Jump to content

Teqetë dhe tyrbet

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Përpos xhamive, si objekte sakrale islame janë edhe teqetë dhe tyrbet, që itakojnë komunitetit të dervishëve. Teqetë janë faltore të një gjinie tjetër ndërtimesh për kryerjen e ceremonive fetare-islame dhe veprimtarisë arsimore të dervishëve. Objektet nuk janë edhe aq monumentale. Teqja në Gjilan, e cila edhe tani njihet si Teqja e Gjilanit, sipas disa të dhënave, është ndërtuar më 1881 nga Sheh Islami, muhaxhir i ardhur nga Leskoci. Kjo teqe i takon tarikatit Sadi, nga dymbëdhjëtë tarikate dervishësh sa janë gjithsej. Pra, kjo teqe është krijuar prej banorëve muhaxhirë shqiptarë dhe ndodhej në periferi të Gjilanit, në veri të Lagjes së Muhaxhirëve. Është një ndërtesë përdhese, planimetria kënddrejt, ka dy ambiente, semhanen dhe dhomën e ndejës. Pranë teqes gjendej edhe tyrbja, si monument mbivarror (mauzole), e rrethuar me mure, por jo edhe e mbuluar. Në tyrbe gjenden 4 varre ku janë varrosur shehlerët. Kjo teqe gjendet në varësi të teqesë së Nesalcës. Teqja është djegur pas luftës së fundit në Kosovë, në rrethana të panjohura, dhe prapë është rindërtuar nga MKRS-ja.

Trashëgimia e kulturës materiale e shpirtërore dhe popullsia e Gjilanit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Teqja dhe tyrbja e tarikatit Halveti gjendej në anën e djathtë të rrugës përball Shkollës Teknike (“Mehmet Isai”). Sipas disa të dhënave, ky ishte objekti i dytë fetar në Gjilan, ndërtuar në vitet njëzet të shek.XIX, nga myderrizi i parë i xhamisë “Atik”, Hasan Ahmet Arapoglu, i ndihmuar nga Ibrahim Dindari, në lokacionin e nënlagjes së quajtur “Arap Mëhallë”. Kjo teqe dhe tyrbja (tani vetëm tyrbe) ndodheshin në oborrin e shtëpisë së vëllezërve Hamdishehu, tre nga të cilët janë vrarë pa arsye dhe pa gjyq nga forcat partizano-çetnike në fund të vitit 1944, kurse vëllai i katërt, Ramizi, është shpërngulur në Turqi. Tyrbja e mbetur edhe tani quhet Tyrbja e Hamdishehëve.

Teqja dhe tyrbja e Burunsëz Babës (Baba i pahunë) është ndërtuar nga sheh Ramizi nga Muhovci, skaj rrugës në hyrje të lagjes “Dardania”. Në tyrbe është i varrosur sheh Ramizi, prej nga rrjedh emri i tyrbes. Dy teqetë-tyrbet e fundit deri rreth viteve 60 të shek. të kaluar ishin të ruajtura. Në këtë kohë në Gjilan kanë ekzistuar gjithsej 35 dervishë, prej tyre 20 të tarikatit Sadi, ndërsa 15 të tarikatit Rufai. Këta të fundit i udhëhiqte shehu Tasin beg Gjinolli, i shpërngulur në Turqi më 1957. Tasin beu nuk kishe teqe dhe si antarë më tepër kishte romë dhe shërbimet i kryente në shtëpi të vet. Sipas disa të dhënave, pas viteve 60 të shek. të kaluar, tarikatet në Gjilan nuk funksiononin, pos atij Sadi, të cilët kanë edhe teqenë e tyre. Dervishët dhe shehlerët bartnin kësula specifike. Qeleshet i punojnë me porosi.

Nga të dhënat e Ulema Mexhlisit të Shkupit për vitin 1838/9, mësuam e në tërë Rrethin e Gjilanit kishte 7 teqe, 6 prej tyre të ndërtuara deri më 1912 dhe një pas këtij viti, të cilat iu përkisnin tarikateve: sadi 3 teqe; bektashi 2; rufai 1 dhe kaderi 1. Dy prej teqeve ishin të vakëfit dhe 5 ishin private. Të gjitha pa prona dhe pa vakëfname. Katra ishin vetëm ziqri dhe tri as namaz, as ziqri, katra vetëm sheh, tri pa sheh. Të gjitha të ndërtuara me material të dobët. Njëra prej traditave, të praktikuara në qytetin e Gjilanit dhe në disa qytete të Kosovës, të përcjellura nga koha osmane dhe më vonë deri pas Luftës së Dytë Botërore , ishte tradita e krismës së topit gjatë muajit të Ramazanit, që ishte sinjalizimi i kohës së iftarit. Kjo traditë në qytetet e Kosovës është ndërprerë më 1950, nga regjimi komunist. Topi në Gjilan ishte i një madhësie të vogël, qëndronte i gatshëm para Sahat Kullës, kurse më vonë në oborrin e Xhamisë së Madhe, i mbushur me letra e barut. Në mungesë të rrymës, gjatë muajit të Ramazanit, në sherife të minares vendoseshin kandilat prej gazi, që sinjalizonin kohën e iftarit, kurse për kohën e syfyrit, zakonisht romët i binin tupanit.[1]

  1. ^ Selmani, Aliriza (2015). Gjilani Qendra Anamoravës. Gjilan: pika 5A. fq. 140, 141, 142. ISBN 978-9951-621-04-5. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)