Shupenzë
41°34′30″N 20°22′16″E / 41.5751°N 20.3710°E
![]() | Ky artikull ka probleme të shumta. Ju lutemi të ndihmoni ta përmirësojmë ose diskutoni këto probleme në faqen e diskutimit. (Mësoni si dhe kur ta hiqni këtë shabllon mesazhi)
|
Shupenza | |
---|---|
![]() |

Shupenza është një fshat në komunën Shupenzë në rrethin e Bulqizës të Shqipërisë.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Komuna Shupenzë përfshin fshatrat e Grykës së Vogël: Kovashicë, Zogje, Stushaj, Bllacë, Gjuras, Mazhicë, Topojan, Okshatinë, Homesh, Boçevë, Vlashe, Shupenzë. Një ndër fshatrat më të vjetër të Grykës së Vogël është fshati Stushaj.
Fshati Stushaj
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gjendet në koordinata gjeografike 41°35”23’N e 20°23”17’E në lartësinë 761 m. mbi nivelin e detit. Shtrihet në rrëzën lindore të Kodrës së Kërcunave në Malin e Majës së Madhe dhe kufizohet në veri me Mazhicën në Qafë – Stushaj, në Përrua të Kolece dhe në Malin e Dejthit; në lindje me Topojanin në Sharrë të Bardhë; në jug – lindje me Kovashicën në Sinica dhe Shullan të Madh; në jug – perëndim me Zogjet në Lugun e Kec Jakimit; në veri – perëndim me Gjurasin në Lugun e Ali Gjinit.
Vendbanimi mendohet të jetë themeluar të paktën në fund të shek. XIII – fillimi i shek. XIV, nga kolonë sllavë dhe vllehë të ardhur pas pushtimit të Dibrës nga forcat luftarake serbe të kral Stefan Uroshi II Milutin. Vendbanimi përmendet me emrin Suçani më 1467, Suşani më 1520, Suşani më 1550, Soşani më 1583, duke na dhënë prejardhjen (etimologjinë) e tij nga sllavishtja e vjetër “суша”: vend i thatë. Nga shek. XVIII e në vijim, emri i fshatit ndryshoi në Stoshani (Стошани), Stushani (Стушан), Shtushan dhe Stushanj (Стушај), duke bërë që studiues të huaj t’i jepnin emrit të këtij vendbanimi një etimologji të ndryshme (nga пастуша: kullotë).
Në shek. XV, fshati vijonte që të banohej nga popullsi të etnive sllave dhe vllehe. Më 1467, fshati (Suçani) përfshihej në rrethin luftarak (vilayet) të Dibrës së Sipërme dhe kishte 9 familje me kryefamiljarë të krishterë Miho Gavala, Dhimitri Dobrisha, Petko Trëndafili, i vëllai Radçe, Gjonçe i Trëndafilit, i vëllai i tij Dhimitri, Petko i Desimirit, Stefani i Dhimitrit, Stançe Shunduloviç, Petko Striçeviç, etj.. Në kishat e fshatit shërbenin pop Stanisha dhe pop Nikolla. Me ndryshimet në organizimin administrativ të 1520, fshati Stushaj (Suşani) ishte pjesë e bashkësisë administrative të Dibrës së Sipërme (Yukarı Debri nahiyesi) në rrethin e Dibrës.
Më 1550, fshati Stushaj (Suşani kariyesi) vijonte në bashkësinë administrative të Dibrës së Sipërme (Yukarı Debri nahiyesi) në rrethin e Dibrës.
Më 1583, fshati Stushaj (Soşani kariyesi) përfshihej në bashkësinë administrative të Dibrës së Sipërme dhe kishte 65 kryefamiljarë nga fiset Dhimitri, Jovani, Gjura, Nina, Stojku, Veshi, Proja, Stojani, Peja, Petro, Mlladeni, Rada, Vançi, etj.. Në kishat e fshatit shërbenin pop Jorgo, pop Bojku, pop Jovku, pop Trvo, pop Jorgo dhe pop Mitre.
Në shek. XVII – XVIII, në fshat u vendosën familje të fiseve Lugja, Maca, Domi, Derri, Zogu, Lepri, Pula, Xhili, Xixa, Gjini, Doda, Buka, Tola, Shkjezi, etj.. Tradita vendase përmende si fiset të moçëm që banojnë ende në fshat:
Në vitet ’80 të shek. XIX, fshati Stushaj kishte 20 shtëpi, që të gjitha të islamizuara.
Fshati banohej nga fiset Lazri, Duka, Koleci në Mëhallë të Sipërme dhe nga fiset Jakimi, Dumani dhe Kozi në Mëhallë të Poshtme.
Kuvendi i Mëhallës së Poshtme mbahej në Troje, tek Mani i Hysni Dumanit, kurse kuvendi i katundit mbahej në xhami. Në fshat ka patur disa kisha si Kisha në Lamën e Sulë Dumanit, Kisha e Tanasije mbi Shtëpitë e Jakime, Kisha Ke Xhamija (nekropol), Kisha e Shna’ Premte në Sharrë të Bardhë, Kisha në Malin e Kishës.
Mikrotoponime të fshatit janë: Ara e Dumane, Ara e Has’ (Dumani), Ara e Epër, Ara e Derrit, Ara e Zogut, Ara ke Xhamia, Arnit’ e Shkrepit, Arnit’ e Lugje, Frulliza, Birat e Dervish Tolës, Çemera, Fusha e Gjurit të Zi, Gjuri i Zi, Gjuri Gjatë, Gjuri i Leprit, Grepi, Hurdh’ Doda, Hurdha e Madhe, Kroi i Bukës, Kroi i Shkjeze, Kodrat, Kroi i Arës Dumane, Kroi i Lugje, Lëmoçe, Livadhet e Tole, Kodra e Kërcunave, Lugji i Ali Gjinit, Lugj’ Xhile, Lama e Kolecit, Lama e Sulës (Dumani), Lugu i Xhenemit (Prat), Pru’ Thanasi, Prroi i Xixe, Qafë Mollë, Qafë Stushaj, Rrafsha e Majse, Rrahi’ Dinit (Dumani), Rrahi’ Duke, Rrahene, Sheshet e Lazre, Sheshet e Koze, Sheshet e Dome, Sharrat e Shullanit, Sharra e Bardhë, Shalas, Shullan’ i Macës, Shullan’ i Kolece, Vnesht’ e Lazre, Vneshta e Aliut (Dumani), Zabel’ i Lazre, Zabel’ i Dumane, Mani i Hysniut (Dumani), Pjepi i Manes (Dumani), Trent, Vrazhda, Vatha e Bijve, Currili, Xhonica, Sinica, Vakufi, Ke Xhamia, Kisha ke Xhamia, Shn’a Premte, Kisha ke Lama e Sulës (Dumani), etj..
Prejardhja e fiseve
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Fshati Stushaj banohet nga fiset Jakimi, Lazri, Koleci, Duka, Kozi dhe Dumani.
Fisi Jakimi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Tradita e përmend si fisin më të hershëm që banon në fshat. Prejardhja e tij shpjegohet nga rrethinat e Shkodrës. Në shek. XVI, pop Jakimi i shërbente manastirit të Theotokut në fshatin Okshatinë. Gjatë shek. XVI, disa familje të këtij fisi u vendosën në fshatin Stushaj dhe familjet e tjera u vendosën në qytetin e Dibrës. Pop Jakimi organizoi edhe qëndresë të armatosur ndaj administratës osmane dhe përhapjes së besimit Islam, por më në fund u thye dhe pranoi Islamin. Më 1583, në fshatin Stushaj përmendet banori i sapoislamizuar Hasan Abdullah. Më 1844, u shqua Mustafa Jakimi, i cili udhëhoqi burrat e fshatit Stushaj në luftimet e zhvilluara kundër forcave ushtarake osmane të Hajredin pashës në Gjoricë. Në gjysmën e dytë të shek. XIX u shqua Dalip Mustafa Jakimi. Në fund të shek. XIX, familje të këtij fisi u vendosën në fshatrat Boçevë, Homesh dhe Gjoricë e Sipërme të Grykës së Vogël në rrethin e Dibrës së Sipërme.
Fisi Lazri
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]E shpjegon prejardhjen nga fshati Malaj i bashkësisë administrative të Urakës në rrethin e Mates. Të parët e këtij fisi vendosën fillimisht në fshatrat e Katër Grykëve në rrethin e Mates. Më 1583, në fshatin Murrë përmenden banorët e krishterë Martin Lazari, Gjon Lazari, Kolë Lazari dhe Stefan Lazari. Gjatë shek. XVI, familje të këtij fisi u vendosën edhe në fshatin Luzni të bashkësisë administrative të Dibrës së Poshtme. Më 1583, në lagjen Bllacë përmendet kryefamiljari Gjon Lazari dhe në lagjen Mazhicë përmenden banorët Hasan Lazari dhe Mehmed Lazari. Në kujtimi të vendorigjinës së tyre, pasardhësit e fisit Lazri themeluan lagjen “Qafë Mollë” (vend mes fshatrave Mazhicë dhe Stushaj). Në shek. XVII, ky fis u vendos në fshatin Stushaj duke u mbështetur “vlla trojesh” me fisin Jakimi. Gjatë viteve ‘18 – ‘20 të shek. XX, krej’ plak i fshatit përmendet Shaban Osman Lazri. Në vitet ’30 të shek. XX, ky fis u shpërngul përgjithmonë nga fshati Stushaj duke u vendosur në fshatrat Bllatë e Sipërme dhe Kurtbeg të Fushës së Shehrit.
Fisi Koleci
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]E shpjegon prejardhjen nga fshati Zajs i Kurbneshit në bashkësinë administrative të Urakës në rrethin e Mates. I pari i këtij fisi rrjedh nga trungu fisnor i Kolë Lecit në fshatin Kurbnesh. Të parët e tyre u vendosën fillimisht (në shek. XVI) në lagjen Mazhicë të fshatit Luzni në bashkësinë administrative të Dibrës së Poshtme. Më 1583, në fshatin Mazhicë përmendet banori i krishterë Lukë Leci. Shtëpitë e para i ngritën në vendin “Ara e Kolece”, pranë “Përroit të Kolece”. Në shek. XVII, familjet e këtij fisi u vendosën në fshatin Stushaj duke u mbështetur “vlla trojesh” me fisin Lazri. Këtij trungu fisnor iu mbështet edhe një familje e fisit Keci, e cila mori llagapin “Koleci”. Më 1839, Liman Koleci përmendet krej’ plak i fshatit Stushaj. Në fund të shek. XIX – fillimi i shek. XX, familje të këtij fisi u vendosën në fshatrat Gjoricë të Grykës së Vogël, Sebisht të Gollobordës dhe Sollokiç të Fushës së Shehrit.
Fisi Kozi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]E shpjegon prejardhjen e tij nga rrethinat e qytetit të Dibrës. Gojëdhëna shpjegon se i pari i tyre u largua nga vendlindja për gjakmarrje. U vendos fillimisht në fshatin Luzni të bashkësisë administrative të Dibrës së Poshtme. Më 1583, në lagjen Kosara të fshatit Luzni përmenden banorët Doç Kozma dhe Gjon Kozma. Në kuvendin e mbajtur më 1602 në manastirin e Shën Aleksandrit në qarkun e Dukagjinit, ndër përfaqësuesit e Dibrës ishte edhe një anëtar i fisit Kozi (prift Lazër Kozi) bashkë me prijësit Jozef Kastrioti, Martin Maneshi dhe Gjon Çidhna. Gjatë shek. XVII, familjet e fisit Kozi u shpërngulën nga lagja Kosara e fshatit Luzni duke u vendosur pjesërisht në fshatint Kishavec të bashkësisë administrative të Dibrës së Poshtme dhe Stushaj të bashkësisë administrative të Dibrës së Sipërme. Në Stushaj u mbështetën “vlla trojesh” me fisin Jakimi. Më 1913, krej’ plak i katundit përmendet Bajram Rexhë Kozi.
Fisi Duka
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]E shpjegon prejardhjen e tij nga fshati Gur i Lurës në bashkësisë administrative të Dibrës së Poshtme. Të parët e këtij fisi u vendosën në Grykë të Vogël në fillim të shek. XVI, ku themeluan vendbanimin Gjuras. Sipas gojëdhënës, të parët e tyre ishin Stup Veshi dhe Xhurë Veshi në fshatin Gjuras. Vendosja e familjeve të fisit Veshi në fshatin Stushaj mendohet të ketë ndodhur gjatë shek. XVI. Më 1583 në fshatin Stushaj përmenden kryefamiljarët Gjuro Veshi dhe i biri Boshku. Nga ky trung fisnor rrodhi vllaznia Duka, të cilët i ndërtuan shtëpitë e para në vendin “Rrahet e Duke”. Më 1805, në fshatin Spas të Fushës së Shehrit u vendos Zenel Duka, si bujk në çifligun e Dalip bej Hoxhollit. Në gjysmën e dytë të shek. XIX, edhe Ramë Hidër Duka me vëllezërit e tij u vendosën në fshatin Spas të bashkësisë administrative të Dibrës së Sipërme. Ramë Hidër Duka me çetën e tij sulmonte fshatrat e banuar nga popullsia e krishterë ortodokse. Ramë Hidër Duka u vra në nëntor 1912, në luftimet kundër forcave ushtarake serbe në rrethinat e qytetit të Manastirit. Në vitet ‘14 – 18 të shek. XX, krej’ plak i fshatit Stushaj përmendet Çup Duka.
Fisi Dumani
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]1. Prejardhja e fisit Dumáni në fshatin Stushaj mes gojëdhënës dhe burimeve historike.
Fisi Dumáni në fshatin Stushaj të Grykës së Vogël në rrethin e Dibrës së Sipërme e shpjegon prejardhjen nga fshati Arras i Çidhnës në rrethin e Dibrës së Poshtme. Gojëdhëna e ruajtur ndër breza tregon se të parët e këtij fisi kanë qenë Stakë Dumá dhe Korbë Dumá, të cilët u larguan nga fshati Arras me familjet e tyre në gjysmën e dytë të shek. XVII. Po sipas kësaj gojëdhëne, Staka dhe Korba u vendosën fillimisht në “Qafën e Mollës”, vend mbi kodrinat mes fshatrave Stushaj dhe Mazhicë. Aty kalonte dhe kufiri mes bashkësisë administrative të Dibrës së Sipërme dhe Dibrës së Poshtme. Po sipas gojëdhës, kur Staka dhe Korba u vendosën me familjet e tyre në “Qafë Mollë”, fshati Stushaj banohej nga 10 familje. Kjo gojëdhënë e ruajtur nga fisi Dumáni mbi prejardhjen e tij nga fshati Arras i Çidhnës në Dibër të Poshtme, gjen mbështetje nga burimet historike, të paktën që nga gjysma e dytë e shek. XV.
1.1 Pushtimi i Dibrës nga forcat luftarake osmane.
Pas dështimit të disa sulmeve luftarakë për pushtimin e kështjellës së Krujës, sulltan Mehmedi II i tërhoqi forcat e tij luftarake në Konstandinopol, kurse rrethimi iu besua qeveritarit (sancakbey) të qarkut të Ohrit me 8,000 luftëtarë. Pas pushimit të shkurtër në kështjellën e Elbasanit, sulltan Mehmedi II u priu forcave luftarake osmane drejt trevës së Dibrës. Më 9 maj 1466 (ditën e shtunë), sulltan Mehmedi II mbërriti në Dibër të Sipërme dhe pas tij, mbërriti qeveritari i qarkut të Prizrenit sancakbeyi Isa bej Isak Oglu me forcat e tij luftarake. Më 12 shtator 1466, kështjella e Çidhnës në Dibër të Poshtme u rrethua nga forcat luftarake osmane. Për shkak të mbrojtjes natyrore të saj, (e gjendur mes maleve të Muhurrit, Lurës dhe Çidhnës) kjo kështjellë ishte thuajse e pamundur që të pushtohej. Pasi e pushtoi kështjellën e Çidhnës nëpërmjet disa vendasve, sulltan Mehmedi II urdhëroi vrasjen e rreth 8,000 arbërve për t’u hakmarrë ndaj Gjergj Kastriotit (Skënder bej). Përndjekjet dhe dhuna e ushtruar nga forcat luftarake osmane, e detyruan popullsinë arbëre që të shpërngulej nga vendbanimet e saj. Familje të shumta arbëre u shpërngulën nga Dibra duke u vendosur kryesisht në Mbretërinë e Napolit, por familjet fisnike italiane nuk i lejuan ato që të vendoseshin nëpër qytete. Për këtë, capitaneus Jacobo de Calatyan njoftoi mbretin e Napolit.
1.2 Organizimi administrativ osman dhe regjistrimi i popullsisë arbëre.
Pushtimi i trevës së Dibrës në vitin 1466 nga forcat luftarake osmane, i dha fund qëndresës luftarake 23 vjeçare të popullsisë arbëre nën prijën e fisnikut Gjergj Kastrioti. Treva e Dibrës iu nënshtruan organizimit administrativ osman duke u ndarë në rrethet luftarakë (vilayetler) të Gollobordës, Dibrës së Sipërme, Dibrës së Poshtme, Rekës. Këto njësi administrative me karakter luftarak u përfshinë fillimisht në qarkun luftarak të Ohrit (sancak) ku përfshiheshin rrethet luftarakë të Çermenikës, Tamadhes, Bendës, Krujës, Kurbinit, Dimitër Jonimës, Urakës e Mates. Deri më 1467, autoritetet osmane të qarkut të Ohrit e përfunduan regjistrimin e popullsisë që kishte mbetur në këto rrethe luftarakë, me qëllim mbledhjen e detyrimeve fiskale nën sistemin feudal osman të Timar.
Nga regjistrimi i popullsisë nëpër fshatrat e rrethit të Dibrës së Poshtme më 1467, në fshatin Çidhën e Sipërme ishte regjistruar kryefamiljari i krishterë Dhimitër Dumá. Familjet e tjera të këtij fisi, me shumë gjasa ishin larguar nga Çidhna e Poshtme që me pushtimin e kështjellës së Çidhnës nga forcat luftarake osmane. Familjet e larguara ishin vendosur në viset fqinje, duke u përqëndruar kryesisht nëpër fshatrat e luginës së lumit Radika në rrethin e Rekës, në lindje të rrethit të Dibrës së Poshtme.
Nga regjistrimi i popullsisë që autoritetet osmane të qarkut të Ohrit kryen gjatë në rrethin e Rekës viteve 1466 – 1467, përmenden kryefamiljarë të tjerë të fisit Dumá, si: Stojko Dumá dhe Petko Dumá në fshatin Bogdevo, Andrija Dumá, Muzak Dumá, Dragan Dumá, Kolë Dumá dhe homonimi i tij Kolë Dumá në fshatin Vallkovi, Paisi Dumá në fshatin Sencë, Gjon Dumá e Kolë Dumá në fshatin Niçpur. Shpërngulja e familjeve të krishtera të fisit Dumá nga fshati Çidhna e Poshtme drejt Rekës dëshmon dhunën që forcat luftarake osmane kishin ushtruar ndaj popullsisë arbëre, por provon edhe lëvizjen e parë të familjeve të këtij fisi jashtë Dibrës.
1.3 Autoktonia e këtij fisi në Dibër, sipas burimeve historike.
Prania e fisit Dumá në Dibër dëshmohet të paktën që në gjysmën e dytë të shek. XV. Nga regjistrimi i popullsisë në trevat etnike arbëre të shek. XV, nuk përmenden kryefamiljarë me patronimin Dumá. Duke u bazuar në regjistrimin e viti 1416 të kryer nga administrata venedikase ndaj popullsisë së qarkut të Shkodrës, por edhe në regjistrimet e kryera nga administrata osmane gjatë viteve 1452, 1455, 1467, 1485 të shek. XV, nuk ka të regjistruar asnjë kryefamiljarë të fisit Dumá përveç se në rrethet luftarakë të Dibrës së Poshtme e Rekës. Më hollësisht::
Nga regjistrimi i popullsisë i kryer në vitin 1416 në zotërimet e Republikës së Venedikut (ku përfshiheshin trevat juglindore të Republikës së Malit të Zi, trevat perëndimorë të Republikës së Kosovës, trevat veriperëndimore të Republikës së Shqipërisë), nuk kishte të regjistruar asnjë kryefamiljar me patronimin Dumá.
