Abdullah Bugari
Abdullah Z. Bugari (6 qershor 1962 - 17 korrik 1998) - Hero I kombit.
Abdullah Bugari i takon plejadës së djelmoshave të cilët qëndronin në krye të gjeneratës, që mbi supet e veta të njoma e të ngarkuara para kohe me barrën shekullore, hapëroi guximshëm nëpër historinë kombëtare dhe gjeografinë e trojeve etnike. Kjo plejadë, e përgatitur mirë moralisht në shumë dimensione të rrafshit kombëtar, ëndërroi dhe bëri të pamundshmen : theu mitin mbi paprekshmërinë dhe mbi pathyeshmërinë e Serbisë mitomane e cila nëpërmjet neronizmit të Sllobodan Millosheviqit projektonte djepa në vendet ku do t'i lënte eshtrat, projektonte shtretër në vende ku do t'i gjente varret, projektonte ardhmëninë në trojet ku nuk e kishte të kaluarën, prandaj as të tashmen. Dhe nuk kishte faj Sllobodan Millosheviqi, sepse ashtu ia kishin projektuar akademikët pasardhës të Hartvigut, të Cvijiqit e të Gjorgjeviqit në kohën kur "akademikët" e Kosovës bënin "gjumin dimëror" në "Kullat e Velanisë" e zgjoheshin të premteve për të numëruar se sa shokë të Abdullah Bugarit janë burgosur e prangosur, janë rrahur e sakatosur, janë etiketuar e përrallosur duke u përgojuar se me "veprime të pamatura, radikale ekstremiste" po i vënë jashtë binarëve taktet e "Simfonisë së Zezë" që ekzekutohej mbi tokën e Adem Jasharit, mbi Pashtrikun e Luan Haradinajt e mbi Rahavecin e Tonit e të Micit, për të cilin ra Abdullah Bugari. Kjo qe plejada e djelmoshave që lundronin nëpër "Oqeanin e Shpresës" për një Kosovë të pavarur, për një Kosovë të cilën e pati ëndërruar profesor Ukshini, por ja se nuk e pritën, as Toni as Abdullahu e as Selajdini, prandaj të gjithëve u mbetën duart e djathta mbi dhe e amanetet : "Vazhdoni aty ku mbetëm ne !".
Në vargun e ngjarjeve të rëndësishme politike që u zhvilluan anekënd Anadrinit dhe Rahavecit, në veçanti, nuk ka veprimtari, në krye të së cilës të mos ketë qenë i lidhur, të mos ketë qenë organizator Abdullah Zijadin - Humoristi prej Rahavecit : në krye të pjesëmarrësve të demonstratave të Flakës së janarit më 1990, pranë prof. Ukshin Hotit ; në krye të funeralit të përcjelljes në Pavdekësi të Nesimi Elshanit, Agron Fetahut, Halim Hotit e Hilmi Krasniqit ; në krye të grupit për gjetjen e trupave të pajetë të dëshmorëve Jahë Hoti e Shkelzen Krasniqi gjatë dimrit të vitit 1992 ; në organizimin e funeralit për Ethem Bekerin, delegat i Kushtetutës së Kaçanikut i vrarë në Maribor të Sllovenisë ; në krye të protestave për mbrojtjen e arsimit shqip ; në krye të masës së tubuar në Rahavec për përkrahjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ; në krye të Këshillit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizator i ceremonisë së përcjelljeve në Pavdekësi të dëshmorëve Fehim Avdi Gashi, Përparim Ali Thaçi e Sakip Xhemali Bellaqa e i shumë ceremonive deri në ditën e rënies, më 17 korrik 1998 në qendër të Rahavecit të tij të dashur, shumë afër shtëpisë ku lindi, në zemrën e Lagjes "Hoxha"- në Betejën e Rahavecit. Ishte përherë i njohur dhe i afirmuar si veprimtar i palodhshëm i Çështjes Kombëtare, bashkëveprimtar i prof. Ukshin Hotit, i prof. Anton Çettës dhe njëri prej themeluesve të Batalionit të Rahavecit, i njohur si "Lahi", si "Humoristi" dhe i dashur për të gjithë.
Abdullah Bugari është i lindur në Rahavec, më 6 qershor të vitit 1962. Rrjedh prej një familje të varfër, por moralisht të fortë e të njohur për rezistencën ndaj forcave çetnike të cilat në formacione komitash sulmonin Anadrinin dhe Rahavecin. Abdullahu është pasardhës i Malë Cufë Gungës që për trimëri ka lënë gjurmë në toponiminë e Anadrinit dhe të Rahavecit. Malë Cufa, duke rezistuar merr përjetësinë më 1919, jo larg Rrasave të Rahavecit, jo larg Samardanit, e sot pranë majës së Shkodranit. Gojëdhëna toponimike për mikro-nekronimin “Vorri i Malës”, flet shumë për të kaluarën luftarake të të parëve të Abdullahut. Si djalë i parë i Zijadinit dhe i Nadires, kaloi një fëmijëri të gjallë si nxënës i shkollës fillore "Isa Boletini". Përherë i hareshëm, qoftë si vocërrak, qoftë, më vonë si më i rritur, mirëpo përherë në krye të shokëve. Si nxënës tregonte se kishte talent për humor, prandaj pak kush i shpëtonte kamxhikut të humorit dhe të satirave që improvizonte ai. Shquhej me mjeshtërinë për imitim dhe interpretim, prandaj shumë herët e mori nofkën "Humoristi".
