Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2022/9
Ukraina (Ukrainisht: Україна, Ukrayina, /ukraˈjina/) është një shtet që ndodhet në lindje të Evropës. Ukraina kufizohet në lindje e verilindje nga Rusia, në veriperëndim nga Bjellorusia, në perëndim nga Polonia, Sllovakia dhe Hungaria, në jugperëndim nga Rumania e Moldavia dhe në jug laget nga Deti i Zi dhe Deti Azov. Ajo ka një sipërfaqe prej 603.628km2 (233.062sq mi), duke e bërë atë vendin më të madh tërësisht brenda Evropës.
Ukraina është një shtet jofederal i përbërë nga 24 oblaste (krahina), një republikë autonome (Krimea) dhe dy qytete me status të veçantë: Kievi, kryeqyteti i saj dhe qyteti më i madh dhe Sevastopoli, në të cilin ndodhet flota ruse e Detit të Zi, sipas një marrëveshjeje qiraje. Ukraina është një republikë me një sistem gjysmëpresidencial me degë legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore të ndara. Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, Ukraina vazhdon të ketë ushtrinë dytë më të madhe në Europë, pas asaj të Rusisë. Vendi ka rreth 44.600.000 banorë, 77.8 për qind e të cilëve janë ukrainas etnikë, me minoritete të konsiderueshme të rusëve (17%), bjellorusëve dhe rumunëve. Ukrainishtja është gjuha zyrtare e Ukrainës. Alfabeti i saj është cirilik.