Nga regjistrimi i popullsisë i kryer në vitin 1452 nga autoritetet osmane në qarkun e Prizrenit (ku bënin pjesë rrethet e Prizrenit, Bihorit, Opoljes, Gorës dhe Hasit që sot gjenden në Republikën e Kosovës), nuk kishte të regjistruar kryefamiljarë me patronimin Dumá.
Nga regjistrimi i forcave luftarake (војнук, џебелија, лагатор, заменик) i kryer në vitin 1455 nga autoritetet osmane në fshatrat e qarqeve (sancaklar) të Krushevacit, Vuçiternës e Prizrenit, nuk kishte të regjistruar kryefamiljarë me patronimin Dumá.
Nga regjistrimi i popullsisë i krye në vitin 1466 nga autoritetet osmane në qarkun e Ohrit (ku bënin pjesë rrethet e Çermenikës, Tamadhes, Bendës, Krujës, Kurbinit, Dhimitër Jonimës, Urakës, Mates dhe Dibrës së Sipërme që sot gjenden në Republikën e Shqipërisë), nuk kishte të regjistruar ndonjë kryefamiljar me patronimin Dumá.
Nga regjistrimi i popullsisë i kryer në vitin 1485 nga autoritetet osmane në qarkun e Shkodrës ku bënin pjesë rrethet e Bihorit dhe Pejës dhe disa fshatra nga rrethet e Vuçiternës, Prishtinës, Prizrenit (që sot gjenden në Republikën e Kosovës) rrethin e Shkodrës (që sot gjenden në Republikën e Shqipërisë), rrethin e Podgoricës (që sot gjendet në Republikën e Malit të Zi), nuk kishte të regjistruar ndonj kryefamiljar me patronimin Dumá.
Këto të dhëna historike dëshmojnë për autoktoninë e fisit Dumá në Dibër pasi me dokumentat historikë së cituar më sipër nuk provohet se ka ardhur nga vise të tjera, ose se ardhja e tyre në Dibër ka ndodhur para shek. XV.
1.4 Zgjerimi i familjve të fisi Dumá nëpër fshatrat e bashkësisë administrative të Dibrës së Poshtme gjatë shek. XVI.
Sikurse ndodhi gjatë pushtimit osman (në gjysmën e dytë të shek. XV), shpërnguljet e familjeve të fisit Dumá kanë qenë të pandërprera dhe gjithmonë të ndikuara nga kushtet dhe rrethanat shoqërore që kanë përfshirë hapësirën etnike arbëre në përgjithësi dhe hapësirën tokësore të Dibrës në veçanti.
Nga pasardhësit e kryefamiljarit Dhimitër Dumá që përmendet në vitin 1467 në fshatin Çidhën e Sipërme të rrethit luftarak të Dibrës së Poshtme, u themeluan familje të shumta. Gjatë gjysmës së parë të shek. XVI, shumë nga familjet e fisit Dumá ishin zgjeruar nëpër fshatrat e bashkësisë administrative të Dibrës së Poshtme. Nga regjistrimi i popullsisë i kryer në vitin 1583 nga autoritetet osmane në rrethin gjyqësor (kadılık) të Dibrës, në fshatin Çidhën e Poshtme përmendet kryefamiljari Dhimitër Dumá. Jo rastësisht ai mbante emrin e pararendësit të tij të regjistruar në vitin 1466 në fshatin Çidhën e Sipërme. I vetmi ndryshim ishte se ai nuk banonte më në fshatin Çidhën e Sipërme, por në fshatin Çidhën e Poshtme.
Kryefamiljarë të tjerë të fisit përmenden në fshatra të tjerë të rrethit të Dibrës së Poshtme, si: Tush Dumá në fshatin Arras, Tush Dumá (tjetër homonim) në fshatin Bare, Gjon Dumá në fshatin Venisht, Mustafa Dumá në fshatin Vleshë (i islamizuar).
Familjet e fisit Dumá nuk kishin lëvizur drejt viseve të bashkësive administrative të Lumës, Gorës, Spasit në qarkun e Prizrenit (në veri dhe verilindje të rrethit të Dibrës) dhe kjo provohet nga regjistrimet që autoritetet osmane kishin kryer në popullsinë arbëre. Nga regjistrimi i popullsisë i kryer në vitin 1571 nga autoritetet osmane të qarkut të Prizrenit dhe rrethina (санџак Призрен и околину), nuk kishte asnjë kryefamiljarë me patronimin Dumá në fshatrat e bashkësive administrative të Prizrenit (Призрен), Hoçës (Хоча), Trgovishtes (Трговиште), Zhezhnas (Жежна) dhe Bihorit (Бихор).
1.5 Zgjerimi i familjeve të fisit Dumá drejt viseve në perëndim dhe në jug të rrethit gjyqësor të Dibrës gjatë shek. XVI.
Përveç se nëpër fshatrat e bashkësisë administrative të Dibrës së Poshtme, familje të fisit Dumá nga fshati Çidhën e Sipërme ishin zgjeruar edhe në rrethet fqinje. Nga regjistrimi i popullsisë që autoritetet luftarake osmane kryen më 1583 në rrethin e Krujës, përmenden disa kryefamiljarë të fisit Dumá në fshatin Skutin të bashkësisë administrative të Kurbinit, të cilët ishin islamizuar tërësisht: Ali Dumá me të birin e tij Ajaz dhe vëllain e tij Xhaferr, Mustafa Dumá, Hasan Dumá, Jusuf Dumá, Sinan Dumá dhe Skënder Dumá. Siç duket, në viset fushorë ku sistemi feudal osman i Timar kishte gjetur zbatim, dukuria e islamizimit kishte qenë e vrullshme duke përfshirë popullsinë e krishterë vendase, pa përjashtuar edhe kryefamiljarët e fisit Dumá. Pasardhësit e fisit Dumá do të themelonin lagjen e tyre Dumáne pranë fshatit Mamurras, ku janë edhe sot.
Një pjesë e familjeve të krishtera të fisit Dumá nga fshati Çidhën e Sipërme ishin zgjeruar edhe drejt viseve në jug të rrethit të Dibrës, duke u vendosur nëpër fshatrat e bashkësive administrative të Gollobordës dhe Tamadhes.
Gjatë shek. XVI, familje të fisit Dumá ishin vendosur në fshatin Prodan të bashkësisë administrative të Gollobordës. Nga regjistrimi i popullsisë i kryer në vitin 1583 nga autoritetet osmane, në fshatin Prodan përmendet kryefamiljari i krishterë Kolë Dumá. Bashkë me familjet e fisit Dumá, nëpër fshatrat Prodan, Preval dhe Zakamen ishin vendosur edhe kryefamiljarë të tjerë të krishterë katolikë të ardhur kryesisht nga fshatrat e Lurës, Çidhnës, Muhurrit, Luznisë të bashkësisë administrative të rrethit të Dibrës së Poshtme. Vendosja e tyre shpjegohet me detyrën që autoritetet luftarake osmane u kishin ngarkuar atyre si roje të grykave (dervenciler) në fshatrat kufitarë Prodan, Zakamen e Preval të bashkësisë administrative të Gollobordës.
Familje të krishtera katolike të fisit Dumá që ishin vendosur në fshatin Prodan, kaluan kufirin administrativ osman mes rretheve të Dibrës dhe Tiranës dhe u vendosën në fshatrat Kukatin e Shën Mëri të bashkësisë administrative të Tamadhes. Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 1583, në fshatrat Shën Mëri e Kukatin përmenden kryefamiljarët e krishterë katolikë Pejo Dumá, Andrea Dumá, Gega Dumá dhe Kuka Dumá. Pasardhësit e tyre janë edhe sot në fshatin Shën Gjergj të këtij rrethi.
1.6 Zgjerimi i familjeve të fisit Dumá drejt viseve në lindje e juglindje të rrethit të Dibrës, gjatë shek. XVI.
Lëvizjet e familjeve të fisit Dumá nga fshati Çidhën e Poshtme gjatë shek. XVI (dhe jo vetëm) janë të provueshme dhe kjo për shkak të të dhënave që përmbajnë regjistrat osmanë të regjistrimit të popullsisë gjatë viteve 1520, 1568, 1571 dhe 1583. Regjistrimet e popullsisë gjatë shek. XVI kanë ndihmuar për të zbuluar jo vetëm lëvizjet e familjeve të fisit Dumá nga Dibra drejt jugut dhe perëndimit, por edhe lëvizjet e familjeve të këtij fisi nga bashkësia administrative e Rekës drejt lindjes dhe juglindjes.
Sipas regjistrimit që autoritetet osmane kishin kryer në vitin 1520 në fshatrat e bashkësisë administrative të Rekës (Nahiye-i Raka) të qarkut të Ohrit, familjet e krishtera të fisit Dumá që ishin vendosur atje që në vitin 1466, kishin themeluar vendbanimin e tyre fisnor Dumá. Shpërnguljet e familjeve të këtij fisi nga vendbanimi i tyre fisnor, fillojnë gjatë gjysmës së dytë të shek. XVI.
Nga regjistrimi osman i popullsisë i kryer më 1568 në qarkun e Pashait (ku bënin pjesë rrethet Demir Hisar, Jenixhe Karasu, Sumulzhina dhe Zihna), përmenden banorët e krishterë Jorgji Dumá dhe Miho Dumá si dhe banori i islamizuar Kyçyk Dumá. Familje të tjera të fisit Dumá ishin vendosur në disa nga fshatrat e qarkut të Ohrit. Nga regjistrimi i popullsisë që autoritetet osmane kishin kryer në vitin 1568 në qarkun e Ohrit, përmenden kryefamiljarët e krishterë Jani Dumá (Јани Дума), Paskal Dumá (Паскал Дума) dhe Petri Dumá (Петри Дума). Edhe në fshatrat e rrethit të Veleshit (Koprulu) përmenden kryefamiljarët e krishterë Dhimitri Dumá dhe Pejo Dumá. Po ashtu në fshatrat e qarkut të Shkupit përmenden kryefamiljarët e krishterë Tomë Dumá (Томе Дума) e Stojko Dumá (Стојко Дума).
E veçanta ishte se, ndërsa familjet e krishtera të fisit Duma që jetonin ende në bashkësitë administrative të Dibrës së Poshtme, Gollobordës dhe Tamadhes vijonin në ritet e Kishës perëndimore (roman – katolike), familjet e krishtera të këtij fisi që jetonin në fshatrat e bashkësive administrative të Rekës, Ohrit dhe Veleshit vijonin në ritet e Kishë Lindore (roman – ortodokse). Ndikimi i këtyre kishave do të ndikonte fuqimisht dhe pazgjidhshmërisht edhe në përkatësinë e tyre etnike gjatë shekujve të ardhshëm.
Me botimin e dokumenteve të tjerë osmanë në lidhje me regjistrimin e popullsisë në shek. XVII, do të dalin në pah të dhëna të tjera rreth fisit Dumá nga rrethi i Dibrës.
2. Largimi i dy familjeve të fisit Dumá nga Arras i Çidhnës, në gjysmën e dytë të shek. XVII (mes gojëdhënës dhe burimeve historike).
Popullsia e krishterë katolike arbëre nëpër malësitë e qarkut të Dukagjinit dhe e rretheve të Dibrës e Mates në qarkun e Ohrit, vijonin në kryengritje të parreshtura gjatë viteve 1669 – 1679, duke kundërshtuar pagesën e detyrimeve shtetërore të “jizyah”, “avariz” dhe “bedel nuzul”. Sulltan Mehmedi IV Avcı urdhëroi qeveritarin e qarkut të Ohrit për të mbledhur detyrimet e prapambetura nga popullsia e kryengritur arbëre. Më 1671, qeveritari i qarkut të Ohrit u priu forcave luftarake të fisnikëve (tımarlı sipahiler) për nënshtrimin e kryengritësve të krishterë katolikë në bashkësitë administrative të Iballës, Pukës, Spasit, Fandit, Dibrit, Mirditës në qarkun e Dukagjinit. Pasi i nënshtroi kryengritësit, forcat luftarake të qeveritarit të qarkut të Ohrit dogjën vatrën e kryengritjes, fshatin Orosh bashkë me kishën e Shën Nikollës.
Edhe popullsia e fshatrat të rretheve të Dibrës e Mates në kufi me qarkun e Dukagjinit, ishte e krishterë katolike. Duke patur bashkëpunim të ngushtë mes tyre, më 1671 u kryengrit edhe popullsia e krishterë katolike në fshatrat e Lurës, Reçit, Dardhës, Çidhnës, Muhurrit, Luznisë në bashkësinë të Dibrës së Poshtme. Më 1672, në fshatrat e Lurës (Luria) banonin 200 të krishterë katolikë, të cilët i kryenin shërbesat fetare në kishat e Shën Mërisë, Shën Nikollës, Shën Markut (Luria con le tre chiese, dell’ Assunta, di S. Nicolo, di San Marco). Po ashtu, fshati Çidhna e Sipërme (Chidina superiore) banohej nga 70 familje të krishtera katolike me 700 frymë. Shërbesat fetare i zhvillonin në kishën e Shën Nikollës (con la chiesa di S. Nicolo in buono stato). Fshati Çidhna e Poshtme (Chidina inferiore) po ashtu banohej nga 32 familje të krishtera katolike me 240 frymë (danno al prette per casa due quarte di grano quelli di communione, che saranno 200), të cilët i kryenin shërbesat e tyre në kishën e Shën Mërisë (con la chiesa dell’ Assunta).
Popullsia e krishterë katolike arbëre në famullinë e Çidhnës e vijoi qëndresën e saj luftarake për ruajtjen e besimit të krishterë katolik deri në fund të shek. XVII, kurse popullsia e krishterë e Lurës e vijoi qëndresën e saj deri në mesin e shek. XVIII.
Duke qenë se popullsia e krishterë katolike arbëre në bashkësitë administrative të Dibrës së Poshtme, Urakës, Mates (në kufi me qarkun e Dukagjinit) ishte e organizuar në famulli nën varësinë e Dioqezës së Durrësit, kleri i krishterë katolik u përpoq që t’i organizonte në kryengritje, por nuk ia arriti këtij qëllimi. Thirrjes për kryengritje iu përgjigj popullsia e krishterë katolike e bashkësive administrative të Mirditës, Fandit, Dibrit, Pukës, Iballës dhe Spasit. Më 1677, qeveritari i qarkut të Ohrit urdhëroi fisnikët (tımarlı sipahiler) që kishte nën varësinë e tij, që të marshonin me luftëtarët e tyre kundër kryengritësve në qarkun e Dukagjinit. Kryengritja u shtyp dhe famullitari i Oroshit me 38 krerët e kryengritjes u kapën dhe u dënuan me vdekje.
2.1 Sulmi i forcave luftarake të qeveritarit të qarkut të Ohrit gjatë viteve 1677 dhe 1680.
Për t’i dhënë fund kryengritjes në qarkun e Dukagjinit si dhe në rrethet e Dibrës e Mates, më 1680 marshuan forcat luftarake të qeveritarit të qarkut të Ohrit sancakbeyi Zenel bej. Zenel beu i cili ishte ngarkuar nga Porta e Lartë për mbledhjen e detyrimit shtetëror “jizyah” në gjithë ejaletin e Rumelisë. Zenel beu ishte anëtar i familjes së fuqishme fisnike Hoxholli, e cila e qeveriste rrethin e Dibrës që nga shek. XV. Pas 2 vite luftime të përgjakshme, edhe kryengritja e popullsisë së krishterë katolike në qarkun e Dukagjinit u shtyp. Më 1682, sulltan Mehmedi IV urdhëroi qeveritarin e qarkut të Ohrit që të mblidhte detyrimet e prapambetur në viset e kryengritjes dhe të rregjistronte popullsinë.
Pas 4 vite nënshtrimi, krerët dhe pleqtë e bashkësisë administrative të Mirditës nxitën popullsinë e krishterë katolike që të hidhej sërisht në kryengritje. Më 1686, kryengritësit e krishterë kapën dhe vranë mbikqyrësin (kehaya) e caktuar nga familja fisnike Hoxholli bashkë me 29 luftëtarët e tij, të cilët ishin vendosur në fshatin Orosh që prej vitit 1682.
Për ndëshkimin e kryengritësve të pabesë marshoi vetë qeveritari i qarkut të Ohrit me 8,000 luftëtarë që fisnikët e islamizuar të qarkut të Ohrit kishin mbledhur nëpër zotërimet e tyre. Kisha e Shën Mërisë së Ndërfanës u shkatërrua, gjithçka u pre, u dogj dhe u bë rrafsh me tokën, kurse popullsia u dëbua nga vendbanimet e saj. Krerët e pleqtë tradicionalë të Mirditës u përpoqën që të arrinin një marrëveshje me familjen fisnike Hoxholli, duke dorëzuar 70 krerët e tyre që kishin udhëhequr kryengritjen.
Pas arritjes së paqes në vitin 1686, qeveritari i qarkut të Ohrit e detyroi popullsinë e krishterë katolikë në bashkësitë administrative të Dibrës së Poshtme, Mirditës, Fandit të Vogël, Fandit të Madh, Spasit, Iballës, Pukës, Urakës, Mates, Kurbinit, etj., që të paguante detyrimin vjetor haraciye si dhe të jepte luftëtarë për fushatat e tij luftarake.
2.2 Nënshtrimi i kryengritësve të krishterë katolikë më 1686 nga luftëtarët e qeveritarit të qarkut të Ohrit.
Qeveritari osman i qarkut të Ohrit, i cili ishte anëtar i familjes fisnike Hoxholli të Dibrës synonte që të nënshtronte krerët dhe pleqtë tradicionalë të viseve të vetëqeverisura. Ai u kërkoi atyre që në shenjë bindjeje e nënshtrimi, t’i jepnin bijat e tyre për “harem” e tij, por kërkesa e tij e padëgjuar ndonjëherë ndeshi në kundërshtimin e vojvoda Kolë Gjini të Lurës.
Duke qenë se vojvoda Kolë Gjini dëshmoi mungesë bindjeje e nënshtrimi ndaj tij, qeveritari osman i qarkut të Ohrit urdhëroi fisnikët e tij (tımarlı sipahiler) në rrethin e Dibrës që të marshonin me forcat e tyre luftarake për t’a nënshtruar edhe vojvodën e pabindur Kolë Gjini.
Pasi i nënshtroi lurjanët, qeveritari i qarkut të Ohrit e mori të bijën e Kolë Gjinit në “harem” e tij, kurse Kolë Gjinin e përndoqi nga trojet e tij në Lurë. Kolë Gjini me familjen e tij gjeti strehë në fshatin Reç të bashkësisë administrative (nahiye) të Dibrës së Poshtme.
Dhuna e përndjekjet që forcat luftarake të qeveritarit të qarkut të Ohrit ushtruan në malet e bashkësisë administrative të Dibrës së Poshtme, shkaktuan shpërnguljen e popullsisë së krishterë. Përveç popullsisë së Lurës, dhunës iu nënshtrua edhe popullsia e krishterë katolike e fshatrave të Reçit, Dardhës dhe Çidhnës.
Për t’u shpëtuar përndjekjeve, dy familje të krishtera katolike të fisit Dumá u larguan nga fshati Arras i Çidhnës në bashkësinë administrative (nahiye) të Dibrës së Poshtme, duke u vendosur fillimisht në “Qafë Mollë”, vend i cili gjendej mbi fshatin Stushaj të Grykës së Vogël, pikërisht aty ku dhe kalonte kufiri administrativ mes bashkësive administrative (nahiyeler) të Dibrës së Sipërme dhe Dibrës së Poshtme.
