Jump to content

Theodhor Haxhifilipi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Teodor Haxhifilipi)
Alfabeti i Todhrit

Theodhor Haxhifilipi i njohur si Dhaskal Tod'hri (Elbasan, 1730 - 1805) ka qenë mësues, përkthyes dhe hartues i një alfabeti unik të gjuhës shqipe i njohur si Alfabeti i Todrit,[1] si dhe ka përkthyer disa ungjijë dhe dy fabula të Ezopit.

U lind në lagjen Kala të Elbasanit, i biri i kujunxhiut Filip.[2] Mësimet e para i kreu në shkollën greke në Elbasan dhe më pas ndoqi Akademinë e Voskopojës. I ati, Haxhi Filipi, e dërgoi në shkollën greke që lulëzonte asokohe në Voskopojë. Pas kësaj bëhet mësues në shkollën greke të Elbasanit. Gjatë viteve 1751 - 1801 ka mbajtur Kodikun e Shën Mërisë të kishës së Kalasë.

Duke qenë i shtyrë nga dëshira që kishin elbasanasit për të thënë uratat në gjuhën shqipe në kishë, Todri i hyri përkthimit të librave të kishës ortodokse, duke krijuar edhe një alfabet të posaçëm me 53 shkronja. Pas vitit 1801, Dhaskal Todri, shkoi në Evropë dhe atje me ndihmën e shqiptarëve, bëri gati shkronjat që i duheshin për shtypjen e dorëshkrimit të tij. Ai u nis per në Voskopojë që t'i shtypte në shtypshkronjë, por Patrikana e Stambollit [3] e cila ishte kundër çdo gjuhe tjetër, sidomos kundër gjuhës shqipe, bëri të mundur vrasjen e Dhaskal Tod'hri, gjë që u prezantua si vrasje për arsye grabitjeje. Në vitin 1827 veprat e tij u dogjën publikisht. Albanalogu Johann Georg von Hahn që prej vitit 1850, në një artikull, e më pas në librin "Albanesische Studien" të vitit 1854 alfabetin e konsideronte si shumë të lashtë, të derivuar nga pellazgët.[4] Në vitin 1899, studiuesi shqiptar Gjergj Pekmezi, nga Univeristeti i Vjenës, kishte vërtetuar se ky alfabet ishte nga shekulli i XVIII-të. Sot Theodor Haxhifilipi ose Dhaskal Todhri konsiderohet, dëshmori i parë i shkollës shqipe.

Pak nga veprat e Haxhifilipit kanë mbijetuar. Dihet për një Meshë të Gjon Gojarit, shkruar diku para vitit 1801, dhe për një tjetër Meshë të Shën Mërisë, që sot ndodhet në Vjenë, e që rishtazi (2016) është zbuluar nga Robert Elsie. Së fundi është shfaqur edhe një përkthim katekizmi, i njohur si Ketekizmi i Elbasanit, që duhet të jetë realizuar diku menjërë pas vitit 1782, kur po e njëjta ishte botuar nga autori grek i kohës Adamantios Korais (1748-1833). Në këtë përkthim të fundit e gjejmë edhe një paragraf të vetëm që mund të sjellë pikpamjet dhe motivet e Haxhifilipit për shkrimet shqipe. Fragmenti, i panjohur deri tash është si vijion:

Shtova m’ate ende disa të nishanume rëposh sa kaa iktizaa gjuhuna shqipes të rrëfeej nojmat e gjuhunës gërqishes. Jukam rixhan praa juve të ghëshenvet shqiptarët të dheskni e ta duni këtë Katiqise si ushqimin e shpirtit tuuj, ta meletisni e ta këndoni përhera në daçi të merrni natediit të lumnumen prej zotit, në daçi ti bini pishqesh ndërtestarit toon të ngjoftmen eperndiis që asht si nji kurban i shejtënushëm e i pëlqyshëm ke aji që pa ibaam këtë kurban nuk a me mëqym kuurr të forcohi, më besët nde më punët emira.[5]

Duke qenë se paragrafi vjen nga një fletore e kopjuar më vonë, kah mesi i shkullit XIX, autenticiteti i fragmentit të Haxhifilipit mbetet çështje e hapur. Megjithëse veprat e tij ishin djegur, shumë kopje të bëra nga përcjellës të tij kanë mbijetuar, dhe mbahen sot në Tiranë. Mbesin ende të gjurmohen dhe të përzgjedhen tutje pjesët që janë shkrime të tij të kopjuara më vonë, prej teksteve që janë shkruar nga të tjerët duke përdorur alfabetin e tij. Shumica e familjeve ortodokse të Elbasanit në ndonjë moment e kanë përdorur këtë alfabet në shkrimet e tyre, përfshirë korrespodencën mes vete, kontabilitetin, udhëpërshkrimet, e madje edhe mbajtjen e recetave.

Në kujtim dhe nderim të kontributit të tij për arsimin, gjuhën dhe shkollën shqipe, në vitin 1978 është xhiruar filmi artistik me titull Udha e shkronjave. Gjithashtu, një shkollë e mesme në qytetin e Elbasanit mban emrin e tij.

  1. ^ Yll Rugova (2022). Malte Bruni dhe fillimi i studimeve mbi alfabetet origjinale të gjuhës shqipe. In Studimet për Shqiptarët në Francë, ASHAK Prishtina, pp. 571–2
  2. ^ Hysa, Mahmud (1995). Autorë dhe tekste nga letërsia e vjetër shqiptare. Vëll. 2. Flaka e vëllazërimit. fq. 86.
  3. ^ Baku, Pasho, red. (2011). "Haxhifilipi, Teodor". Enciklopedia universale e ilustruar. Tiranë: Shtëpia Botuese Bacchus. fq. 403. OCLC 734077163.
  4. ^ https://archive.org/stream/ahy9953.0001.001.umich.edu#page/n29/mode/2up
  5. ^ Rugova, Yll (2023-01-01). "Katekizmi i Elbasanit me alfabetin e Todhrit nga mesi i shekullit XIX". Studime Filologjike. 76 (1–2): 119–136 – nëpërmjet Academia.edu, albanica.al.