Jump to content

Ebu Jusufi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Abu Jusuf-i)
Ebu Jusufi
TitulliImam, Kadi
Personal
Lindur731
Kufe, Hilafeti Emevi
Vdekur798
Baghdad, Hilafeti Abasit
FejaIslam
EraEpoka e Artë Islame
RajoniJurist myslimanë
EmërtimiSuni
JurispodencaHanefi, Muxhtehid
KredoEbu Hanife
Interesi kryesor (et)Jurisprudenca Islame
Muslim leader
Influenced by
Influenced

Ebu Jusuf Jakub bin Ibrahim el-Ensari (Arabisht: أبو يوسف يعقوب بن إبراهيم الأنصاري) i njohur si Imam Ebu Jusufi, ishte nxënës i dijetarit të njohur islam Ebu Hanife, i cili ndihmoi përhapjen e medh'hebit Hanefi nëpërmjet shkrimeve të tij dhe pozitës së qeverisë që ka pasur. Libri i tij më i famshëm ishte Kitab al-Kharaj, një traktat mbi taksat dhe problemet fiskale të shtetit.

Ebu Jusufi lindi në kohën që karakterizohej me intriga e trazira politike, sektare – politike e sociale. Ishte ky fillimi i shekullit të dytë hixhriji, kur me hilafetin emevit sundonte Hisham ibn Abdulmeliku (105-125 H.). U lind në vitin 113 hixhri (731 gregorian, në qytetin Kufe të Irakut të sotshëm dhe i takonte shtresës së varfër të popullsisë. Babai i tij, Ibrahimi kishte prejardhje nga fisi arab Bagila, kurse e ëma kishte prejardhje nga Ensarët prej Medines. Këto dy fise atëbotë ishin në aleancë mes veti.

Për fëmijërinë e Ebu Jusufit nuk dihet shumë dhe shumë të dhëna janë të mjegulluara, prandaj edhe ne do t’i cekim të dhënat më të sigurta për të. Biografët shënojnë se Ebu Jusufi mësimet e para i mori nga fusha e fikhut prej dijetarit të famshëm të asaj kohe Ibn Ebi Lejlasë, me të cilin ishte shoqëruar per një kohë të gjatë. Pas kësaj kohe, ai e ndërpreu bashkëpunimin me të dhe kaloi tek imami e dijetari edhe më i njohur Ebu Hanifeja, në mënyrë që më vonë të arrijë të bëhet e të konsiderohet nxënësi i tij më i madh dhe mbrojtësi e kultivuesi, e mbi të gjitha, prodhuesi e institucionalizuesi më i madh i shkollës juridike hanefite.

Mirëpo, për shkak të gjendjes së rëndë materiale në familje, prindërit nuk kishin mundësi ta shkollojnë djaloshin Ebu Jusuf. Por, me të mësuar Ebu Hanifeja për gjendjen e këtillë materiale dhe për qëllimin e prindërve, shkoi tek prindërit e tij dhe iu lut atyre që i biri i tyre Ebu Jusufi t’i vazhdojë mësimet, ngase vetë Ebu Hanifeja do të kujdeset materialisht si për Ebu Jusufin dhe shkollën e tij ashtu edhe për familjen e nxënësit të tij. Këtë gjest e veprim human Ebu Hanife e bëri i frymëzuar nga mësimet islame dhe duke parë se Ebu Jusufi do të zhvillohet në një dijetar të mirëfilltë që do t’i shpërthejë kufijt hapësinor dhe kohor, duke parë se para Ebu Jusufit është një perspektivë e ndritshme intelektuale e shkencore. Shpresat e tij edhe u realizuan.

Ebu Jusufi ka mësuar edhe nga dijetarë të tjerë të kohës së vet. Mësoi thuajse të gjitha dituritë e kohës si tefsirin, hadithin, siren, historinë, gjuhën, letërsinë dhe teologjinë skolastike. Sidomos ka qenë i preokupuar me hadithe që i ka ditur përmendsh.

Në rini, Ebu Jusufi, ka punuar shumë në transmetimin e hadithit, sidomos prej dijetarëve Hisham ibn Urveh, Ebu Is’hak esh-Shejbaniut, Ata’ ibn es-Saibit e të tjerëve.