Të ardhurit u kërkuan banorëve të fshatit Stushaj që t’i lejonin që të vendoseshin në fshat si “vllazën trojesh”, por vendasit nuk u pranuan pasi të ardhurit ishin të krishterë, kurse banorët e fshatit Stushaj ishin islamizuar që në gjysmën e dytë të shek. XVII. Jakimi (fisi më i hershëm i fshatit Stushaj) e kishte pranuar besimin Islam që nga gjysma e dytë të shek. XVI.
Në gjysmën e dytë të shek. XVII, fshati Stushaj ishte vendbanimi më verior i bashkësisë administrative (nahiye) të Dibrës së Sipërme. Fshati Stushaj kufizohej në jugperëndim, veri dhe verilindje me vendbanimet Bllacë, Gjuras e Mazhicë, të cilat ishin lagje të fshatit Luzni në bashkësinë administrative të Dibrës së Poshtme. Pyjet, kullotat, livadhet, krojet dhe toka bujqësore në jug të fshatit Stushaj ishin pushtuan nga familje të krishtera katolike të ardhura gjatë shek. XVII nga Kurbneshi në bashkësinë administrative të Urakës në rrethin e Mates. Këto familje të krishtera katolike që ishin vendosur në Stushaj, me kohë kishin themeluar lagjen e tyre Zogje. Pronat (metohe) që manastiri i Theotokut në fshatin Okshatinë kishte në “Malin e Kishës” mbi lagjen Zogje, ishin pushtuar nga këto familje.
2.3 Themelimi i lagjes Zogje në fshatin Stushaj gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII.
Sipas gojëdhënës, i pari i fisit Zogu ishte Kolë Gjini nga vllaznia Gjolaj e fisit Shoshi, i larguar nga vendlindja e tij për gjakmarrje. Fillimisht, ai ishte vendosur me familjen e tij në fshatin Arrën (në veri të Lurës), por ishte larguar edhe prej aty pasi kishte rënë në gjak me vendasit. Nga fshati Arrën i Tejdrinës, Kolë Gjini me familjen e tij u vendos në fshatin Zajs të bashkësisë administrative të Urakës në rrethin e Mates. Ai ishte lejuar nga vendasit që të vendosej me familjen e tij, me kusht që t’u ndihmonte atyre që të asgjësonin kreun e familjes fisnike vendase Sarokoli. Pas vendosjes së tyre në fshatin Zajs, Zog Kolë Gjini fitoi detyrën “plak” i fshatit. Nga pasardhësit e Zogut në fshatin Zajs do të themelohej vllaznia Zogje.
Në gjysmën e parë të shek. XVII, Gjini (i biri i Zog Kolë Gjinit) me bijtë e tij Leka, Marku, Lleshi dhe familjet e tyre u largua nga fshati Kurbnesh për shkak të gjakmarrjes me një nga fiset vendas. Të larguarit u ngjitën fillimisht në fshatin Lurë e Vjetër e bashkësisë administrative të Dibrës së Poshtme dhe prej aty u larguan duke u vendosur fillimisht në “Stanet e Shishkës”, një pllajë midis fshatrave Stushaj e Bllacë në Grykë të Vogël. Edhe sot në fshatin Stushaj gjendet mikrotoponimi “Ara e Zogut”.
Me kohë, pasardhësit e Gjin Zogut në fshatin Stushaj themeluan lagjen Zogje, e cila u nda mes familjeve të vllaznive Leka, Markja dhe Lleshi. Deri në fund të shek. XVII, vllaznitë Leka, Markja, Lleshi kishin krijuar një ndikim të fuqishëm mbi popullsinë e fshatrave të Grykës së Vogël, e cila i njihte sipas veçorive që ato gëzonin: “Leka mendjen, Markja sofrën, Lleshi pushkën”. Në fund të shek. XVII – fillimi i shek. XVIII, prej tyre do të shquhej barku i Dacit nga vllaznia Leka e fisit Zogu.
2.4 Gjendja e popullsisë së krishterë katolike gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII – fillimi i shek. XVIII.
Për t’iu shmangur pagesës së detyrimeve shtetërore, kryefamiljarët e krishterë katolikë në rrethin e Dibrës kishin gjetur si zgjidhje dhe shpëtim duke pranuar besimin Islam “sa për sy e faqe”. Ata mbanin emra të islamizuar para autoriteteve vendore osmane, por llagapin e tyre të krishterë nuk pranuan që t’a ndryshonin. Edhe pse nëpër familjet e tyre zbatonin ritet e krishtërimit roman katolik, në bashkësitë e tyre shpalleshin me emrat e islamizuar : Biba vetëquhej Habib, Zefi kthehej në Sefer, Lika në Maliq, Davidi në Daut, Xheta në Bexhet, Gjika në Haxhi, etj..
Pavarësisht se ishin vetëshpallur të islamizuar, pamja dhe veçoritë fizike, mënyra e të menduarit dhe e të vepruarit si dhe veshja, doket, traditat dhe folklori i banorëve të krishterë katolikë nxirrnin në pah përkatësinë e një rrace të lashtë dhe të pastër, mbartëse e virtyteve të moçme të trimërisë, besnikërisë, mikpritjes dhe ndershmërisë si asnjë etni tjetër rreth e rrotull, tejskajshmërisht e lirë dhe e patrembur në luftra e beteja. Këto karakteristika i mbartnin deri diku edhe arbërit e islamizuar, por me ndryshimin se kishin pranuar besimin e pushtuesit osman.
Megjithatë, përqafimi i besimit Islam kishte qenë një nga mënyrat më të lehta dhe më të shpejta që arbërit e krishterë kishin zgjedhur për t’iu shmangur sundimit osman dhe për të jetuar të lirë, sikurse kishin bërë ndër shekuj me pushtuesit e mëparshëm. Nëpërmjet kësaj mënyre, arbërit kishin mundur që të udhëtonin në shekuj dhe mijëvjeçarë, duke ruajtur gjuhën e tyre të lashtë. Arbërit ishin të vetmit që dalloheshin nga të tjerët vetëm për shkak të përkatësisë së tyre gjuhësore.
Në fund të shek. XVII, administrata vendore osmane e kishte njohur lagjen Zogje si fshat më vete, kurse popullsia e tij kishte filluar që të islamizohej në masë. Më 1703, fshati Gjuras (Giurazzo) kishte 11 familje me 98 frymë të krishtera përballë 2 familjeve me 13 frymë të islamizuara; fshati Mazhicë (Massizza) kishte 3 familje me 42 frymë të krishtera katolike përballë 9 familjeve me 77 frymë të islamizuara; fshati Zogje (Zogagni) kishin 2 familje me 18 frymë të krishtera katolike përballë 9 familjeve me 68 frymë të islamizuara; fshati Vlashaj (Vlasciagni) kishte 3 familje me 36 frymë të krishtera katolike përballë 5 familjeve me 49 frymë të islamizuara; në Grykën e Madhe, fshati Sopot (Sapotta) kishte 1 familje me 58 frymë të krishtera përballë 53 familjeve të islamizuara me 387 frymë; fshati Peladhi (Paladij) kishte 2 shtëpi me 47 frymë të krishtera përballë 63 shtëpive me 490 frymë të islamizuara.
2.5 Largimi i Rexhep Dumás me familjen e tij gjatë viteve të fundit të shek. XVII në fshatin Reçan të rrethit të Kërçovës.
Stakë Dumá dhe Korbë Dumá me familjet e tyre në “Qafë Mollë”, gjendeshin që në gjysmën e dytë të shek. XVII. Staka ishte trashëguar nga dy bijtë e tij Ismail dhe Sulë, kurse Korba ishte trashëguar nga dy bijtë e tij Mustafa dhe Rexhep. Hamendësohet se bijtë e tyre kanë patur emra të krishterë kur u vendosën në Qafë Mollë, por trysnia për pranimin e Islamit ka ndikuar që në moshë madhore, ata të marrin emrat e rinj me besimin Islam. Në fund të shk. XVII, nga pasardhësit e Korbës u largua njëri nga bijtë e tij Rexhepi, i cili u vendos me familjen e tij në fshatin Reçan të rrethit të Kërçovës.
Nuk dihen rrethanat e arritjeve të tij luftarake gjatë shërbimit të tij ndaj autoriteteve osmane, por Rexhepi kishte arritur që të fitojë titullin “bej” i fshatit Reçan, i cili gjendej në kufirin perëndimor të rrethit të Kërçovës. Burimet historike tregojnë se Rexhepi thirrej dhe me titullin “spahi Dumá”. Me shumë gjasa, ai ishte përfshirë në fushatat luftarake për shtypjen e kryengritjeve të popullsisë së krishterë ortodokse që kishin përfshirë ejaletin e Rumelisë në vitet ’80 të shek. XVII, pikërisht në kohën kur po zhvilloheshin luftrat mes Perandorisë Osmane dhe Perandorisë Habsburge. Sipas burimeve historike, Rexhep beu do të vritej në vitet ’30 të shek. XVIII, në luftimet me kryengritësit e krishterë ortodoksë në rrethin e Kërçovës. Në shenjë hakmarrjeje për fisnikun e vrarë, në fshatrat e rrethit të Kërçovës mbërritën familje të tjera të islamizuara arbëre nga rrethi i Dibrës, të cilat i vranë banorët e krishterë ortodoksë.
3. Mbështetja luftarake e familjeve të fisit Dumá ndaj Stushajve kundër të Zogjeve.
Brenda periudhës kohore prej 5 vitesh (1703 – 1708), vendimet e Kuvendit të Arbërit, masat parandaluese, por dhe ndëshkuese kishin dhënë “frutet” e para edhe ndër popullsinë e krishterë katolike të Arbërisë në përgjithësi dhe të popullsisë së rrethit të Dibrës në veçanti. Në famullinë e Lurës, fshati Lura nga 61 shtëpi me 478 frymë të krishtera katolike më 1703, kishte arritur në 63 shtëpi me 541 frymë më 1708. Edhe në famullinë e Çidhnës, rritje të popullsisë së krishterë katolike kishin patur fshati Çidhna e Poshtme (Chidena Inferiore), i cili, më 1703 kishte 14 shtëpi me 123 frymë të krishtera katolike, kurse më 1708 kishte arritur në 20 shtëpi me 167 frymë të krishtera katolike; fshati Sinja (Signa), nga 1 shtëpi me 18 frymë të krishtera katolike më 1703 kishte arritur në 4 shtëpi me 54 frymë më 1708 (Signi); fshati Luzni (Lussa), nga 7 frymë të krishtera katolike më 1703, kishte arritur në 15 frymë më 1708; Palamati, nga 13 frymë të krishtera katolike më 1703, kishte arritur në 2 shtëpi me 26 frymë më 1708; fshati Zogje (Zogagni) nga 1 shtëpi me 18 frymë të krishtera katolike më 1703, kishte arritur (Zozani) në 3 shtëpi me 13 frymë më 1708.
Pavarësisht rritjes së popullsisë së islamizuar në disa fshatra më 1708, kleri i krishterë katolik vijonte veprimtarinë e tij fetare nëpërmjet kryerjes së shërbesave nëpër kishat e Shën Dhimitrit Martir (S. Demetrio Martirio), Shën Ilias (S. Elia), Shën Mërisë (S. Assunta della Madonna) dhe Shën Nikollës Ipeshkv (S. Nicolo Vescovo) në fshatrat Çidhën e Sipërme dhe Çidhën e Poshtme; në kishat e Shën Gjergjit Ungjillor (S. Giorgio Evangelista) dhe Shën Lleshit (S. Alessio) në fshatin Kandër (Canturi), në kishën e Shën Gjergjit (S. Giorgio) në fshatin Vakuf (Vacuffo), në kishën e Shën Nikollës (S. Nicolo) në fshatin Kudhon (Codona), në kishat e Shën Gjergj Pagëzorit (S. Giorgio Battista), Shën Mërisë (S. Maria) e Shën e Premtes (S. Veneranda di Palamati) në fshatin Palamat, në kishën e Shën e Premtes (S. Veneranda) dhe Shën Nikollës (S. Nicolo di Vlascagni con molti altri indicij di chiese sparse per le compagne e ville habitate da soli Turchi) në fshatin Vlashaj, në kishën e Shën Evharistisë (S. Euaristo di Masizza) në fshatin Mazhicë, në kishat e Shën Nikollës (S. Nicolo) e Shën Mërisë (S. Maria Assunta di Giurazzo con due altre sotto simile inuo cat. ne di Lussa e Zogagni) në fshatrat Gjuras (Giurazzo) dhe Zogje; etj..
3.1 Përfshirja e familjeve të fisit Dumá në anarkinë që kishte mbërthyer malësitë e rrethit të Dibrës.
Në fillim të shek. XVIII, malësitë e Katër Grykëve, Grykës së Vogël dhe Luznisë, të cilat gjendeshin në kufirin mes bashkësive administrative të Mates, Urakës, Dibrës së Sipërme dhe Dibrës së Poshtme, ishin përfshirë nga dyndje të fuqishme të familjeve të krishtera katolike. Si rrjedhojë, ishte shtuar edhe veprimtaria keqbërëse. Në fund të vitit 1713, nëpër fshatrat që gjendeshin në të majtë të rrjedhës së l. Drin i Zi të rrethit të Dibrës vepronin çeta të shumta keqbërësish, të cilat sulmonin pa dallim përkatësie etnike apo fetare popullsinë e fshatrave në të djathtë të rrjedhës së l. Drin i Zi.
Në Grykë të Vogël vepronin çetat e Mustafait (?!) dhe Man Pulës nga fshati Stushaj; çeta e Mane Proshkës nga fshati Topojan; çetat e bijve të Jellës dhe Mustafa Rusit nga lagja Vilanica e fshatit Homesh; çeta e Hizir Mishës nga fshati Kovashica; çeta e Mehmed Dacit dhe e çeta e bijve të Kajos nga fshati Zogje; çeta e Qerim Kajës me të bijtë e tij dhe nipin e tyre Manin nga fshati Mazhica; çeta e Gakut të Manit nga fshati Okshatinë dhe çetat e Mehmedit (?!) dhe Hasanit (?!) nga lagja Xhumic e fshatit Okshatinë; çeta e Hasan Tushës me bijtë e tij nga fshati Vlashej; çeta e Mustafait (?!) dhe e Hasanit (?!) nga fshati Boçevë; çetat e Ali Gjinit, Muhos dhe Xhiveshit nga fshati Gjuras. Për ndëshkimin e tyre sipas ligjit Islam, sulltani Ahmedi III urdhëroi qeveritarin e qarkut (sancak beyi) të Ohrit dhe gjykatësin e rrethit (kadı) të Dibrës.
Pikërisht në fshatin Stushaj përmenden dy banorët e kryengritur Man Pula dhe Mustafai. Pasardhësit e fisit Pula do të largoheshin nga fshati Stushaj duke u vendosur fillimisht në fshatin Kovashicë dhe prej aty, do të vendoseshin në fshatin Dovalan të Fushës së Shehrit. Me shumë gjasa, Mustafai ishte i biri i Korbë Dumás, por ai nuk përmendet me mbiemrin e tij për shkak se ai banonte me kushërinjtë e tij prej shumë vitesh në “Qafë Mollë” dhe nuk duhet të ketë qenë i regjistruar si banor i fshatit Stushaj. Të tillë ishin shumë drejtues çetash që përmenden vetëm me emrat e tyre.
Anarkia që kishte përfshirë Grykën e Vogël kishte të bënte me vendosjen e familjeve të shumta të krishtera katolike nëpër fshatra, por edhe me sulmet e familjeve dhe fshatrave më të fortë për të pushtuar pyjet, kullotat, livadhet dhe burimet e ujit të fshatrava më të dobët. Shtimi biologjik i popullsisë, por edhe dyndjet e familjeve të tjera nga vise të ndryshme, kishte bërë që hapësira tokësore ku kjo popullsi jetonte, të mos kishte mjaftueshëm të mirat materiale për të mbijetuar.
Në gjysmën e parë të shek. XVIII, familjet e fshatit Zogje kishin filluar që të ushtronin trysni të fortë ndaj banorëve të fshatit Stushaj, duke synuar shpërnguljen e familjeve më të dobëta dhe pushtimin e kullotave, tokave bujqësore, burimeve të ujit. E para që kundërshtoi vllaznitë e fuqishme Leka, Markja, Lleshi, Daci të fisit Zogu ishte familja Cami, e cila kishte ardhur nga Temali në malësinë e Shkodrës. Nga kjo familje, Zeneli Ahmet Cami kishte përfituar detyrën e flamurtarit (bayraktar) të familjes fisnike Hoxholli. Ai ishte roje i kufirit administrativ (që kalonte mbi fshati Stushaj) ku dhe ndaheshin zotërimet (sehm) e familjeve fisnike Hoxholli e Karahasani. Marrja e detyrës nga Zenel Ahmet Cami, shkaktoi armiqësi me vllazninë Daci të fisit Zogu, e cila po ashtu synonte këtë detyrë. Për shkak të armiqësisë, fisi Cami do të shpërngulej në gjysmën e dytë të shek. XVIII, duke u vendosur në fshatin Gjoricë të Grykës së Vogël.
3.2 Ndryshimi i patronimisë gjatë shek. XVIII në të gjithë vendbanimet ku ishin vendosur familje të fisit Dumá.
Në gjysmën e parë të shek. XVIII, hapësira tokësore e qarqeve të Shkodrës, Dukagjinit, Ohrit, Pejës dhe Prizrenit në ejaletin e Rumelisë u përfshi nga lëvizje të pakontrolluara dhe të fuqishme të popullsive. Bashkë me to, edhe familjet e fisit Dumá në fshatrat e bashkësive administrative të Rekës, Dibrës së Poshtme, Gollobordës në rrethin e Dibrës dhe Tamadhes në rrethin e Tiranës, u përfshinë në këto lëvizje.
Familja e Rexhep Dumás që ishte vendosur në fshatin Reçan që në fund të shek. XVII, zbriti në fshatin Zajaz në mesin e shek. XVIII, ku edhe themeloi lagjen “Xhuma”. Bashkë me pasardhësit e Rexhepit, në fshatin Zajaz u vendosën dhe familje të tjera të islamizuara arbëre nga fiset Xhaka (Џаковци), Braja (Браовци), Lana (Лановци), të ardhur nga malësitë e rretheve të Dibrës dhe Mates. Duke qenë se të ardhurit ishin banorët e parë të islamizuar në fshatin Zajaz, ata i detyruan banorët e krishterë ortodoksë vendas që t’i nënshtroheshin dukurisë së islamizimit dhe më pas dukurisë së arbërizimit.
Në shek. XVIII, disa familje të fisit Dumá nga fshati Zajas u vendosën edhe në fshatin fqinj Greshnicë. Edhe pse ishin larguar nga fshati Reçan, pyjet, bjeshkët dhe kullotat që kishin prona të tyre, mbajtën emrin e familjes Dumá. Vargmali që ndan rrethin e Kërçovës nga rrethi i Dibrës, mban ende dhe sot emrin “Mali i Dumás”. Po ashtu, mali mbi fshatin Kopaç i Sipërm quhet “Mali i Dumás”, tokat e fshatit reçan quhen “Ara e Dumás”, në fshatin Greshnicë rrjedh “Përroi i Dumás”, në fshatin Tresonçe gjendet “Shkalla e Dumás”, etj.. Me kohë, pasardhësit e Rexhep bej Dumás në fshatin Zajas u njohën në bashkësi me patronimin Dumáni.
3.4 Shkaqet e ndryshimit të patronomisë gjatë shek. XVIII.
Familjet me përkatësi të njëjtë fisnore (me lidhje të afërt gjaku) që ishin vendosur përgjatë shek. XVI – XVII nëpër hapësira tokësore me kufinj të mirëpërcaktuar, me kohë ishin shtuar biologjikisht duke themeluar vendbanimet e tyre fisnorë. Këto vendbanime fisnore fillimisht mbanin emrin e kryetarit të familjes që i kishte themeluar, por me shtimin e tyre u njohën me emrin e fisit apo familjes që i kishte themeluar. Kjo dukuri ndodhi në të gjithë viset që ishin prekur nga dyndjet e familjeve, vllaznive dhe fiseve të krishterë katolikë arbëre, ku organizimi fisnor ishte shumë i fuqishëm dhe thelbësor për jetesën e tyre.
