Jump to content

Silva Turdiu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Silva Turdiu

Silva Turdiu u lind në vitin 1961Tiranë, volejbolliste e shquar shqiptare e viteve 1970 dhe fillimit të viteve 1980.

Silva Turdiu lindi në Tiranë më 5 shtator 1961, si fëmija e dytë e profesorit Qazim Turdiu dhe Asime Pipës. U rrit në shtëpinë prindërore të familjes Turdiu, në rrugën Qemal Stafa nr. 7; ndoqi shkollën fillore elitiste "Kosova", shkollën 8 vjeçare "Fan Noli", ku mori pjesë në klasën sportive të volejbollit, gjimnazin "Sami Frashëri" dhe Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. U dallua si nxënëse dhe sportiste e shkëlqyer. Në moshën 14 vjeçare filloi aktivizimin me ekipin e të rejave të Dinamos dhe ekipin kombëtar të të rejave. Në moshën 17 vjeçare kaloi në ekipin legjendar të volejbollit të femrave të Dinamos dhe ekipin kombëtar. Si titullare e Dinamos dhe Kombëtares kontribuoi në shumë fitore sportive të brendshme dhe ndërkombëtare. Ishte periudha kur Shqipëria e varfëruar dhe e izoluar nga bota po kalonte një nga fazat më të errëta të historisë së saj. Volejbolli i femrave qe një nga fushat shumë të pakta ku Shqipëria arriti të konkurronte në nivel ndërkombëtar. Për këtë arsye, ekipi i femrave i Dinamos dhe ai Kombëtar u bënë objekt frymëzimi dhe vetë-afirmimi, dhe fituan admirimin entuziast të popullit. Silva Turdiu, duke kombinuar sukseset sportive, me rezultate të larta në mësime, me bukurinë fizike, me sjellje personale korrekte dhe me një prejardhje familjare të shquar, fitoi famë si një nga sportistet më të njohura të vendit.

Fejesa me djalin e Mehmet Shehut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Fejesa e Silva Turdiut me Skënder Shehun

Silva Turdiu ishte vetëm 20 vjeçe, volejbolliste dhe studente e Fakultetit Ekonomik, e konsideruar si një nga vajzat më të zgjedhura të asaj kohe, kur u njoh me djalin e kryeministrit të Shqipërisë Mehmet Shehu, Skënder Shehu. Ishte gushti i 1981-shit kur djali i kryeministrit kërkoi dorën e saj. Më 1 shtator 1981 shpallet fejesa midis çiftit të ri, në foto shfaqet Turdiu mes vjehrrit, Mehmetit dhe të fejuarit, Skënderit. Kjo fejesë do të shënonte edhe fundin e jetës së vjehrrit të saj e të familjes Shehu, si edhe fillimin e një shtypjeje dhe denigrimi për familjen Turdiu. Dy ditë pas fejesës shkuan për vizitë Enver Hoxha dhe bashkëshortja e tij Nexhmije Hoxha. Kjo u duk si një bekim i kësaj fejese. Por në fakt shënoi fillimin e kalvarit të jetës së saj dhe familjes Shehu. Disa ditë më vonë Enveri urdhëron Mehmetin të prishë fejesën e Skënderit me Silvën, sepse Silva kishte "njolla në biografi", disa lidhje familjare të saj që ishin arratisur në SHBA dhe konsideroheshin si armiq të popullit. Mehmeti e prish fejesën e djalit menjëherë, por sulmi ndaj tij sapo kishte filluar. Ai u thirr në Byronë Politike të Partisë për të dhënë shpjegime mbi këtë fejesë dhe për arsyet që e shtynë ta pranonte këtë lidhje me "armiqtë". Mehmeti bëri një autokritikë prej 39 faqesh, por kjo nuk e bindi Hoxhën dhe Byronë. Kjo supozohet se e shtyu Mehmetin në vetëvrasje, të cilën e kreu më 17 dhjetor 1981.