Pas vdekjes së Ebu Hanifes më 150 H./767 g., dituria dhe autoriteti që e gëzonte në opinion dhe në mesin e nxënësve të shkollës hanefite e promovuan për mësues të shkollës. Me përkushtim e zell të madh iu përmbajt traditës së shkollës dhe 16 vjet, duke mbetur indiferent ndaj pushtetit, duke mos pranuar poste shtetërore e me qëllim të ruajtjes së pavarsisë së shkollës juridike. Gjatë tërë kësaj kohe, Ebu Jusufi ka vazhduar punën në hulumtimin e çështjeve të ndryshme dhe në shkrimin e librave nga të gjitha fushat e legjislacionit. Këto libra filluan të dëgjohen në opinion, të lexohen e komentohen dhe të mësohet nga ato. Librat e Ebu Jusufit bënë aq jehonë, sa filluan t’i interesojnë edhe pushtetit abasit të ajaj kohe.[6] Abasitët ishin të interesuar për këto libra, sepse zgjerimi i shpejtë i shtetit islam në të katër anët e botës dhe ballafaqimi me popuj e kultura të ndryshme, e zuri pushtetin të papërgatitur në pikëpamje të ligjeve. Kështu, ato do të plotësonin një vakum të ndieshëm në aspektin juridiko-organizativ. Me këtë Ebu Jusufi fitoi vëmendjen e pushtetit para se të bëhet i fuqishëm,[7] me meritën e diturisë dhe punës shkencore në fushat e ndryshme juridike.

ebu jusufi edhe më tej do ta ruante traditën e shkollës së indiferencës ndaj pushtetit, sikur pozita materiale e ebu jusufit dhe e familjes së tij të ishte më e mirë. Respektivisht, sikur ebu jusufi të ishte i çliruar nga problemet materiale, me siguri edhe më tej nuk do të pranonte detyrë shtetërore. Por, pas vdekjes së ebu Hanifes, ebu jusufi ishte në gjendje të vështirë materiale. Kjo gjendje e detyroi që ta shesë shtëpinë e gruas, për çka vjehrra i bëri vërejtje. Në kufe, në qytetin e lindjes jetoi deri sa nuk e pranoi detyrën e shërbimit të kadiut në Bagdadin lindor, ku sundonte halifi El-Mehdiu në vitin 166 H./782 g. Këtë funksion e kreu deri në kohën e El-Hadiut.[8] Është me interes, edhe shkencor, edhe politik, por edhe moral të theksohet se ebu jusufi, duke e kryer detyrën e kadiut në kohën e El-Hadiut si halif në një kontest gjyqësor ndërmjet halifit El-Hadiut dhe një qytetari, gjykoi në disfavor të halifit El-Hadiut, që dëfton në pavarësinë e tij dhe për guximin që të hyjë në një veprim të tillë.[9]

Kur në postin e halifit abasit erdhi Harrunur Rrashidi[10] (786-809), ebu jusufi u avansua në gjyqtar suprem për tërë halifatin abasit, post ky që u konstitua për herë të parë në shtetin mysliman, dhe paraqet risi në historikun e jurisprudencës islame.[11] Pasi që ky ka qenë post apo titull nderi që i jepej gjyqtarit, ebu jusufi emërohet këshilltar i halifit për çështjet gjyqësore, të financave, të administratës, pastaj gjykonte dhe emronte gjyqtarët, këshillonte qeverinë në të gjitha çështjet juridike, si të brendshme, ashtu edhe të jashtme.[12]

Konsekuencën dhe pavarësinë shkencore e profesionale ebu jusufi e ruajti edhe gjatë sundimit të Harunur Rrashidit. Këtë e shohim më së miri nga një kontest gjyqësor ndërmjet një kristiani dhe vetë halifit Harunur Rrashidit. Kristiani ngriti padi kundër halifit përkitazi me një kopsht, kurse ebu jusufi pas shqyrtimit të lëndës gjykoi në dobi të kristianit.[13] Kjo cilësi ndonëse rëndom i mllefosë sunduesit, perkundrazi, ebu jusufi rrespektohej edhe më shumë. Si jurist me njohje të thellë të problemeve e parimor në qëndrime, ai fitoi simpatinë e sunduesit, për ç’arsye iu besua detyra e gjyqtarit, madje edhe e kadi’l-kuddatit (gjyqtarit suprem).[14] Rrespekti dhe besimi që Haruni ushqente ndaj tij rezultoi që pozita e ebu jusufit të rritej në atë që sot e quajmë ministër drejtësie, Gjatë punës së tij në këtë post, më së shumti ka emruar kadi (gjyqtarë) hanefitë, që ka ndikuar në zgjerimin dhe shtrirjen e kësaj shkolle.[15]