Në gjysmën e dytë të shek. XVII, vendbanime të tilla gjendeshin në të gjithë “Arbërinë veriore”, Chisciagni (Kishaj), Lettagni (Letaj), Zogagni (Zogaj), Pulagni (Pulaj), Vladagni (Vladanji), Sciosciagni (Shoshaj) në Shkodër; Nicagni (Nikaj), Bugnani (Bunjan), Sopagni (Sopaj), Lusagni (Luzha) në malet e Gjakovës; Colomesciagni (Kalimashi në Pukë); Comoragni (Komorani në Plavë); Masagni (Mazha), Xegagni (Zheja) dhe Sporagni (Shporaj) në Kurbin; etj..
Përveç se në malësitë e qarqeve të Shkodrës e Pejës, të tillë vendbanime ishin themeluar edhe në qarkun e Ohrit. Në shek. XVII, familje të krishterë katolike nga fiset e vjetër Hoti, Perlati, Lufi, Mjeda, Miha, Çuku, Çurka, Suma, Tenja të ardhur nga qarku i Shkodrës, themeluan vendbanimet fisnore (casalia) në bashkësinë administrative të Urakës në rrethin e Mates. Në fillim të shek. XVIII, vendbanimet e tyre fisnorë njiheshin me emrat Prelatagni, Hottagni, Luffagni, Miedagni, Mihaiagni, Zuccagni, Chiurchagni, Zumagni, Tegnani. Po ashtu, fiset Llagapi dhe Skura kishin themeluar vendbanimet Scuragni dhe Logopagni në bashkësinë administrative të Kurbinit në rrethin e Krujës.
Gjatë shek. XVIII, nëpër këto vendbanime fisnore u vendosën familje që nuk kishin lidhje gjaku me popullsinë që kishte themeluar vendbanimet fisnore. Me kohë, të ardhurit do të njiheshin me emrin e vendbanimit ku ishin vendosur dhe jo me emrin e fisit nga vinin. Në procesin e lindjes së patronimeve të shek. XVIII që e kishin zanafillën nga emrat e vendbanimeve fisnorë, ndihmoi pazgjidhshmërisht prapashtesa latine – agni (formanti – an (tr. e pashquar), – ani (tr. e shquar). Krijimi i patronimeve me prapashtesën – agni ose – ani nuk ishte një dukuri gjuhësore e panjohur, pasi kjo dukuri ishte shfaqur edhe periudha të mëparshme në popullsinë arbëre, të paktën në shek. XV. Me këto prapashtesa në emra, tregohej se dikush (njeri) i përkiste një familjeje, vllaznie apo fisi të caktuar dhe më pas tregonte se i përkiste një vendi të caktuar (nga Dibra – dibran; nga Matja – matjan; nga Shkodra – shkodran; etj.).
Në rrethin e Dibrës së Poshtme, dukuria e krijimit të patronimeve nga emrat e vendbanimeve fisnore filloi që nga shek. XVI, vijoi deri në fund të shek. XVII – fillimi i shek. XVIII me dyndjet e popullsisë së krishterë katolike në qarqet e Ohrit, Prizrenit, Shkupit, etj.. Në Katër Grykë, familje të fiseve Luku e Kaci të ardhur nga Lura, kishin themeluar vendbanimet fisnorë Lukani (Lucagni) dhe Kacania (Cazania) që në fillim të shek. XVI. Në Grykë të Vogël të bashkësisë administrative të Dibrës së Sipërme, fisi Zogu nga fshati Kurbneshi i Selitës dhe fisi Vlashi nga Lura kishin themeluar në gjysmën e dytë të shek. XVII vendbanimet e tyre fisnore Vlashani (Vulaschiagni) e Zogani (Zogagni). Në bashkësinë administrative të Dibrës së Poshtme, familje të fisit Palami të ardhura nga Luznia gjatë shek. XVII, themeluan lagjen Palaman në Uj’ e M’ Ujë.
Nga fshati Palamani i Uj’ e M’Ujës, familje të fisit Palami u vendosën në fshatrat Prell dhe Rremull të bashkësisë administrative të Urakës duke mbajtur patroniminë Palamani. Familje të fisit Gjerja u larguan nga lagja Gjere e fshatit Murrë të Katër Grykëve në rrethin e Mates, duke u vendosur në fshatin Lejçan të bashkësisë administrative të Gollobordës të rrethit të Dibrës së Sipërme ku u njohën me patronimin Gjerani. Familje të fisit Peta nga nga Mirdita u vendosën në fshatin Modricë të Anës së Drinit ku edhe u njohën me patronimin Petani. Edhe në fshatin Otishan të bashkësisë administrative të Gollobordës, familje të fisit Dama të ardhur nga fshati Sinjë e Poshtme u njohën me patronimin Damani, etj..
3.5 Ndryshimi i përkatsisë fisnore në Dumani në mesin e shek. XVIII
Në gjysmën e dytë të shek. XVIII, vendbanimi fisnor Dumá që familjet e këtij fisi kishin themeluar që gjysmën e parë të shek. XVI në bashkësinë administrative të Rekës, u përfshi si lagje e fshatit të ri Kodra e Velos (Велобрда). Në gjysmën e dytë të shek. XVIII, kjo lagje tashmë njihej me emrin lagja Dumáne, kurse banorët e saj mbanin patronimin Dumáni. Vendbanimi fisnor Dumá në fshatin Mamurras të bashkësisë administrative të Kurbinit në rrethin e Krujës, u njoh me emrin Dumáne, kurse familjet e fisit Dumá u njohën me patronimin Dumáni. Pasardhësit e fisit Dumá që ishin vendosur që në shek. XVI në fshatin Prodan të bashkësisë së Gollobordës dhe më pas (gjatë shek. XVIII) në fshatin Sebisht, u njohën me patronimin Dumáni. Edhe pasardhësit e fisit Dumá që ishin vendosur në fshatrat Kukatin e Shën Mëri të bashkësinë administrative të Tamadhes në rrethin e Tiranës gjatë shek. XVI, ishin njohur me me patronimin Dumáni. Në fund të shek. XVIII, familjet e këtij fisi do të vendoseshin në fshatin Shën Gjergj të po kësaj bashkësie administrative dhe në fshatin Dardhë të bashkësisë administrative të Çermenikës në rrethin e Elbasanit. Edhe pasardhësit e Stakë Dumas dhe Korbës Dumas që gjendeshin në Qafë Mollë të fshatit Stushaj që nga gjysma e dytë e shek. XVII, kishin marrë patronimin Dumani, kurse vendi ku ata jetonin quhej "Ara e Dumane" dhe "Kroi i Arës së Dumane"
4. Fisi Dumáni në fshatin Stushaj gjatë gjysmës së dytë të shek. XVIII.
Deri në mesin e shek. XVIII, vllaznitë e fisit Zogu në fshatin Zogje kishin arritur që të shpërngulnin me forcë shumë familje nga fshatrat Zogje dhe Stushaj, ndër të cilat, edhe familje të fiseve Shalsi, Maca, Domi, Shkjezi, Xixa, Pula. Po ashtu, shpërngulën dhe disa familje të vllaznisë Gjini nga trungu i Gjurë Veshit dhe të vllaznive Tola, Doda dhe Xhili nga trungu i Step Veshit, të cilat rridhnin nga fisi Veshi në fshatin Gjuras, fis ky i ardhur që në shek. XVI nga fshati Gur i Lurës në bashkësinë administrative të Dibrës së Poshtme.
Vllaznitë e fisit Zogu pushtuan edhe tokat bujqësore të fisit Jakimi në fshatin Stushaj, i cili kishte mbledhur rreth vetes familje të fiseve Suti, Lila, Kozi, Duka, Lazri dhe Koleci si “vllazën trojesh”. Fisi Jakimi u kërkoi edhe familjeve të fisit Dumáni në “Qafë Mollë”, që të vendoseshin në Stushaj, pasi banorët i pranonin si “vllazën trojesh”. Por, ata duhej që t’u jepnin ndihmë luftarake në armiqësinë që fshati Stushaj kishte me vllaznitë Leka, Daci, Markja, Lleshi të fshatit Zogje. Gjatë kësaj periudhe, kreu i fshatit Zogje ishte Mehmed Daci.
Në luftimet që zhvilluan me vllaznitë e fshatit Zogje, banorët e fshatit Stushaj i mbrojtën pronat e tyre të përbashkëta duke i dëmtuar rëndë kundërshtarët. Sipas rrëfimeve të pleqve, “Dumáni i bani Dacit 7 xhenaze.” Që atëherë për fisin Dumáni përdorej rëndom shprehja “Dumàn asht’ e dumàn ban”. Kufiri mes Stushajve dhe Zogjeve mbeti në vendin “Lugju i Kecit”.
Familjet e fisit Dumáni zbritën nga “Qafë Molla” dhe u vendosën në fshatin Stushaj. Vendi ku Dumánet ndërtuan shtëpitë e tyre të para, u quajt “Troje”. Fisi Jakimi u dha Dumaneve “Livadhet e Tole” për tokë bujqësore, kurse “Birat e Dervish Tolës” për kullota.
4.1 Fisi Dumáni në fshatin Stushaj gjatë gjysmës së dytë të shek. XVIII.
Nga vendosja e tyre në fshat në gjysmën e dytë të shek. XVIII deri në vitet '30 të shek. XIX, nuk ka gojëdhëna nga ky fis apo dokumente historikë që provojnë zhvillime me karakter shoqëror dhe historik. Kjo periudhë 60 vjeçare hamendësohet si periudhë paqeje ku familjet e fisit Dumani ishin përfshirë në punimin e tokës bujqësore dhe mbarështimin eblegtorisë.
Në vitin 1833, qeveritar i rrethit tatimor (mütesellım) të Dibrës së Sipërme ishte Haki pashë Hoxholli. Në zbatim të urdhërave të Portës së Lartë, ai filloi mbledhjen e ushtarëve nizamiye në rrethin e Dibrës, por shkaktoi zemërimin e krerëve të Maleve. Të parët që u kryengritën ishin malësorët e Çidhnës në bashkësinë administrative (nahiye) të Dibrës së Poshtme, të cilët, nën prijësën e krerëve Ali Tafë Alia, Sali Noka dhe Vesel Lusha sulmuan qytetin e Dibrës. Për kapjen e tyre u ngarkua kapuci baş-ı Dalip bej Hoxholli, i cili mbante edhe detyrën zv. qeveritar (vekil mütesellım) i rrethit tatimor (mütesellımlık) të Dibrës së Sipërme.
Forcat luftarake të Dalip beut i shpërndanë kryengritësit e Çidhnës, kurse krerët e saj arritën që të gjejnë strehë në rrethin e Mates. Dalip beu i kërkoi qeveritarit të rrethit të Mates Haxhi pashë Zogolli që të mos lejonte kryengritësit e Çidhnës që të strehoheshin nëpër hapësirën tokësore të rrethit të Mates, por Haxhi pasha mohoi të kishte strehuar kryengritës nga Dibra në viset e tij. Vekil mütesellım Dalip beu i kërkoi qeveritarit të ejaletit të Rumelisë kaymakam Ismail pasha që t’a paralajmëronte Haxhi pashë Zogollin, pasi krerët e kryengritjes nuk mund të gjenin strehë përveç se në rrethin e Mates.
Duke mos dashur që t’i përkeqësojë marrëdhëniet me krerët e Maleve, Dalip beu shpalli faljen për kryengritësit si dhe ndërpreu mbledhjen e ushtarëve nizamiye. Ai u detyrua që edhe kësaj here të ndjekë zbatimin e traditës luftarake vendase, duke mbledhur luftëtarë me pagesë (baş–ı bozuk). Pasi e vendosi rendin shtetëror dhe qetësinë në rrethin e Dibrës, kaymakam i ejaletit të Rumelisë Ismail pasha njoftoi komandantin e forcave të ushtrisë së rregullt osmane në ejaletin e Rumelisë serasker Mehmed Reshid pasha se në rast përsëritjeje të kryengritjes në rrethin e Dibrës, ai parashtronte dërgimin e 10,000 forcave nizamiye nga rrethi i Manastirit.
4.2 Kryengritja e fisit Dumáni kundër vendimeve të parisë së malit të Grykës së Vogël.
Sipas gojëdhënës së rrëfyer ndër breza, paria e malit të Grykës së Vogël me kreun e saj Shaban Markja lejoi kalimin e forcave luftarake osmane të qeveritarit të rrethit të Dibrës për të kaluar nëpër Grykë të Vogël për të shkuar në rrethin e Mates. Kufiri i Dibrës së Sipërme me rrethin e Mates ishte në kufirin mes Grykës së Vogël dhe Katër Grykëve, pasi fshatrat Selishtë, Lukan, Kacni, Murrë ishin nën varësinë administrative të rrethit të Mates.
Ky vendim i parisë së malit të Grykës së Vogël cënonte vetëqeverisjen krahinore të Maleve dhe për rrjedhojë, shkaktoi zemërimin e një pjese të malësorëve. Kundër këtij vendimi u ngritën burrat e fiseve Dumáni nga fshati Stushaj, Buduri nga lagja Xhumicë e fshatit Okshatinë dhe Xheleshi nga fshati Mazhicë, të cilët ishin “nip e dajë” mes tyre. Ata vendosën njëzëri që të mos e njihnin vendimin e parisë së Grykës së Vogël duke mos i lejuar forcat luftarake osmane që të kalonin nëpër hapësirën tokësore të malit të Grykës së Vogël. Edhe malësorët e Katër Grykëve u organizuan për t’i ndaluar forcat luftarake osmane që të kalonin në malin e tyre.
Po sipas gojëdhënës, organizatori i malësorëve Sulë Dumáni i priti forcat luftarake osmane në vendin “Qafë Mollë”, i ulur këmbëkryq në buzë të udhës dhe me pushkën (“karajfile”) e tij të mbështetur në prehër, kurse malësorët e tjerë ishin në prita. Kur forcat luftarake osmane u ngjitën në Qafë Mollë, Sulë Dumáni e përshëndeti komandantin e tyre në gjuhën turke dhe e pyeti se për ku po shkonin. Komandanti osman (i cili ishte “fort i ri” sipas gojëdhënës) iu përgjigj se po shkonte në rrethin e Mates për të mbledhur ushtarë nizamë dhe se do t’a kryente këtë detyrë me zell të madh, në të kundërt do t’a paguante me kokën e tij.
Sulmi luftarak i burrave nga fiset Dumáni, Buduri dhe Xheleshi bëri që ushtarët osmanë të vriteshin të gjithë. Edhe sot në kufirin administrativ mes fshatrave Stushaj e Mazhicë gjendet ende mikrotoponimi “Vorret e turqve”. Kjo ngjarje shkaktoi bujë në rrethin e Dibrës dhe u trajtua nga kleri mysliman si një mizori ndaj vëllezërve turq. Klerikët myslimanë të rrethit të Dibrës i mallkuan dhe i quajtën të “këqij” fiset Dumáni, Buduri dhe Xheleshi.
Paria e Grykës së Vogël mori masa ndëshkuese ndaj krerëve të fiseve që kishin organizuar këtë sulm luftarak, të cilët e kishin kundërshtuar vendimin e kuvendit të malit. Për shkeljen e vendimit të kuvendit të malit, paria e Grykës së Vogël dëboi për 3 vite organizatorët e këtij sulmi luftarak. Sulë Dumáni dhe vëllai i tij (nuk mbahet mend emri i tij) u larguan me familjet e tyre nga fshati Stushaj duke u vendosur në fshatin Llakavica (Лакавица) të rrethit të Pollogut të Sipërm (Gostivari i sotëm). Në këtë fshat ishin vendosur familje të shpërngulura nga Malet e Dibrës dhe rrethi i Mates. Pasardhësit e Sulës në Llakavicë janë edhe sot me llagapin Sula.
4.3 Pjesëmarrja e fisit Dumáni në kryengritjen e vitit 1844 ndaj forcave luftarake osmane të Hajredin pashës.
Më 19 tetor 1844, serasker Omer pasha Lata urdhëroi shkatërrimin e punishteve të barutit në fshatrat e rrethit të Mates, të cilat furnizonin kryengritësit e Dibrës së Sipërme. Pasi shkatërruan punishtet e barutit, rreth 8,000 forca luftarake nën prijën e Hajredin pashës sulmuan 10,000 kryengritësit në rrethin e Dibrës, pikërisht në kohën kur ata kishin mungesë të furnizimit me barut. Përkrah forcave ushtarake osmane ishin edhe forcat e një batalioni baş-ı bozuk të mbledhura në rrethin e Prizrenit.
Kreu i kryengritjes në Grykën e Madhe, şeyh Mustafa Zalla nga fshati Zerqan u kërkoi ndihmë edhe krerëve të malit të Çidhnës, të cilët nuk ishin përfshirë ende në luftime. Po ashtu, edhe krerët e mal të Muhurrit nuk ishin përfshirë në kryengritje për shkak të mosmarrëveshjeve që kishin lindur mes krerëve të tij, Zenel Hoxha dhe Abaz Pira. Edhe mal i Bulqizës po ashtu nuk shkoi në ndihmë të kryengritësve të Grykës së Madhe, për shkak të propagandës që kishte përhapur şeyh Rrahmani.
Kryengritësit në bashkësitë administrative të Dibrës së Poshtme, Dibrës së Sipërme, Rekës, Strugës e Ohrit vijonin sulmet e tyre të befasishëm ndaj forcave luftarake osmane. Çeta e malësorit Mahmud Tasha nga fshati Bllacë i Grykës së Vogël, ishte shndërruar në tmerr për forcat luftarake osmane. Mahmud Tasha bëri përpjekje që të vriste peshkopin e Rekës (Herna ?!), por nuk ia arriti qëllimit të tij, kurse serasker Omer pasha Lata kishte urdhëruar kapjen dhe dënimin e tij me vdekje.
Në luftimet kundër forcave luftarake osmane morën pjesë “burrë për shpaj” edhe malësorët e Stushajve nën prijën e plakut të fshatit Mustafa Jakimi. Sipas gojëdhënës, nga fisi Dumáni morën pjesë 10 burra. Në këto luftime të zhvilluara fillimisht në fshatin Gjoricë dhe më pas përgjatë rrjedhës së l. Drin i Zi, mbeti i plagosur rëndë Hasan Elmaz Dumáni, i cili, për shkak të gjymtimit të përhershëm në këtë luftë, u njoh edhe si Has Topalli. Edhe një tokë bujqësore që gjendet në fshatin Stushaj (që dikur ishte e tij), quhet ende “Ara e Has Topallit”.
4.4 Armiqësia e fisit Dumáni me kryetarin e krahinarisë së Homeshit.
Më 1873, Demir pasha mori masa për ndëshkimin e çetave keqbërëse në qarkun e Dibrës. Në krye të forcave të tij ushtarake, Demir pasha hyri në Grykë të Vogël i shoqëruar dhe nga müdür Osman Kurd Dema dhe rrethoi kullën e malësorit Lam Daci në fshatin Zogje. Autoritetet osmane të qarkut të Dibrës e kishin ndërmarrë këtë fushatë pasi Lam Daci kishte plaçkitur popullsinë e krishterë në bashkësinë administrative të Rekës. Me këtë, Lam Daci kishte shkelur marrëveshjen (itifak) e Kuvendit të Maleve për ndalimin e veprimtarisë keqbërëse. Për shkak të kësaj shkeljeje të rëndë të vendimit të kuvendit të Maleve, autoritetet ushtarake osmane mendonin se malësorët nuk do të shkonin në ndihmë të Lam Dacit.