Internimi i familjes Shehu dhe denigrimi i familjes Turdiu

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Familja Shehu u internua e gjitha, bashkëshortja Fiqeretja, djemtë dhe nuset e tyre në Belsh. Më pas arrestohet Fiqeretja dhe dënohet me 15 vjet heqje lire, djali i dytë Skënderi me 25 vjet heqje lirie dhe djali i tretë Bashkimi me 23 vjet heqje lirie. Djali i parë i çiftit Shehu, Vladimiri, u tha se kreu vetëvrasje. Familja Turdiu, një ndër më të respektuarat, u denigrua e sulmua mizorisht nga Hoxha sidomos në librin e tij Titistët. Babai i saj, prof. Qazim Turdiu, një nga themeluesit e universitetit, iu nënshtrua "mbledhjeve" poshtëruese në universitet dhe u pushua nga puna. Nëna, Asime Pipa, u pushua nga puna dhe u dërgua të punonte në fonderi në moshën 52 vjeçare. Vëllai dhe kushërinjtë, që ishin studentë, u përjashtuan nga universiteti dhe u dërguan në punë krahu. Të tjerë kushërinj humbën punësimin apo u transferuan jashtë kryeqytetit. Shtëpitë 400 vjeçare të fisit Turdiu në qendër të Tiranës u shembën më 1983 dhe mbetën gërmadhë për 30 vjet.

Fati i Silva Turdiut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Silva Turdiu, 20 vjeçare, u mor në pyetje në qelitë e Sigurimit, u përjashtua nga sporti dhe universiteti, u la pa punë për shumë vjet, e më pas u dërgua të fitonte bukën e gojës duke thurur çorape, ku punëtoreve u duhej të lëviznin duart si të çmendura gjithë ditën për të realizuar gjysmë norme. Më 1983, familjes Turdiu i morën shtëpitë dhe i dërguan të jetonin në parafabrikatet e Laprakës. Në moshën 22 vjeçare Silva u lidh me Agim Kubatin, një nga djemtë e dalluar të Tiranës së asaj kohe. Agimi ishte i pushuar nga puna si mësues i frëngjishtes, sepse babai i tij u burgos nën akuza politike. U martuan më 1987. Në nëntor 1988 u lindi fëmija e parë, Rea Kubati. Në prill 1989 vdiq babai i Silvës. Më pas, më 1989, regjimi komunist me një këmbë në varr, e ripranoi Silvën në universitet. Në korrik 1990, Agimi u fut në Ambasadën Italiane. Si ndëshkim, regjimi e përjashtoi Silvën nga universiteti për të dytën herë. Silva, me nënën e saj dhe fëmijën e vogël, kaluan detin me peshkarexhë dhe arritën në Itali, ku u bashkuan me Agimin. Pas një viti, më 1991, emigruan si refugjatë politikë në Shtetet e Bashkuara dhe u vendosën në New Jersey, ku edhe kaluan vështirësitë tipike të emigrantëve. Silva punoi dhe studioi njëkohësisht. U diplomua në Infermieri më 1995, profesion në të cilin edhe u punësua. Më 1999 u lindi vajza e dytë, Francesca Kubati.

Shteti pluralist shqiptar i ka akorduar Silva Turdiut titullin "Mjeshtre e Sportit". Silva e ka vizituar Shqipërinë pluraliste disa herë. Është pritur jashtëzakonisht ngrohtë, nga publiku dhe shtypi, ndonëse ka zgjedhur të mbajë një qëndrim modest dhe privat. Historia e Silvës ka prekur psikikën e kombit dhe figura e saj është kthyer në një idhull kulturor, përfaqësuese e jetës dhe historisë së brezit të saj. Për brezin e tranzicionit nga komunizmi në pluralizëm, Silva - një vajzë e bukur, sportiste dhe studente - mishëron gëzimin, shpresat e rinisë. Silva - e relacionuar me Mehmet Shehun dhe Enver Hoxhën - mbetet pjesë e historisë. Silva - e hetuar nga Sigurimi, e përjashtuar nga sporti dhe shkolla - mishëron viktimat e pafajshme të regjimit komunist. Silva - që iu fut burri në ambasadë, që shkoi me varkë në Itali, që emigroi në ShBA, që kalon mundimet e emigrantit e arriti të ndërtojë në vend të huaj një jetë normale e familje të shëndoshë - mishëron rënien e komunizmit, shpërndarjen dhe mbijetimin në të katër anët e botës e një brezi të tërë shqiptaresh.

http://lajme.shqiperia.com/lajme/artikull/iden/395828/titulli/Silva-Turdiu-renia-dhe-shkelqimi-i-nje-femre