Për arsye të punës së kryer në mënyrë korrekte, Harrunur Rrashidi e ka shpërblyer ebu jusufin begatshëm. Rrëfehet se ebu jusufi si muderis i kaloi 17 vjet në varfëri të madhe, e si nëpunës i lartë shtetëror 17 vjet në pasuri të madhe.[16]

Është interesant dhe kuriozitet për të gjithë ne edhe një gjë lidhur me ebu jusufin, të dhënë këtë që nuk e kam hasur në vende tjera, e kjo është se deri atëherë ulemaja me asgjë nuk dallohej nga populli sa i përket veshjes, uniformës. Mirëpo, me zgjerimin e shtetit islam dhe me shtimin e popullsisë, ebu jusufi e pa të arsyeshme të vendos e të caktojë uniformën e veçantë për ulemanë, për t’u dalluar nga populli, e për nevoja të ndryshme[17]

Se ebu jusufi gëzonte respekt edhe te pushtetarët dëshmon Harunur Rrashidi, që, i pyetur njëherë se për ç’arsye e nderon kaq shumë ebu jusufin, tha: “Çkado që e pyeta, vërejta se ishte i përsosur. Është po ashtu njeri i ndershëm, me karakter të fortë. Sikur të ishte dikush i ngjashëm me të, do të isha i kënaqur vetëm ta shoh!.”[18]

Për autoritetin e tij njerëzor e shkencor flet edhe numri i madh i nxënësve të ebu jusufit. Në pamundësi që t’i cekim të gjithë, do t’i përmendim vetëm më kryesorët Muhamet ibn Hasani, Hasan ibn Zijad el-Lu’lui, të cilët ishin nxënësit më të mëdhenj të ebu Hanifes dhe ebu jusufit, pastaj, Bishr ibn Gijath El-Merisi, i cili nga ebu jusufi e mësoi fikhun dhe transmetoi mjaft prej tij, Bishr ibn El-Velid El-Kindij, i cili e mësoi fikhun prej ebu jusufit dhe transmetoi veprat e tij, Muhammed ibn Semaat et-Temimi, Hilad ibn Jahja e të tjerë.[19]

ebu jusufi vdiq në vitin 182 hixhrij ose 798 gregorian, që d.m.th. se jetoi 69 vjet lunar apo 67 solar. Harunur – Rrashidi siç e respektoi për së gjalli, këtë e bëri edhe pas vdekjes. Personalisht mori pjesë në varrim, ia fali xhenazen dhe e varrosi në varrezat e veta familjare.[20] Vdekja e ebu jusufit ka paraqitur humbje jo vetëm për hanefitët, por për të gjithë muslimanët.

Pasqyrë e veprave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shkrimtari e kompilatori i parë dhe një ndër më produktivë të shkollës hanefite, dhe përgjithësisht të së drejtës islame, është imam ebu jusufi. Shkroi shumë dhe në fusha të ndryshme.[21] Ibn Nedimi i thekson veprat e tij që u përkasin fundamenteve të fesë dhe marrëdhënieve pronësore. Ai cek këto vepra: Kitab’us salat, El-Vesaja, Es-Sajdu Ve ’dh-dhebaihu, El-Gasbu ve’l-istibrau, El-Ihtilafu’l-emsari, Err-Rreddu ’ala Malik ibn Enes, Kitab’ul-xhevamil,[22] e të tjera.

Pas këtyre veprave që i cek Ibn Nedimi, ebu jusufi i shkroi edhe këto vepra: El-Ihtilafu ibni Ebi Lajla (ku flet për dallimet dhe mospajtimet ndërmjet mësuesit të tij ebu Hanifes dhe kadiut të Kufes, dhe ish mësuesit të tij Ibn Ebi Lejlasë), Err-Rreddu ’ala sijeri’l-Evzaij (përgjigje në trajtesën e Evzaiut për të drejtën ndërkombëtare), Kitab’ul-hijel (Fiksionet juridike) etj. Autorët e ndryshëm përmendin edhe vepra të tjera të ebu jusufit, sikur që janë ato mbi ibadetin (namazi, zekati, agjërimi), e drejta trashëgimtare e sheriatit, e drejta testamentale, libri i kodit penal etj.[23]