Mësimet, pas fillores, i vazhdon në gjimnazin e Rahavecit që sot mban emrin e Xhelal Hajdës - Tonit, të cilin Abdullahu e kishte shok lufte, komandant dhe idol. Në gjimnaz, temperamenti në njërën anë, por edhe vlimet e vitit 1981, në anën tjetër nuk e lënë të qetë. Vihet në krye të grupit për organizimin e demonstratave ; është së bashku me Selajdin Mullabazin, Mizahir Ismën, Gëzim Mullabazin, Bekim Sylkën, Nesimi Elshanin, Agron Fetahun, Halim Hotin, Hilmi Krasniqin, Bedrush Gashin e Mensur Zyberin. Gjenerata e Abdullahut, në gjimnazin e viteve 80-84 ringjalli aktivitetet kulturore dhe patriotike-organizative. E tërë kjo plejadë djelmoshash të Rahavecit lidhet me ilegalen e Anadrinit, me Drinasin, me Drenocin dhe me Krushën e Madhe duke vepruar përherë me shtrirjen sa më të shpejtë e sa më masive në Rahavec, veçanërisht në gjimnaz dhe në lagjen "Hoxha" ku vepronte Abdullah Bugari. Erën e injorancës së regjimit serb, turpin e robërisë, Abdullahu e shijoi si nxënës i gjimnazit dhe si dëshmitar okular i shumë rrahjeve, burgosjeve, ndjekjeve dhe persekutimeve në Rahavec, mirëpo e tërë kjo i kulmoi gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në Tuzëll të Bosnjës e Hercegovinës, kur edhe dënohet me tre muaj burgim ushtarak vetëm se ishte shqiptar dhe fliste shqip. Por megjithatë, asnjëherë nuk u thye, sepse ishte kalitur në gjirin familjar dhe në veprimtari ilegale. Aktivitetet dendësohen me lirimin e prof. Ukshin Hotit nga burgu, të cilin Abdullahu e admironte dhe e përfillte. Entuziazmohej kur e dëgjonte profesorin nëpër tribuna dhe takime që mbaheshin në Rahavec dhe në fshatrat e Anadrinit.
Më 27 janar të vitit 1990, Abdullahu merr pjesë në marshin e janarit, në krye të të cilit ishte prof. Ukshin Hoti dhe ranë dëshmorët e parë për Kosovë, për Pavarësi, për Liri e Demokraci : Nesimi Elshani i Nagacit, Agron Fetahu i Celinës, Halim Hoti i Krushës së Madhe e Hilmi Krasniqi i Hoçës së Vogël. Edhe kjo ngjarje tronditëse, nuk e frikësoi Abdullahun, por shton aktivitetet në drejtim të formimit të instrumentit të forcës me të cilin duhej t'u kundërvihej policëve dhe paramilitarëve të armatosur e që me kohë ishin vendosur në Hoçë të Madhe e nëpër Lugjet e Brestocit. Prandaj, nuk pushon së vepruari deri në realizimin e ëndrrës për ta parë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Prej fillimit të aktiviteteve luftarake në Zonën Operative të Drenicës ; në Llaushë e Prekaz e veçanërisht pas 2 prillit të vitit 1998, Abdullahu për çdo ditë, me automjetin që e kishte të vetmin kapital, furnizonte shtabin e Likocit me mjete të ndryshme logjistike e materiale sanitare. Ka pasur mundësinë që t'i shohë betejat më të përgjakshme që zhvilloheshin në Drenicën legjendare të Adem Jasharit, në Grykën e Llapushnikut, te Guri i Gardhinës e Kroni i Karanocit, prandaj pas çdo udhëtimi bëhej misionar i madh për përhapjen e dashurisë dhe simpatisë për bashkëluftëtarët e Adem Jasharit dhe vëllezërit e Luan Haradinajt në Gllogjanin heroik.
