Jump to content

Xhamia e Lamit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Xhamia e Lamit, ose e Mëhallës së Re.

Xhamia e Lamit, e njohur edhe si Xhamia e Mëhallës së Re, është një ndër gjashtë xhamitë të cilat gjenden në Ulqin, Mali i Zi. Është xhamia e lagjes e quajtur Mëhalla e Re. Është ndërtuar më 1689 nga Haxhi Alija.

Ekzistojnë disa gojëdhëna lidhur me emrin e saj. Supozohet se më e vërteta është ajo sipas së cilës emrin e ka marrë, sipas vendit pra, lami për punimin e drithërit. Ndërkaq burime historike lidhur me këtë çështje nuk ekzistojnë. Pas Luftës së Dytë Botërore nën regjimin komunist janë zhdukur shumë dokumente që flasin për xhamitë e Ulqinit.

Dikur kjo xhami ka pasur ullishtën e vet në një sipërfaqe prej 90 ari dhe një sasi të hollash. Me tërmetin katastrofal të vitit 1979, xhamia u shkatërrua krejtësisht dhe për disa vjet nuk ka funksionuar. Mirëpo me aktivitetin e Bashkësisë Islame dhe qytetarëve u ndërtua xhamia në të njëjtat themele me një minare madhështore. Sipërfaqja e saj përbëhet prej 136 metrave katrorë pa llogaritur ballkonet. Pranë xhamisë gjendet gasulhanja që i plotëson të gjitha kushtet higjienike për rregullimin e të vdekurve. Në kuadër të xhamisë ndodhet edhe vendi për faljen e xhenazeve. Në ndërtimin e Xhamisë së Lamit kanë ndihmuar qytetarët e Ulqinit dhe disa bashkëvendës nga diaspora. Mirëpo, për ndërtimin e saj ka pasur pengesa nga disa persona të asaj kohe. Për ndërtimin dhe ekzistimin e kësaj xhamie, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe Ibrahim Bajramoviq, ish-kryeimami i Bashkësisë Islame të Ulqinit.