Një ndër veprat më të rëndësishme të ebu jusufit është edhe “Kitab ’ul-athar”. Vepra paraqet një përmbledhje hadithesh të rëndësishme, që i ka transmëtuar ebu jusufi, e që i ka përdorur ebu Hanifeja, dhe në mbështetje të të cilave ka sajuar disa fetva të veta. Aty cekën edhe fetvatë e as’habëve dhe jep shikim në vendin e tyre në plotësimin e zbrazëtirave juridike. Ka mendime se koautor i kësaj vepre është Ibn jusufi, i biri i ebu jusufit.[24] Këtë libër do ta çmojë shumë edhe tradicionalisti i madh Ibn Hanbeli.[25]

Pa mëdyshje, vepra më kapitale dhe më e rëndësishme e ebu jusufit, e shkollës hanefite dhe ndër më të rëndësishmet në të drejtën islame në përgjithësi është “Kitab ’ul-haraxh”. Këtë vepër ebu jusufi e shkroi me kërkesën e halifit abasit Harunur Rrashidit, i cili kishte për qëllim që halifatin ta rregullojë në baza ligjore, t’u përgjigjet kërkesave të kohës dhe të qeverisë e të administrojë më lehtë e më me efikasitet me shtetin. Në këtë vepër ebu jusufi trajton një varg çështjesh vitale për shtetin, siç janë çështja e financave publike, çështja e administratës, gjykatës etj. Për shkak të rëndësisë që ka kjo vepër, do të përpiqemi t’i prezentojmë për së shkurti temat që trajtohen në të, e të cilat janë:

- Lëshimi i traditës bizantine dhe iraniane në çështjet pronësore dhe kthimi në hilafetin e drejtë.

- Përgjegjësia e halifit jo vetëm para Zotit, por edhe para popullit.

- Obligimet e halifit ndaj popullit .

- Obligimet e popullit ndaj halifit.

- Thesari është i Zotit dhe i popullit dhe jo i halifit.

- Caktimi i tatimeve të bëhet në bazë të kritereve të drejta.

- Të drejtat e shtetasve jomuslimanë (ehl ’udh-dhimme) në shtetin islam

- Çështjet pronësore.

- Gjyqësia.

- Liria personale.

- Reformat e burgut, etj. etj.[26]

Kjo vepër si në këtë periudhë, po ashtu edhe më vonë, e sidomos në hilafetin osman dhe në Indi ka ndikuar me të madhe në rregullimin e marrëdhënieve pronësore dhe segmente tjera nga jurisprudenca islame.[27]

Është evidente se në të gjitha veprat e tij është e pranishme edhe tradita e edhe arsyeja. Është evidente edhe kjo se ebu jusufi gjithnjë kur është e domosdoshme së pari shtron mendimin e mësuesit, e pastaj pëlqimin ose mospëlqimin e tij, fakt ky që ebu jusufin e bën të respektuar dhe autentik te shkencëtarët. Konsiderueshëm është më tradicionalist se ebu Hanifeja.[28]

Mirëpo, veprat e ebu jusufit nuk janë përpunuar e realizuar sa duhet, po ashtu nuk janë analizuar në dritën e aktualitetit. Ato më tepër i hasim në citate e fragmente. Është koha e fundit që ato të përmblidhen në një vend, të përkthehen në gjuhë botërore dhe t’i mundësohen ekspertëve të ndryshëm për vlerësime, hulumtime krahasimtare, ndikimet reciproke etj. Kështu çfarë janë, ato u janë të kapshme vetëm një numri të vogël shkenctarësh e specialistësh.

Veçoritë shkencore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Historiani e mufesiri i madh islam Ibn Xherir et-Taberiu pohon se “Ka qenë ebu jusuf ibn Ibrahimi kadi (gjyqtar), fakih (jurist), mendimtar dhe hafidh (mbamendës)[29] i Kur’anit dhe i Hadithit.

Kjo premisë imponon që përpjekjet tona në hulumtimin e personalitetit dhe veprës së tij duhet t’i drejtojmë drejt veprës së ebu jusufit. Nëse i bëhet një analizë, aq sa, konstruktive jetës dhe veprës së tij, do të mund t’i veçojmë veçoritë më thelbësore të mësimit të ebu jusufit, raportet e tij me ebu Hanifen dhe përgjithësisht. Normalisht këtë do ta bëjmë duke i pasur parasysh rezultatet e arritura të shkencëtarëve islamë dhe hapësirën tonë në këtë punim. Keto veçori mund t’i redukojmë në:

1) Mësimi i ebu jusufit në masë të konsiderueshme nënkupton mësimin e ebu Hanifes. Ky konstatim konsiston në metodologjinë e njëjtë juridike të ebu jusufit me atë të ebu Hanifes, të cilin ai e konsideron për mësues të vetin. Disa shkojnë edhe më larg, sa raportet ndërmjet ebu jusufit me të ebu Hanifes i konsiderojnë si ato të Platonit me të Sokratit në antikën e vjetër [30], çka edhe nuk teprohet.