Për kapjen e Lam Dacit u përfshinë Osman Kurd Dema, kryetar i krahinarisë (nahiye) së Grykës së Vogël me qendër në fshatin Homesh dhe kushëriri i tij Beqir Selim Dema nga fshati Homesh. Pavarësisht se nuk dihet detyra që Beqir Dema kishte gjatë kësaj kohe në administratën vendore osmane, përfshirja e anëtarëve të fisit Dema për të kapur keqbërësin Lam Daci nuk mbetej vetëm në pikëpamjen e kryerjes së detyrave të tyre si nëpunës vendorë të administratës osmane. Armiqësia mes familjeve Dema dhe Daci e kishte fillesën në vitet ’30 të shek. XIX, kur Metë Rizvan Dema mori prijën e malit të Grykës së Vogël, detyrë e cila deri atëherë ishte mbajtur nga fisi Daci i fshatit Zogje. Përfaqësuesit e fundit të këtij fisi kishin qenë Mustafa Daci gjatë viteve 1835-1839 dhe Ridvan Daci më 1839.
Osman Kurd Dema dhe Beqir Selim Dema përkrahën forcat ushtarake osmane të kryetarit të qarkut të Dibrës Demir pasha me mendimin se malësorët e Grykës së Vogël nuk do të përfshiheshin në këtë çështje pasi Lam Daci kishte shkelur vendimin e Maleve, por kjo sjellje e tyre u pa si një tradhti ndaj malësorëve në përgjithësi dhe ndaj Lam Dacit në veçanti. Për këtë ngjarje të ndodhur, malësorët do të këndonin edhe këngën “Beqir Dema, nji burr i gjat, e shet Lamin për nji shpat, po s'asht gru ta zash në shtrat.”
Ditën që forcat ushtarake hynë në Grykë të Vogël, në kullën e Lam Dacit kishte dasëm pasi ai po martonte thjeshtrën e tij Barije Manjani. Lam Daci ishte martuar me të renë e Lazim Manjanit nga fshati Homesh i Grykës së Vogël, pasi i shoqi i saj ishte vrarë për gjakmarrje. Pas vrasjes të të birit të tij, Lazim Manjani e kishte martuar renë e tij me Lam Dacin dhe me vete i kishte dhënë edhe të bijën e mitur Barijen. Lam Daci e kishte dhënë thjeshtrën e tij Barijen për malësorin Xhafer Kahreman Dumáni nga fshati Stushaj, fqinj me fshatin Zogje.
Shoqërimi i forcave ushtarake osmane të kryetarit të qarkut Demir pashës nga kryetari i krahinës së Grykës së Vogël Osman Kurd Dema, e rindezi armiqësinë mes fiseve Daci dhe Dema, duke përfshirë edhe familjet e fiseve Dumáni nga fshati Stushaj dhe Manjani nga fshati Homesh. Lazim Manjani ishte ndër krerët më të famshëm të çetave të armatosura që vepronin gjatë viteve ’60 – ’70 të shek. XIX.
Lam Daci i kërkoi leje (izin) Demir pashës që ai t’i jepte kohë sa të përcillte nusen sipas traditave të Maleve. Sapo nusja mbërriti në shtëpinë e dhëndrit, atëherë edhe Lam Daci u mbyll në kullën e tij bashkë me Shaban Adem Kajën (daja i Lam Dacit) nga fshati Zogje dhe Liman Ali Prethi (nipi i Lam Dacit) nga fshati Lishan i Poshtëm i Luznisë.
Duke qenë se luftimet mes forcave ushtarake osmane të Demir pashës dhe Lam Dacit po zhvilloheshin në kushte të pabarabarta, Lam Dacit i shkuan në ndihmë edhe malësorët e fshatrave Zogje, Stushaj, Kovashicë, Bllacë, Gjuras, Mazhicë kurse malësorët e fshatit Topojan me kreun e tyre Ali Jani nuk morën pjesë. Ndryshe nga Osman Kurd Dema, kushëriri i tij Beqir Selim Dema e kuptoi gabimin e tij ndaj malësorëve të Grykës së Vogël dhe e ndryshoi qëndrimin e tij ndaj Lam Dacit duke e ndihmuar që t’i shpëtonte rrethimit të forcave ushtarake.
4.5 Vendosja e familjeve të fisit Dumáni në fshatin Sollokiç të Fushës së Shehrit në vitet ’80 të shek. XIX.
Në zbatim të ligjit osman të vitit 1858 “Për Tokën”, më 1873 doli akti i emancipimit të tokës. Gjatë kësaj periudhe filloi edhe proçesi i shitjes së pronave shtetërore osmane. Nëpër fshatrat e bashkësisë administrative të Zhupës në rrethin e Dibrën e Sipërme, shumë familje të pasura dibrane blenë prona bujqësore shtetërore osmane. Dalip bej Pustina dhe Et’hem bej Çiça blenë në fshatin Zhitinjan; Abdi bej Bekteshi, Mersim beu (?!) dhe Ahmed bej Daci nga qyteti i Dibrës si dhe Ramiz beu (?!) nga fshati Allajbegi i Fushës së Shehrit blenë prona bujqësore në fshatin Prapanik i Vogël; Bexhet aga nga qyteti i Dibrës dhe familja Cami nga fshati Sepetovë blenë disa prona bujqësore në fshatin Vllasik; Faik beu (?!), Adraman Fuad beu (?!) dhe Nebi Agolli (që të tre nga qyteti i Dibrës) blenë prona bujqësore në fshatin Ballancë; Selim bej Daci nga qyteti i Dibrës bleu prona bujqësore në fshatin Gorencë.
Sipërfaqja e pronave bujqësore të blera nëpër fshatrat e Zhupës ishte shumë e vogël krahasuar me sipërfaqjet e tokave bujqësore që familjet e pasura dibrane kishin blerë në fshatrat e rretheve të Strugës, Ohrit dhe Prilepit. Por, e veçanta e këtyre pronave ishte se ato gjendeshin në rrethinat e qytetit të Dibrës dhe shërbenin si vende ku familjet qytetare ruanin marrëdhëniet e tyre me fshatin. Në fshatin Paresh, Et’hem bej Çiça bleu 30 ha. tokë bujqësore, Ramiz beu (?!) bleu 6 ha., kurse Et’hem Cila 4 ha.. Në fshatin Prapanik i Vogël, Sali Daci (Сали Даца) nga fshati Zogje bleu 3 ha. tokë bujqësore, kurse Murad Daci (Мурат Дац) nga qyteti i Dibrës bleu tre prona prej 3 ha.. Edhe Ramiz beu (Рамиз Бег) bleu 6 ha. tokë bujqësore në po këtë fshat (М. Папраник). Në fshatin Prapanik i Madh (В. Папраник), Dan Jani (Дан Јан) nga fshati Topojan bleu 4 prona prej 20 ha.. Në fshatin Vapa (Вапа), Hysni Prishtina (Усно Прстиња) bleu 4 ha. tokë bujqësore. Familja Pustina dhe Halil Kaba nga qyteti i Dibrës kishin blerë prona bujqësore në fshatin Tërnanik, kurse Sakib beu (?!) dhe Zenel beu (?!) kishin blerë prona në fshatin Sushicë. Edhe në fshatin Elevc, Rakib beu (?!) kishte prona tij bujqësore.
Edhe nëpër fshatrat e Fushës së Shehrit, qytetarë dhe malësorë kishin blerë toka bujqësore. Familjet qytetare blinin sipërfaqje të mjaftueshme toke bujqësore; Ali beu (Али Бег) bleu 20 ha. në fshatin Hame, po ashtu Sali Etemi (Сали Етем) bleu 20 ha. në këtë fshat. Në fshatin Bohmovë, Abdyl Ibrahim (Абдул Ибраим) bleu 13 ha. tokë bujqësore. Malësorët blinin sipërfaqje të vogla toke bujqësore; në fshatin Kojnarë, Ramë Kaja (Рама Којовић) dhe Rrahman Miftari (Раман Мифтар) nga fshati Zogje blenë secili nga 1 ha., kurse Adem Islam (?!) (Адем Ислам) bleu 6 prona me sipërfaqje 6 ha. në këtë fshat. Në fshatin Sushicë (Сушица), Dine Zeneli (Дини Зенел) bleu 5 prona me sipërfaqje 5 ha., Tefik Hyseni (?!) (Тефик Јусен) 3 ha., kurse Mahmud beu (Мамуд Бег) bleu 3 prona bujqësore me sipërfaqje 3 ha.. Në qytetin e Dibrës, Nazif Baftjar (Назиф Бафтјар) kishte blerë 3 ha..
Në fshatin Sollokiç të Fushës së Shehrit kishin blerë pronat e tyre bujqësore disa familje fisnike të qytetit të Dibrës, si Tefik bej Jegeni, Aqif beu (?!), Nazif beu (?!), Faik beu (?!) dhe Shezuman beu (?!). Ramadan beu (i biri i Sefedin bej Pustinës) nga qyteti i Dibrës kishte blerë 15 ha. tokë bujqësore, Sulejman beu (Сулејман Бег) bleu 3 prona me sipërfaqje 3 ha., Mustafa Hysen (?!) 2 ha., kurse Selman Simoni (Селман Симон) 2 ha.. Në Sollokiç, Qamil Beqir Dema (Ћамил Демо) dhe Ibrahim Shaban Dema (Ибраим Дема) nga fshati Homesh blenë nga 1 ha. tokë bujqësore secili.
Më 1880, vëllezërit Ramadan dhe Musli, (bijtë e Isuf Ismail Dumánit) nga fshati Stushaj i Grykës së Vogël blenë një pronë bujqësore në fshatin Sollokiç të Fushës së Shehrit. Duke qenë se Musliu nuk kishte trashëgimtarë, në këtë pronë u vendosën vëllezërit Haxhi dhe Nezir (bijtë e Ramadanit), kurse në fshatin Stushaj qëndroi vëllai i tyre më i madh Hajredini bashkë me vëllezërit e tjerë më të vegjël, Islami dhe Shaqiri.
4.5 Blerja e pronave bujqësore nga familje të fisit Dumáni nëpërmjet veprimtarisë keqbërëse.
Shumë malësorë apo qytetarë të Dibrës i blenë pronat bujqësore me pushtim apo nëpërmjet veprimtarisë keqbërëse. Et’hem Çiça pushtoi një banesë me çiftlig në fshatin Zhitinjan, duke ia rrëmbyer një fshatari të krishterë ortodoks. Në shenjë hakmarrjeje, fshatari vrau hoxhën e fshatit dhe u largua. Et’hem Çiça pushtoi edhe pronat e tjera të fshatarit të larguar. Lam Daci nga fshati Zogje sulmoi fshatin Peklarica të bashkësisë administrative të Zhupës (fshat i cili gjendej në bregun e majtë të rrjedhës së l. Radika), duke i detyruar banorët e krishterë që të shpërngulen në fshatin Rajçica të Fushës. Lam Daci pushtoi pronat e fshatarëve dhe më vonë ia shiti ato një fshatari të pasur nga familja Qylymi në fshatin Zhitinjan.
Në vitet ’80 të shek. XIX, Hysen Selman Dumáni nga fshati Stushaj i Grykës së Vogël sulmonte dhe plaçkiste familjet e pasura si dhe vriste këdo kundrejt pagesës. Nëpërmjet veprimtarisë keqbërëse, Hyseni kishte mbledhur shumtë pasuri saqë në fshatin Stushaj dhe në Grykë të Vogël thirrej me titullin “aga”. Pronat e tij bujqësore shtriheshin në fshatrat Sollokiç e Spas të Fushës së Shehrit si dhe në fshatin Okshatinë të Grykës së Vogël.
Për shkak të pasurisë së tij, Hyseni kishte lidhur edhe miqësi me familje më me ndikim të kohës; bijën e tij Adivijen e kishte kërkuar Liman Bajram Markja nga fshati Bohmovë i Fushës së Shehrit, për të birin e tij Ramizin. Po ashtu, birin e tij të vetëm Bexhetin e kishte martuar me Milen, bijën e Ismail Krosit nga fshati Bllacë i Grykës së Vogël, i cili ishte një ndër pleqtë më të famshëm të interpretimit të normave kanunore.
Hyseni mbeti i vrarë në një përleshje me armë që pati me forcat e xhandarmërisë osmane në rrethinat e Shkupit, të cilat i morën kokën. Përveç Hysen Selman Dumánit, gjatë kësaj periudhë vepronin edhe çeta e Lazim Manjanit nga fshati Homesh dhe çeta e Mahmud Camit nga fshati Gjoricë i Grykës së Vogël.
5. Përfshirja e fisit Dumáni në zhvillime të ndryshme gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX.
E ndërsa popullsia e krishterë ortodokse e qarkut të Dibrës vuante nga veprimtaria keqbërëse e çetave të armatosura arbëre, popullsia e islamizuar nëpër fshatrat e rretheve të Dibrës së Sipërme, Dibrës së Poshtme dhe Mates vuante nga dukuria e gjakmarrjes. Kishte familje që e përballonin armiqësinë edhe me disa familje të ndryshme njëherësh. Në gjysmën e dytë të shek. XIX, fisi i fuqishëm Dema në fshatin Homesh ishte në armiqësi me disa familje nga fise të ndryshëm; bijtë e Mustafa Kurd Demës (Lokja, Mersimi dhe Elmazi) ishin në armiqësi me familje të fiseve Krrusa e Veliu nga fshati Homesh. Prej tyre, Mersim Mustafa Dema e mori gjakun e të atit të tij duke vrarë dorësin, Allaman Krrusa.
Osman Kurd Dema ishte në armiqësi me Lam Dacin nga fshati Zogje, Lazim Manjanin nga fshati Homesh, Xhafer Kahreman Dumánin nga fshati Stushaj dhe me fisin Shtrezi nga fshati Homesh. Osman Kurd Dema (nga gojëdhëna thirrej Mane) u vra brenda në oborrin (avlli) e shtëpisë së tij në fshatin Homesh nga Rizvan, Xhafer dhe Abaz (bijtë e Kahreman Dumánit) nga fshati Stushaj në vitet ’80 të shek. XIX. Kjo vrasje ndodhi për shkak të krenarisë së tepruar të Mane Demës.
Fiset Dema dhe Shtrezi në fshatin Homesh ishin në armiqësi prej shumë vitesh. Pushka “kishte hangër burra” nga të dy fiset. Fisi Dema kishte rradhën për të marrë gjakun e tij. Në Dibër, normat kanunore të lejon marrjen e gjakut, por “pa shkret shtëpi dhe fis”. Fisi Dema e mori gjakun në një familje të fisit Shtrezi, e cila kishte mbetur me një djalë të vetëm, të ri e të pamartuar. Pushka e Demës nuk u lavdërua në odat dhe konaqet e Dibrës, megjithatë Dema e mori gjakun e vet.
Mane Dema “zbërthente kraharorin” sa herë kalonte para shtëpisë së shkretë. Për këtë veprim, gruaja e vejë që kishte qëndruar e vetme në trojet e bashkëshortit të vrarë, u çoi fjalë vëllezërve të saj, Rizvan, Ferë dhe Abaz (bijtë e Kahreman Dumánit), të cilët e vranë Dalip Mane Demën brenda avllisë së shtëpisë së tij në fshatin Homesh. Burrat e armatosur të fisit Dema i ndoqën tre vëllezërit deri në fshatin Boçevë të Grykës së Vogël, ku dhe u strehuan te byrazeri i tyre Can Patria i Vjetri. Ky i fundit njoftoi kaçakun e famshëm Lazim Manjani, i cili ishte në armiqësi me fisin Dema, por edhe mik shtëpie i Xhafer Kahreman Dumánit. Lazim Manjani i shoqëroi miqtë e tij dhe i përcolli për në Stushaj duke kalur përmes fshatit Homesh.
Gjatë viteve’90 të shek. XIX, Selim Sulë Dumáni u përfshi në armiqësi me fisin Jakimi, po nga fshati Stushaj. Nga kjo armiqësi, nga Dumánet u vranë Adem Selim Dumáni me të birin e tij të mitur, kurse nga Jakimet u vranë Hysen dhe Ahmet Jakimi dhe mbeti i plagosur Sali Jakimi. Me ndërhyrjen e fiseve Leka dhe Daci nga fshati Zogje (të cilët ishin miq të fisit Dumáni) dhe fisit Kaja (të cilët ishin miq të Jakime), kjo armiqësi u pajtua.
Gjatë viteve’90 të shek. XIX, Elmaz Han Dumáni nga fshati Stushaj vrau kunatin e tij Sahit Leka nga fshati Gjoricë i Grykës së Vogël. Sahit Leka kishte “shti argatë” për të prashitur arat me misër në fshatin Gjoricë. Në ndihmë i kishte shkuar edhe dhëndri i tij Elmaz Has Dumáni nga fshati Stushaj, bashkë me të birin e tij Manin. Sahiti “u kap me fjalë” me nipin e tij Manin, por Elmazi “nuk e bani mall”, pasi ata ishin “nip e dajë, ndreqen vetë”. Por Sahiti u kap edhe me dhëndrin e tij “duke i kërkuar hesap se po bënte sehir”. Elmazi “i bani rixha” disa herë, por kur e pa se kjo nuk po ecte, hoqi pushkën që e mbante krahëqafë dhe e vrau në vend vëllanë e gruas së tij.
5.1 Miqësitë e fisit Dumáni në fund të shek. XIX – fillimi i shek. XX.
Për të forcuar ndikimin në krahinë e më gjerë, krerët e familjeve më të forta të kohës, krerët e çetave të armatosura, krerët dhe pleqtë e Maleve vendosnin lidhje miqësore mes tyre, “mbanin për krahu” bijat që martoheshin (kumari), u “merrnin flokë” djemve të sapolindur (nun), por lidhja më e besueshme dhe më e qëndryeshme ishte martesa që “në djep” e bijve dhe bijave.
Që në gjysmën e dytë të shek. XIX, shumë familje të fisit Dumáni ishin larguar nga fshati Stushaj duke u vendosur në fshatrat Okshatinë, Homesh, Gjoricë të Grykës së Vogël dhe në fshatin Sollokiç të Fushës së Shehrit. Kudo që këto familje ishin vendosur, kishin dëshmuar qëndrim në përputhje të plotë me doket dhe traditat e malësorit dhe me normat kanunore të kohës. Kjo kishte bërë që familjet e njohura të kohës në mal të Grykës së Vogël të kërkonin miqësi me familjet e fisit Dumáni. Në fund të shek. XIX – fillimi i shek. XX, fisi Xhafa nga fshati Kovashicë dhe fisi Daci nga fshati Sollokiç ishin miq të Ramadan Jusuf Dumánit; Lazim Manjani nga fshati Homesh ishte mik i Kahreman Dumánit; Liman Bajram Markja nga fshati Bohmova i Fushës së Shehrit dhe Ismail Krosi nga fshati Gjoricë kishin lidhur miqësi me Hysen Selman Dumáni; Rushit Krosi nga fshati Bllacë dhe Ibrahim Xheta nga fshati Boçevë kishin miqësi me Shemsi Sulë Dumáni; Ali Sali Markja nga fshati Bohmovë i Fushës dhe Hysen Tahir Tasha nga fshati Bllacë kishin lidhur miqësi me Ibrahim Ismail Dumáni; fisi Dema nga fshati Homesh dhe fisi Delishi nga fshati Selishtë në Katër Grykë ishin miq të Sali Ibrahim Dumáni; fiset Dema nga fshati Homesh, Daci nga fshati Zogje, Kazani nga fshati Boçevë, Kurti nga fshati Shupenzë, Manjani nga fshati Homesh, Lela nga fshati Selishtë në Katër Grykë kishin lidhur miqësi me Tahir Ibrahim Dumáni; fisi Daci nga fshati Zogje kishte miqësi me Mehmet Ibrahim Dumáni; Osman Çuku nga fshati Mazhicë, Ahmet Ali Xheka nga fshati Gjorica dhe fisi Murra nga fshati Shupenzë kishin miqësi me Islam Ramadan Dumánin; Rrahman Mahmud Cami nga fshati Gjoricë kishte miqësi me Hajredin Ramadan Dumáni; fisi Murra në Shupenzë dhe fisi Lika nga fshati Lishan i Sipërme kishin miqësi me Avdi Mane Dumáni; fisi Kazani në fshatin Boçevë kishte miqësi me Demir Selim Dumáni; etj..
