Çekajt
Një nga nga familjet më të vjetra të qytetit të Shkodrës, ku të parët e saj kanë qenë pronarë të mëdhenj tokash dhe më pas janë marrë me tregti, ekonomi e politikë, është dhe familja Çeka (Suma).
Në një nga dhomat e banesës karakteristike shkodrane, e cila ndodhet në qendër të qytetit në lagjen "Ndoc Mazi", Ëngjëlli dhe familja e tij kanë ekspozuar figurat kryesore të familjes, dokumentet e fotot kryesore të figurave të saj.
Fillimet e familjes që njihet me dy mbiemra (fakt ky që ka një histori shpjeguese), zënë që para shumë vitesh në lagjen "Bojej" të fshatit Sumë, që përfshihet në komunën e Postribës në Shkodër.
Dy vëllezërit Pjetrin dhe Sokol (Kolë) Suma rridhnin prej një familjeje bajraktarësh dhe veziri i Shkodrës u dërgoi fjalë që të shkonin për ta takuar në Shkodër, në sarajet e tij. Fjalës së vezirit, që ishte dhe sundimtari i Shkodrës, iu përgjigj vetëm një nga vëllezërit, Sokoli, kurse Pjetri nuk pranoi dhe për t'i shpëtuar ndonjë hakmarrjeje të mundshme të vezirit, u largua nga fshati dhe për dhjetë vjet me radhë qëndroi i fshehur ndër miqtë e tij dhe nëpër male. Pjetri vendosi dhe zbriti në Shkodër e shkoi drejt e në shtëpinë e Haxhi Çekës, për të cilin kishte dijeni se nga katolik ishte kthyer në mysliman, kishte bërë haxhillëk në Mekë dhe kishte mbështetjen e vezirit.
Ky e mori në besë Pjetrin dhe e mbajti në shtëpinë e tij, duke i thënë se nuk e detyronte njeri për të ndërruar fenë. Kështu, Pjetër Suma qëndroi për afro tre vjet në shtëpinë e Haxhi Çekës dhe mbas tre vjetëve Haxhiu i dha para për të ndërtuar shtëpinë e tij. Pjetri e ndërtoi shtëpinë e tij ngjitur me atë të Haxhiut, por, kur e morën vesh turqit dhe shkuan për t'ia shembur, Haxhi Çeka u doli përpara dhe u tha se ajo ishte shtëpia e tij. Turqit ikën duke thënë se ajo është shtëpia e Çekës dhe që nga ajo kohë Pjetër Sumës i mbeti mbiemri Çeka dhe në të gjithë Shkodrën ai filloi të thirrej Pjetër Çeka. Kurse jashtë qytetit e nëpër fshatra dhe jashtë Shqipërisë ku ai shkonte për tregti, njihej dhe thërritej Pjetër Suma. Prandaj, që nga ajo kohë, edhe sot ajo familje njihet me dy mbiemrat, Suma dhe Çekaj.
Pjetër Çeka u martua dhe i lindën pesë djem: Preçi, Hila, Ejlli, Kola dhe Simoni. Dy djemve të mëdhenj, Preçit dhe Hilës, Pjetri u dha zanatin e rrobaqepësit, kurse djalin e tretë, Ejllin, e dërgoi në Romë, ku pasi u shkollua për xhakua (prift) shërbeu në Shkodër dhe më vonë në fshatin Shirq, ku edhe vdiq e u varros në kishën e Shirqit. Djali i dytë, Hila, u mor me tregti lëkurësh, ku pasi mblodhi një sasi shumë të madhe, shkoi dhe i shiti në Venedik. Me paratë që fitoi nga shitja e lëkurëve, Hila bleu shumë mall, të cilin erdhi dhe e shiti në Shkodër në gjashtë dyqanet që i bleu së bashku me vëllezërit e tij. Nga paratë që fitonte prej shitjes së lëkurëve në Itali, Hila blinte mall manifakture dhe vinte e shiste në Shkodër. Pasi u fuqizua shumë ekonomikisht, përveç Shkodrës, Hila filloi t'i shiste mallrat që sillte nga Italia dhe në Gjakovë, Prizren, Shkup, Tetovë etj., ku hapi agjencitë e veta, që njiheshin me firmën "Suma" (Çeka) dhe punësoi njerëz të besuar nga Shkodra.
Pasi fituan shumë nga kjo lloj tregtie, vëllezërit Çeka u martuan sipas radhës dhe blenë dyqane, vreshta e toka, të cilat shtriheshin në Bushat, Vrakë, Bardhej, Lezhë e deri në Zejmen, ku ata kishin 200 dynym. Hila ndërtoi një shtëpi të madhe me gjashtë dhoma në qytetin e Shkodrës, në atë vend ku sot njihet me emrin Arra e Madhe. Familja e njohur tregtare e Shkodrës është ndër familjet më të vjetra shkodrane që figurojnë të shënuara që në vitin 1736 në regjistrin e pagëzimeve që ka mbajtur famullitari i Tophanes, Dom Pal Kamsi. Trashëgimtarë të kësaj familjeje shpërndahen, vajzat martohen me familje të tjera të njohura në Shkodër, djemtë disa shkojnë në Francë e Spanjë, të tjerë jetojnë në Shkodër.