2) Veçoria tjetër më e dalluar e mësimit të tij juridik është se ebu jusufi më shumë varet nga hadithi (tradita) se sa ebu Hanifeja. Në këtë varshmëri më të theksuar të ebu jusufit mbase kanë ndikuar takimet e tij me Malik ibn Enesin, kur ai ka hequr dorë nga disa pikëpamje të veta të mëhershme,[31] e mbase edhe rezistenca më e theksuar e tradicionalistëve kundrejt rezonimit diç më lirë.[32] Kjo përmbajtje, përkatësisht ky ngurrim nga rezonimi diç më i lirë i ebu jusufit, shpjegohet edhe me rrethanat se në kohën e tij tashmë kemi më tepër burime autoritative, autentike të hadithit. Kjo edhe ka ndikuar që ebu jusufi mjaft shumë të punojë në argumentimin e qëndrimeve të shkollës juridike hanifike me hadith.[33] Kështu kemi rastin kur ebu Hanifeja për shkak të mosnjohjes së hadithit përkitazi me mosshitjen e vakufit që Muhammedi a.s. ia ka dhënë Omerit r.a. që vakufi as nuk mund të “shitet, as të trashëgohet as të dhurohet”, kishte lejuar shitjen e tij, kurse ebu jusufi dhe Muhammed ibn Hasani kanë mendim të kundërt, konformë tekstit të hadithit. ebu jusufi më vonë ka thënë: “Sikur ky hadith të kishte arritur tek ai sigurisht do të kishte pranuar dhe do ta refuzonte shitjen e vakufit” .[34]

3) Mësimi i ebu jusufit, shpesh, paraqet reaksion në të rezonuarit diç më të lirë të ebu Hanifes,... por mësim më inteligjent dhe më i zhvilluar.[35] Është interesant të theksohet pohimi i ebu jusufit lidhur me divergjencat mes tij dhe mësuesit të tij ebu Hanifes. Ai thotë: “Të gjitha çështjet ku janë ndarë me Imamin nuk rrjedhin vetëm prej meje, por kanë mbështetje në zgjidhjet-fetvatë e mëhershme të Imamit, nga të cilat ai më vonë ka hequr dorë”.[36] Shkencëtari i madh, i ndjeri, A. Zejdani pohon se ebu jusufi është orvatur që kijasin dhe istihsanin sa më tepër t’ia ofrojë jetës, e jo ta përdorë vetëm në prezumimet teorike.[37]

Se praktika herë herë imponon bishtnime të ligjit, përkatësisht bishtnime shkronjës së ligjit kemi rastin te “fiksionet juridike” (el-hijel esh-sher’ijjeh). Halifi abasit Harunur Rrashidi e thërret një ditë ebu jusufin që t’ia zgjidh rastin vijues. Harunit i ka pëlqyer një robëresh që ishte në pronësi të Isa ibn Xha’ferit. Haruni ka kërkuar që ky t’ia falë apo t’ia shesë. Mirëpo, Isa ibn Xha’feri e refuzon, e Haruni i kërcënohet me vdekje, duke iu betuar në Zotin, për të gjetur shtegdalje, ebu jusufi interesohet te Isa ibn Xha’feri, për arsyen, përse e refuzon shitjen ose faljen e robëreshës dhe me këtë veprim e sjell vetën në pozitë aq të rëndë për jetën. Isai i është përgjigjur ebu jusufit se është betuar se këtë robëreshë as nuk do ta shesë, as nuk do ta dhurojë, sepse në të kundërtën duhet të shkurorëzohet nga gruaja, t’i lirojë robërit dhe tërë pasurinë ta shpërndajë sadakë. Pas një analize, ebu jusufi e ofron këtë mendim: Isa ibn Xha’feri gjysmën e robëreshës t’ia shesë halifit, e gjysmën t’ia falë, kështu që as nuk ia ka shitur të tërën, as nuk ia ka falë të tërën. Ashtu edhe u veprua: gjysma e robëreshës është shitur për njëqind mijë dinarë”.[38]

