E diela
Java |
E hëna |
E marta |
E mërkura |
E enjtja |
E premtja |
E shtuna |
E diela |
E diela është dita e shtatë e javës. Emri i saj vjen nga Dielli, pra dita e diellit, jo vetëm në shqip, por në disa gjuhë (anglisht: Sun-day). E diela mbahet si dita e shtatë e javës në shumë vende në botës, por në antikitet ajo ka qenë dita e parë. E diela u la pushim për herë të parë nga perandori Kostandini i Madh në vitin 321, pasi ai fillimisht adhuronte Diellin si hyjninë e tij supreme. Pas ligjërimit të krishtërimit në disa vende të botës emri i ditës së Diellit u ndryshua në 'Dita e Zotit'. Në latinisht e diela quhej 'Dies Solis', ku më vonë u bë Domenica.[1]
E diela në Krishterim[2]
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në traditën e Kishës Ortodokse, në ndryshim nga traditat e tjera, e diela është dita e parë e javës, sipas konceptit biblik të krijimit të botës, ndërsa e shtuna është dita e shtatë (Gjeneza 1). Ajo përkon me ditën e ngjalljes së Krishtit, e kësisoj quhet dita e Zotit, madje në disa gjuhë është emërtuar pikërisht kështu, p.sh., në italisht Domenica, në greqisht Κυριακή (Kiriaki) etj. Në shqip kjo ditë vazhdon të emërtohet sipas kuptimit të ditës së Diellit.
Me të dielën fillon java e besimtarëve dhe rreth saj lëviz duke e pasur si qendër adhuruese dhe si qendër të kohës personale.
Sipas dëshmive të apostujve (Mattheu 28:1; Marku 16:2; Llukai 24:1; Joani 20:1,19 [1]), Ngjallja Krishtit ndodhi “ditën e parë të javës”. Kështu të krishterët filluan ta nderojnë shumë këtë ditë, sepse me ngjalljen u shpartallua pushteti i djallit, u çliruan besimtarët nga vargonjtë e vdekjes dhe filloi një jetë e re për tërë krijesën, si rrjedhojë kjo u bë ngjarja më e rëndësishme e krishterimit.
Dita e diel - dita e Zotit, është gjithashtu dita e tetë dhe e parë, sipas etërve të shenjtë të kishës. Ajo tregon fundin e botës së vjetër (si ditë e tetë) dhe fillimin e botës së re që vjen (si ditë e parë dhe si ditë e përjetësisë).
Shën Konstandini i Madh ishte i pari që caktoi ditën e Zotit, pra ditën e diel, si ditë pushimi për të gjithë Perandorinë Romake. Urdhëresa perandorake, që doli më 3 mars të vitit 321, caktoi pushim të përgjithshëm nga çdo lloj pune. Që prej asaj kohe e deri më sot legjislacionet e të gjitha shteteve të krishtera përcaktojnë të dielën - ditën e Zotit, ditë pushimi.
Këtë ditë, besimtarët i lënë pas gjërat materiale të përditshme dhe luten më intensivisht.
Veçanërisht shenjtërimi i kësaj dite, arrihet me gatishmërinë për pjesëmarrjen në liturgjinë hyjnore dhe në kungimin e shenjtë.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Nikolas Herceku, Adhurimi i Diellit, 2021
- ^ "E Diela - Dita e Zotit". Arkivuar nga origjinali më 9 gusht 2019. Marrë më 9 gusht 2019.