Dekorimi nga presidenti francez
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mikel Çeka (Suma) ka shërbyer për gati 40 vjet në konsullatën franceze në Shkodër si ndihmës dhe përkthyes i konsullit francez në këtë qytet. Për këtë Presidenti i Francës, Feliks Fore, më 23 prill të vitit 1895 e dekoron Mikel Çekën (Sumën) me medalje ari dhe origjinali i diplomës që shoqëronte medaljen gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit. Medalja nuk dihet ku ka humbur, por dokumentin që e vërteton këtë është marrë duke fotokopjuar origjinalin që ndodhet në AQSH. Medalja i është dorëzuar Mikel Çekës nga konsulli francez në Shkodër Hekard, i cili i kishte propozuar Ministrisë së Jashtme të shtetit të tij dhënien e kësaj medaljeje.
Filip Çeka, është një ndër drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkodër.
Koha e Zogut dhe përndjekja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Filip Çeka, u lind në vitin 1898 në këtë shtëpi dhe gjatë pagëzimit që iu bë në kishë, si kumbarë kanë qenë çifti francez Giorgjio De Grand dhe Marie Berta De Grand, të cilët në atë kohë punonin në Konsullatën Franceze në Shkodër.
Kishte edhe një motër, Gjystinën, e cila u dorëzua murgeshë dhe një vëlla, Angjelinin, ndërsa nëna ishte nga fisi tjetër i vjetër shkodran, Shiroka, kushërirë dhe me poetin Filip Shiroka. Babai u shkollua në Shkollën Tregtare të Shkodrës, të cilën e mbaroi në vitin 1920, nga ku u emërua si nëpunës finance në Bashkinë e Shkodrës. Më pas, ai punoi si drejtori i Financave në Krujë, Lezhë, Pukë dhe Durrës. Duke qenë se ishte një ndër njerëzit e besuar të Mbretit Zog, në vitin 1934 Filipi kaloi si punonjës i Ministrisë së Brendshme dhe u emërua si nënprefekt në Delvinë, Ersekë dhe Konispol. Pasi punoi disa kohë si kryesekretar i Prefekturës së Vlorës, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, Filipi u pushua nga puna. Me ardhjen e gjermanëve, më 1943-shin, ai u emërua nënprefekt i Lushnjës, ku punoi vetëm tri javë dhe u largua që andej pasi e shpëtoi qytetin nga djegia e gjermanëve. Gjatë viteve të regjimit komunist deri më 1960-n, kur doli në pension punoi si llogaritar në Korçë, Fushë-Arës e Bushat, gjithmonë i vëzhguar nga Sigurimi, si ish-funksionar i lartë i Monarkisë së Zogut.
Në fakt, menjëherë sapo u çlirua Shqipëria, duke nuhatur klimën politike dhe ndëshkimin që do të binte mbi intelektualët, u largua nga Shkodra dhe u vendos në Korçë tek njerëzit e gruas së tij, nënës sime. Atje kemi qëndruar familjarisht deri në vitin 1957. Babait nuk iu njoh asnjëherë si vjetërsi pune koha që kishte punuar në shtet para 1944-s. Në Korçë nuk e njihnin si në Shkodër, ndonëse dhe atje ishte i survejuar dhe kjo rezulton dhe nga një dëshmi e dhënë në hetuesi nga i arrestuari prej komunistëve, prifti korçar Papa Josif Mihali, i arrestuar nga komunistët më 31 tetor 1946, i cili pohonte se "Filip Çekën e kam njohur për të parën herë në vitin 1938 në Korçë, por me të vetëm çështje fetare kemi biseduar e asnjëherë politikë", thotë Ëngjëll Çeka.
Historia e familjes në arkiv
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Për familjen Çeka ka mbi 200 dokumente që flasin dhe shumica e tyre ndodhen në AQSH. Dy pjesëtarë të tjerë të këtij fisi kanë qenë dhe Gaspër e Ejll Çeka, të cilët ishin të njohur si orkestrantë e kompozitorë të këngës shkodrane, pjesëtarë të grupeve muzikore të kohës, që luanin në violinë e klarinetë. Madje, siç tregon Ëngjëll Çeka, Ejlli është kompozitor i këngës popullore "Sa shpejt ma vure këmbën", e njohur dhe e interpretuar edhe në ditët e sotme.