4) Medoemos duhet vënë në pah se sa më shumë qe plakej ebu jusufi ndodhnin edhe ndryshime në mësimin e tij për të mirë. Këto ndryshime kanë qenë relativisht të shpeshta, që konsiderohet se janë rezultat i përvojës së tij si kadi suprem, përkatësisht janë ndryshime që i ka imponuar praktika,[39] ku erdhi në shprehje tërë aftësia e tij poliendrike. ebu jusufi i pari nga shkolla e tij erdhi në sprovë që parimet doktrinale juridike hanefite t’i provojë në mënyrë praktike,[40] dhe është mendim i përgjithshëm se këtë veprim e ka kryer me akribie e inteligjencë të madhe. Këtë më së miri e dëshmon historia – se mësimet hanefite që i krijoi dhe artikuloi ai t’u përgjigjen kërkesave të kohës dhe madje edhe për kohën tonë janë fundament dhe mjaft vitale.

5) Herë-herë, interpretimi i ebu jusufit paraqet ngushtim të mendimit të lirë të ebu Hanifes, që cekëm edhe më parë, dhe tok me ndërrimin diç më të shpeshtë të mendimeve të tij, paraqet gjendjen reale dhe ballafaqim me realitetin, që është rezultat i ushtrimit të funksionit të juristit nga ana e tij, tradicionalizmit diç më të theksuar në krahasim me ebu Hanifen dhe ndryshimin e rrethanave politike, shoqërore e shkencore.[41]

Emrimi i ebu jusufit në funksionin e gjyqtarit suprem (kadi’l-kuddat) të hilafetit implikon dhe imponon që t’i vemë në pah tri çështje me rëndësi, si për shkollën hanefite, ashtu edhe për të drejtën islame në tërësi. Ato janë:

a) Studimi teorik i librave, diskutimet, kuvendimet dhe polemikat brenda shkollore nga vetë ata dhe studentët tjerë kaloi në një rrafsh tjetër – në rrafshin praktik, nga obstruksionizmi në realen, në fushë më të gjerë veprimi – kyçja direkte në punët juridike e organizative të imperatorisë më të madhe të botës së atëhershme. Ky ishte rasti që mësimi hanefit shpesh i kritikuar për tepër teorik, të bie në botën reale dhe të ndeshet me të gjitha sfidat e kohës, për t’u bërë sistem praktik ligjor, që i përgjigjet të gjitha nevojave të një shoqërie me konglomerat popujsh, kulturash e gjuhësh.

b) Emrimi i ebu jusufit në postin e gjyqtarit suprem të hilafetit, bëri që ai më së tepërmi të emrojë gjyqtarë nga shkolla hanefite dhe atë në shumicën e vendeve, dhe, në këtë mënyrë, doktrina hanefite u promovua nga kjo periudhë e më vonë, në ligj të hilafetit islam, në shumë vende e gjatë disa periudhave.

c) Shteti emevit ishte shndërruar në autokrat, aty dominonte arbitrariteti dhe dora e fortë. nuk kishte ligje unike, por nga rasti në rastë, ad hoc, e kjo gjendje i shkonte për shtati sunduesve emevitë. Mirëpo, ebu jusufi, me ndikimin e forcës së vetë morale e intelektuale, formoi një shtet të fuqishëm të mbështetur në ligje,[42] që i garantonte hilafetit islam një stabilitet politik, ekonomik, social e shkëncor, që edhe ndodhi më vonë.[43]

Përkitazi me këtë, historiani i madh Ibn Hal-likani, në bazë të autoritetit të Talha ibn Muhammedit shkruan se ebu jusufi ka qenë njeriu i parë që i ka hartuar librat për të gjitha fushat fundamentale të Ligjit, në pajtim me mësimin hanefit, me çka dija e ebu Hanifes u përhapë në botë.

