesë në Kuvendin e Kurilloves, ku u lidh besa midis Shalës dhe Llapit për organizimin e luftës kundër osmanëve. Kundërshtoi pushtimin serb të Kosovës më 1912. Gjatë sundimit austro-hungarez (1916 1918) u angazhua për hapjen e shkollave në Mitrovicë dhe rrethinë dhe organizimin e pushtetit lokal. Pas ripushtimit të Kosovës dhe themelimit të Mbretërisë Serbe-Kroate Sllovene, në zgjedhjet e vitit 1922 u zgjodh kryetar komune në Bare. Postin e mbajti për 12 vjet. Në zgjedhjet e vitit 1935 u zgjodh në mesin e tetë deputetëve shqiptarë në Parlamentin Jugosllav. Është i njohur fjalimi i tij në Parlamentin e Jugosllavisë në Beograd (1937), ku dënoi marrëveshjen jugosllavo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Për shkak të kërcënimeve, u detyrua të ikte në Shqipëri, më pas në Egjipt, Greqi etj. Më 1940 u kthye në Mitrovicë. Iu kundërvu vrasjeve të ushtarëve shqiptarë në garnizonin e Mitrovicës dhe të civilëve nga oficerët e ushtrisë serbe. Më 14 prill 1941 u vra nga ushtarët serbë, derisa po përpiqej të kalonte në Shalë, për të organizuar bashkëvendësit për mbrojtje nga ushtria serbe.[1]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1749. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.