Ëndërronte për të shkuar edhe në Gllogjan me shpresë se aty do ta gjente Xhelal Hajdën - Tonin dhe t'i shihte me sy trimat e Rrafshit të Dukagjinit, pasi që në lajme televizive flitej për luftimet në Baballoq. Por, me formimin e Shtabit Operativ Lokal për fshatrat e Anadrinit dhe Rahavecin, në Drenoc të Zatriqit, më 26 prill 1998, Abdullahu kontakton me Fehmi Lladrofcin e Gani Paçarizin dhe merr detyra konkrete për organizimin e shtrirjes dhe të aktiviteteve rreth përkrahjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahavec dhe në fshatrat e Anadrinit. Shquhej me aftësi kooperative e koordinuese, kishte përvojë veprimi në ilegale, prandaj detyrat rreth afirmimit të Ushtrisë dhe rreth angazhimit të të rinjve në Batalionin e Rahavecit i kryente në "Protestat e Rahavecit". Më 25 maj kontakton me Xhelal Hajdën - Tonin, Selajdin Mullabazin - Micin dhe Gëzim Hamzën - Piktorin. Merr urdhra konkrete dhe vendoset në krye të Skuadrës "Dallëndyshet", e cila vepronte prej Rahaveci deri në Rogovën e Hasit, kurse Selajdin Mullabazi - Mici e këshillon që të bashkëveprojë me skuadrën "Lejlekët", që zhvillonte aktivitete logjistike, informative dhe operative në Rahavec, nëpërmjet Burimit të Ulët, Burimit të Epërm dhe Drenocit me Zatriq.
Me rastin e themelimit të Shtabit Operativ Lokal për Rahavec, Abdullahu merr udhëheqjen dhe komandimin mbi "Dallëndyshet e Para". Thyen Bjeshkët e Malësisë së Tropojës, vetëm e vetëm që të armatoset me tërë skuadrën dhe t'i “dalë shkaut përballë”. Këtë detyrë e kreu me sukses të jashtëzakonshëm dhe me të arritur në “Kërshin e Keq” - në shtabin e Rahavecit, Xhelal Hajda e cakton komandant të kompanisë e cila i kishte pozicionet në “Lugun e Shqipeve”, në “majën e Shkodranit” e deri te Rrasat e Rahavecit. Duke zbritur prej “Rrasave të Rahavecit”-kah brendia e qytetit,
Abdullah Bugari depërton nëpër Varrezat Ortodokse e Lajthishtet deri në bazën e tij në lagjen “Ambulanca” duke kryer shumë operacione brenda aksionit për çarmatosjen e popullatës civile serbe, e cila ishte e pajisur me një armatim të sofistikuar për luftime në qytet dhe si civilë të armatosur, vepronin në lagjet me popullatë të përzier. Në operacionet e këtilla edhe ra heroikisht duke marrë Përjetësinë më 17 korrik të vitit 1998, afër Postës së Qytetit dhe kështu filloi Beteja e Rahavecit.
Abdullahu kishte arritur t'i çarmatosë punonjësit e ambulancës, kalimtarët e rastit, serbë të armatosur dhe katër pjesë të ndërtesave pranë Postës, mirëpo në hyrjen e pestë, kati i tretë, ku banonte kreu i radikalëve të Sheshelit, familjarët Goluboviq, e lëshon syçeltësia dhe plagoset për vdekje në pragun e derës. Kjo ishte goditja e parë, por shumë e rëndë për kompaninë me të cilën komandonte, për Batalionin e Rahavecit, për Betejën e Rahavecit dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Para luftës, menjëherë pas kryerjes së shkollës së mesme, dëshmori Abdullah Bugari, kishte dëshirë të flakët që të studiojë në fakultetin Juridik, mirëpo rrethanat familjare nuk i premtonin shumë, prandaj edhe qe punësuar në Ndërmarrjen Ndërtimore “1 maji” në Rahavec. Martohet me Alltënë Hidajet Haxhijahën të cilën e kishte edhe bashkëshorte edhe bashkëveprimtare. Dëshmori Abdullah Bugari lë dy çuna: Nurin e Adrin dhe çupëzën, Arjetën dhe të tretë mbushin faqet e ditarëve për të anë, për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për Batalionin e Rahavecit.
Trupi i pajetë i Abdullah Bugarit, pas mbarimit të luftës zbulohet në Varrezat e Prizrenit. Në mënyrë shumë të organizuar dhe me përcjellje ushtarake u soll në Rahavec, u nderua me homazhe në Sheshin e Dëshmorëve dhe u përcoll me nderime të larta ushtarake deri në “Kopshtin e Dëshmorëve” që të prehet pranë shokëve të Idealit, pranë: Xhelal Hajdës - Tonit, Selajdin Mullabazit - Micit, Gëzim Mullabazit, Gëzim Hamzës, Sadedin Hajdës, Bekim Sylkës, Mizahir Ismës, Zabit Shabandulës, Asllan Kleçkës, Samir Nurkasës, Xhafer Nurkasës dhe pranë dëshmorëve të tjerë.
Figura emblematike e Abdullah Bugarit u skalit në pllaka përkujtimore, në shkrimet e Agim Durgutit, të Agim Metbalës e të shumë nxënësve të Rahavecit, ndërsa këngët e rapsoditë për Abdullahun i këndoi solisti Vahdet Haxhimustafa e rapsodët e Anadrinit. Njëra prej rrugëve kryesore mban emrin e tij, ndërsa në “Murin e Pikëllimit”, te “Kroni i Lotëve” në Rahavec janë skalitur në pllaka mermeri dy dëshmorë: Abdullah Bugari dhe Gëzim Hamza – Piktori.