ebu jusufi është nxënësi më i madh i ebu Hanifes dhe personaliteti i dytë i shkollës (medhhebit) juridike hanefite dhe padyshim njëri prej dijetarëve më të mëdhenj në të drejtën islame. Kishte zgjuarësi të madhe dhe shpejt u dallua në dituri. Mirëpo, kushtet e vështira materiale e detyruan familjen e tij ta ndalë atë nga shkolla. Mirëpo, ebu Hanifeja, mësuesi i tij, e bindi familjen e tij që ta lejojnë ebu jusufin t’i vazhdojë mësimet, sepse ai do të kujdeset për ta dhe për nxënësin e tij. Pas vdekjes së ebu Hanifes nxënësit e zgjodhën ebu jusufin për mësues të shkollës. Sikur ebu Hanifja edhe ky ishte indiferent ndaj posteve zyrtare, por pas një decenie e gjysmë varfërie, u detyrua ta pranojë postin e gjyqtarit, që më vonë të emërohet gjyqtar suprem i shtetit, këshilltarë i halifit etj. Ndonëde ishte më tradicionalist se ebu Hanifeja, me përkushtim zhvilloi mësimin hanefit. Për këtë qëllim ai shkroi shumë, thuajse nga të gjitha fushat juridike e të tjera. Vepra e tij më kapitale është “Kitab’ul-haraxh”, e shkruar me kërkesë të halifit abasit Harunur Rrashidit. Veprat e ebu jusufit paraqesin fundament për studime të së drejtës islame edhe aktualisht. Mirëpo, opusi i tij ende ka mbetur i panjohur për opinionin e gjerë shkencor të botës, e si pasojë e kësaj edhe ebu jusufi ka mbetur në margjina të shkencës, i eksploatuar vetëm fragmentarisht dhe nga dora e dytë. Është më se e nevojshme që edhe ne në nënqiellin tonë t’i japim kontribut në këtë rrafsh në forma të ndryshme, në mënyrë që ebu jusufi të jetë objekt i studimeve shkencore individuale apo institucionale. Përpjekja jonë edhe e ka për qëllim primar këtë aktualizim.

Nga : Imam Ebu Jusufi

Burimi i të dhënave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]


[1] Emri i ebu jusufit në literaturë më rrallë ndeshet i plotë. Atë thuajse rregullisht e hasim si Imam ebu jusufi apo vetëm ebu jusufi . Për ebu jusufin në kontekst të shkollës juridike hanefite mund të lexoni në punimin tonë me titull “Shkolla juridike hanefite dhe karakteristikat themelore të doktrinës së saj “, Shkup, 1998, fq. 162 ; Shih: Shibli Nu’mani, Abu Hanifa – Zivot i djelo, Zagreb, 1996, fq. 251.

[2] Për Emevitet dhe për këtë periudhë shih: Nerkez Smailagić, Leksikon islama, Sarajevo, 1990, fq. 638 – 642, Filip Hiti, Istorija arapa, Sarajevo, njërin nga tre botimet e deritashme.

[3] Shih: Al-Makki, Manaqib al-Imam al-A’zam. Abi Hanifa, Dairatu ’l Maarif, Hyderabad, 1321/1903, vol. II, fq. 212, cituar sipas: Al-Maududi, Abu Hanifa i Abu jusuf, Në: M.M. Sharif, Historija islamske filozofije, II, Zagreb, 1988, fq. 102. (Më tej: Al-Makki, HIF).

[4] Ibid., fq. 102

[5] Al-Mawdudi, Abu Hanifa i Abu jusuf, op. cit, fq. 102

[6] Abasitët e morën sundimin nga Emevitët në vitin 132 hixhrij / 750 g. Shih: Nerkez Smailagić, Leksikon islama, op. cit., fq. 9-

[7] Al-Mawdudi, Abu Hanifa i Abu jusuf, op. cit., fq. 103.

[8] Ibid., fq. 103.

[9] Al-Kardari, Manaqib al-Imam al-A’zam, Hyderabad, 1321 / 1903, vol. I, fq. 125, cituar sipas: Al-Mawdudi, Abu Hanifa i Abu jusuf, op. cit., fq. 104. (Më tej: Al-Kardari, HIF)

[10] Shih për Harunur Rrashidin: Nerkez Smailagić, Leksikon islama, op. cit., fq. 242.

[11] Al-Makki, HIF, op. cit.., fq. 103, Fikret Karçiq, Historia e së drejtës së sheriatit, Prizren, 1994, fq. 64.

[12] Fikret Karçiq, op. cit., fq. 64, Al-Mawdudi, Abu Hanife i Abu jusuf, op. cit., fq. 103.

[13] Al-Makki, HIF, op. cit., fq. 104.

[14] Shih: Muhammed-beg el-Hudarij, Tarihu t-teshri’i l-islamijj, Kairo, 1928, fq. 144; Ahmed Emin, Duha’l-islam, vol. II, bot. IX, Kairo, 1979, fq. 198; Muhammed ebu Zehre, ebu Hanife, Kairo, ( - ) , fq.196-197.

[15] Kasim Dobraća, Iz islamskog prava i njegove istorije, Glasnik islamske zajednice u kraljevini Jugoslaviji, Nr. 9 /1936,Sarajevo, fq. 367.

[16] Salih Safvet Bašić Kratak pregled na razvoj šerijatskog prava – Nešto iz povijesti ilmi – kelama, Sarajevo, 1943, fq. 19.