Edhe familje nga rrethi i Dibrës së Poshtme kishin lidhur miqësi me fisin Dumáni nga fshati Stushaj; Haziz Murrja nga fshati Hotesh i Luznisë kishte miqësi me Haxhi Ramadan Dumáni; Xheladin Seferi nga Lishan i Epërm i Luznisë dhe fisi Çiku nga fshati Shkjath i Muhurrit kishin miqësi me Xhafer Kahreman Dumáni; etj..
5.2 Përfshirja e anëtarëve të fisit Dumáni në çetat e armatosura keqbërëse gjatë fundit të shek. XIX – fillimi i shek. XX.
Familjet e pasura që kishin pronat e tyre bujqësore në fshatrat e qarkut të Dibrës, punësonin njerëz që ishin me ndikim apo anëtarë të fiseve luftarakë të Maleve, të njohur si sejmenë. Duke qenë se çetat keqbërëse ishin të ardhura kryesisht nga Dibra, si rrjedhojë edhe mbrojtësit e tyre ishin nga Dibra, kryesisht nga Lura, Çidhna dhe Luznia në rrethin e Dibrës së Poshtme apo Gryka e Vogël në rrethin e Dibrës së Sipërme.
Detyra e sejmenit kishte të bënte vetëm me mbrojtjen e pasurisë së fshatarëve. Tufat e bagëtive dhe të kuajve nëpër kullotat malore dhe bjeshkë, kishin nevojë për një mbrojtje më të mirë. Marrja nën mbrojtje e fshatrave nuk ishte një dukuri e ndodhur vetëm në trojet etnike shqiptare dhe nuk u shfaq vetëm në fshatin Galiçnik apo në fshatrat e Rekës. Ajo ishte një dukuri e përhapur në vilajetet e Rumelisë dhe Perandorinë Osmane, si mënyra e vetme për mbrojtjen nga njerëzit dhe çetat e të jashtëligjshmëve.
Sejmenët filluan që të punësoheshin edhe si truproja të njerëzve të pasur dhe familjeve të pasura, jeta e të cilëve ishte e rrezikuar në çdo kohë. Të tillë ishin Todor Gjini, Apostol Çerepi, Despot Babalia, etj. Dibranët e islamizuar ishin të famshëm për trimëri, por kur shërbenin si sejmenë (dibranët e këqinj), ata tregoheshin taktikë nëpër luftime, duke shmangur përplasjet e drejtëpërdrejta të armatosura. Edhe udhëtarët e huaj e të ndryshëm që ndërmerrnin udhëtime në trojet arbëre, u duhej patjetër që të shoqëroheshin nga sejmenë të islamizuar arbër. Një udhëtari i duheshin 10 – 15 sejmenë të armatosur, që të kalonte shëndoshë e mirë nëpër rrethin e Gostivarit. Por këta sejmenë nga Gostivari nuk kishin aspak famën e sejmenëve nga Dibra.
Familjet e fuqishme të dalëzotëve caktonin besnikët e tyre duke e ndarë fshatin që kishin marrë në mbrojtje sipas fiseve, lagjeve, kullotave. Fshati Galiçnik kishte 5 – 6 sejmenë. Një ndër ta ishte edhe sejmen Ali Prapa nga fshati Cerjan në rrethin e Dibrës së Poshtme, i cili mbronte bagëtitë e fiseve Pejko dhe Gjini në kullotat e Skelës mbi Galiçnik. Sejmenë të fshatit Galiçnik ishin Medi Kaca, Shaban Kaca dhe Mazllëm Kaca nga Dardha e Dibrës së Poshtme, të cilët nëpërmjet çetës së tyre ushtronin veprimtari keqbërëse jo vetëm ndaj fshatrave të tjerë, por edhe ndaj banorëve të fshatit ku shërbenin.
Sali Bajram Dema e Medi Dema nga fshati Homesh i Grykës së Vogël shërbenin si sejmenë nëpër fshatrat e Rekës së Vogël. Sali Bajram Dema shërbente edhe si “zaptiye” në postë – komandën e xhandarmërisë bashkë me Esad Granën nga fshati Gjoricë. Dalëzot Hysen Ndreu nga Dardha kishte vendosur sejmenët e tij në Galiçnik, ndër të cilët edhe nipin e tij. Por nipi i tij, duke synuar që të dëmtonte marrëdhëniet e ungjit të tij me banorët e Galiçnikut, nuk i dërgoi Hysen Ndreut pagesën vjetore prej 7 lira turke.
Sejmen ishte edhe Demir Selim Dumáni nga fshati Stushaj i Grykës së Vogël, ndërkohë që kushërinjtë e tij Dalip Sulë Dumáni, Hysen Selman Dumáni, Avdi Mane Dumáni kishin organizuar çetat e tyre keqbërëse.
5.3 Përfshirja e anëtarëve të fisit Dumáni në çetat e armatosura keqbërëse në fund të shek. XIX - fillimi i shek. XX.
Në vitet ‘90 të shek. XIX, nëpër hapësirën tokësore të qarkut të Dibrës vepronin disa çeta të armatosura keqbërëse, kryesisht nga Malet e Dibrës. Një ndër krerët e këtyre çetave ishte edhe Avdi Mane Dumáni (Абди Дума) nga fshati Stushaj. Po ashtu, Hajredin Ramë Dumáni merrte pjesë në çetën e Dalip Mustafa Jakimit, e cila përbëhej nga burrat e Stushajve. Në një sulm të organizuar në një nga fshatrat e rrethit të Rekës, të banuara nga popullsi e krishterë ortodokse, malësorët nga fshati Stushaj plaçkitën nëpër shtëpitë e fshatarëve ku rrëmbyen një fëmijë “në lirek”. Pasi kaluan vargmalin e Korabit, çeta u ndalua për ndarjen e plaçkës ku dhe gjetën fëmijën. Pavarësisht paralamërimeve të Dalip Jakimit mbi rrezikun që do t’i kanosej, Hajredin Ramadan Dumáni (1855 – 1918) e ktheu fëmijën e mitur në familjen e tij. Për këtë akt fisnik, i ati i fëmijës (i cili, sipas gojëdhën quhej pop Teodori) jo vetëm që mbeti mik me Hajredinin, por e dërgoi të birin e tij të parëlindur Ramadanin (1884 – 1976) për arsimim në një shkollë tregtare në qytetin e Izmirit.
Më 1902, çeta e Avdi Mane Dumánit rrëmbeu të riun Stale Arso nga fshati Tresonçe i rrethit të Rekës dhe e liroi atë pasi familja e të riut pagoi shpërblimin prej 35 lira turke. Çeta e Avdi Dumánit (Абди Дума) nga fshati Stushaj sulmonte fshatrat e rrethit të Rekës me çetën e tij bashkë me çetat e tjera nga Dibra e Sipërme dhe Dibra e Poshtme.
Popullsia e krishterë ortodokse që ishte vetëshpallur “serbe” apo “bullgare” në qarkun e Dibrës dhe jashtë tij, po vuante nga sulmet keqbërës të çetave të islamizuara shqiptare të Dibrës, sikurse dhe popullsia e krishterë ortodokse armene nga kurdët e islamizuar. Pa dyshim që çetat shqiptare kishin mbështetjen e parisë së islamizuar të qarkut të Dibrës, por edhe të autoriteteve ushtarake osmane.
Më 25 maj, keqbërësit Adem Jella dhe Ramë Lleshi nga fshati Bllacë i Grykës së Vogël në rrethin e Dibrës së Poshtme, morën peng dy barinj të krishterë nga fshati Tresonçe i Rekës së Vogël. Ata i lëshuan pengjet pasi morën shpërblimin prej 50 lira turke. Më 15 qershor, Islam Tasha nga fshati Bllacë i Grykës së Vogël vodhi 2 kuaj nga fshati Tresonçe i Rekës së Vogël. Osman Lleshi nga fshati Zogje vodhi 1 kalë në fshatin Tresonçe.
Më 12 korrik, Avdi Mane Dumáni nga fshati Stushaj i Grykës së Vogël me çetën e tij me 16 anëtarë, sulmoi banesën e fshatarit Nestor Kuzmani në fshatin Tresonçe, të cilit, pasi i plaçkitën shtëpinë, i morën të gjitha zahiretë, dogjën hambarin dhe në ikje i morën edhe një lopë. Më 15 korrik, Avdi Dumáni mori peng të riun Stale Arsi dhe e liroi vetëm pasi mori shpërblimin prej 35 lira turke.
Më 17 korrik, Ali Uka dhe Sulë Koxha nga fshati Mazhicë, Dan Koleci nga fshati Stushaj, Murad Manjani nga fshati Homesh, Adem Leka dhe Haziz Daci nga fshati Zogje, vranë 5 fshatarë të krishterë nga fshati Lazaropol dhe plagosën një tjetër. Shumë fshatarë të tjerë u hodhën mbi shkëmbinj duke u përpjekur që të shpëtonin, por u vranë. Më 19 korrik, këta keqbërës i vunë zjarrin një shtëpie të fshatit Lazaropol, që banorët të dilnin dhe të bënin vrasje të tjera. Banorët jo vetëm që nuk dolën jashtë, por filluan që të qëllojnë me armë zjarri nga dritaret e banesës. Nga këto luftime, shumë fëmijë të vegjël që flinin ishin viktima të kësaj mizorie të përgjakshme.
Më 13 gusht, Osman Lleshi nga fshati Bllacë i Grykës së Vogël vodhi 5 kuaj të fshatarit Danail Petri dhe 1 pelë të Mina Petkut nga fshati Tresonçe. Më 15 shtator, çeta e Beqir Nukës nga fshati Boçevë i Grykës së Vogël mori peng fshatarët e krishterë Gale Mitri dhe Pane Serafimi në vendin “Lopushnik të fshatit Lazaropol, të cilët i liroi kundrejt shpërblimit 40 lira për secilin. Më 18 shtator, Pavle Mandala dhe i biri Ivani me familjet e tyre, u larguan nga fshati Galiçnik dhe u shpërngulën në Manastir për shkak të mizorive dhe vjedhjeve të çetave. Sapo u larguan, banesa e tyre në fshatin Galiçnik u plaçkit nga komandanti i xhandarmërisë yuzbaş Sali Dema nga fshati Homesh i Grykës së Vogël.
Më 5 nëntor, çeta me 16 anëtarë e keqbërësit Osman Lleshi nga fshati Bllacë i Grykës së Vogël, nxori nga banesa e tij kryeplakun e fshatit Tresonçe Jovan Dona, të cilin e mori peng. Ai u lirua vetëm pasi të afërmit e tij paguan shpërblimin prej 35 lira turke. Më 10 dhjetor, Shaban Zenel (?!) nga fshati Bllacë i Grykës së Vogël plaçkiti banesën e fshatarit Mirno Trpçe.
5.4 Përfshirja e fisit Dumáni në ngjarjet e viteve të para të shek. XX.
Më 1906, tre burra të fisit Toçi nga fshati Kovashicë i Grykës së Vogël në rrethin e Dibrës së Sipërme, hynë në kullën e hoxhë Halim Metës po nga ky fshat dhe e vranë në “gropë të zarmit”. Bijtë e hoxhë Halimit gjendeshin në tregun e qytetit të Dibrës dhe në kullë gjendej vetëm e reja e tij (nusja e të birit, Tushit) Rrahimja, e bija e Rizvan Kahreman Dumánit nga fshati Stushaj. Rrahimja rrëmbeu pushkën e të vjehrrit dhe i ndoqi vrasësit jashtë kullës duke vrarë Avdi Toçin. Të njoftuar për ngjarjen, burrat e Dumáne shkuan të armatosur në ndihmë të mikut të tyre hoxhë Halim Meta, por gjetën të vrarë edhe nipin e tyre që kishin te fisi Toçi. Në këto kushte, “ata nuk e nganë më tej këtë punë”.
Korrupsioni në administratën vendore osmane kishte krijuar njerëz të fuqishëm nga paria shqiptare vendase, ndër të cilët, Elez Isuf Ndreu nga fshati Sllovë i Uj’ e M’Ujës, Sejfedin bej Pustina dhe Shaqir beu Dacin nga qyteti i Dibrës, të cilët kishin shkëputur çdo lloj varësie nga autoritetet e administratës osmane dhe nga qeveria në Stamboll.
Ndaj tyre, qeveria osmane dërgoi gjeneralin famëkeq Shefqet Turgut pashën, i cili jo vetëm që nuk pranoi të merrte rryshfet nga paria e islamizuar e Dibrës, por udhëhoqi forcat e tij ushtarake nëpër luginën e l. Radika, shkatërroi kullat e kryengritësve shqiptarë me artileri dhe mblodhi jo vetëm armët e zjarrit, por edhe armët e ftohta. Ai arrestoi parinë e qytetit të Dibrës, ndër të cilët Sejfedin bej Pustinën dhe Shaqir bej Dacin, të cilët i nxirrte çdo të premte para kazermës ushtarake dhe i rrihte me shkopinj para popullit që brohoriste dhe nën tingujt e bandës muzikore ushtarake.
Gjeneral Shefeqt Turgut pasha nuk ra në kurthet dhe grackat e parisë së Dibrës, të cilat u përpoqën që t’a bënin për vete nëpërmjet rryshfetit. Por paria e Dibrës dështoi sikurse dhe me Shemsi pashën më 1908. U dënuan me dëbim (sürgün) nga Dibra shumë nga anëtarët e parisë qytetare ndër të cilët Ali bej Pustina, Sejfedin bej Pustina, Shaqir bej Jegeni, Qamil agë Daci dhe Tefik agë Tërshana. Në qytetin e Manastirit ishin burgosur 158 krerë dhe pleq nga Malet e Dibrës, kurse şeyh Hasan Tomini, şeyh Emërllah Gazidede nga fshati Brezhdan, Dali Xhika nga fshati Mustafe dhe Avdi Ndreu nga fshati Dardha u burgosën në Bodrum Kala.
Pavarësisht vrasjeve, dhunës, dëbimeve dhe djegieve të shtëpive, shqiptarët e Dibrës nuk po i nënshtroheshin Shefqet Turgut pashës, duke habitur edhe Shtabin Drejtues të fushatës ushtarake dhe autoritetet e administratës vendore në vilajetin e Manastirit. Në këto kushte, qeveritari osman i vilajetit të Manastirit vali Halil beu urdhëroi rrethimin e qytetit të Dibrës nga 9,000 forca ushtarake me qëllim kontrollin e plotë të çdo banese dhe mbledhjen e të gjitha armëve. Për 2 ditë u mblodhën 15,000 armë të tjera nga popullsia e qytetit të Dibrës.
Sasia e armatimit të mbledhur në qytetin e Dibrës me 1910 ishte sa 10 % i numrit të përgjithshëm të armëve që do mblidheshin në mbarë trojet etnike shqiptare. Dënimi për të gjithë ata që mbanin armë pa leje nëpër banesat e tyre, ishte 1 deri 6 muaj burgim. Forcat ushtarake osmane arrestuan 162 banorë të tjerë nga qyteti, të cilët kishin qenë pjesëmarrës në kryengritjet e organizuara në rrethet e Pejës dhe Gjakovës, bashkë me 8 krerët e kryengritjes shqiptare në rrethin e Dibrës së Sipërme. Çarmatimi, arrestimet dhe dëbimet vijuan me të njëjtin vrull edhe ndaj popullsisë shqiptare në rrethet e Dibrës së Sipërme dhe Dibrës së Poshtme.
5.5 Marrja me forcë e djemve të rinj në shërbimin e detyrueshëm ushtarak osman.
Deri në muajin gusht 1910, në qarkun e Dibrës ishin arrestuar 483 të akuzuar për pjesëmarrje në kryengritje, të cilët u dërguan para gjyqit ushtarak osman të ngritur në qytetin e Dibrës. 19 burra nga fshatrat e Dardhës në rrethin e Dibrës së Poshtme u dënuan me 6 deri 10 vite burgim; 9 burra nga fshati Topojan i Grykës së Vogël u dënuan me 6 vite burgim dhe 1 burrë nga fshati Homesh, 4 burra nga fshati Okshatinë në rrethin e Dibrës së Sipërme dhe 1 burrë nga fshati Brezhdan në rrethin e Dibrës së Poshtme.
Në qytetin e Dibrës u arrestuan qytetarët Ibrahim bej Jegeni, Hamid Cami, Dalip Isuf Cami, Hajredin Jashar Markja, etj.. Në fillim të muajit gusht 1910, edhe 40 qytetarë të Dibrës u dënuan me dëbim (sürgün) në Azinë e Vogël, ndër të cilët Ali bej Pustina, Sejfedin bej Pustina dhe Hamid agë Cami.
Shumë djem të rinj u morën me forcë në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ndër të cilët edhe Din Cani nga fshati Borovjani. Disa prej tyre nuk u kthyen më, ndër të cilët, Miftar Ferë Dumáni nga fshati Stushaj, Destan Koxha nga fshati Vlashe, Maliq Xhafa, Sali Leka nga fshati Kovashicë i Grykës së Vogël, Osman Tahir Nika, Hysen Ahmet Shehu, Ahmet Sefer Prejsi dhe Sulë Gjerja nga fshati Murra, Cen Loca, Haziz Hida, Kurt Xheka, Imer Tahiri, Tahir Alihani e Lam Daçi nga fshati Selishta, Ali Shehi, Hasan Lleshi dhe Rexhep Prejsi nga fshati Murra, Isuf Ndreka dhe Lam Tahir Bruçi nga fshati Kacnia në Katër Grykë.
Shqiptarët e qarkut të Dibrës nuk po nënshtroheshin dhe se “vendosja e prestigjit të lëkundur ishte vetëm një fitore formale” për gjen. Shefqet Turgut pashën. Masat e marra prej tij si dhunimet, burgosjet, dëbimet e popullsisë shqiptare dhe rrënimet e vendbanimeve të saj, nuk përbënin thelbin e çështjes për “një popull të ashpër që është gati të vdesë pa iu trembur syri”. Ndryshe nga popullsia shqiptare e rretheve të Dibrës së Sipërme dhe Dibrës së Poshtme, popullsia e rrethit të Mates nuk organizoi kurrfarë qëndrese të armatosur ndaj marshimit të forcave ushtarake osmane, por nuk shpëtoi nga keqtrajtimet e saj. Nga ushtarët osmanë përdorej rëndom shprehja “Në Dibër u lujt me top, në Mate u lujt me shkop”. Shefqet Turgut pasha e dinte shumë mirë se për shqiptarin ishte shumë e rëndë t’a rrihje me shkop dhe se ishte nder për të po t’a vrisje me plumb.
Gjatë shtetrrethimit të vendosur nga Shefqet Turgut pasha në qarkun e Dibrës, pushteti shtetëror osman arriti në kulmin e fuqisë së tij. Pas kaq shumë kohësh, tregtarët kalonin lirisht dhe pa frikë edhe jo vetëm në Dibër të Poshtme por edhe në Malet e Dibrës, madje mund të thërrisnin pa frikë se po mbartnin “ar”, por askush nuk i përgjigjej thirrjes së tyre.
6. Veprimtaria keqbërëse në vitet e parë të shek. XX në Dibër.
Më 1 tetor 1910, polaku i fshatit Boçevë në Grykë të Vogël u sulmua nga dy vëllezër nga fshati Stushaj, të cilët ishin në kërkim nga autoritetet ushtarake osmane. dhe i morën paratë që kishte me vete, pushkën dhe bagëtitë. Njëri prej autorëve, Ramë Duka u kap nga autoritetet ushtarake të Dibrës. Gjatë kësaj periudhe, çetat e të arratisurve Ali Pustina nga qyteti i Dibrës, Xheladin Seferi nga fshati Lishan i Luznisë, Qazim Lika nga fshati Radomira, Dine Dalip Dema nga fshati Homesh i Grykës së Vogël qarkullonin nëpër malësitë e Dibrës, duke e mbajtur popullsinë e krishterë ortodokse nën frikë dhe terror. Në prijën e tyre ishin rreth 1,000 burra të armatosur, të cilët endeshin në male.
