Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2013/4
Fjala kalifat rrjedh nga ajo arabe khilāfa. Kalifi quhet në arabisht خليفة رسول الله Ḫalīfa, shumës Ḫulafāʾ (pasardhës në post, mëkëmbës, kalif) ose khalīfat allāh ose khalīfat rasūl allāh që do të thotë e përkthyer fjalë për fjalë „mëkëmbës i zotit“ ose „pasardhës i të dërguarit të zotit“.
Kalifati paraqet formën e rregjimit islamik, në të cilën udhëheqja shekullare (laike) dhe fetare është vetëm në dorën e kalifit. Sistemi shtetëror i Muhamedit në Medinë ka qenë i bazuar në modelin teokratik: ai ka qenë si prijësi i lëvizjes fetare ashtu edhe sundimtari mbi zonën e influencës, në të cilën ky besim praktikohej. Kalifati ka qenë kështu jo vetëm posti zyrtar por ai ka qenë po ashtu edhe zona ku ushtronte pushtetin kalifi, zotërimet e tija.
Koncepti i kalifatit është sipas pikëpamjes së shumë myslimanëve në kundërshtim me doktrinën e Muhamedit. Sipas sures 112 (al-ihlās), asnjë njeri nuk mund të krahasohet me allahun, as vetë kreu i të gjithë myslimanëve. Katër kalifët e parë, Abu Bakr-i, Umar ibn al-Khattab-i, Uthman ibn Affan-i dhe ʿAlī ibn Abī Tālib-i nuk pretendonin se e kishin në zotërim këtë titull. Si mëkëmbësi i zotit mbi tokë (arabisht خليفة الله Ḫalīfat allāh)) haset ky titull për herë të parë tek umajjadët që filluan të sundojnë prej vitit 661, të cilët e përdornin këtë titull për vete. Trashëgimia islamike e mëvonshme ka përcaktuar se ky titull fillimisht quhej „pasardhës (ose mëkëmbës) i profetit të allahut“. Kështu edhe e pati marrë Abu Bakr-i titullin khalifat rasul allah, „pasardhës i profetit të allahut“.