[17] Ibid., fq. 19.

[18] Al-Makki, HIF, op. cit., fq. 104.

[19] Shih gjerësisht: Muhammed-bek El-Hudarij, op. cit., fq. 146-148; M. ebu Zehre, ebu Hanife, op. cit., fq.221-224.

[20] Al-Kardari, HIF, op. cit., fq. 104.

[21] Se ebu jusufi qysh si nxënës, por edhe më vonë shkroi shumë, dhe se ishte i pasionuar me mësim, tregon edhe rasti që e transmeton Zuferi, nxënës i madh i ebu Hanifes. Ai thotë: E vizitonim ebu Hanifen, e me ne ishte ebu jusufi. Ne shkruanim nga ai (ebu jusufi), e Imami një ditë i tha ebu jusufit: “Vaj për ty o Ja’kub !, mos shëno atë që e dëgjon prej meje, sepse unë sot e kam këtë mëndim, e nesër e lë, nesër një , e pasnesër e lë.” (ebu Zehre, Tarihu-l-medhahib, Kairo, (-), fq. 462.

[22] Ibn Nedim, Fihrist, i cituar sipas: ebu Zehre, ebu Hanife, op. cit., fq. 198; Ibrahim Džananović, ebu Hanife i njegov doprinos razvoju šerijatskog prava, në: Zbornik radova islamskog teološkog fakulteta, Sarajevo, v. 3/ 1990, fq. 26. (Më tej: ebu Hanife).

[23] Fikret Karçiq, op. cit., fq. 64-65, Ibrahim Džananović, ebu Hanife, op. cit., fq. 26.

[24] Ibrahim Džananović, ebu Hanife, op. cit., fq. 26, Henri Laost, Raskoli u islamu - Uvod u proučavanju islamske religije, Zagreb, 1989, fq. 89. (Më tej: Raskoli u islamu) dhe: Fikret Karçiq, op. cit., fq. 64

[25] Henri Laost, op. cit., fq. 89

[26] Gjerësisht: Al-Mawdudi, Abu Hanife i Abu jusuf, op. cit., fq. 104-109.

[27] Fikret Karçiq, op. cit. fq. 64; Henri Laost, op. cit. fq. 89; ebu Zehre, ebu Hanife, op. cit. fq. 188-189; Ahmed Emin, op. cit. fq 201-202.

[28] Henri Laost, op cit., fq. 89

[29] Shih: Ahmed Emin, op. cit. fq 200; ebu Zehre, ebu Hanife, op. cit. fq. 197.

[30] Fikret Karçiq, op. cit. fq. 65.

[31] Ahmed Emin, op. cit. fq 200.

[32] Shih: Fikret Karçiq, op. cit. fq. 65; Abdulkerim Zejdan, El-Med’halu li diraseti ’sh-sheriati ’l-islamijje, Aleksandri, Egjipt, (-) fq. 159; Krhs.: Joseph Schacht, Islamic Law, sipas: Nerkez Smailagić, Klasična kultura islama, II, Zagreb, 1976, fq. 301 (Më tej: Schacht Islamic Law).

[33] El-Kehlani, Subul ’us selam, Kairo, 1960, vëll III, fq 88, sipas: Ibrahim Džananović, Idžtihad u prva četiri stoljeća islama, Sarajevo, 1986, fq.65 (më tej: Idžtihad); Shih: Nerkez Smailagić; Leksikon islama, op. cit. fq. 659-661.

[34] Schacht, Islamic Law, op. cit, fq, 301.

[35] S. S. Bašić, op. cit. fq. 19

[36] Abdulkerim Zejdan, op. cit. fq. 159-160.

[37] Xh. Sujuti, Tarihu’l-hulefai, fq. 270-272, cituar sipas: Fikret Karçiq, op. cit. fq. 68.

[38] Schacht, Islamic Law, op. cit, fq, 301.

[39] Ahmed Emin, op. cit. fq 199.

[40] Shih: Fikret Karçiq, op. cit. fq. 65.

[41] Al-Mawdudi, Abu Hanife i Abu jusuf, op. cit. fq. 123.

[42] Për abasitët, shih: Nerkez Smailagić; Leksikon islama, op. cit. fq. 9-10; Filip Hiti, Istorija arapa, op. cit.

[43] Ibn Hal-likan, Wafayat al-ayan, Kairo, 1948, vol X, fq. 423, cituar sipas: Al-Mawdudi, Abu Hanife i Abu jusuf, op. cit. fq. 102.