Autoritetet ushtarake vendore kishin arritur të kapnin disa anëtarë të këtyre çetava, të cilët ishin dënuar me varje në litar në qytetin e Dibrës, por kjo nuk e ndaloi veprimtarinë e çetave keqbërëse. Çeta e Xheladin Seferit në bashkëpunim me çetën e Qazim Likës sulmuan një karvan prej 200 të krishterësh dhe i morën peng për shpërblime.
Çetat e armatosura shqiptare u organizuan dhe kundër veprimtarisë së çetave serbe që vepronin në qarkun e Dibrës. Dalip Dani nga fshati Topojani në mal të Grykës së Vogël në rrethin e Dibrës së Sipërme vrau vojvoda Bozhin, por u kap nga autoritetet ushtarake osmane dhe u dënua me varje në litar me 26 tetor 1910, bashkë me Sulë Alinë nga fshati Fushë i Çidhnës në rrethin e Dibrës së Poshtme.
Keqbërësi Haziz Xheka nga fshati Gjorica i Grykës së Vogël (me banim në fshatin Viçisht), u dënua me varje në litar pasi kishte vrarë një djalë të ri nga fshati Banisht i Fushës, kurse para një viti kishte vrarë 20 ushtarë osmanë. Ai u var në orën 10 të mëngjesit të 3 tetorit 1910 dhe u la i varur deri në orën 6 të pasdites të asaj dite.
Bashkë me Haziz Xhekën, me 26 tetor 1910 u dënuan me varje në litar edhe malësorët Dalip Dani nga fshati Topojan i Grykës së Vogël dhe Sulë Alia nga fshati Fushë i Çidhnës në rrethin e Dibrës së Poshtme, për shkak të arratisjes së tij nga Bodrum Kala.
6.1 Vrulli i çetave keqbërëse në Dibër të Sipërme.
Pavarësisht se ndërmarrjet ushtarake për çarmatimin e popullsisë në “Tre Vilajetet” kishin patur përfundime suksesi duke ulur numrin e veprimeve keqbërëse (vrasjeve, plagosjeve, rrëmbimeve, plaçkitjeve me armë) krahasuar me vitin e kaluar, gjendja në qarkun e Dibrës nuk ndryshoi aspak. Në fund të vitit 1910, popullsia e krishterë ortodokse në fshatin Herbel të rrethit të Dibrës së Sipërme, që ishte vetëshpallur “bullgare”, u pushtua nga çeta e armatosur e Daut Murres nga fshati Hotesh i Luznisë në rrethin e Dibrës së Poshtme.
Deri më 1910 ishin asgjësuar disa nga krerët më të famshëm të çetave keqbërëse shqiptare. Hasan Llan Kaloshi nga fshati Kandër i Çidhnës në rrethin e Dibrës së Poshtme ishte vrarë nga kushëriri i tij Halil Xhetan Kaloshi; Osman Tasha nga fshati Bllacë i Grykës së Vogël (i njohur ndryshe si Osman Onbashi), ishte vrarë nga Tahir Tola; Tahir Tola nga fshati Gjoricë i Grykës së Vogël në rrethin e Dibrës së Sipërme ishte vrarë nga shoku i çetës Avdi Mane Dumáni, për shkak të një fyerje që ai i bëri; Halil Kica nga fshati Veleshtë i rrethit të Strugë ishte vrarë nga Selim Maliq Dema nga fshati Homesh i Grykës së Vogël, me porosi të autoriteteve osmane të vilajetit të Manastirit; Haziz Xheka nga fshati Gjoricë, Dalip Dani nga fshati Topojan i Grykës së Vogël dhe Selman Alia nga fshati Fushë Çidhën ishin vrarë nga autoritete osmane; etj..
Çetat keqbërëse shqiptare dhe forcat e xhandarmërisë osmane ishin në ndjekje të keqbërësit Ismail Grana nga fshati Gjoricë dhe e rrethuan në fshatin Bohmovë, por ai shpëtoi falë ndihmës që i dhanë fshatarët e krishterë të këtij fshati, duke i drejtuar për në fshatin Shushicë. Për këtë veprim, Selim Maliq Dema mori peng Osman Markjen nga fshati Bohmovë i Fushës së Shehrit, edhe pse kushëriri i tij i dytë Jonuz Uke Dema nga fshati Shushicë ishte martuar me Davë Osman Markjen.
Sipas Selim Demës, Osman Markja kishte strehuar në pronat e tij bujqësore keqbërësin Ismail Grana, kurse forcave të xhandarmërisë osmane u kishte thënë se Ismail Grana gjendej në fshatin Shushicë, ku kishte pronat e saj familja Dema.
6.2 Përfshirja e fisit Dumáni në qëndresë popullore të armatosur kundër forcave ushtarake serbe në nëntor 1912 – janar 1913.
Të mbështetura nga qitjet e parreshtura të artilerisë, forcat ushtarake serbe ndërmorën një sulm të gjerë më 7 janar 1913, kundër 500 burrave të armatosur nga Gryka e Vogël dhe Katër Grykët, duke i detyruar që të tërhiqen nga fshati Topojani drejt fshatit Stushaj. Kompania II e bat. II të regj. XIV të div. “Morava II”, e cila ruante Urën e Shehut në fshatin Topojan humbi 16 ushtarë në luftime. Më 11 janar, luftimet u vijuan në fshatrat Zogje dhe Stushaj. Nga forcat ushtarake serbe u vranë 3 ushtarë dhe 1 ushtarak si dhe u plagosën 5 të tjerë. Mbrëmjen e po asaj dite, forcat ushtarake serbe mbërritën në fshatin Selishtë të Katër Grykëve.
Malësorët e Katër Grykëve dhe Grykës së Vogël u tërhoqën duke u përqëndruar në fshatin Qafë – Murrë në kufi me Maten. Në këto luftime u vra Selim Demir Dumáni nga fshati Stushaj, u plagos Hysen Dalip Dema nga Homeshi (i cili vdiq më pas), u plagosën vëllezërit Asllan e Shemsi, bijtë Destan Dalip Dumánit nga fshati Stushaj.
Gjatë muajit janar 1913, luftimet mes malësorëve dhe forcave ushtarake serbe u zhvendosën në Mal të Bardhë, kufiri mes Grykës së Vogël dhe Bulqizës. Malësorët e Grykës së Vogël nën prijën e Musli Isuf Dumáni dhe Duleman Koleci nga fshati Stushaj dhe Hysen Sadik Tasha nga fshati Bllacë, zhvilluan qëndresë të ashpër në Qafë të Murrizit. Në luftimet e zhvilluara humbën jetën Hysen Sadik Tasha, Han Leka dhe Rizvan Zenel Lleshi si dhe u plagosën Ismail Krosi nga fshati Bllacë e Hysen Osman Kaci nga fshati Gjuras. Po ashtu u vranë edhe malësorët Shemsi Bajram Hoxha dhe Rustem Ramë Lami nga fshati Homesh, Nuredin Boduri nga fshati Okshatina, Adem Shaban Kaja dhe Mane Demë Leka nga fshati Zogje, Liman Kaziu nga fshati Gjuras, Shemsi Nuredin Ceku e Abdullah Xhaferr Ceku nga fshati Topojani; etj..
Popullsia e fshatit Stushaj u largua në fshatrat e Katër Grykëve të rrethit të Dibrës së Poshtme dhe në fshatrat e Përtej Ujës të rrethit të Mates. Banorët e vjetër në moshë që nuk kishin mundësi për t’i mbartur, i fshehën nën dëborë. Kështu vepruan me banorin Rexhë Haziz Kozi. Në fshat qëndroi Mersim Sali Dumáni, i cili mbronte me armë tërheqjen e bashkëfshatarëve dhe qëndroi në fshat që të mbikqyrte lëvizjet e ushtarëve serbë nëpër shtëpitë e fshatit. Por, u zbulua nga forcat ushtarake serbe, të cilat e vranë, pas një përpjekjeje të shkurtër me armë.
Hajredin Ramë Dumáni (1855-1918) ishte përfshirë në qëndresën e armatosur të malësorëve të Grykës së Vogël të organizuar kundër forcave ushtarake serbe, kurse i biri i tij më i madh Ramadani (1886-1976) me njerkën e tij Alushen (e bija e Abaz Xhekë Koxhës nga fshati Mazhicë dhe mbesë e Qazim Xheleshit nga fshati Boçevë) me vëllezërit dhe motrat (Sabrija 23 vjeç, Bedria 7 vjeç, Isufi 4 vjeç dhe Hysniu i sapolindur), u strehuan në shtëpinë e byrazerit të tij Ramë Maliq Mera nga fshati Lis i Përtej Ujës në rrethin e Mates.
6.3 Përfshirja e anëtarëve të fisit Dumáni në çetat e armatosura kundër forcave ushtarake serbe dhe bullgare (1915).
Më 11 qershor 1915, forcat ushtarake serbe të regj. “Ohri”, “Prizreni” dhe “Drini” hynë në Tiranë pothuajse njëkohësisht. Popullsia ishte mbledhur në hyrje të qytetit dhe i shoqëronte me me thirrjet "Rroftë mbreti Pjetër! Rroftë ushtria serbe! Rrofshin komandantët e saj!”. Një mësues i krishterë ortodoks mbajti një fjalim të shkurtër duke uruar mirëseardhjen ushtarëve serbë. Madje një grua e islamizuar i dorëzoi komandantit serb një tufë me lule, kurse myfti i Tiranës mbajti një fjalim të shkurtër dhe i dorëzoi qytetin komandantit serb.
Gjatë sulmit ushtarak në Principatën Shqiptare, nga forcat ushtarake të div. “Morava I” ishin vrarë 98 ushtarakë dhe ushtarë. Sipas raportimeve të forcave të bat. I dhe XVI, në viset e tyre të sulmit ishin vrarë 70 kryengritës të islamizuar.
Kudo ku kaluan, forcat ushtarake serbe vendosën në drejtimin e administratës vendore besnikë të bashkëpunëtorit të tyre, Esad pashës. Pas përfundimit të fushatës, forcat ushtarake serbe të regj. “Drini” qëndruan në Peshkopi, forcat e regj. “Prizreni” në Prizren, forcat e regj. “Ohri” në Tiranë, forcat e regj. XVI të div. “Morava I” në qytetin e Ohrit. Forcat e regj. XVI u larguan në muajin gusht drejt kufirit serbo – bullgar bashkë me një bateri frënge dhe një bateri të div. “Morava III”.
Gjatë pushtimit ushtarak serb të Dibrës së Sipërme, forcat ushtarake serbe kryen masakra në rrethinat (Дебърска Околия) e qytetit të Dibrës si Reka e Vogël, Fusha, Zhupa, Ana e Drinit e Golloborda, duke vrarë 247 banorë dhe duke djegur 90 shtëpi. Vetëm në fshatrat e Fushës, forcat ushtarake serbe vranë 40 banorë e dogjën 88 shtëpi. Në fshatin Sollokiç (Село Кжщи), ato dogjën 12 shtëpi, ndër të cilat edhe shtëpinë e Nezir Ramadan Dumáni. Siç duket, edhe Neziri ishte përfshirë në qëndresën e armatosur kundër marshimit të forcave ushtarake serbe.
6.4 Përfshirja e fisit Dumáni në ngjatje të ndodhura në vitet ’16-’18 në pushtimin ushtarak bullgar dhe austriak.
Më 2 dhjetor 1915, forcat ushtarake bullgare arritën në kufirin lindor të Dibrës dhe më 6 dhjetor hynë në qytetin e Dibrës të mirëpritur nga popullsia. Hapësira tokësore e pushtuar nga forcat ushtarake bullgare dhe që banohej nga popullsia shqiptare u organizua në qarqet e Prizrenit, Prishtinës, Kumanovës, Shkupit, Tetovës, Manastirit, Ohrit dhe Prilepit.
Me shpërbërjen e forcave ushtarake serbe, shqiptarët u hodhën në sulme të armatosur duke sulmuar, vrarë e plaçkitur forcat ushtarake serbe gjatë tërheqjes së tyre nëpër Principatën Shqiptare. Siç duket, ndërmarrjet për çarmatimin e popullsisë shqiptare kishin qenë një dështim i vërtetë.
Edhe nën pushtimin bullgar, qyteti i Dibrës vijonte që të ishte i rrënuar, pas dëbimit të forcave ushtarake serbe. Por forcat ushtarake serbe u kthyen sërisht duke vrarë dhe dëbuar popullsinë e islamizuar dhe duke shkatërruar lagjen e banuar nga popullsia e islamizuar. Por, sapo kaluan Urën e Spiles mbi rrjedhën e l. Drin i Zi, forcat ushtarake serbe të divizionit “Morava II” u sulmuan nga malësorët pranë fshatit Spas. Në këtë sulm u vra vetë komandanti i regj. III nënkolonel Todor Pavloviç, 8 ushtarakë të tjerë, 100 nënushtarakë dhe ushtarë si dhe u plagosën 11 ushtarakë (tre prej tyre ishin komandantë batalioni). Forcat ushtarake serbe u larguan duke i braktisur të vrarët e tyre bashkë me një flamur të divizionit të kalorësisë, 400 armë zjarri me municione dhe thesarin e regj. II.
Viset e Dibrës së Sipërme që u pushtuan nga forcat ushtarake bullgare, u organizuan në rrethin ushtarak të Dibrës (Дебърска околия) ku përfshiheshin 12 krahinari (общини), 68 fshatra (населени) dhe 36,533 banorë, nën varësinë e qarkut të Ohrit (Охридски окръг). Nga të dhënat e administratës së qarkut të Ohrit, në rrethin e Dibrës së Sipërme jetonin 10,952 banorë të krishterë bullgarë (българи), 10,848 banorë bullgarë të islamizuar (помаци), 5,543 shqiptarë (албанци), 8,421 turq (турци) e 769 ciganë (цигани).
Më 1916, banori Nezir Ramadan Dumáni nga fshati Sollokiç u plagos gjatë një përplasjeje me armë zjarri që ai pati me forcat kufitare bullgare, teksa po përpiqej që të kalonte një sasi duhani kontrabandë në kufirin austro – bullgar në fshatin Sollokiç.
6.5 Përfshirja e fisit Dumáni në ngjatje të ndodhura në vitet ’18-‘20 në pushtimin ushtarak jugosllav.
Në muajin mars 1919, krerët dhe popullsia e rretheve të Dibrës së Sipërme dhe Dibrës së Poshtme ishin ndarë në dy kampet kundërshtarë: serbofilë dhe italofilë. Forcat luftarake të “Batalioneve të Organizuara Shqiptare” kontrollonin hapësirat tokësore në luginën e l. Drin i Zi, të cilat nuk lejoheshin që të pushtoheshin nga forcat ushtarake italiane dhe jugosllave. Vendosja nën shërbimin luftarak e popullsisë shqiptare në të dy anët e kufirit shqiptaro – jugosllav në Dibër të Sipërme ishte kundërmasë e autoriteteve ushtarake jugosllave ndaj masave që kishin marrë forcat ushtarake italiane dhe shqiptare.
Për t’u shpëtuar arrestimeve e burgosjeve nga forcat ushtarake jugosllave, organizatorët e qëndresës së armatosur në Dibër të Sipërme dhe Dibër të Poshtme, gjenin strehë në malësi. Një ndër ta ishte edhe Nazif Abaz Dumáni nga fshati Okshatinë i Grykës së Vogël, i cili ishte strehuar me anëtarët e çetës së tij në fshatin Sopot të Grykës së Madhe. Prania e tij u diktua nga xhandarmëria jugosllave dhe shtëpia ku strehohej Nazifi me çetën e tij u rrethua nga forcat e xhandarmërisë jugosllave të postë – komandës së Zerqanit në rrethin e Gollobordës. Në përplasjet me armë mbetën të vrarë i zoti i shtëpisë Tahir Hoxha dhe post – komandanti Gjorgje Stojkoviç. Në këto luftime gjeti rastin të ndërhyjnë dhe forcat ushtarake italiane në Bulqizë. Nazif Abaz Dumáni arriti që të largohej me çetën e tij duke u strehuar në malësi.
Edhe çeta e Ymer Beqir Capës nga fshati Majtarë (e cila përbëhej nga Dalip Lazri nga fshati Bllatë e Sipërme, Islam Zeqja nga fshati Majtarë, Haxhi Rushiti nga fshati Allaajbegi, Gafur Aga nga fshati Grezhdan, Murat Datja nga fshati Erebarë dhe Sabit Izet Dema nga fshati Kurtbeg), u rrethua në fshatin Zerqan të Grykës së Madhe nga forcat e xhandarmërisë.
Komandanti i Sektorit të Majtë në Dibër, kol. Nikolla Jorganoviç njoftoi komandantin e forcave ushtarake jugosllave të Armatës III se përgjatë bregut perëndimor të l. Drin i Zi po vendoseshin forcat ushtarake italiane. Menjëherë pas njoftimit, gjen. Bozhidar Terziq urdhëroi që “menjëherë të zihen kufijtë e vitit 1915”.
Më 1920, Man Elmaz Dumáni nga fshati Stushaj i Grykës së Vogël u vra në një pritë të ngritur në “Rrafsha” të fshatit Homesh. Vrasja u krye nga Rrahman Sahit Leka nga fshati Gjoricë, i cili mori gjakun e të atit.
7.3 Veprimtaria tregtare e Ramë Hajredin Dumánit nga fshati Kovashicë i Fushës së Shehrit.
Vendosja e shumë familjeve dibrane në Tiranë (nga nëntori 1912) i kishte shtuar shkëmbimet tregtare mes Dibrës dhe Tiranës. Një ndër rrugët më të ngarkuara nga lëvizjet e njerëzve dhe mallrave ishte pikërisht ajo që lidhte qytetet e Dibrës dhe Tiranës. Nga qyteti i Dibrës, njerëzit dhe mallrat lëviznin nëpër fshatrat e Fushës së Shehrit deri në Urën e Shehit në fshatin Topojan ku kalonin nëpër fshatrat e Grykës së Vogël, Grykës së Madhe dhe Bulqizës dhe pasi kalonin në Qafën e Buallit, udhëtonin nëpër fshatrat Klos dhe Gur i Bardhë të Mates. Pasi kalonin Qafën e Murrizës, karvanet vijonin nëpër fshatrat e Bendës deri në qytetin e Tiranës. Përgjatë kësaj rruge kishte kishte shumë bujtina, 8 prej tyre vetëm në fshatin Gur i Bardhë. Ngarkesat e karvanëve që përdornin këtë rrugë ishin mallra kryesisht tregtare si sheqer, kripë, kafe, vaj guri, sapun, etj..
Gjatë viteve 1922 – 1935, karvanët e tregtarëve dhe njerëzit që lëviznin në rrugën Dibër – Tiranë ishin pothuajse të sigurtë, pasi tregtarët e Dibrës mbanin lidhje me familjet më me ndikim të viseve ku kalonin mallrat e tyre. Karvanet e tregtarit të njohur Ramë Hajredin Dumáni nga fshati Kovashicë i Fushës së Shehrit ishin nën mbrojtjen e Can Ahmed Dodës kur kalonin nëpër Klos dhe nën mbrojtjen e Dullë Hoxhës kur kalonin nëpër fshatin Gur i Bardhë, të cilët i kishte “byrazera”. Kur karvanet e Ramës kalonin në rrugën Dibër – Tiranë nëpërmjet fshatrave të Grykës së Vogël – Katër Grykëve – Përtej Ujës, ata ishin nën mbrojtjen e Kurt agë Kadisë nga fshati Lis i Përtej Ujës, me të cilin kishte “kumbari”.
