Jump to content

Universiteti Metropolitan Tirana

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shkolla e Lartë Universitare Private “Universiteti Metropolitan Tirana” financohet nga një grup investitorësh në fushën e inxhinierisë, arkitekturës, teknologjisë dhe ekonomisë, themelues të Grupit “Future University of Tirana” (FUT GROUP), me mision edukimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe zhvillimin e talenteve të reja në fushën e biznesit shqiptar. SH.L.U.P. Universiteti Metropolitan Tirana është licencuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 357, datë 12. 05. 2010 “Për Licencimin e Shkollës së Lartë Universitare Private “Universiteti Metropolitan Tirana”, Tiranë”.

Misioni i Shkollës së Lartë Universitare Private “Universitetit Metropolitan Tirana” është përgatitja e drejtuesve të rinj të biznesit shqiptar dhe specialistëve të lartë në fushën e inxhinierisë, arkitekturës, ekonomisë dhe teknologjisë së informacionit, të aftë për të punuar si në tregun e brendshëm dhe në atë rajonal dhe europian.

Për të realizuar këtë mision, SH.L.U.P. Universiteti Metropolitan Tirana ka si objektiv: Pozicionimin në tregun shqiptar me specialistë të formuar dhe të kualifikuar në të gjithë sektorët e biznesit Aftësimin e studentëve për kualifikime e publikime të mëtejshme në fushën e tyre. Përmirësimin e vazhdueshëm të programit akademik, bazuar në përvojat më të mira ndërkombëtare. Investimin në kërkimin shkencor, si një karakteristikë e programit të studimit të ciklit të dytë dhe të Masterit Profesional, tashmë inkuadruar edhe në ciklin e parë Sigurim akomodimi me kushte shumë të mira për studentët dhe nxitjen e veprimtarive sociale, të dijes e të kulturës nga studentët ose organizimet e tyre. Me qëllim përmbushjen e objektivave SHLUP Universiteti Metropolitan Tirana parashikon për vitin akademik 2014-2015 hapjen e dy degëve të reja, përkatësisht Master Shkencor në Arkitekturë Inxhinierike dhe Bachelor në Financë- Kontabilitet, në bazë të aplikimit Nr. 149 Prot. datë 28.02.2014, dorëzuar pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit . Masteri Shkencor në Arkitekturë përfshin një cikël studimesh të integruara 5-vjeçare.

SH.L.U.P. Universiteti Metropolitan Tirana përmban dy fakultete: Fakultetin e Inxhinierisë dhe Fakultetin e Ekonomisë. Fakulteti i Inxhinierisë përbëhet nga Departamenti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Departamenti i Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjisë së Informacionit. Ndërsa, Fakulteti i Ekonomisë përbëhet nga Departamenti i Administrimit të Biznesit dhe Departamenti i Informatikës Ekonomike. Pranë çdo fakulteti funksionon edhe një qendër e veçantë kërkimore shkencore.