Banesa 250-vjeçare e familjes Çeka
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Një vlerë të veçantë ka dhe banesa mbi 250-vjeçare ku aktualisht vazhdojnë të jetojnë Ëngjëlli dhe vëllai i tij Mikeli me familjet e tyre. Një banesë karakteristike shkodrane, me stil oriental, e cila që nga viti 1963 gëzon statusin e monumentit të kulturës së kategorisë së parë. E ndodhur përballë konviktit të shkollës së gjuhëve të huaja, shtëpia e madhe dykatëshe e Çekajve duket si në ndonjë muze etnografik apo kështjellë e vjetër mesjetare, të cilat i ndesh rrallë. Muret e larta rrethuese nuk lejojnë që ajo të vërehet nga jashtë, por hapësirat e bollshme, gdhendjet me dru janë dëshmi e vlerave të saj kulturore. Origjinalitetin e saj, aktualisht vazhdon ta ruajë një nga dhomat e katit të dytë, të cilën Ëngjëll Çeka e ruan me shumë kujdes e përkushtim dhe e ka kthyer në një minimuze të familjes së tij.
Dhoma ka tavan me gdhendje, oxhak të madh të stolisur me ornamente, sënduk pajë, mobilje e relike të vjetra të ruajtura me shumë kujdes. Edhe pse me profesion ekonomist, Ëngjëll Çeka ka një pasion prej historiani dhe prej vitesh ka kërkuar ndër arkiva, biblioteka dhe në shtypin e kohës, duke nxjerrë dhe skeduar pothuajse të gjitha ato çka janë shkruar dhe thënë rreth trungut të familjes së tij, të cilat së bashku me dokumentet e tjera dhe reliket e rralla që zotëron, përbëjnë një pjesë të historisë jo vetëm të Çekajve, por dhe të qytetit të Shkodrës. Engjëll Çeka tregon se kanë tre dhoma me oxhaqe të punuara me mjeshtri e të gdhendura me ornamente, por aktualisht vetëm njëra e ka sot një të tillë. Për rikonstruksionin e saj ka ndërhyrë disa herë Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe e fundit ndërhyrje është bërë një vit më parë ku u riparua një ballkon në katin e dytë.
Nga dokumentet që disponohen, të shkruara, rezulton se kjo shtëpi në shekullin XVII kishte altar, gjë e cila i takonte shtëpive me tradita dhe të pasura. Kjo vërtetohet nga një dëshmi e Marjan Prelajt e cila ruhet në AQSH dosja 133, ku thuhet se "....misionarët françeskanë kur ndaleshin në Shkodër për nevojat e veta, deri në vitin 1861 vinin në shtëpitë e më të parëve pasanikë shkodranë ku disa familje me leje mbanin altar në dhomat e vogla të familjeve. Në shekullin XVII ishin shtëpitë e Çobës, Çekës etj", tregon Engjëll Çeka. Një rrugicë afër kishës së Arrës së Madhe mban emrin rruga e Çekajve. Krenar për të kaluarën e trungut të tij familjar, Engjëll Çeka kujdeset që trashëgiminë historike të familjes së tij ta ruajë dhe t'ua përcjellë brezave.
Nderimet e familjes
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në një prej mureve janë vendosur fotografitë e vjetra të pjesëtarëve të kësaj familjeje, dy dokumente të vjetra të shkruara në frëngjisht, ai i 6 shkurt të vitit 1854 dhe është Patenta e Mbrojtjes, me të cilën konsullata franceze e Shkodrës ka pajisur vëllanë e gjyshit të Ëngjëllit, patriotin Filip Çeka.
Në atë dokument të titulluar "Patentë Mbrojtje", shkruhet
- "Ne, Konsullata Franceze në Shkodër, vërtetojmë se zoti Filippo Summa, shtetas otoman, lindur dhe banues në Shkodër, është i regjistruar me numër 2 në regjistrin e veçantë për të huajt e mbrojtur nga kjo konsullatë, në bazë të dispozitave të marrëveshjeve të përmbajtura në traktatet e lidhura ndërmjet Francës dhe Portës së Lartë Otomane. Me besën e fjalës së dhënë, ne i japim atij këtë dhuratë për t'i shërbyer aty ku ja jep e drejta",
- Shkodër më 8 shkurt 1854.
- Nga konsulli Hecquard.
Këtë dokument, Konsullata Franceze e Shkodrës ia ka akorduar Filip Sumës (Çekës) për shërbimet që ai i kishte bërë asaj në atë kohë, kur nuk ishte më shumë se 30 vjeç. Kurse dokumenti tjetër, i cili i përket vitit 1895, është një medalje ari, e cila i është dhënë gjyshit të Ëngjëllit, Mikel Çekës (Suma), ku shkruhet
- "Ministria e Punëve të Jashtme.
- Presidenti i Republikës Franceze, mbi propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Dekreton: Një Medalje Nderi prej Ari që i :është lëshuar z. Summa, përkthyes ndihmës i konsullit të Francës në Shkodër të Shqipërisë, për shërbimet e bëra për interesat :franceze, nga 1856-a më 1895-n".
- Shefi i shërbimit të protokollit Sh. Croziej.
- Lëshuar në Paris, më 23 prill 1895.[1]
Burimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Familja Çeka tregtarët shkodranë, të nderuar nga francezët Arkivuar 3 prill 2010 tek Wayback Machine, nga Shekulli (gazetë)