Mallrat që Ramë Dumáni dërgonte në Pazarin e Urës në fshatin Klos ishin nën mbrojtjen e Can Ahmed Dodës nga fshati Klosi, kurse mallrat që dërgonte në Pazarin e Qytetit në fshatin Lis ishin nën mbrojtjen e Ramë Maliq Merës nga fshati Lis, me të cilin “kishin marrë flokë”. Ramë Dumáni kishte hapur dyqane në fshatrat Lunarë dhe Lukan të Katër Grykëve, ku kishte përfshirë byrazerat e tij Nazif Veli Rama (nga fisi Margjoka) në fshatin Kacni dhe Islam Bruçi në fshatin Lukan. Në dyqanin që kishte në fshatin Shupenzë të Grykës së Vogël, Ramë Dumáni e zhvillonte veprimtarinë tregtare nëpërmjet nipave të fisit Dumáni, Jahje Daci dhe Sait Daci nga fshati Zogje si dhe Zog Kurti nga fshati Shupenzë. Vetë Rama drejtonte bujtinën që kishte në qytetin e Tiranës, pranë Medresesë.
7.4 Përfshirja e fisit Dumáni në ngjarje të ndodhura gjatë regjimit zogist.
Gjatë regjimit zogist, familjet e fisit Dumáni ishin të ndara sipas tarafeve që drejtonin Grykën e Vogël, por kurrsesi në përçarje mes tyre. Bijtë e Abaz Kahreman Dumánit që ishin vendosur në fshatin Okshatinë mbështetnin familjen Manjani në fshatin Homesh, bijtë e Nezir Ramadan Dumanit në fshatin Sollokiç mbështetnin familjen Daci në qytetin e Dibrës; bijtë e Tush Dumanit në fshatin Stushaj mbështetnin familjen Lleshi në fshatin Banisht. Në bazë të këtyre lidhjeve, u paraprinin dhe ngjarjeve të ndryshme.
Më 19 mars 1927, u vra Isuf bej Hysenagolli brenda në shtëpinë e tij në Tiranë, i njohur për lidhjet e hershme me Beogradin zyrtar. Në vrasjen e tij ishte përfshirë organizata revolucionare bullgare VMRO. Truprojë vetjake e Isuf beut kishte qenë Izet Likës Dumáni, por vrasja e tij kishte ndodhur brenda në shtëpi në mesnatë nga shërbyesi bullgar i Isuf beut, i quajtur Arqile Bonxho nga qyteti i Ohrit. Izet Likë Dumáni njoftoi vëllezërit e tij për vrasjen e Isuf beut, lajmi cili i tronditi ata.
Më 14 korrik 1927, Dalip Dumáni nga fshati Stushaj sulmoi dhe plaçkiti Spase Merxhani nga fshati Llademericë i Ramnagorës. Dalipi ishte një nga mbështetësit e fisit Lleshi nga fshati Zogje.
Më 7 korrik 1928, Nazif Abaz Dumáni nga fshati Okshatinë u emërua tagrambledhës i financave të n/prefekturës së Zerqanit me titullin “Kalorës i Financave”. Nazifi kishte mbështetjen e Hysni Dine Demës nga fshati Homesh.
Më 14 dhjetor 1928, Tahir Rrahman Përkoxha nga fshati Gjuras qëlloi me pushkë ndaj Iljaz Mehmed Dumáni nga fshati Stushaj , por nuk arriti që t’a dëmtojë.
Por kishte edhe familje të fisit Dumáni që nuk kishin ndonjë parapëlqim ndaj tarafeve e grupimeve politike të kohës. Sherif Demir Dumáni nga fshati Stushaj ishte një ndër fshatarët e kamur me blegtori, por edhe shumë i gjindshëm për njerëzit në nevojë. Gjatë viteve ‘20 të shek. XX, fshati Stushaj u përfshi nga një thatësirë e madhe për shkak të mungesës së reshjeve të shiut, duke dëmtuar kështu të mbjellat e fshatarëve. Banorët e fshatit u mblodhën dhe menduan që të nxirrnin mbi sipërfaqen e tokës një burim uji, i cili nga Mëhalla e Epër rridhte nën tokë dhe dilte në fund të fshatit Kovashicë me emrin “Del Ujë”. Banorët thirrën një dervish të Urdhërit Bektashi që vepronte në teqetë e Bulqizës. Me veprimet e tij të mistershme, dervishi nxori ujë mbi tokë për një ditë e një natë, por më pas uji shteroi. Dervishi u bëri me dije banorëve të fshatit Stushaj se “i kërkohej që të bëhej një flijim njerëzor” (kurban) që uji të qëndronte mbi tokë. I pari që u ofrua për t’u flijuar për të mirën e banorëve të fshatit Stushaj ishte Sherif Demir Dumáni nga Mëhalla e Poshtme. Por burrat e fisit Dumáni kërkuan garanci nga dervishi, sepse nëse vëllai i tyre flijohej dhe uji shteronte, ata do t’a kërkonin gjakun e vëllait të tyre pikërisht te dervishi. Në këto kushte, fshati Stushaj mbeti pa ujë.
Vendosja e Ramë Hajredin Dumánit në Kovashicë të Fushës së Shehrit nuk u pa me sy të mirë nga disa fise të këtij fshati. Të keqpërdorur nga armiqtë e Ramës, disa nga banorët e këtij fshati rrethuan banesën e Ramës duke e penguar atë që të ushtronte veprimtarinë e tij tregtare. Por, disa burra besnikë të Ramës (të cilët ishin të punësuar në veprimtarinë tregtare të tij) nga fshati Kovashicë, njoftuan kushëririn e tij Nazif Abaz Dumáni nga fshati Okshatinë. Nazifi thirri kryefamiljarët e fisit Dumáni që banonin nëpër fshatrat Stushaj, Okshatinë, Gjoricë dhe Sollokiç, që të mblidhen në një kuvend në fshatin Stushaj. Të pranishmit morën “plak” Xhemail Markjen nga fshati Zogje i Grykës së Vogël dhe e dërguan që t’i njoftonte pleqësinë e fshatit Kovashicë mbi vendimin e fisit Dumáni.
Xhemail Markja u takua me pleqësinë e Kovashicës në “aksham” në xhaminë e fshatit dhe u bëri të ditur se: “Nga nesër në mëngjes, nëse vëllai i tyre Rama do të pengohej në punën e tij, çdo burrë i fshatit Kovashicë do të ndeshej në prita në Qafën e Qenokut, në Gjurin e Kaje dhe Urën e Topojanit”. Nga e nesërmja, Rama e vijoi normalisht veprimtarinë tregtare.
Më 1935, Rifad Avdi Dumáni u shpall në kërkim nga Gjykata e Rrethit Dibër, pasi ai nuk ishte paraqitur më 9 tetor 1934 para komisionit të regjistrimit për rekrutimin ushtarak.
Në mars 1937, Rifadi 20 vjeçar kishte dalë në pazarin e Mizinës në fshatin Homesh ku edhe nisi shkaku i armiqësisë me Dine Dalip Demën. Më 17 mars 1935, Mane Avdi Dumáni nga fshati Stushaj dhe Nuz Majtara nga fshati Zogje ngritën pritë për vrasjen e Dine Dalip Demës nga fshati Homesh. Nga qitjet me armë zjarri mbeti i plagur Dine Dema si dhe u vra truproja i tij Riza Nurçe nga fshati Topojan. Dine Dalip Dema u shpëtua nga vdekja e tij sigurtë nga Nazif Abaz Dumáni nga fshati Okshatinë. Pa ditur se prita ishte ngritur nga kushëriri i tij Mane Avdi Dumáni, Nazifi doli jashtë shtëpisë së tij sapo dëgjoi qitjet me armë dhe kur pa Dine Demën e plagosur të rrëzuar nga kali, ndërhyri duke penguar me trupin e tij rrezen e qitjes së armëve që vinin nga prita. Për këtë akt trimërie që kishte shpëtuar jetën e të atit, Hysni Dine Dema e mori Nazif Abaz Dumánin truprojë vetjake gjatë detyrës së tij si prefekt i Elbasanit.
Më 1936, Gjykata e Rrethit Dibër e dënoi me vdekje Mane Avdi Dumánin për plagosjen e Dine Dalip Demës dhe për vrasjen e truprojës së tij.
8. Përfshirja e anëtarëve të fisit Dumáni gjatë viteve të regjimit fashist (1939-1943).
Gjatë viteve 1938 – 1939, autoritetet ushtarake ishin në ndjekje të banorëve Rifad Avdi Dumáni nga fshati Stushaj, Osman Xhemal Skorra nga fshati Bllacë, Ymer Pëllumb Lleshi dhe Ferid Osman Lleshi nga fshati Zogje, Ismet Haki Shehi nga fshati Vleshë, Ali Rrahman Manjani nga fshati Grevë, Midhat Ferhad Gruja, Murad Mehmed Lama, Isak Veli Shabani, Elez Mahmud Avda nga fshati Steblevë, Islam Abdi Duka nga fshati Sebisht, Hamid Islam Lala dhe Nezir Rushid Lala nga fshati Murrë, Bahtijar Abazi nga Sllova dhe Haziz Jashar Muça nga fshati Bllatë e Sipërme, Faik Zejnel Myftiu nga fshati Melan, Adem Islam Duka, Mehmed Ahmed Abda, Kadri Beqir Baushi nga fshati Steblevë, Hysni Ali Skora nga fshati Bllacë, etj., pasi nuk i ishin përgjigjur thirrjes nën armë dhe disa prej tyre ishin arratisur duke u akuzuar edhe kalim të paligjshëm të kufirit.
Më 1941, Mane Avdi Dumáni nga fshati Okshatinë dhe Haxhi Halid Lleshi nga fshati Banisht u internua në Stari Bëçaj të Kroacisë nga qeveria kryeministrit Stojadinoviç. Gjatë viteve 1941 – 1942 pati dyndje të popullsisë së islamizuar shqiptare në fshatrat përreth qytetit të Dibrës. Në fshatin Sollokiç u vendosën familje të fiseve Koçi nga fshati Çerenec, Xhafa nga fshati Kovashicë, Koleci dhe Dumáni nga fshati Stushaj i Grykës së Vogël dhe Kaziu nga fshati Selishtë i Katër Grykëve. Familje të islamizuara nga prefektura e Peshkopisë u vendosën edhe në qytetin e Dibrës. Fuqizimi i elementit shqiptar nën pushtimin italian shkaktoi shpërngulje masive të familjeve të krishtera ortodokse nga Dibra.
Mane Avdi Dumáni ishte nga njerëzit më të afërt dhe besnikë të familjes Lleshi nga fshati Zogje, jo vetëm për shkak të lidhjeve miqësore mes fiseve Lleshi dhe Dumáni, por dhe për shkak të armiqësisë së përbashkët që Mane Avdi Dumáni dhe Haxhi Halid Lleshi kishin me vëllezërit Dine dhe Shaqir, bijtë e Dalip Kurt Demës nga fshati Homesh. Në themelimin e çetës së armatosur nga Haxhi Halid Lleshi, ndër bashkëthemeluesit e saj ishte edhe Mane Avdi Dumáni. Për shkak të veprimtarisë subversive që po zhvillonin në qytetin e Dibrës, Haxhi Halid Lleshi dhe Mane Avdi Dumáni u internuan në Stari Beçej të Kroacisë nga qeveria jugosllave fashiste e kryeministrit Milan Stojadinoviç.
Më 1941, pas bashkimit të trojeve etnike shqiptare nën Mbretërinë Shqiptare, vëllezërit Ramiz dhe Sadik (bijtë e Islam Ramadan Dumanit) nga fshati Stushaj u vendosën me familjet e tyre në lagjen Taranesh të fshatit Sollokiç të Fushës së Shehrit duke u mbështetur me kushërinjtë e tyre Osman, Esad e Shaqir (bijtë e Nezir Ramadan Dumanit). Në fshatin Sollokiç po ashtu u vendosën edhe familje të fiseve Koçi nga fshati Çereneci, Xhafa nga fshati Kovashica, Koleci nga fshati Stushaj i Grykës së Vogël, Kaziu nga fshati Selishta i Katër Grykëve. Familje të islamizuara shqiptare u vendosën edhe në qytetin e Dibrës. Fuqizimi i elementit shqiptar nën pushtimin italian shkaktoi shpërngulje masive të familjeve të krishtera ortodokse nga Dibra.
Më 1943, forcat e xhandarmërisë italiane arrestuan Mane Avdi Dumánin dhe Musli Hajredin Dumánin në bujtinën e Ramë Hajredin Dumánit në qytetin e Tiranës. Ata u kapën duke mbartur një sasi floriri, e cila ishte sjellë nga Dibra për në Tiranë nëpërmjet karvaneve të Ramadan Hajredin Dumáni. Mane Avdi Dumáni u lirua duke u hetuar në gjendje të lirë (kundrejt garancisë pasurore që pagoi Ramë Hajredin Dumáni), kurse Musliu 27 vjeçar u lirua kur u thye burgu i Tiranë në shtator 1943.
8.1 Përfshirja e anëtarëve të fisit Dumáni në lëvizjen Nacional Çlirimtare.
Më 1943, në fshatin Stushaj u ngrit Këshilli NÇL me kryetar Aqif Maliq Dumáni, kurse në dhjetor të këtij viti u ngrit Fronti Demokratik me kryetar Musli Hajredin Dumáni.
Mëngjesin e 17 nëntorit 1943, forcat partizane të bat. “Dibra”, “Nazmi Rushidi” dhe “Çermenika” u mblodhën në fshatin Kovashicë të Grykës së Vogël. Për t’i shpëtuar ndjekjes së forcave ushtarake gjermane, ata u shpërndanë në malësitë e Grykës së Vogël, Grykës së Madhe, Dardhës dhe Reçit. Popullsia u dha strehë dhe ushqim pasi këta luftonin kundër pushtuesit gjermanë dhe jo sepse ishin ndjekës të vijës politike të PKSH – së.
Në Grykë të Vogël, baza të batalionit “Dibra” ishin shtëpitë e Hysni dhe Musli Hajredin Dumánit, Rasim dhe Aqif Maliq Dumánit, Tafë Fali Dumáni, Ibrahim Kolecit, Mete Çup Dukës, Mane Dukës në Stushaj; Fasli Xheleshit, Adem Xhiveshit, Halil Biçit, Bajram Çukut në Mazhicë; Llan Lekës, Dilaver Lleshit, Osman Krrusës, Hasan Dacit, Ramadan Dacit në Zogje; Muharrem Rizvan Dumánit, Nazif Murrës, Ramiz Murrës në Shupenzë; Nazif Tetës, Mustafa Tetës, Xhemail Mustafa Tetës në Gjuras; Rushid Tomes në Kovashicë; Met Jellës në Bllacë; Qamil Lleshit në Okshatinë; Demir Rusit në Homesh; Shefki Lleshit e Kep Lleshit në Gjoricë; etj..
Lidhjet miqësore e farefisnore mbeteshin në fuqi në Dibër madje ishin më të fuqishme edhe se bindjet politike.
Më 1944, në njësitë e UNÇSH – së u rreshtuan edhe banorët e fshatit Stushaj Rasim Maliq Dumáni, Xhafer Halid Dumáni, Fetah Shaban Lazri, Veli Haxhi Koleci, Mete Çup Duka, Jonuz Mane Duka, etj..
Më 1944, Hil Man Dumáni nga fshati Gjoricë u vra në një pritë të ngritur në vendin “Ranat e Gjoricës”. Vrasja u bë nga Mahmud Tahir Tola nga fshati Viçisht, për të marrë gjakun e të atit. Duke qenë se Hila ishte vrarë për shkak të vrasjes që Avdi Dumáni kishte kryer më 1910, i biri i këtij të fundit Mane Avdi Dumáni mori përsipër marrjen e gjakut të fisit të tij. Duke parashikuar rrezikun e vrasjes nga Mane Avdi Dumáni, Mahmud Tahir Tola mendoi që t’u dorëzohej forcave të UNÇSH – së në Dibër duke kërkuar mbrojtjen e tyre. Më 15 tetor 1944, Mahmudi iu dorëzua forcave partizane të batalionit “Dibra”, të cilat e dërguan në fshatin Zerqan. Mahmud Tahir Tola u pushkatua nga partizanët më 9 dhjetor 1946.
8.2 Përfshirja e familjeve të fisit Dumani në "pushtetin popullor" në vend.
Më 1945, u krijua Organizata Bazë e PKSH - së në fshatin Stushaj me sekretar Mustafa Fali Dumáni.
Më 1946, kryetar i Këshillit NÇL të fshatit Stushaj u zgjodh Mane Avdi Dumáni.
Më 1950, Ali Fali Dumáni u vendos me familjen e tij në qytetin e Fierit, pasi shërbente në Forcat e Armatosura. Edhe Xhaferr Halit Dumani u vendos me familjen e tij, pasi kishte qenë partizan në batalionin e gjeneral Petrit Dumes.
Më 3 gusht 1950, luftëtarët veteranë të UNÇSH – së për qarkun e Dibrës, u mblodhën në festën e çlirimit të Zerqanit nga forcat ushtarake gjermane. Në festë merrte pjesë deputet i Dibrës Haxhi Lleshi, i cili ishte me detyrë drejtor i Drejtorisë së Personelit në Ministri të Mbrojtjes. Në festë ishte i ftuar Mane Avdi Dumáni, një nga bashkëluftëtarët e Haxhi Lleshit gjatë viteve 1942 – 1945. Gjatë bisedimeve mes dy burrave pati mosmarrëveshje që kulmoi me nxjerrjen e armëve të zjarrit. Duke u përpjekur që t’i shpëtojë çdo mundësie për asgjësimin e tij fizik nga autoritetet policore të Dibrës, Mane Avdi Dumáni dhe vëllai i tij Rifadi bashkë me familjet e tyre (12 frymë), u arratisën mesnatën e 4 gusht 1950 në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Gjatë kalimit të kufirit shqiptaro – jugosllav në rrjedhën e l. Drin i Zi, Mane Dumáni Avdi humbi bijën e tij të mitur.
Mane Avdi Dumáni u vendos nën shërbimin e UDB, si hakmarrje ndaj Haxhi Halid Lleshit dhe familjarëve të tij që gjendeshin në qytetin e Dibrës. Nuk kishte kaluar 1 muaj nga arratisja e Mane Avdi Dumánit në qytetin e Dibrës, kur më 4 shtator 1950, Aqif Tush Lleshi dhe i biri Mustafai u arratisën nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë duke u vendosur me familjet e tyre në qytetin e Tiranës në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Më 1952, u krijua Organizata e Rinisë Komuniste të fshatit Stushaj me kryetar Ali Fali Dumáni.
Më 1957, u krijua Kooperativa Bujqësore e fshatit Stushaj me kryetar Rasim Maliq Dumáni, i cili u zgjodh dhe kryetar i Lokalitetit të Shupenzës.
Familja e Islam Hajredin Dumánit nga fshati Stushaj që ishte vendosur në fshatin Sollokiç që në vitin 1941, dëshmoi qëndrim kundër politikave antishqiptare të qeverisë jugosllave. Shërbimi i fshehtë jugosllav burgosi në Goli Otok 38 banorë, të gjithë nga Dibra. Gjithashtu, dëbuan 262 banorë nga fshatrat dhe nga qyteti i Dibrës, duke i vendosur në qytetin Gradsko të rrethit të Shtipit (sot rrethi i Veleshit). Ndër njerëzit e dëbuar nga Dibra ishin edhe vëllezërit Ramiz dhe Sadik (bijtë e Islam Ramadan Dumánit nga fshati Stushaj.
- Artikuj që mund të jenë tepër të gjatë
- Faqe pa burim informacioni
- Artikuj dhe seksione të kopjuara
- Të gjithë artikujt dhe seksionet të kopjuar
- Artikuj me probleme të shumta të mirëmbajtjes
- Infobox mapframe without OSM relation ID on Wikidata
- Pages using infobox settlement with unknown parameters
- Pages using infobox settlement with missing country
- Pages using infobox settlement with no map
- Faqet me harta